` . Murat Labënishti dhe Komiteti Nacional Shqiptar në Strugë – TV-SHENJA

Murat Labënishti dhe Komiteti Nacional Shqiptar në Strugë

Burimet e proviniencës policore jugosllave vënë në dukje se Murat Labënishti qëndroi në ilegalitet deri kah muaji qershor 1946, kur vritet nga forcat policor-ushtarake komuniste shqiptare. Data e saktë e vrasjes së tij nuk dihet, mirëpo nga bisedat e zhvilluara me familjarët e afërt të Murat Labënishtit, kuptojmë se komunikimi i fundit me të kishte ndodhur diku kah muaji prill i vitit 1946.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Atdhetari dhe intelektuali i shquar shqiptar, Murat Labënishti, lindi në vitin 1913 në fshatin Labënishtë të Strugës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në gjuhën serbo-kroate. I dhënë pas shkollimit, ndërsa kushtet e atëhershme politike nuk ia mundësonin, në fillim të viteve të tridhjeta të shekullit të kaluar, u detyrua ta kalojë ilegalisht kufirin shqiptar-jugosllav, për t’u vendosur në Shkodër. Aty së shpejti u regjistrua në Liceun e atij qyteti, që ndryshe konsiderohej si një ndër shkollat më me zë të asaj kohe në Shqipëri, krahas Liceut të Korçës. Pasi e kreu shkollimin me një sukses të lartë, me vendim të Qeverisë Mbretërore Shqiptare, emërohet nëpunës i lartë në nënprefekturën e Peqinit. Me kapitullimin e Mbretërisë Jugosllave, si shumë atdhetarë tjerë shqiptar nga Kosova dhe trevat lindore shqiptare, edhe Murati u kthye në gjirin familjar, në fshatin Ladorishtë. Nga ky moment e deri në vjeshtë vitit 1943, Muratin e shohim herë në Peqin e herë në Strugë, për çka ai disa herë arrestohet nga policia e atëhershme shqiptare, nën dyshimin se vepron “kundër regjimit të atëhershëm”. Aktiviteti i tij politik e ushtarak erdhi në shprehje në pjesën e dytë të vitit 1943, kur përfundimisht u vendos në fshatin Labënishtë. Më kërkesën e bashkëfshatarëve të tij emërohet kryetar i Komunës së Labënishtit, një detyrë që e mbajti deri në tetor të vitit 1944, kur me kërkesën e kryetarit të Lidhjes II të Prizrenit për rrethin e Strugës, Mentor Qoku, emërohet nënprefekt i Strugës. Detyrën e nënprefektit e kreu deri më 10 nëntor 1944, kur Struga me rrethinë u ripushtua nga njësitë komuniste jugosllav-shqiptare. Deri në fillim të muajit dhjetor 1944 Murat Labënishti, së bashku me 100 bashkëluftëtarët e tij, iu kundërvu dhunës dhe terrorit të brigadave komuniste jugosllave, të cilat kryheshin në emër “të çarmatosjes së popullsisë shqiptare”. Si rrjedhojë e dhunës dhe terrorit, filloi dezertimi i një numri të madh të ushtarëve të Brigadës IV Shqiptare, për t’iu bashkangjitur njësive vullnetare të Murat Labënishtit. Korparmata XV maqedonase më 15 nëntor 1944 i raportonte Shtabit Kryesor të LNÇM-së se në rajonin e Strugës “prej disa ditësh sillet i vetëshpalluri udhëheqës i shqiptarëve, Murati, i cili organizon aradhe të armatosura shqiptare, për shkaqe të pasqaruara deri tash. Ky person ka mbajtur fjalime nëpër fshatrat e Strugës…”. Në vazhdim të raportit thuhej se në afërsi të fshatit Labënisht “ndodhet një grup prej 10 ballistëve”, një grup tjetër prej rreth 200 vetëve vepron në fshatin Oktis, ndërsa në fshatrat Cërvena Vodë dhe Leshan kanë dezertuar 80 vetë nga, siç thuhej, “Brigada IV myslimane”, për t’iu bashkangjitur Murat Labënishtit.

Në mbrëmjen midis datës 20-21 nëntor njësitë e Brigadës V Maqedonase e rrethojnë fshatin Labënisht, ku qëndronin forcat vullnetare shqiptare. Pas një përleshje të shkurtër, Murat Labënishti, i shoqëruar me 100 bashkëluftëtarët e tij, vendos ta braktisë fshatin, për të shkuar në Zerqan të Dibrës, ku qëndronte Shtabi i Divizionit IV Shqiptar, i udhëhequr nga Mehmet Shehu. Ky i fundit, me kërkesë të Shtabit Kryesor të LNÇM-së, më 5 dhjetor 1944, pasi kreu çarmatosjen e plotë, Murat Labënishtin me 100 vullnetarët e tij ua dorëzoi njësive të Brigadës VII maqedonase, të cilët me urdhër të OZN-ës e arrestuan për ta dërguar në burgun hetues të Strugës. Nga atje e vendosën në burgun e Idrizovës, nga ku pas disa muajsh ai arriti të arratiset, për të kaluar në ilegalitet. Burimet e proviniencës policore jugosllave vënë në dukje se Murat Labënishti qëndroi në ilegalitet deri kah muaji qershor 1946, kur vritet nga forcat policor-ushtarake komuniste shqiptare. Data e saktë e vrasjes së tij nuk dihet, mirëpo nga bisedat e zhvilluara me familjarët e afërt të Murat Labënishtit, kuptojmë se komunikimi i fundit me të kishte ndodhur diku kah muaji prill i vitit 1946. Ai u vra në fshatrat e Gollobordës së Dibrës së Poshtme, kur – sipas disa të dhënave – aty ishte vendosur pas një mbledhjeje të mbajtur në krahinën e Lumës, në të cilën, krahas Muratit, kishin marrë pjesë edhe Muharrem Bajraktari, Osman dhe Zenel Lita, Cen Elezi, Dan Kaloshi, Shemsi Hatipi e shumë figura tjera, në të cilën ishte vendosur që të kryhet mobilizimi i shqiptarëve për një kryengritje të përgjithshme, e cila fillimisht duhej të shpërthente në krahinat e Lumës e të Dibrës dhe më pas, me ndihmën e aleancës anglo-amerikane, e njëjta do të zgjerohej edhe në Kosovë dhe në krahinat e tjera shqiptare.

 Themelimi i Komitetit Nacional Shqiptar

Siç theksuam më lart, në vjeshtën e vitit 1943 Murat Labënishti u emërua kryetar i Komunës së Labënishtit. Në atë periudhë kohore, në Strugë me rrethinë, kishte filluar një propagandë e zgjeruar komuniste, në ballë të së cilës qëndronin disa komunistë shqiptarë nga Dibra e Madhe dhe Elbasani. Në fakt, kjo propagandë ishte rrjedhojë e marrëveshjes së arritur më 25 qershor të vitit 1943 në Korçë midis të deleguarit të PKJ-së, SfetozarVukmanoviq – Tempo, të deleguarit të PKSH-së, Koçi Xoxe, dhe të deleguarit të PK të Greqisë, V. Samarineos, për krijimin e Shtabit Ballkanik, i cili duhej të themelohej deri më 10 gusht 1943. Njëkohësisht, marrëveshja parashihte edhe bashkëpunimin politik dhe ushtarak midis PKJ-së dhe PKSH-së dhe njësive të tyre:

“ a/ bashkëpunimi ushtarak do të realizohet në operacionet e përbashkëta ushtarake, të cilat do të drejtohen nën komandën e shtabeve të përbashkëta operative. Ky bashkëpunim i përbashkët vjen në shprehje në radhë të parë në sektorët: Metohi-Shqipëria e Veriut, Kërçovë-Elbasan, Gjirokastër-Janinë, Korçë-Kostur, Manastir-Lerin dhe Gjevgjeli-Gjenë.

 b/ bashkëpunimi politik do të realizohet përmes popullarizimit të luftës që e zhvillojnë popujt e Ballkanit për çlirimin e tyre nacional dhe përmes ndihmës reciproke të ngrihen në luftë pakicat nacionale kundër pushtuesit, pjesa më e madhe e tyre sot qëndrojnë në shërbim të pushtuesit. Prandaj vihet në pah nevoja për dërgimin e çetave shqiptare në sektorin e Kosmetit dhe të Maqedonisë. Çetat shqiptare të cilët do të kalojnë në Kosmet dhe Maqedoni e kanë të domosdoshme t’u flasin masave shqiptare: se është në interesin e tyre që së bashku me serbët e maqedonasit të zhvillojnë luftë kundër pushtuesit, se është në interesin e tyre që të futen nën komandën e Shtabeve Kryesore të Kosmetit e Maqedonisë, se për fatin e tyre pas çlirimit do të vendosin vetë popujt e Kosovës e të Maqedonisë dhe se shërbimi i deritanishëm i tyre okupatorit i çon ato drejt humnerë.. etj.”.

Për arritjen e marrëveshjes, Tempo, përmes një letre, e njoftonte SHK të LNÇM-së, në të cilën veç tjerash thuhej:

“Me Shtabin kryesor të UNÇ të Shqipërisë u arrit marrëveshje për dërgimin e çetave shqiptare nën komandën e Haxhi Lleshit në sektorin e Zonës së I-rë operative të Maqedonisë. Çetat shqiptare, nën komandën e Haxhi Lleshit, me ndihmën e juaj do të zhvillojnë veprimtari të gjallë politike te masat e gjera shqiptare nën këto parulla: 1/ pakica shqiptare për interesin e vet duhet që së bashku me kombin maqedonas të luftojë kundër okupatorit dhe kundër të gjithë shërbëtorëve e tij; 2/ pakica shqiptare, për interesin e vet duhet të ndalet në luftën vëllavrasëse, të cilën e nxitë okupatori dhe shërbëtorët e tij; 3/ pakica shqiptare, për interesin e tij, duhet që së bashku me kombin maqedonas të krijojë LNÇ të përbashkët nën komandën e Shtabit Kryesor të LNÇ të Maqedonisë. Ju do ta shfrytëzoni kalimin e çetave shqiptare në territorin tuaj për ngritjen e masave shqiptare në luftën kundër okupatorit dhe në këtë mënyrë të krijoni LNÇ të përbashkët të Maqedonisë. Vetëm se pranë kësaj ju duhet të keni kujdes për situatën konkrete në Maqedoni dhe lidhur me këtë mënyrën më të lehtë se si të realizoni ushtrinë ë përbashkët. Sipas mendimit tim në fillim nevojitet krijimin e njësive të veçanta shqiptare, të cilat do të vëllazërohen me njësitë maqedonase në aksionet e përbashkëta dhe gradualisht të shkohet në njësi të përbashkëta maqedonaso-shqiptare….”.

Gjithnjë sipas marrëveshjes së Korçës, me urdhër të Enver Hoxhës dhe të Koçi Xoxes, në Strugë u dërguan disa komunistë shqiptarë, të cilëve u ishte dhënë për detyrë të zhvillojnë fushatë, në vendbanimet shqiptare, në favor të politikës komuniste jugosllave. Komanda e batalionit “Reshit Çollaku”, më 24 tetor 1943, i shkruante SHK të LNÇM-së për dërgimin e disa komunistëve shqiptarë në rrethin e Strugës:

“Folëm gjerë e gjatë me të deleguarit e juaj e veçmas me Andreta dhe shokun Sinan Hasani i cili pat ardhur disa ditë më herët në Pogradec që të merremi vesht për çështjen e njëjtë. Si konkluzion i diskutimit u pajtuam tash për tash t’ua dërgojmë shokun nga Partia, Kopi Niko dhe të rinjtë Agron Minarolli dhe Nuni Buzo. Pas këtyre do ua dërgojmë edhe një shok të partisë me përvojë më të madhe dhe një tjetër që ta udhëheq organizimin e rinisë në atë rajon. Shokët kanë letra për të gjithë shokët dhe simpatizuesit që gjenden në Strugë me rrethinë për bashkëpunim të ngushtë midis tyre dhe të jenë në lidhje të drejtpërdrejtë me ju nga ku do i marrin direktivat dhe urdhrat për veprim. Presim nga ju që për një kohë të shkurtë të kuptojmë për punën e kryer nga shokët që po ua dërgojmë dhe a janë të përshtatshëm për atë rajon ose jo. Për gjithçka tjetër do u informojnë shokët gojarisht….”.

Si rrjedhojë e një fushate të tillë, me nismën e Murat Labënishtit, më 25 tetor 1943 në Labënisht u mbajt një mbledhje e zgjeruar, në të cilën morën pjesë këta personalitete të shquara shqiptare: Murat Labënishti, Asllan Qazimi, Ibrahim Qazimi, Mustafa Karimani, Abedin Behluli, Hajdar Çela, Abaz Ahmeti, Hajrush Hashimi, Bari Xhemali, Dilaver Aliti, Shaban Mersini, Sherif Selushi, Eshtref Abdyrrahmani, Hysen Babeli, Islam Isaku, Rexhep Asllani, Ismail Isufi, Ramë Meta, Hashim Maksuti dhe Ibrahim Ejupi. Pasi u shqyrtua çështja politike në tokat shqiptare në përgjithësi, e të rrethit të Strugës në veçanti, të pranishmit në mënyrë unanime sollën vendimin me sa vijon:

“Sot me datë 25. X. 1943 me inisjativën e Z. Murat Behlul Labunishtit nëpunës i N/Prefekturës së Peqinit, u mblodh Parija e katundit Labunisht, Podgorcë e Borovec në Qëndrën e Komunës t’ue qenë prezent të gjithë neve të nënshkruëmit dhe t’ue pasë pranë personalisht edhe Z. Murat Labunishti, u muar në bisedim të imët çashtja e krijuëme në të gjithë Shqipninë, në vjetët dhe muajt e fundit, mbassi asht krijuë nji grindje politike, vllavraje dhe anarshi vajtuëse që favorizon politikën, qëllimin dhe dëshirat e armiqve shekullorë të Shtetit dhe Kombit shqiptar që e kufizon mbassi armiqët duan me intrigat e dhelpërit e tyne me na përçamë dhe me turbullue shpirtin dhe ndjenjat kombëtare shqiptare të elementit Mysliman të Rrethit të kësaj Nënprefekture me banorë feje e kombësije të ndryshme, për t’ia mbërrijtë neve Shqiptarët qëllimit dhe idealit të përbashkët t’ue i pre hovin nji propagande të rrezikshëme dhe tendencioze për interesat e Shqipnis Etnike, neve Parija VENDOSMË

Të formohet nji këshillë Komiteti Nacionalistë Shqiptarë me karakter lokal, i cili Këshillë do të ketë për Antarë persona të zgjedhun të Vendit.”.

Më tej në vendim thuhej: “Ne Parija, në mbëledhjent’onë të sotshëme në bashkëpunim të lirë e të sinqertë me nisjatorin Z. M. Labunishti kërkojmë dhe sjellim vendim të krijohet nji Çetë Nacionaliste Shqiptare me parime Demokratike prej Shqiptarësh të vendit vullnetarë që do të kenë cilësi morale shoqnore e politike të mira dhe që çquhen për vepra nacionale shqiptare”. Për kryetar të Këshillit të Lartë të Komitetit Nacionalist Shqiptar u zgjodh Murat Labënishti, i cili njëherit u autorizua të bëj përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë.

Tre ditë më vonë, përkatësisht më datë 28 tetor 1943, u mblodh Këshilli i Lartë i Komitetit Nacionalist Shqiptar, në të cilën mbledhje u vendos të formohet çeta nacionaliste, e cila mori emrin “Çeta Nacionaliste Drini i Zi”. Për komandant të çetës u emërua Murat Labënishti, ndërsa në të u përfshin gjithsej 52 vetë, në mesin e të cilëve edhe disa shqiptarë të besimit ortodoks: Hajrush Hashimi, Esad Hashimi, Asim Maksuti, Nezir Beqiri, Beqir Behluli, Ibrahim Behluli, Kadri Behluli, Murat Labunishti, Ismail Ramushi, Hajredin Ismaili, Ali Iljazi, Bejtulla Mexhiti, Etem Zendeli, Gjuladin Iljazi, Qazim Rustemi, Mehmed Hyseni, Kasim Iljazi, Isak Murati, Rushid Ademi, Qamil Hysa, Rexhep Asllani, Sami Rexhepi, Ejub Rashidi, Ismail Jusufi, Rakip Alimi, Emin Saliu, Ismet Baftiari, Dragutin Llazari, Azis Bizati, Azis Xhaferi, Osman Arifi, Muharrem Saliu, Jakup Hoxha, Ekrem Nazifi, Mustafa Karimani, Gjuladin Shazimani, Ibrahim Qazimi, Salih Baftiari, Hysen Baftiari, Arif Kapllani, Zylal Hasani, Memish Baftiari, Abaz Ahmeti, Beqir Ahmeti, Bari Xhemali, Hajdar Çela, Demir Xhelili, Sherif Limani, Besim Ymer Hoxha, Nikolla Tane, Zhivko Cvetko, Mitre Pajko.

Përveç çetës nacionaliste “Drini i Zi”, në mbledhje u vendos të themelohet edhe një Patrullë (Roje) prej 16 personave të zgjedhur. “Për zgjedhjen e këtyne personave – thuhej në vendim – për të kryer shërbimin e caktuem në lëmin e çashtjes kombëtare shqiptare autorizohet z. Murat Labunishti i cili asht njikohësisht Drejtuesi i tyne nër të gjitha veprimet e lypuna.”. Në fund, vendimi në mënyrë taksative përcaktonte detyrat dhe obligimet e Patrullës, të cilat në vazhdim po i paraqesim të plota dhe në formë origjinale:

“I. Siç asht detyra e gjithë Çetës N.Sh. me ndërtue nji frontë kontra komunizmit, kontra përhapjes së propagandës komuniste, kontra organizimit të çetave komuniste, kontra qarkullimit të çetave komuniste në rajon e rreth, kontra çdo atentati ndaj Autoriteteve Civile e Ushtarake Shqiptare, sigurim për të ruajtur çdo sabotazh, po kët detyrë ka edhe kjo Roje kujdestarije.-

  1. Siç Komiteti Nacionalist Shqiptar e ka detyrën e preme me ba nji propagandë bashkimi, vllaznimi i bashkëpunimi të çetave Kombëtare në mes të Djalëris, dhe me shtuë atdhe dashtunin dhe enthuiazmin për Shtet krijim dhe Kombësi, me shdukë vllavrasjet, me hetuë imët mbi propagandat e huaja që zhvillohen ase mund të zhvillohen, – me luftue me nji kundër propagandë e me i pre hovin çdo intrige, spiunazhi qoftë edhe me dënime të randa (vdekje) për tradhti siç do të parashofi rregullorja e veçantë për këtë qëllim, të njajtat këto detyra i përkasin me i vazhdue e me i vrejtë edhe Roja kujdestarije.-

III) Kjo Roje ashtë e detyrshëme me pasë në survejancë e kontrrollë çdo person ase persona që hynë e dalin në rajon të kësaj Komune dhe, për ata që paraqitet si të dyshimtë mbassi të verifikojë identitetin e tyne çashtjen t’ia raportojë menjiherë Z. Murat Labunishtit i cili për kompetencë ka me ja referuë Autoriteteve Civilë e Ushtarakë të Strugës ase Dibrës, për marrjen e masave. Në rast mos bindje , mbi të dyshimtit në rajon t’onë qitet zjarr koftra tyne.-

  1. IV) Këtyne 16 personave si Roje e rregullshme, do t’u jap populli nji shpërblim mujor për vesh-mbathje e municion si t’ashoft’arsyshmë Kryetari me Këshillin dhe ky shpërblim do të vlejet si mbas klasave dhe fuqis ekonomike të çdo shtëpije e vendasi.-
  2. V) E gjithë kjo Çetë e roje bashkë me shokët e tjerë të Z. Murat Labënishtit duhet të jetë e pajosun me lejet e duhuna të armëvet lëshue dhe autorizue prej Autoriteteve Shqiptare në Vend”.

Komiteti Nacionalist Shqiptar së shpejti zhvilloi një aktivitet të dendur politik thuajse në tërë vendbanimet shqiptare të rrethit të Strugës dhe, si rrjedhojë, së shpejti thuajse u shua në tërësi propaganda komuniste. Në këto rrethana, komunistët maqedonas, përmes një letre, kërkonin që batalioni shqiptar “Reshit Çollaku” urgjentisht të dërgojë një çetë, në numër 30-50 partizanësh, të cilët do t’u ndihmonin njësive të tyre, për – siç thuhej – përmbysjen e “reaksionit shqiptaro-madh” në Strugë, që udhëhiqej nga krerët e shquar të nacionalizmës shqiptare, siç ishin: Murat Labënishti, Riza Shaqir Beu, Mentor Qoku, Faik Dobovjani, Riza Drini e shumë të tjerë. Më 2 nëntor komandanti i batalionit në fjalë, Jusuf Ambo, u shkruante komunistëve maqedonas se për ta do të ishte më mirë “të dërgonin një numër shumë të vogël, të cilët do të kryenin ndonjë atentat ndaj krerëve nacionalistë shqiptar në atë rajon” sesa një çetë prej 30-50 vetëve:

“Për ne do të ishte më mirë që ju të kërkoni një numër më të vogël vetëm 4-5 vetë që të mund të kryenin ndonjë atentat ndaj disa shqiptarëve, të cilët do të ishin të dëmshëm për lëvizjen e atjeshme nacionalçlirimtare. Kjo ishte qëllimi i vërtetë që i dërguam 3-4 partizan. Duke e ditur se në Strugë në fshatrat gjenden një shumicë e madhe e reaksionarëve dhe shovinistëve shqiptar kërkojmë nga ju lejimin e dërgimit të këtyre njerëzve (shokëve) të cilët nën udhëzimet e juaja ti kryejnë atentatet e nevojshme, njëkohësisht edhe juve tua lehtësojnë punën. Presim të na përgjigjeni në pajtueshmëri me vlerësimin tonë…”.

Në janar të vitit 1944, Murat Labënishti, përmes një shkrese, i drejtohet Ministrisë për Punë të Brendshme të Shqipërisë, nga e cila kërkon legalizimin e Komitetit Nacionalist Shqiptar, i cili për qëllim ka ruajtjen e “tansisë shqiptare”, e cila rrezikohej nga aleanca komuniste jugosllave-shqiptare. Lidhur me këtë, ministri shqiptar, kërkoi informatë plotësuese nga prefekti i Dibrës, Abdi Gola, i cili më 20 shkurt i shkruante:

“Në kohën kurë z. Murat Labunishti e themeloi organizatën e vet, në këtë vend si dhe në shumë vende të kësaj prefekture dominonin komunistët. Populli i komunës së Labunishtit i friksuar nga mizeriet komuniste të ngelur edhe pa mbështetjen e autoriteteve të shtetit me nismën e Murat Labunishtit patën për projekt të organizojnë fuqi vullnetare për mbrojtjen e vendit prej hordhisë komuniste. Sot kur komunistët janë eliminuar, administrata shtetërore e stabilizuar dhe qetësia e siguruar nuk është e lejuar themelimi i kësaj organizate dhe nuk shihet si e nevojshme për këtë prefekturë”.

Në pamundësi të përfshirjes së tërë aktivitetit politik e ushtarak të atdhetarit dhe intelektualit të shquar shqiptar, Murat Labënishtit, dhe të organizatës së tij nacionaliste në Strugë e rrethinë, nga ato pak të dhëna që u ofruan në këtë shkrim, mund të konstatojmë se Murat Labënishti përbënte shtyllën kryesore të nacionalizmës shqiptare jo vetëm në Strugë, por edhe më gjerë. Ai për “Bashkimin Kombëtar” sakrifikoi gjithçka, përfshi edhe më të shenjtën dhe më ët shtrenjtën e tij, vetë jetën.