` . Mungesa e vetëperceptimit shoqëror shqiptar - TV-SHENJA

Mungesa e vetëperceptimit shoqëror shqiptar

Pa pasur një interes të përbashkët të palëve rreth një çështjeje, atëherë nuk mund të kemi as fushë interesash të përbashkëta e as nevojë për shoqëri të përbashkët, e cila do të na karakterizonte të gjithë neve. Kur kësaj ia shtojmë edhe shkollimin, arsimimin dhe edukimin e krishterë-austriak në periudhën e Rilindjes dhe të pas-pavarësisë dhe atë sllavo-socialist të pas-luftërave botërore, atëherë vërejmë barrën e rëndë keqinformuese të shqiptarëve mbi veten e tyre

Shkruan: Kushtrim SHEHU, Gjakovë

Shoqërive shqiptare në Ballkan u mungon vetëperceptimi. Krahas kësaj i mungon edhe personaliteti intelektual ideal. Domosdoshmërisht, mungesa e të dyjave e krijon pengesën dhe ndalesën e vazhdueshmërisë së zhvillimit normal shoqëror. Derisa sot thelbi i brumit shoqëror shqiptar vazhdon të jetë narracioni nacionalist, bashkë me të shfaqet arkaizmi social, kjo si premisë tradicionale, e cila shoqërinë shqiptare e kthen prapa pa vetëdije.

Nëse shoqëritë fqinje tanimë kanë bërë hapa të dukshëm në rirregullimin social, shqiptarët merren me problemet e zgjedhjeve të lira, luftën çlirimtare dhe barazinë etnike. Këto tema paraqesin mjegullën e viteve të nëntëdhjeta. Dallimi i vetëm qëndron në mobilitetin social të së kaluarës, kurse sot në braktisjen masive të vendeve të tyre nga shqiptarët. Me një realitet të tillë përgjegjësia rëndon mbi politikën si bartëse e proceseve shoqërore. Kjo pikëpamje barrën e vendnumërimit ose prapakthimit shqiptar e vë mbi supet e lidershipit politik shqiptar pa përjashtim. Andaj sot me të drejtë mund të themi se shqiptarët, në shtetet ku jetojnë, kanë ngelur pa përfaqësim politik. Kësisoj politikës shqiptare nevojitet t’i formalizohet shpallja e vdekjes ose e vetëvrasjes. Derisa kemi mungesë të politikës shqiptare, medoemos do të kemi edhe pyetje pa adresë dhe përgjigje të pajustifikueshme të problemeve shqiptare në tërësi. Shumë fakte e dëshmojnë mungesën e politikës shqiptare derisa rëndojnë pikëpyetje ontologjike të shqiptarëve. Shto kësaj edhe rrëmujën postmoderne, e cila përjetohet skajmërisht në materializmin ekstrem të shoqërive shqiptare, këto dëshmojnë për humbjen dhe zhdukjen e sensit shoqëror shqiptar. Domosdoshmërisht, shoqëria shqiptare është e ndikuar, e varur dhe e prekur nga konstelacionet gjeopolitike. Mirëpo gatishmëria e lehtë për të ndryshuar kahje përballë çdo fryme të rrejshme të ndryshimeve globale shqiptarëve, na kushton me paqëndrueshmëri dhe jo zhvillim të mirëfilltë të brendshëm. Kjo gjë e vërteton dita-ditës mungesën e sensit filozofik të politikës shqiptare. Aq më tepër në situata të tilla shoqëria shqiptare as nuk mbështetet nga elitat, të cilat u mungojnë shoqërive shqiptare. Arsyetimi i mungesës vjen nga shkaku se të gjithë janë korruptuar e të dëshmuar se punojnë në të kundërtën e asaj që thirren. Shoqëria shqiptare ndjehet e uzurpuar nga individë të paskrupullt në të gjitha institucionet e saj politike, intelektuale, ekonomike dhe tradicionale.

Se shoqëria shqiptare, thënë kushtimisht vazhdimësia ilir-arbërore-shqiptare, është e përcjellë nëpër periudha të ndryshme kohore, në sisteme të ndryshme politike deri më sot, ka bartur me vete arkaizmin si premisë tradicionale, e cila në ditët e sotme përkthehet si e drejtë zakonore ose kanunore. Kjo premisë ka krijuar dualitete shoqërore dhe personalitete të dyfishta, të cilat krijojnë naracionin e brendshëm jobesnik, jomiqësor dhe të paparashikueshëm kundrejt personalitetit tjetër si të pranueshëm, stabil dhe emancipues. Ky dualitet me bazë nga arkaizmi, ndonëse shquhet si tradicionalizëm, nacionalizëm ose, patriotizëm, në fakt është semafori i kuq i vendnumërimit shqiptar. Për fat të keq, ky arkaizëm paraqet një izolim nga parimet universale të zhvillimit shoqëror. Është e qartë se sistemi shoqëror shqiptar udhëhiqet nga një sistem jozyrtar, i cili rrallë bazohet në ca rregulla parësore kanunore dhe më shpesh bazohet në rregullat e presionit, shtypjes dhe dhunës nga më të fortët. Ky rregullim ka krijuar defekte të panumërta në shoqërinë shqiptare si tërësi. E keqja më e madhe ose negativiteti më i madh i kësaj mbetet krijimi i një gjendjeje statike, e cila – në krahasim me shoqëritë e tjera – mund të përkthehet si prapambetje. Kjo gjendje ose ky sistem i pashpallur në pozicione pa rrugëdalje shpeshherë i ka dërguar shqiptarët në situata anarkie, ku edhe vëllavrasja është përligjur nga arsyetime vetanake djallëzore. Shoqëria shqiptare nuk mund të udhëhiqet vetëm nga interesat personale të individëve. Pa pasur një interes të përbashkët të palëve rreth një çështjeje, atëherë nuk mund të kemi as fushë interesash të përbashkëta e as nevojë për shoqëri të përbashkët, e cila do të na karakterizonte të gjithë neve. Kur kësaj ia shtojmë edhe shkollimin, arsimimin dhe edukimin e krishterë-austriak në periudhën e Rilindjes dhe të pas-pavarësisë dhe atë sllavo-socialist të pas-luftërave botërore, atëherë vërejmë barrën e rëndë keqinformuese të shqiptarëve mbi veten e tyre.

Shqiptarët nevojitet ta kërkojnë pozitën e tyre brenda çdo sistemi politik, i cili ka sunduar përgjatë historisë. Duke e bërë këtë, më tepër nevojitet ta ruajnë veten e tyre nga anakronizimi dhe përzierja e mendësive të kohëve moderne me të kaluarën. Është e paqëndrueshme të studiohet e kaluara, duke e ndërtuar atë nën një narracion nacionalist. Kjo gjë është huqja e parë e çdo studiuesi serioz. Çdo periudhë historike e ka pasur frymën e vet me veçoritë e veta të dallueshme nga të tjerat, ku individualitetet njerëzore dhe elitat, në përgjithësi, kanë spikatur, duke lënë gjurmë të pashlyeshme. Andaj, studimi i të kaluarës duhet të zbresë në raportet parësore të marrëdhënieve njerëzore dhe shoqërore. Përgjigjet ose  zgjidhjet e problemeve themelore të shqiptarëve duhet të ngrihen mbi dy pyetje thelbësore. E para do të ishte: Kush jemi? Kjo pyetje meriton një studim të ndarë nga barra ideologjike e shpjegimit nacionalist. Pyetja e dytë nevojitet të jetë më e sinqertë dhe më e detajuar duke vetëpyetur: Ku kemi gabuar? Nëse të dyja këto pyetje e përcjellin individualitetin e qytetarit shqiptar mbi lidhshmërinë e tij sociale, kështu do të kemi një pasqyrë vetëperceptuese, e cila do të rezultonte me përgjigje mbi shumë probleme themelore të shqiptarëve sot. Nuk mund të ketë një numërim të rezultateve humbëse të shqiptarëve pa një ndjenjë faji të të gjithë neve. Kur bashkëpjesëmarrja shoqërore ngrihet mbi vetëperceptimin, atëherë edhe ngritja mbi themele të shëndosha është më e lehtë dhe dinamike. Nëse modus vivendi i deritanishëm shqiptar ka qenë një kopje ose dhuratë e të tjerëve, atëherë nevojitet një riperceptim mbi vlerat universale civilizuese, të cilat e ngrenë shpirtin njerëzor mbi etninë dhe përkufizime të tjera ideologjike. Shqiptarët, më shumë se kurrë, duke qenë të shpërndarë në të katër anët e botës, kanë nevojë t’i gërshetojnë parimet dhe vlerat universale të cilat krijojnë bërthama të zgjerimit të tyre meritor. Nëse politika e deritanishme shqiptare nuk ka gjetur ditë jete për veten e saj, tashmë nevojitet filozofia, e cila e bën të pavdekshme politikën e ditëve të ardhme shqiptare.

Përkundër polarizimit të skajshëm botëror, mendësia shqiptare duhet ta gjejë udhën e saj të ekzistencës pranë drejtësisë, e cila do të rezultonte me animin e drejtë historik. Megjithatë, këtë nuk mund të arrijë duke qëndruar e inatosur me veten e saj, por duke kërkuar brenda vetes shpirtin human të marrëdhënieve shoqërore. Meqenëse shqiptarët nuk e kanë barrën e paqes ose të barazisë botërore, ata janë më të lirë që të veprojnë më lehtë për të mirën e tyre dhe të shoqërive të tjera të vogla. Mirësitë, begatitë dhe zhvillimet e qytetërimeve të ndryshme duhet të jenë baza e vetëperceptimit dhe filozofisë shqiptare, e cila do të ishte garanci e tejkalimit të arkaizmit brendashqiptar.

Shqiptarët, duke qenë shoqëria e vetme kombëtare në Ballkan, e cila nuk ka krijuar probleme ose luftëra me fqinjët, atyre u takon flamurmbajtja e paqes, demokracisë dhe zhvillimit të mëtutjeshëm për mbarë Ballkanin. Përqafimi i errët ideologjik i narracionit nacionalist i kthen shqiptarët në izolim dhe vetëshkatërrim. Filozofia e mendësisë së re të politikës shqiptare ndjen nevojën e garancisë edhe të sigurisë edhe tek fqinjët. Udhëheqja brendashqiptare me drejtësi dhe barazi qytetare e rrit mirëqenien frymëzuese të emancipimit material dhe kulturor. Në këtë vazhdimësi shqiptarët kanë mundësi të jenë shoqëri frymëzuese edhe për të tjerët.

Përkundër faktit se shqiptarët kanë dhënë shumë energji në periudhën e fundit kohore, duke pasur për synim integrimin euroatlantik, është e paarsyeshme të mos e përdorim në të mirë shoqërore legjislacionin, i cili buron nga parimet universale të të drejtave njerëzore. Mirëpo, sot te shoqëritë shqiptare, nga mediat e çoroditura, më tepër temë aktualiteti janë të drejtat homoseksuale, barazia gjinore e sulmi ndaj religjioneve sesa rregullimi i marrëdhënieve shoqërore, që promovon familjen, e rregullon veprimtarinë ekonomike dhe krijon mundësi për arsim dhe shkencë. Kësisoj, duke qenë zëri i imponuar publik, mediat sot më tepër janë në pozitë të roleve joemancipuese dhe kundërshtarë të lirisë njerëzore. Shqiptarët sot jetojnë të hapur dhe në garë me të gjitha shoqëritë e tjera njerëzore, andaj kjo situatë medoemos për ne nuk ka qenë edhe aq e njohur. Duke u nisur nga ky fakt, vëmendje duhet t’i kushtohet përgatitjes vetëdijësuese të njerëzores brenda indvidiualitetit shqiptar.

Qëllimi i parësor i elitës shqiptare nuk duhet të jetë krijimi i vetëdijes së rrejshme, e cila e kërkon gjenezën etnike të epërsisë, por krijon personalitetin shoqëror të çdo anëtari të kombit të vet. Ky planifikim fillon me përgatitjen arsimuese dhe edukuese, ku në plan të parë theksohet roli i dobive individuale për shoqërinë njerëzore. Në plan të përgjithshëm, kjo gjë mund të përkthehet me shoqërinë ideale, ku secili e gjen veten e tij krahas pasqyrës shoqërore të tërësishme. Ky rregullim parimesh krijon mundësitë e barabarta për garë brenda shoqërisë shqiptare dhe mundëson trajtim të barabartë me të gjitha kombet dhe shoqëritë e tjera anembanë botës.