` . “Motra mi tregoi shenjat e dhunës në trup” – TV-SHENJA

“Motra mi tregoi shenjat e dhunës në trup”

Konfliktet dhe dhuna e vazhdueshme gjatë bashkëjetesës me Kujtim Donajn janë bërë arsye për ta braktisur e për tu larguar tek familja e saj Violeta Donajn, 35-vjeçaren nga Kurbini që një ditë më parë zbrazi plot katër plumba dhe la të vdekur babain e fëmijëve të saj.

Sipas dëshmisë së vëllait të Violetës, siguruar nga Balkanweb 35-vjeçarja kishte disa ditë që ishte larguar nga shtëpia bashkëshortore, ndërsa mëngjesin e së dielës, kur edhe ndërmori aktin e rëndë ajo iu ka thënë familjarëve se do shkonte në shtëpinë e saj për të marrë rrobat e saj dhe të vajzës.

Nëna e dy fëmijëve, një vajze 14-vjeçare dhe një djali 7-vjeçar e shoqëruar edhe nga kunata ka marrë rrugën nga shtëpia e prindërve për në shtëpinë e saj, por askush nuk di të thotë me saktësi pse ndaloi në tregun e Milotit, aty ku Kujtim Donaj ka qenë duke hapur mallin në tezgë.

Vëllai i saj distancohet nga akti i rëndë dhe thotë madje se nuk e ka idenë se ku mund ta ketë gjetur Violeta armën e krimit. Ajo që di të thotë me siguri është fakti se e motra kishte shenja dhune në trup dhe konflikte të vazhdueshme me bashkëshortin e saj, që e kishin detyruar të ikte nga shtëpia.

“Ne s’kemi pas dijeni në lidhje me ngjarjen, di që kanë pas konflikte të vazhdueshme dhe për këtë motra iku nga shtëpia. Motra më ka treguar edhe shenjat e dhunës në trup. Por nuk dija asgjë për veprimet që do kryente. Dje në mëngjes na tha që do shkonte në shtëpi të merrte rrobat. Shkoi bashkë me bashkëshorten time”,- thotë i vëllai.

Mësohet se Violeta është shoqëruar nga kunata deri tek tregu, e aty i ka thënë se duhet të mbaronte një punë. Është afruar tek Kujtimi, kanë debatuar e më pas ka zbrazur armën.

Blutë e Kurbinit që arrestuan Violetën pak pas krimit kanë shoqëruar në polici edhe kunatën e saj, e cila është marrë në pyetje.

Mbi Violetën rëndon tashmë akuza e “armëmbajtjes pa leje” dhe “vrasjen me paramendim”. Burime pranë policisë së Kurbinit pohojnë gjithashtu se gruaja nuk kishte depozituar asnjëherë ndonjë denoncim për dhunë në familje, çka rëndon pozitat e saj.