` . MotoGP, Dovizioso arrin fitore në Çmimin e Madh të Malajzisë - TV-SHENJA

MotoGP, Dovizioso arrin fitore në Çmimin e Madh të Malajzisë

Piloti italian i Ducati, Andrea Dovizioso, arriti fitore në garën e 17 të Kampionatit Botëror të MotoGP, në Çmimin e Madh të Malajzisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gara e 17 e sezonit në MotoGP, që është një prej organizimeve më të mëdha të sportit me motorë në botë, u zhvillua në pistën e qytetit të Malajzisë, Sepang, e gjatë 5.5 kilometra në 20 xhiro.

Dovizioso në garë filloi nga rreshti i tretë dhe arriti vendin e parë. Kjo është fitorja e 6 e Dovizioso në këtë sezon, ndërsa e 8 në karrierën e tij në MotoGP.

Piloti spanjoll, Jorge Lorenzo, u rendit i dyti, ndërsa francezi Johann Zarco nga Monster Yamaha Tech në vendin e tretë. Lideri në klasifikimin e pilotëve, spanjolli Marc Marquez nga Repsol Honda u rendit i katërti.

Dovizioso me këtë fitore arriti t’i afrohet Marquez në klasifikimin e pilotëve me 21 pikë. Çmimi i Madh i Valencia-s, gara e fundit e këtij sezoni, do të jetë skenë e garës për kampion mes spanjollit Marquez dhe italianit Dovizioso, që do të mbahet më 12 nëntor.

Klasifikimi i pilotëve

Pikët dhe radhitja e 5 të parëve në klasifikimin e pilotëve para garës së fundit të sezonit është si më poshtë:

1. Marc Marquez (Spanjë) – 282 pikë

2. Andrea Dovizioso (Itali) – 261

3. Maverick Vinales (Spanjë) – 226

4. Valentino Rossi (Itali) – 197

5. Dani Pedrosa (Spanjë) – 185

Postime të Ngjajshme