` . Motivimi – TV-SHENJA

Motivimi

Shkruan: Lindita KADRIU

Vala e refugjatëve nga Kosova ishte provim për mentalitetin e shqiptarëve të Maqedonisë. Qindra mijëra njerëz për të cilët shtëpitë tona u bënë si të tyret. Ju kujtohet? që thuaja nuk mbeti shtëpi pa u mobilizuar për t’u dalë në ndihmë nevojtarëve.

POR, gjithmonë ka një por.

Ajo kohë vetëm se e vërtetoi pasqyrën time gjenerale për prishtinaset  si një specie në vete. Të llastuara, përtace, pa mirënjohjen e nevojshme…Fqinja jonë, shkaku i familjeve nga kryeqyteti të strehuara te ata, u sëmur nga diabeti. Tregonte si me turp për mysafiret, të moshuara e të reja hepisi bir, të cilat nuk ia pëlqenin gatimin, por nuk e bënin as vetë, më saktë s’preknin punë me dorë.

Pak digresion:

(askund nuk kam parë hyrje ndërtesash më të papastra se sa në Prishtinë: shkallët me njolla, dritaret e pushimoreve të mbuluara me pluhur, takravate gjithandej. Të bëheshte sikur aty vetëm burra jetojnë, kurse gratë kolektivisht kanë shkuar dikund. Kur i takoje në rrugë, në kafene, shumica të veshura e të grimuara si për mbrëmje, sjellja me naze, a bisedat jointeresante, e di se kuptohemi).

Fjalën e kisha, pas sistemimit të kosovarëve në Maqedoni, filloi të flitet për pakënaqësinë e arsyeshme të një pjese të nikoqirëve. Formimi familjar, bile edhe ca postulate fetare, diktojnë përshtatjen e mysafirit me kodin e shtëpisë ku qëndron, e kundërta është mungesë e edukatës dhe njerzillëkut. Plotësisht i kuptoja ankesat që filluan të qarkullonin nga ato familje që kishin pranuar një strukturë specifike të kosovarëve duke humbur rehatinë në shtëpi të vet. Bëra një kërkim në Tetovë e Gostivar, ca tregime veçmë kisha dëgjuar dhe u vërtetova se atë që e merrja për paragjykim s’pakësh qenë gjithaq: shumë prishtinase ku kishin hyrë ishin dëshmuar haha. Kuptohet, numri dominant i familjeve të nikoqirëve funkcionin si një me refugjatët.

Tema dhe momenti ishin delikate, kurse unë me pak përvojë pune. Dhe sikur mos mjaftonte kjo, stereotipi për përtacet me naze i fortë, ashtu edhe sot.

Më duhej të përmblidhesha për cikël kontributesh, siç u thonim atëherë.

Fokusi të jetë zemërgjerësia kolektive e shqiptarëve të Maqedonisë, nga një kut sa më pak patetik.

Të shenjohet ajo që në mendje e quaja, por publikisht nuk guxoja ta them si specie e veçantë e dembeleve të stolisuraJ.

Të kritikohet përshkelja e dinjitetit të një pjese të nikoqirëve.

Ashtu si në raste tjera, u konsultova me Sefer Musliun.

Të nesërmen pas emetimit të kronikës së parë të ciklit, hyn në zyrën e përbashkët. Ulej diagonalisht tavolinës sime, e shoh se ka për t’më thënë…Pres e drojtur.

– A shkoi kronika mbrëmë?

– Po, përgjigjem.

Më shikon me nënqeshje dhe afrohet, si i buzëqeshur.

Nuk e harroj atë përqafim atëror.

Bijë e axhës, tha.

Më shumë as që duhej.

Shtoi edhe diçka, por nuk më kujtohet.

Mandej kafepirja me kolegun dhe mikun…Një pjesë e madhe e barrës m’u hoq dhe e vazhdova ciklin më shtruar.

(Nesër: Refugjatët e shtëpisë sime dhe libri i pashkruar)