` . MOS VALLË JEMI NE TË ÇMENDUR… - TV-SHENJA

MOS VALLË JEMI NE TË ÇMENDUR…

Shkruan: Metin Izeti

Para dy tre viteve, bashkë me mësuesin tim të nderuar Profesor Ismail Bardhin, ishim duke udhëtuar për në Kosovë. Që nga momenti kur e mora profesorin prej shtëpisë së tij filluam bisedën për gjendjen e myslimanëve në botë dhe më pas u përqendruam në problemet e ndryshme shoqërore dhe teologjike të cilat jemi duke i përjetuar ne shqiptarët në nënqiellin tonë. Më kujtohet si sot ishim duke zbritur prej kodrës afër Kaçanikut në drejtim të Ferizajit kur përnjëherë, siç e ka edhe traditë të shtangë mendjen e njeriut me fjalët e thella dhe disa herë edhe përvëluese për shkak të letargjisë në të cilën gjendemi, Profesor Bardhi tha: Metin, mos vallë ne jemi të çmendur dhe nuk i kuptojmë gjërat si duhet?!! Heshtëm një periudhë dhe nuk folëm asgjë…

T’ua them të drejtën, nga dita në ditë, më tepër dhe më tepër më tingëllon në vesh kjo pyetje që e parashtroi Profesori i nderuar. Mos vallë vërtetë nuk jemi në gjendje ta kuptojmë si duhet botën që na rrethon? Mos vallë jemi jashtë frekuencave dhe receptorët tonë nuk I kapin valët e nevojshme të sjelljes shoqërore?!!

Ka  një rrëfenjë interesante për sufiun e madh Dhunnun el- Misriun që e tregon Mevlana Xhelaluddin Rumiu në Mesnevi:

Dhunnuni përjetonte një gjendje të thellë shpirtërore dhe kishte entuziazëm e delikatesa të veçanta emocionale. Të pakujdesshmit nuk e kuptuan atë dhe filluan të shqetësohen prej tij. Më në fund ata vendosën që atë ta dërgojnë në çmendinë. Për të vajtur tek çmendina e Kairos duhej të udhëtohet me anije në rrjedhën e lumit Nil. Dhunnuni në anije i shikonte gardianët dhe qeshte me zë. Unë jam i çmendur, thoshte ai, ose këta që më bartinme anije?!!

Miqtë e tij dëgjuan për këtë ngjarje dhe shkuan ta vizitojnë. Dhunnuni u bërtiti atyre:

– “Kush jeni ju, pse erdhët?” tha.

Ata u përgjigjën me zë të ulët:

– “Ne jemi miqtë tuaj, kemi ardhur këtu për të pyetur gjendjen tuaj, hatrin tuaj”, ata thanë.

Dhunnuni,pastaj, i sulmoi ata, filloi të hidhte gurë dhe tokë mbi ta dhe të tundë shkopin mbi ta.

Secili prej tyre iku mënjanë nga frika prej tij.Dhunnuni  u ndal në një skaj dhe filloi të qeshte.

– “Pse ikët dhe secili prej jush u strehua në një qoshe?

– Ju ishin miqtë e mi. A i vjen rëndë mikut guri e shkopi i mikut, a nuk është shenja e miqësisë që të durohen vështirësitë nga miku? ” tha ai.

Lavdërimi i marrëzisë është një nga veprat më domethënëse të Rilindjes. Është shkruar në shekullin e gjashtëmbëdhjetë në 1509. Erazmusi i Roterdamit e shkruajti atë vetëm për tetë ditë, në shtëpinë e mikut të tij Thomas More. U botua në 1511 në Paris, ku u kritikua menjëherë. Vetëm në disa muaj, ai arriti botimin e tij të shtatë dhe arriti në indeksin librorum prohibitorum (indeksi i librave të ndaluar).Lavdërimi i marrëzisë i Erazmusit ishte njëkohësisht një trajtim serioz dhe ironik i dy lloj marrëzish. Nëpërmjet talljes për çmendurinë klerike, ai godiste priftërinjtë për intrigat e tyre si edhe për kohëzgjatjen e qëndresës së shpirtit në purgator. Ai vinte në lojë debatet midis teologëve, të cilët bënin një luftë të kotë mbi doktrinat e Mishërimit, Trinitetit dhe ndërsubstancializmit. Vërejtja e tij kryesore ishte se baza e besimit kishte humbur, duke theksuar gjithnjë e më shumë elementet e sipërfaqshëm dhe të parëndësishëm; siç ishin manastiret, ku çështjet e veshjes dhe disiplina i shmangnin njerëzit nga shpirti i krishtërimit. Me vënien e priftërinjve përpara gjykimit të madh, të ulur në pritje për të hyrë në parajsë, duke përmendur të gjithë të mirat që kishin bërë, Erazmusi kalon nga humori në tallje duke përshkruar një prift, i cili ngrihet duke thënë: “në emër të gjithë lutjeve, betohem, se s’kam prekur asnjë peni, pa veshur të paktën dy palë doreza…” Për të gjitha këto Krishti i kthen përgjigje: “unë po largohem duke ju thënë se nuk dëgjova asnjërin nga ju të thoshte se unë jam krejt i pastër”.

Ironia e tij pasqyrohet në kritikën e një shoqërie që sundohet nga çmenduria. Zbulohet asgjëja e institucioneve më eminente. Erazmus i referohet problemeve dhe mangësive të përgjithshme njerëzore, kritikon shembuj konkretë të banalitetit njerëzor përmes profesioneve të caktuara.Ai thotë se gramatikanët janë të pakënaqur për shkak se janë të bindur se ata e kanë dijen më të lartë, juristët I kritikon për shkak të vetëpëlqimit, ndërsa tregtarët për shkak të kopracisë… Jep vizionin e tij për krishterimin dhe kritikon kishën. Ai thotë se autoriteti papal, i cili duhet të transmetojë dhe të përfaqësojë vullnetin e Krishtit, në të vërtetë e mohon atë. Janë këto tipare të dukshme të tragjedisë, në përshkrimin e një bote të çoroditur, në të cilën autoritetet shtetërore dhe fetare nuk e bëjnë punën e tyre.

Urtësia e çmendur (yeshe cholba) është një term në Budizmin Tibetian i cili pretendon se një mësues ka arritur nivelin e zhvillimit kur sjellja e tij duket jashtëzakonisht e pazakontë  për të tjerët, dhe se ai përdor një sjellje të tillë për të tronditur ose shokuar studentët e tij dhe t’i marrë ato në nivele më të larta. shpirtërore. Ideja e urtësisë së çmendur na vë para disa probleme serioze. Ai e bën të padukshëm kufirin midis logjikës dhe mbilogjikës. Ajo ngre dyshimin se ata që e përdorin nuk janë vërtet të mençur, por vetëm përpiqen të racionalizojnë ose të gjejnë një justifikim për sjellje që do të ishte e papranueshme. Ajo çon në konfuzion për sa kohë që ithtarët e mençurisë së çmendur  nuk mund të ndiqen lehtë.

“Urtësia më e madhe në jetë është të gjesh çmendurinëe vërtetë”, thotë Mesha Selimoviq. Urtësia nuk mund të komunikohet. Urtësia, që një i urtë përpiqet ta komunikojë gjithmonë tingëllon si çmenduri, ka konstatuar, Herman Hesse.

Jam i zhgënjyer që nuk jam në gjendje të analizojë në mënyrë thelbësore dhe gjithëpërfshirëse botën moderne. Ndjehem i zemëruar, ndoshta edhe ifyer, nga përsëritja e frazave të pakuptimta për tradhtinë, turpin, manipulimin, shfrytëzimin…

Rrjetet sociale kanë sjellë diktaturën botërore dhe rrallëkush guxon ta shohë, e lëre më ta pranojë. Por jo diktaturën teorike por tiraninë praktike të të sëmurëve mendor.

Sot çdokush mendon se di gjithçka. Dhe për ata që mbivlerësojnë veten, është më e lehtë të manipulohen. Sa më e madhe të jetë vetë-dashuria, aq më i madh është manipulimi.

Mos vallë vetëm shkenca jep përgjigje të sakta? Shkencëtarët i përgjigjen kësaj me konfuzion, tronditje dhe fyerje, duke harruar se abuzimi dhe shitja e përhapur e shkencës ka shkatërruar besimin në të, dhe vetë shkencëtarët fajësohen për këtë.

Duke u bërë skllevër më të mëdhenj dhe më të mëdhenj, njerëzit inkurajohen të flasin për atë që dëshirojnë, njerëzit jetojnë në iluzionin se e kanë rrokur lirinë, por ja që janë të skllevëruar. Sot, proletarë nuk janë ata pa asgjë, por e gjithë klasa e ulët dhe e mesme, që nuk di se çka po ndodh dhe vazhdon të jetojë pa nxjerrur zë, edhe pse përbën 99% të popullsisë në botë. A mos vallë përdoren nga sociopatët dhe psikopatët, në emër të konstatimit se janë duke u mbrojtur…

Kjo është arsyeja pse mendoj se çmenduria dhe marrëzia janë standard sot, dhe mendja është zvogëluar në aftësinë e shfrytëzimit të çmendurisë dhe marrëzisë së vërtetë.

Bota është e ndarë në të urtë budallenj dhe të çmendur, nga njëra anë, dhe udhëheqës budallenj dhe të çmendur, por inteligjent, nga ana tjetër.

Të gjithë të tjerët janë Sokrati, i cili numëron ditët deri në momentin kur ata do ta bëjnë atë të pijë helmin …