` . Morgu - TV-SHENJA

Morgu

Koha rrodhi dhe morgu u bë shtëpi e dytë. Me bllok në dorë kaloja ditë të zgjatura duke mbajtur shënime për anatominë njerëzore. Skema. Skica. Përshkrime të hollësishme për çdo detaj njerëzor. Aq shumë kohë kaloja mes të vdekurish të pakallur, saqë qeshja me veten kur mendoja pështjellimet e herës së parë kur shkela në këtë botë akull e të pafjalë

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Dhjetor. Dimër i ashpër vitin në të cilin duhej të përmbyllja praktikën në morg. Era priste brisk. Temperaturat kishin ditë që kishin zbritur nën zero. Moti i kthjellët nuk ngrohte aspak. Me ato pak veshje të stiluara sipas rrethanave ecja drejt morgut. Për çdo hap që hidhja shfaqeshin ditë të tëra praktike mbi kadavra. Imazhe që i risillja në kujtesë për të qartësuar gjithmonë e më shumë realitetin në të cilin shpenzoja shumë më tepër kohë sesa koha e përcaktuar për praktikë.

Hodha hapat e fundit. Isha në oborrin e morgut. Para se të hyja në mjedisin që ndriçohej më shumë nga llambat se nga dielli, ndala në faqen jugore të morgut. Ishte një qoshk ku mund të ndjeje pak ngrohtësi dimërore. Mora frymë thellë sikur të ishte e fundit frymëmarrje në oksigjenin e pastër. Pas pak duhej të merrja frymë pas maskës dhe mes kalbëzimit. Nuk doja të shkëputesha nga ai qoshk. Ishte plot jetë. Por detyra priste.

Kujtoj herën e parë kur kalova pragun e tij. Aromë kalbëzimi. Kadavra të shndërruara në kavie. Të fiskuara mbi tryezat e punës. Ekipe studentësh që dëgjonin me vëmendje mentorët. Pasandaj tryeza ku hidhnin shënimet e vëzhgimeve të drejtpërdrejta që kryenin vetë. Këta ishin të pakët. Shumica largoheshin sapo mentori njoftonte përfundimin e seancës mësimore. Ndjeva të përziera. Renda vrap në ajër të pastër. Djersë të ftohta. Aroma e kalbëzimit kishte pushtuar aparatin e frymëmarrjes. Një nga pjesëtarët e grupeve më të vjetra që as tash nuk ia kujtoj fytyrën më tha se kjo iu ndodh të gjithëve kur hyjnë për herë të parë në morg dhe shpejt do të mësohesha.

Koha rrodhi dhe morgu u bë shtëpi e dytë. Me bllok në dorë kaloja ditë të zgjatura duke mbajtur shënime për anatominë njerëzore. Skema. Skica. Përshkrime të hollësishme për çdo detaj njerëzor. Aq shumë kohë kaloja mes të vdekurish të pakallur, saqë qeshja me veten kur mendoja pështjellimet e herës së parë kur shkela në këtë botë akull e të pafjalë.

Heshtje. Kalbëzim. Preparate kimike. Provëza. Bisturi të llojeve dhe formave të ndryshme. Gjithçka duhej gjendej në raftet gjysmë të vjetruara. Kur të tjerët largoheshin duke lëshuar një uhhh, si shprehje e çlirimit nga detyrimi, qëndroja në heshtje akoma më të thellë për të vazhduar me ndërhyrjet dhe vëzhgimet në trupin e të pakallurve. Ishte sfilitëse, por ajo çfarë mund të mësoja bënte që orët të më dukeshin sekonda. Zëri i fundit që dëgjoja ishte ai i rojes së morgut, që më njoftonte se tashmë duhej mbyllur dhe të vdekurit duheshin lënë të flinin qetë.

Menteshat kërcisnin dhimbshëm. Dryni rëndë mbyllte derën e hekurt nga pas hapave të mi që largoheshin gjysmë zvarrë nga lodhja e gjatë. Nga errësirë e morgut në errësirën e natës. Nuk më bënin përshtypje as zhurmat e atyre pak makinave që qarkullonin. As zërat e të gjallëve që më shëmbëllenin me kadavra që ecnin. Vetëm ajri freskët që më guduliste hundën e përvuajtur nën maskë më kujtonte se tashmë nuk isha në morg. Kthehesha për çaj qetësues në një prej kafeneve pranë banesës ku duhej të shpenzoja orët e mbetura në gjumë. Ulur dhe në heshtje, rrethuar nga njerëz tërë sy e veshë se çfarë mund të thosha për morgun dhe kadavrat, kaloja ndonjë orë. Paguaja dhe largohesha. Teksa ecja përmes tavolinave vëreja fytyra të pizmosura që nuk patën fatin të llokoçisnin ndonjë fjalë për tmerrin e morgut. Ritual i përçdoditshëm.

Të nesërmen patëm ndodhi të pazakontë në morg. Na njoftuan se, ndryshe nga herët e tjera, na paskëshin sjellë, ne të dashuruarve më të vdekurit e pakallur, një trup në grahmat e fundit. Ndryshe nga sa mendonim, na u kërkua të bënim çmos ta mbanim në jetë si fillim. Na u ngarkua kjo detyrë meqenëse besohej se ishim njohës të mirë të një realiteti të cilin shumica e shihte nga përtej dyerve të hekurta të morgut. Nuk na u komunikua asgjë mbi identitetin e trupit. Na duhej thjesht ta mbanim në jetë dhe ta kuronim deri në shpresën më të fundit për ta ngritur në këmbë. Shqetësimi vërehej tek të gjithë. Po sikur të mos ia dilnim?

Si fillim mblodhëm veten. Tashmë në tryezën e punës nuk kishim një kadavër të zakonshme që duhej ta ndanim e ta bashkonim, për ta ndarë e bashkuar prapë të nesërmen. Kishim përballë dikë që frymonte ndoshta të fundmin çast. Filluam me injeksionet e para që të mos ndjente dhimbje nga ndërhyrjet e mëvonshme. Dikush u kujtua për protokollin e pacientit. Për pak sa nuk e nxorën jashtë me shkelma. Trupi duhej shpëtuar medoemos. Nuk kishte kohë për protokolle.

U përzgjodh ekipi që mendohej më i aftë për tëqëndruar mbi kokën e trupit që dergjej. Të tjerët, në një rreth më të gjerë, do të asistonin me mendimet e tyre nga këqyrja që do t’i bënin këtij vizitori të veçantë të morgut. Gjendja në të cilën kishte mbërritur ishte tejet e rëndë. Detyra që na ishte lënë ishte nxjerrja nga kjo gjendje dhe jo gjetja e përgjegjësve. Jepeshin mendime të ndryshme se si duhej trajtuar pacienti. Dëgjoje mendime nga më qesharaket (ujë, aspirina dhe të shohim si do reagojë), deri tek më ekstremet (goditje me shok elektrik), kjo sepse ishin mësuar vetëm me kadavra të pafjala, që çfarëdo t’u bëje, nuk hapnin gojë. Por, këtu ndryshonte puna. Pacienti kishte ende shpirt. Gabimi më i vogël kushtonte shumë. Prandaj duhej menduar me kujdes trajtimi. Gjendje e komplikuar. Përveç injeksioneve të para, u trajtua me vitamina dhe ushqime të freskëta. Nga këqyrja zbuluam se ishte ushqyer si mos më keq, prandaj dhe trauma e pësuar ishte tepër e rëndë. Ishin prekur organet më jetësore nga pamjaftueshmëria e ushqimit. Një organizëm i dobët gjithmonë është problematik. Nuk mund t’ia ndërrosh gjendjen brenda një kohe të shkurtër.

Përkujdesja ishte maksimale, por rehabilitimi ecte shumë ngadalë. Kjo ndodhte sepse atyre që iu la detyrë përkujdesja maksimale, nuk e perceptonin dot si qenie të gjallë, por si kadavrat kavie, që me bisturi mund të prisnin ku të donin dhe si të donin. Dhe, këta ishin rrethi i parë që i qëndronin tek koka pacientit. Jepnin e merrnin vazhdimisht me njëri-tjetrin, duke besuar se ishin më ekspertët. Ata nuk pranonin këshilla nga rrethi i asistentëve. Kësisoj qëndronim në morg me orë të zgjatura. Lodhja ishte e konsiderueshme. Por, detyra mbetej detyrë.

Pacienti e rimori veten dalëngadalë. Diku me injeksione, fizioterapi, operacion plastik, makijazh, allçi, ushqime shumë më të mira, dalje në ajër të pastër… Por, pacienti ishte gjithmonë kandidat potencial për komplikacione. Jo pak herë kishte sinjalizime për këto gjendje. Nga pritja e gjatë e rehabilitimit grupe të ndryshme përkujdesësish e sulmonin njëri-tjetrin si përgjegjës për gjendjen e pacientit. Por, askush nuk kujtohej t’i vendoste para përgjegjësisë ata që e sollën pacientin në këtë gjendje dhe na e lanë në tryezë me pak shpirt. Kishte kaluar shumë kohë prej asaj dite, dhe tashmë na dukej sikur të ishim ne që e kishim zbuluar pacientin dhe jo sikur na e sollën nëmorg e na e lanë peshqesh. Ata jashtë morgut besonin se përgjegjës ishim ne brenda morgut, sepse ne ishim profesionistët që duhej ta ngrinim në këmbë këtë pacient. Harronin se pacientë të këtij lloji marrin vite e vite për rehabilitim.

Bëmë ç’ishte e mundur të bëhej. Më shumë se gjithçka u gëzuam që pacienti iu rikthye jetës dhe e kaloi testin e vdekjes. Puna vazhdoi me përkushtim edhe pse ndërhyrjet e jashtme e frenonin ose e dëmtonin punën e kryer, duke dhënë mend për një pacient që ose e njihnin pak apo aspak. Kishte prej atyre që e lanë në mes detyrën dhe zgjodhën të largoheshin. Të pasionuarit e çmendur e vazhdonin detyrën për shërimin e plagëve, pra edhe përkundër kundërshtive edhe nga të vetët.

Morgu kishte marrë tjetër pamje. Tani kishim një të gjallë, mbi të cilin duhej të zbatonim eksperiencën që e kishim fituar me të vdekurit e pakallur, që ky pacient të mos i bashkëngjitej kolonisë së kadavrave.

Qoshku i ngrohtë më priste çdo ditë në takim, para se ta kaloja pragun e morgut të gjallëruar.