` . Mitrovicë, fillon rigjykimi i Oliver Ivanoviçit për krime lufte – TV SHENJA

Mitrovicë, fillon rigjykimi i Oliver Ivanoviçit për krime lufte

Në fillimin e rigjykimit të liderit të nismës qytetare SDP, Oliver Ivanoviqit (64) i cili filloi sot në gjykatën Themelore në Mitrovicë, Ivanoviq ka deklaruar se është i pafajshëm lidhur me akuzën e ngritur. Në fillim të muajit shkurt, gjykata kosovare e Apelit, anuloi vendimin e shkallës së parë e cila dënoi Ivanoviqin më nëntë vite burg për krime lufte, duke e kthyer çështjen në rigjykim, raporton AA.

Zëdhënësja e EULEX-it, Dragana Nikoliq Solomon, tha në fillim të procesit se Ivanoviçi është i vetmi i akuzuar. “Sot fillon seanca e parë e rigjykimit të Oliver Ivanoviqit, ku ai është i pandehuri i vetëm, i cili do të rigjykohet për përgjegjësinë penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga viti 1999”, tha Nikoliq për të shtuar se palët do të shtrojnë vërejtjet, ku më vonë do të caktohen seancat gjyqësore.

Gjykatësja e EULEX-it, Roksana Komsha, do të jetë sërish kryetare e këshillit të gjykatësve, ndërsa në prononcimin e saj në seancë rikujtoi se hetimet kishin filluar në vitin 2013 kur është ngritur edhe akt-padia.

“Gjykata themelore në Mitrovicë më 21 janar 2016 shqiptoi 9 vite burg, ndërsa në dhjetor 2016 Gjykata e Apelit të Kosovës shfuqizoi vendimi e shkallës së parë me çka ktheu lëndën në rigjykim”, tha Roksha.

Prokurori Romulo Mateus nga ana e tij tha se nuk ka nevojë për rilexim të aktakuzës e cila mund të trajtohet si e njohur të cilën trupi gjykues pranoi.

Pastaj Oliver Ivanoviq ka deklaruar se nuk ndjehet fajtor. “Absolutisht jo, nuk jam fajtor”, tha Ivanoviç.

Prokurori Mateus në fjalën hyrëse përmblodhi subjektin, duke kujtuar se krimi është kryer më 14 prill 1999 gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë. Ai tha se Prokuroria do të punojë për të përsëritur provat e paraqitura në gjykimin e parë, dhe që janë kryesisht deklaratat përkatëse të dëshmitarëve që ishin në vendin e ngjarjes. Ai njoftoi se do të sjellë edhe tre dëshmitarë të tjerë, pasi Prokuroria erdhi në posedim të disa provave të reja materiale që janë të rëndësishme.

“Më 14 prill të vitit 1999 rreth orës 12:00 forcat serbe filluan pastrimin e Mitrovicës. Në kuadër të këtyre operacioneve u arrestuan 15 shqiptarë, të dyshuar si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjashtë u liruan dhe nëntë të tjerë dhe u dërguan në afërsi të ish-rrugës Miladin Popoviq. Ata u ndoqën nga serbët me veshur me uniforma ushtarake dhe paramilitare dhe të armatosur. Besoj se nga dëshmitarët do të mësojmë faktet”, tha prokurori.

Ai shprehu besimin se “faktet do të dëshmojnë se Oliver Ivanoviçi udhëhoqi njësinë që vrau shqiptarët e arrestuar, Skender Paçarada, Fatmir Mustafa, Avni Abazi dhe Mehmet Seferi”.

Atë ditë në Mitrovicë u vranë gjithsej 26 shqiptarë. Avokati i familjeve të viktimave, Burhan Maxhuni, përkrahu ekspozenë e prokurorit duke shprehur bindjen se fajtorët do të marrin dënimin e merituar. Avokati mbrojtës, Nebojsa Vlajiç në prezantimin e tij tha se klienti i tij nuk është përgjegjës për krimet për të cilat është akuzuar. Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar 10 seanca të procesit të rigjykimit të cilat do të mbahen deri në qershor.

Postime të Ngjajshme