` . Misioni i BESËS – ngritja, afirmimi dhe fuqizimi i identitetit shqiptar në Maqedoni – TV SHENJA

Misioni i BESËS – ngritja, afirmimi dhe fuqizimi i identitetit shqiptar në Maqedoni

BESA e ka të ndarë saktë e mirë përkatësinë politike nga ajo religjioze dhe në asnjë rast nuk lejojmë ato të ndërhyjnë në njëra-tjetrën. E nëse në fjalime është përmendur diku Perëndia, kjo kujtoj se më shumë e shpreh identitetin tonë konservator seç mund të merret në kontekst të abuzimit. Shqiptaria, që nga himni kombëtar, është ndërtuar mbi dashurinë për Perëndinë dhe kjo për neve paraqet mburrje dhe kësaj as nuk duam as nuk dimë si t’i ikim. Ndryshe nuk jemi shqiptarë.

Intervistoi: Ismail SINANI

Në zgjedhjet e 1 dhjetorit të vitit 2016 ndodhi një befasi që u ka shkuar për dore pak partive politike në rajon. Lëvizja BESA, e përshirë në koalicionin “Rilindje me BESË” bashkë me Rilindjen Demokratike Kombëtare, arriti të fitojë gati afër 60 mijë vota shqiptare, që u përkthyen në 5 mandate deputetësh.

Për këtë dhe për shumë tema të tjera zhvilluam një bisedë me kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, i cili pranoi ta realizojmë këtë intervistë, duke shpjeguar me këtë rast edhe shumë çështje të tjera që kanë qarkulluar dhe që vazhdojnë të qarkullojnë në opinion për këtë subjekt politik në Maqedoni.

SHENJA: Si i vlerësoni zgjedhjet e fundit në Maqedoni dhe rezultatin e Lëvizjes BESA në to?

Kasami: Lëvizja BESA në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare hyri si subjekt relativisht i ri, por me aktivitete të ngjeshura dhe nga më të ndryshmet, që kishin për qëllim mobilizimin e masës së pakënaqur me politikat diskriminuese që VMRO-ja bashkë me BDI-në i zbatuan përgjatë këtyre viteve në dëm të shqiptarëve, dëme këto shumëdimensionale, që në thelb ishin shoviniste, ngaqë zbatoheshin ndaj një etnie.

Protestat që Lëvizja BESA i organizoi në muajin qershor 2015 dhe maj 2016 ishin alarm për qeverinë se jo vetëm që ishte grumbulluar pakënaqësia qytetare, por tashmë profesionistë të fushave të ndryshme ishin mobilizuar që mos ta lënë fatin e fëmijëve tanë në duart e atyre që po ua harxhonin ardhmërinë dhe po ua vrisnin shpresën. Radhët e Lëvizjes BESA nisën të forcohen nga dita në ditë edhe përkundër shantazheve, kërcënimeve dhe shpifjeve nga më të ndryshmet, që ishte në gjendje t’i bënte një regjim në ikje. Si rezultat, mobilizimi dhe vullneti i hekurt i anëtarësisë së Lëvizjes BESA prodhoi edhe projektin kombëtar më të suksesshëm që nga periudha e pasluftës, i cili u përkrah fuqishëm edhe nga mërgata shqiptare. Por, mbi të gjitha, Lëvizja BESA shumë shpejt u shndërrua në adresën më të besueshme të rinisë shqiptare, pjesës më vitale të kombit, që e kishte lexuar drejt kalendarin e zhvillimeve politike dhe ishin vendosur një herë e përgjithmonë t’i ndëshkojnë ata që përbuzën çdo gjë shqiptare. Profesionistë të zotët të të gjitha fushave, njerëz pa hipoteka të cilët tashmë janë pjesë e Lëvizjes BESA. Ata e përpiluan edhe platformën më unike që u përgjigjet nevojave dhe kërkesave të shqiptarëve të Maqedonisë. Platforma Ridefinimi është një projekt konkret, i paraparë me të gjitha detajet dhe nevojat konkrete për ta bërë Maqedoninë shtet funksional ku të gjithë qytetarët do të ndjehen të përfaqësuar në mënyrë të barabartë dhe shteti që nga simbolet e deri tek kushtetuta do të reflektojë karakterin shumë-etnik, për dallim nga realiteti monoetnik që shfaqet sot në mënyrën më të vrazhdë në çdo aspekt shoqëror. Kjo mbase ishte edhe arsyeja pse ish kryeministri, i përfolur për afera të ndryshme korruptive, Nikolla Gruevski, ishte më i zëshmi kundër platformës Ridefinimi, ngaqë për herë të parë ai e kishte kuptuar se shqiptarët e kishin lexuar drejt çdo zhvillim dhe ata përmes kësaj platforme do t’ia jepnin edhe një mundësi Maqedonisë. Por, sa më i ashpër bëhej zëri i Gruevskit, aq më shumë shtohej përkrahja e shqiptarëve të Maqedonisë, aq më shumë rritej interesimi i faktorit ndërkombëtar për platformën Ridefinimi. Rezultati zgjedhor, në fakt, ishte vetëm refleksion i një mori komponentësh komplekse, që bashkërisht përbënin mozaikun politik që reflekton fytyrën e politikanëve të rinj që u duhen shqiptarëve të Maqedonisë për t’i realizuar aspiratat e tyre kombëtare.

SHENJA: Disa u perceptojnë si fitues të zgjedhjeve, ndërkaq ju keni 5 deputetë më pak se BDI-ja. Si e perceptoni ju veten?

Kasami: E vërtetë është se gati gjithë opinioni vendor, shqiptarë dhe ndërkombëtar neve na sheh si fitues të këtyre zgjedhjeve, të paktën si fitues moralë. Ne jemi subjekti i parë shqiptar në Maqedoni që formohet jo nga ndonjë fraksionim a përçarje e një partie tjetër politike, por që lind vetëm nga vullneti i shqiptarë të Maqedonisë dhe që për vetëm dy vjet punë arrin të dalë partia katër në nivel vendi dhe e dyta në kampin politik shqiptar, duke e nxjerrë krejtësisht prej loje PDSH-në, një parti me histori 20 e më shumëvjeçare, si dhe duke ia përgjysmuar elektoratin dhe numrin e deputetëve të BDI-së. Shikuar në këtë aspekt, ne vërtet jemi befasia e zgjedhjeve, por – në aspekt të pritjes që e kemi pasur ne – vlerësojmë se së paku dy mandate deputetësh na i hoqën me manipulime, me ç’rast BDI-ja do të kishte 9 deputetë, edhe pse pritjet dhe puna jonë ka qenë në drejtim që të dalim fitues. Marrë në përgjithësi, edhe pse të pafuqishëm që ta mbrojmë votën nga ata që për vite e kanë bërë mjeshtëri manipulimin zgjedhor, për çka tashmë akuzohen edhe nga Prokuroria Speciale Publike, ne mund të jemi të kënaqur që arritëm të shpëtojmë gati 60 mijë vota shqiptare, që na sollën vetëm 5 deputetë.

SHENJA: Në këto zgjedhje edhe partia maqedonase, LSDM, arriti të marrë një numër të madh të votave shqiptare. Si e shihni ju këtë fakt? A ju brengos kjo?

Kasami: Ne e kemi thënë edhe më parë dhe po e përsëris edhe këtu se ne nuk jemi shumë të lumtur, sa ishin edhe disa zyrtarë shqiptarë jashtë Maqedonisë, që një parti maqedonase futet kaq thellë në kampin politik shqiptar. Derisa në Maqedoni nuk janë zgjidhur problemet etnike të shqiptarëve, derisa vazhdon pabarazia dhe diskriminimi, që e sponsorizon dhe mbështet shteti, nuk mendoj se duhet përkrahur partitë maqedonase të cilat marrin dy-tre shqiptarë, sa për imazh, ndërsa nuk ofrojnë asnjë zgjidhje konkrete për problemet e diskriminimit të shqiptarëve në Maqedoni. Prandaj, mendoj se para se para se partitë maqedonase ta kërkojnë votën shqiptare, duhet të kërkojnë falje për krimet dhe diskriminim që e kanë bërë në të kaluarën ndaj shqiptarëve, e më pas të deklarohen qartë se çfarë ofrojnë për shqiptarët. Për këtë arsye kujtoj se duhet akoma punë për të arritur në parti multietnike.

SHENJA: Gjatë fushatës disa herë u akuzuat se po abuzoni me elemente religjioze për përfitime politike?

Kasami: Gjithë duhet ta keni parasysh se kush i bënte akuza dhe për çfarë dobie. Në të vërtetë, ata që kanë abuzuar me religjionin jo vetëm në këtë fushatë janë pikërisht ata që neve na kanë akuzuar me diçka të tillë. Shqiptarët e Maqedonisë e dinë saktë se kush bërtiste me thirrje fetare nga tubimet partiake, kush predikonte dhe interpretonte fenë nëpër tubime partiake dhe kush bënte fotografi nga xhamia. Unë ju them me përgjegjësinë më të madhe se ne kemi qenë dhe jemi maksimalisht të kujdesshëm ndaj këtyre veprimeve dhe kjo ndodhë vetëm për arsyen se BESA e ka të ndarë saktë e mirë përkatësinë politike nga ajo religjioze dhe në asnjë rast nuk lejojmë ato të ndërhyjnë në njëra-tjetrën. E nëse në fjalime është përmendur diku Perëndia, kjo kujtoj se më shumë e shpreh identitetin tonë konservator seç mund të merret në kontekstin që e thoni ju. Shqiptaria, që nga himni kombëtar, është ndërtuar mbi dashurinë për Perëndinë dhe kjo për neve paraqet mburrje dhe kësaj as nuk duam as nuk dimë si t’i ikim. Ndryshe nuk jemi shqiptarë.

SHENJA: Meqë disa herë ndaj jush janë atribuuar edhe etiketa që ju i keni mohuar ose i keni shpallë si shpifje, na thoni cili është identiteti politik dhe ideologjik i Lëvizjes BESA?

Kasami: Lëvizja BESA është organizatë politike që ka buruar nga nevojat dhe kapacitetet tona vendore, andaj e kemi quajtur autoktone, pastaj është organizatë që ka lindur nga analiza dhe studimi i mirëfilltë i jetës politike në Maqedoni kundrejt shqiptarëve, andaj ne e kemi emërtuar si autentike dhe, e fundit, meqë nuk ka lindur nga ndonjë subjekt tjetër politik, ne e kemi quajtur autonome. Dhe, identiteti i tillë është ndërtuar mbi ADN-në e shqiptarisë, BESËN SHQIPTARE. Ne mendojmë se në kohën e kësaj krize politike, por edhe morale, të skenës politike në Maqedoni, elementi i BESËS SHQIPTARE mund ta rikthejë shpresën e humbur për një jetë më të mirë. Dhe, kujtoj se kësaj ia kemi dalë. Për këtë dëshmon mbështetja e madhe që kemi marrë nga populli shqiptar këtu. Ndërkaq shpifjet dhe etiketimet e ndryshme janë ose për shkak se kundërshtarët tanë politikë nuk gjejnë asgjë që të na sulmojnë ose për shkak të perceptimit të gabuar të realitetit shqiptar në Maqedoni.

SHENJA: Cili është synimi i BESËS?

Kasami: Besa e ka përcaktuar misionin e saj historik, që është ngritja, afirmimi dhe fuqizimi i identitetit shqiptar në Maqedoni si identitet i veçantë etnik e kulturor. Në kohën e shpërnguljeve masovike të shqiptarëve, kjo për arsye të mungesës së perspektivës ekonomike, por kur është degraduar kaq shumë edhe arsimi dhe kultura shqiptare, detyra jonë më e lartë është si të shpëtohet ky identitet shqiptar në Maqedoni dhe si të fuqizohet ai në botën e globalizuar. Ndërkaq, që ta arrijë këtë, në misionin politik BESA synon të bëjë promovimin e shqiptarit autentik, që ai t’i gëzojë të gjithë ta drejtat e nevojshme politike, me mirëqenie ekonomike, me zhvillim arsimor, kulturor e shkencor, që kështu të bëhet i gatshëm si arketip të bashkëveprojë me botën përreth. Dhe, e fundit, shprehur shkurtimisht, vizioni i BESËS është RIDEFINIMI i Maqedonisë si shtet i barabartë e konsensual i shqiptarëve dhe maqedonasve me të drejta dhe detyrime të barabarta. Ky RIDEFINIM nënkupton se Maqedonia duhet ta ndërtojë shtetin në bazë të faktit se ai nuk është shtet monoetnik, siç është organizuar sot, por një shtet multietnik. Sa për krahasim, Kosova me më pak se 5% pakica është shtet multietnik, ndërsa Maqedonia me rreth 40% bashkësi jomaqedonase, është shtet monoetnik. Duke qenë komuniteti më i madh në vend, shqiptarëve u bie për barrë ta bartin këtë proces. Në të vërtetë, derisa nuk bëhet kjo, Maqedonia do të vazhdojë të jetë një burim i krizës dhe konflikteve.

SHENJA: Po kundrejt Shqipërisë dhe Kosovës cili është qëndrimi juaj?

Kasami: Republika e Shqipërisë, si atdheu jonë historik, por edhe Republika e Kosovës, janë dy shtetet fqinje më miqësore të Maqedonisë. Ato janë njëherazi edhe garanci të stabilitetit të Maqedonisë. Ne do të donim ta shohim një Maqedoni me marrëdhënie të mira të orientuara kah këto dy shtete, sepse – veç tjerash – kjo do ta ndihmonte shumë zhvillimin ekonomik të këtyre vendeve, ndërsa në aspekt të interesit shqiptar, kjo do të ndihmonte arsimin, kulturën dhe shkencën shqiptare, që janë strumbullarë të misionit tonë historik për interesin e kombit shqiptar në Maqedoni.

SHENJA: Kishit një ftesë nga z. Ali Ahmeti për takim të të gjitha partive politike shqiptare, por ju nuk shkuat. Pas kësaj ju akuzuan se jeni në agjendë antishqiptare dhe kundër unifikimit të faktorit politik shqiptar.

Kasami: Këtë temë tashmë e kemi sqaruar. Ne nuk shkuam në takim, sepse nuk deshëm ta legjitimomë dikë që akoma dëshiron të shtiret si mbrojtës i interesave shqiptare. Ai nuk ka as legjitimet politik, e aq më pak, të drejtë morale për të iniciuar takime të tilla. Jo më larg se një javë para atij takimi ai na e mori një deputet dhe ia dha VMRO-DPMNE-së, ndërsa pastaj na fton në takim, goja me agjendë shqiptare. Ne i thamë atij dhe të tjerëve që shkuan në takim: i mbështesim të gjitha nismat dhe marrëveshjet që mund të burojnë nga ai takim në interes të çështjes shqiptare në Maqedoni, por nuk mund të ulemi në një tavolinë me ata që kanë abuzuar kaq rëndë dhe kaq ulët me interesin shqiptar në Maqedoni. Ishte vendim thjesht parimor.

SHENJA: Ju shumë herë gjatë fushatës keni thënë se o do ta bëni Ridefinimin e shtetit ose ky shtet mund të zhbëhet. Çfarë keni nënkuptuar me këtë?

Kasami: RIDEFINIMI nuk është një veprim i njëhershëm, por është një proces, një debat, një dialog që do të duhet të vazhdojë më gjatë. Ne mendojmë se definicioni ose definicionet e shtetit të Maqedonisë janë bërë gjithnjë në kohë të luftërave ose krizave dhe këtë shtet që e kemi sot na ka ardhur si derivat i shpëtimit të qenësisë së shtetit e jo me synimin që të prodhojë një shtet që në plan afatgjatë do të jetë funksional. Qoftë Maqedonia e 1944’tës, qoftë ajo e 1991-shit ose ajo e 2001-shit, janë shtete që kanë pasur për qëllim të ndalet lufta/kriza dhe kjo, mendojmë ne, ka qenë çelësi i gabimit. Në vend që të mendohet se si do të jetë shteti në perspektivë, pra në të ardhmen, synimi ka qenë që vetëm të dilet nga aktualiteti.

Sipas nesh, gabimi themelor i Maqedonisë është se ajo në vazhdimësi mbetet një shtet asimetrik – një shoqërie multietnike i është mbindërtuar një shtet monoetnik. Mjafton të shihet preambula e 1991-shit, por edhe ajo e 2001-shit ose emrin dhe simbolet e shtetit dhe të bindemi në këtë. Ose, mjafton të shihet se në Maqedoni janë disa institucione që gjithmonë janë puro-maqedonase dhe të cilat nuk mund ta imagjinojnë që të përfaqësohen nga shqiptarët dhe ta kuptoni këtë.

Për këtë arsye, në kushte të paqes, pa trysni të armëve ose të krizave, por me një dialog mes komuniteteve në vend, të diskutojmë dhe të argumentojmë se, që Maqedonia të bëhet një shtet funksional e koheziv, i duhet ta bëjë një RIDEFINIM të asaj se a është shtet etnik (monoetnik ose dyetnik) dhe si reflektohet kjo në sovranitetin e shtetit, në simbolet e shtetit ose në përfaqësimin në pushtet, apo Maqedonia është një shtet qytetar, që qytetari të jetë bartës i sovranitetit dhe kjo të shprehet në emrin e shteti, në simbolet e shtetit, në ndërtimin e pushtetit dhe në përfaqësimin e komuniteteve në institucioneve të shtetit. Dhe, nëse e zgjidhim këtë çështje, pra nëse e bëjmë këtë definicion ose këtë RIDEFINIM të saktë, kjo na imponon edhe RIDEFINIMIN e institucioneve të shtetit, përfaqësimin etj.

Dhe, kjo sa është në interes të shqiptarëve, po aq është në interes të shtetit. Vetëm ashtu Maqedonia bëhet një shtet funksional. Ndërkaq, nëse mbetet kështu, krizat si kjo e fundit, do të riciklohen dhe në atë mënyrë rrezikohet seriozisht e ardhmja e këtij shteti

SHENJA: Cilat janë matematikat tuaja zgjedhore? Me kë do të kishit bërë koalicion?

Kasami: Ne e kemi thënë se nuk kemi as edhe një interes më të vogël që të bëhemi pjesë e një qeverie që do të bëhej me politikanë që janë të inkriminuar dhe të dyshuar nga Prokuroria Speciale Publike, pastaj pa diskutim të gjerë rreth RIDEFINIMIT ne nuk mund të marrim barrë të qeverisjes, si edhe kërkesa jonë po ashtu themelore, që marrëveshja qeveritare me ne do të jetë transparente dhe e afatizuar. Në të kundërtën, do ta pranojmë rolin e opozitës dhe mendojmë se edhe nga ai pozicion mund të ndihmojmë shumë. Ju mund ta shihni edhe këto ditë se 5 deputetët e koalicionit “Rilindje me BESË” janë gati se vendimtarë për qeverinë e ardhme, që nënkupton se ata do të jenë çelës edhe për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Shikuar nga ky këndvështrim dhe duke i parë numrat e partive të tjera, por edhe qëndrimet e tyre ndaj pikave që i përmenda më sipër, është shumë vështirë të pritet një koalicion qeveritar ku do të ishim të përfshirë edhe ne.

SHENJA: Çfarë prisni nga zgjedhjet e ardhshme lokale?

B. Kasami: Dita e mirë shihet në mëngjes. Në bazë ta rezultatit të këtyre zgjedhjeve, por edhe nga simpatia e krijuar në terren, veçmas pas fitores sonë në disa zona shqiptare të Maqedonisë, i bie që rezultati zgjedhor do të jetë përsëri në favorin tonë. Gjithsesi për këtë duhet ta presim majin dhe ta shohim saktë këtë parashikim.

Postime të Ngjajshme