` . Misionet e (pa)mundura të Albinit - TV-SHENJA

Misionet e (pa)mundura të Albinit

Është e vërtetë se Albini ka ditur t’i vë diagnozat e sakta të keq qeverisjes së qeverive të deritashme, por për herë të parë është në ballë të frontit kur ai vetë duhet t’i realizojë idetë e tij në praktikë.

 Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Këto ditë me të madhe analizohen e komentohen sfidat e “Qeverisë Kurti”, duke i numëruar fushat ku mund të ketë sukses dhe mundësitë e dështimeve. Edhe të parat edhe të dytat, me gjasë, do të jenë bashkudhëtarë të rrugëtimit të Albin Kurtit me Vjosa Osmanin e LDK-së, si një dyshe që do të sjellë diçka të re, diçka që deri tash nuk është parë. Duke numëruar votat në mbrëmjen e 6 tetorit, me thënë të drejtën, me gjithë rezervat për veprimet “problematike” të Albin Kurtit, sigurisht kam qenë ndër të shumtët që megjithatë anonin nga fitorja e tij. Një, ngase mendoja se Vjosa Osmani nuk është politikania më e përshtatshme për këtë moment në të cilin gjendet Kosova, e dyta, ngase mendoja se Albin Kurti, si udhëheqës i një subjekti që vazhdimisht ka qenë contra, meriton të fitojë shansin që të zbatojë politikat qe mendon ai se duhet të jenë më ndryshe, dhe, e treta, në kërkim të një “Ciprasi kosovar”, ai megjithatë dukej si më i përshtatshëm.

Shanset e suksesit

Albin Kurti i ka fituar zgjedhjet ngase qytetarët e Kosovës janë bindur se qeveritë e deritashme kanë udhëhequr keq. Ata janë bindur se Albin Kurti i rrugës dhe i radikalizmit ka pasur të drejtë gjatë këtyre viteve, se ai është më patrioti ndër patriotët, politikan më luftarak se ish-luftëtarët e vërtetë të epopesë së UÇK-së, të cilët, duke qeverisur, i humbën kreditë e luftës. Si i tillë, me gjithë bagazhin e një veprimtari të kauzës kombëtare, ai sot është sinonim i shpresës për një qeverisjeje që duhet ta çojë Kosovën përpara, si në proceset e brendshme, si në ato të jashtme. Por, lista e shpërputhjeve midis premtimeve dhe realizimeve, mund të mos jetë e vogël në qeverisjen e tij.

Në një analizë objektive është e pamundur të vlerësosh prej përpara se çka mund të bëjë një politikan, kurse ata që ia kanë dhënë votën Albinit janë një milion për qind të bindur se të gjitha fjalët e tij do t’i shndërrojë në vepra konkrete. Ajo që një analist mund ta thotë për këto pritje është se tek ai mund të ketë vullnet për t’i realizuar, por nuk mund të ndajë “sigurinë” e atyre që janë të verbëruar pas jetës dhe veprës së këtij “asketi” të jetës politike kosovare.

Pavarësisht se si do të zhvillohen punët, mund të pritet që qeverisja e tij, me gjithë rezervat që mund t’i ketë dikush, do të jetë më e mirë se qeverisjet e deritashme. Kulmin e suksesit mund ta arrijë para së gjithash në fushat politike ose të drejtësisë, si bie fjala në fushën e luftës së korrupsionit. Nuk mendoj se do ta pastrojë krimin e organizuar dhe gjithë të përlyerit nga kjo dukuri, por besoj se ai dhe bashkëpartiakët e tij nuk do të zhyten në këto fenomene. Besoj po ashtu se mund të bëjë në fushën e legjislacionit gjërat që i ka premtuar sa i përket “shtetëzimit” të disa ndërmarrjeve kapitale publike ose dhe të ktheje privatizimin prapa, sipas modelit slloven ose polak, siç parapëlqen ta thotë. Efekti nga këto mund të jetë i debatueshëm nga ekonomistët, por një idealist si ai edhe mund ta bëjë. Mund të bëjë përpjekje për politika sociale, pavarësisht mundësive buxhetore. Disa gjëra mund të bëhen, ngase janë premtuar edhe kur janë ditur parakushtet e pafavorshme. Mund t’i nisë edhe projektet e lidhjeve të komunikacionit me vendet fqinje (hekurudhën gjer në Vlorë, tunel me Maqedoninë që t’i përafrojë Prizrenin dhe Tetovën, hapjen e autostradave “të mbyllura” të Kosovës…), janë gjëra të nevojshme dhe janë të realizueshme. A do t’i mjaftojë apo jo një mandat për të gjitha këto, kjo duhet të shihet.

A do të mjaftojë idealizmi? Albini kundër Albinit…

Edhe ato që ka gjasë t’i realizojë ose të paktën t’i nisë, megjithatë, kanë ndonjë forcë frenuese, që mund ta pengojë të arrihen efektet e dëshiruara. Këtu është partneri i koalicionit, me të cilin që në start të bisedimeve për qeveri duhet t’i definojnë qartë rregullat e lojës për bashkëveprim. Nëse tejkalohen dallimet programore dhe i shkrijnë në një program bashkëqeverisës, me rregullat e pastra, do të mund të qeverisin me sukses. Nëse jo, do të jetë një bashkëqeverisje e rëndë, që do të devijonte çdo përpjekje për t’i realizuar premtimet. Madje edhe për ato fusha për të cilat do të duket se janë në një vijë. Efektet mund të mungojnë edhe nga projektimi joreal i premtimeve dhe nga paaftësia e kuadrove që t’i marrin prapa të gjitha idetë e Albinit. Nuk mund të pretendohet se platformat e qarta të qëllimeve ose premtimeve mund t’i realizojnë vetëm idealistët, nëse nuk kanë njerëz të aftë për të gjitha fushat, e sidomos nëse qëllimet janë projektuar më shumë në bazë të dëshirave e nevojave, në shpërputhje me rrethanat objektive. Por, rreziku kryesor për Albinin janë shpresat që ka ngjallur te një pjesë e madhe ithtarësh idealistë, të cilët prej tij nuk kërkojnë vetëm qërim hesapesh (dikush e quan revanshizëm) me bartësit e fenomeneve negative të qeverive të kaluara, por dhe paepësi kundrejt çështjeve që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë, të cilat do të jenë të rënda për t’u arritur edhe nga fakti se duhet ndërmarrë hapa që do ta vënë në pozitë Albinin (e tashëm kryeministër) të veprojë ndryshe nga Albini (i dikurshëm “prodhues” idesh e veprimesh revolucionare të paballafaquara me rrethanat…). Një analist e quajti naiv konceptin e Albin Kurtit për t’ia nisur dialogut me serbët e Kosovës, si qasje e re, para se të ulet me Vuçiqin, diçka që duket jashtë realitetit, kur dihet se ata janë të kontrolluar prej tij. Një kthim prapa në procesin negociues, as në kohë e as në strategji, nuk do të ishte i pranueshëm për faktorin ndërkombëtar, i cili sigurisht do të insistojë që procesi të vazhdojë aty ku ka mbetur. Këtu, ç’është e vërteta, me paralajmërimin për heqjen e taksës për mallrat e Serbisë, Albini do ta kthente sërish Kosovën në proces, por qasja që të nisë bisedat me serbët e Kosovës, mund të jetë parimor, por jo praktik dhe jo real. Jo reale është edhe ideja që në qeveri të përfshijë ndonjë serb që s’është nga Lista Serbe, sepse ai duhet të ballafaqohet pikërisht me serbët e përfaqësuar, pavarësisht sa janë të manipuluar nga Beogradi. Për fat të keq, të tjerë serbë është vështirë të gjesh. Por, këtu është një grackë, sepse LDK-ja, e cila do të jetë partnere koalicioni, pikërisht nga LVV-ja ka qenë e kritikuar për fleksibilitetin kundrejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Nëse është e vërtetë ajo që thotë gazetari Baton Haxhiu, nëse nuk jetësohet Asociacioni, vjen në rend dite këmbimi i territoreve, që do të jetë një sfidë serioze. Nëse Albin Kurti bën kompromis për cilindo nga këto opsione, do të jetë një dëshpërim i madh për idealistët të cilët kanë besuar se ai për asnjërën nuk lëshon pe.

Realiteti përtej flluskave populiste

Duke analizuar profilin politik nga shumë anë, analistët me të madhe e trajtojnë hendikepin e madh të Albin Kurtit lidhur me mosrespektimin e simboleve të shtetësisë. Në këtë folklor politik, Albini sikur dëshiron ta vazhdojë lojën me të cilën janë joshur shumë ithtarë të tij, sikur ai të ishte i vetmi politikan qe e ka në zemër flamurin me shqiponjë dhe sikur vetëm ai e do bashkimin e Kosovës me Shqipërinë! Domethënë, të gjithë ata që i respektojnë simbolet shtetërore të Kosovës nuk e dashkan bashkimin! As Hashimi, as Ramushi, as Isa…vetëm ai. Ai, pak kohë më parë, hodhi një mjegull nga oratoria e tij se bashkimin kanë mundur ta bënin Ramiz Alia, Sali Berisha e Ibrahim Rugova që në fillim të ‘90-tave po të kishin dashur, gjë që është larg realitetit, sepse çështja e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka qenë çështje e vullnetit të shqiptarëve! Ata kanë mundur, por s’kanë dashur, kurse sot vetëm ai do…! Por, kësaj mund t’i besojnë ata që verbërisht e kanë ndjekur këto vite Albinin, për ta forcuar mitin për kompletësinë e figurës së tij. Për fatin e tij, të mirë a të keq, partnerja e koalicionit, Vjosa Osmani, fushatën e zhvilloi me simbolet e shtetit të Kosovës, për të forcuar imazhin e partisë së tij si shtetformuese dhe me këtë sigurisht ka humbur shumë votues. Pa dashur të hyjmë më thellë, simbolikat e folklorizmit të këtillë politik janë vetëm për njerëzit e sinqertë, por naivë, të cilët më shumë i ngroh simboli(ka) sesa realiteti faktik. (Sa për të kthjelluar kujtesën: flamurin kombëtar, kosovarët dhe shqiptarët në gjithë Jugosllavinë e dikurshme, kanë mundur ta përdorin, por Kosova ka qenë krahinë jo e barabartë me republikat, kurse sot është shtet edhe pse pa flamurin e dëshiruar. A mund të peshohen këto dy gjëra dhe a mund që shtetësia e Kosovës të kontestohet pse nuk i ka simbolet e njëjta me Shqipërinë. A i japim rëndësi përmbajtjes apo “paketimit”?!) Paradoksi më i madh në këtë kontekst është e vërteta se realizimi i ëndrrës së bashkimit shkon pikërisht përmes idesë aq shumë të përfolur e paragjykuar të Hashim Thaçit për “korrigjim kufijsh”, sepse vetëm ashtu hiqet nga qafa pakoja shtetformuese, sipas së cilës Kosova nuk ka të drejtë bashkimi. Rrugë tjetër për Albinin, përveç me ndonjë formulë magjike ala Dejvid Koperfild, nuk ka.

Është e vërtetë se Albini ka ditur t’i vë diagnozat e sakta të keqqeverisjes së qeverive të deritashme, por për herë të parë është në ballë të frontit kur ai vetë duhet t’i realizojë idetë e tij në praktikë. Kur qe zgjedhur Zoran Zaevi kryeministër i Maqedonisë, pata vlerësuar se shanset e tij për sukses janë të mëdha në të gjitha fushat politike (kontesti i emrit me Greqinë ose fleksibiliteti ndaj kërkesave të shqiptarëve…), porse mundësitë për të mos i plotësuar premtimet janë në fushat ku duhet të ngrihet ekonomia, zvogëlohet papunësia, rriten pensionet ose rrogat. Ashtu, pak a shumë, edhe u zhvilluam gjërat. Kur të shihet qeverisja trevjeçare, vijmë në përfundim se guximi për t’i mbyllur çështjet e hapura me fqinjët ose ato të brendshme nuk përcillet edhe me aftësi për t’i zgjidhur problemet serioze ekonomike. Sot pa të drejtë e fajësojnë këtë qeveri për shpërnguljen masive të popullatës në perëndim, sepse ai proces kishte nisur më herët, por vetë fakti se procesi vazhdon, kjo do të thotë se mungesa e rezultateve në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të investimeve në ekonominë tonë është larg premtimeve. Të mos flasim se nuk ka rezultate spektakolare në reformat në gjyqësi, ku për disa arsye politike kemi një proces kundërthënës të sundimit të të drejtës. Ka një rritje rrogash në administratë, arsim, pensione, ndihma sociale, por këto janë intervenime populiste, duke marrë kredi nga jashtë e jo që kanë ardhur si rezultat i ngritjes ekonomike. Kjo gjë mund të thuhet edhe për mundësitë e Albin Kurtit, sepse ka një Kosovë për të qeverisur, ku ekonomia është në nivel të Maqedonisë ose edhe më ulët, që zor se do ta ngrejë në nivel të dëshiruar brenda natës, ku ka proces emigrimi për jashtë, i cili vështirë se mund të ndalet dhe shpresa për jetë më të mirë mund të zbehet pikërisht te ajo armatë e madhe të rinjsh që ia dhanë votën Albin Kurtit.

Kështu – ashtu, periudha që vjen është ajo kur do të kalojë dehja e fitores dhe do të jetë ballafaqimi me realitetin për ta dëshmuar kapacitetin për të jetësuar premtimet.