` . Ministrja Tahiri letër BE-së për sulmin në veri të Mitrovicës – TV SHENJA

Ministrja Tahiri letër BE-së për sulmin në veri të Mitrovicës

Në objektin e zyrave të Qeverisë në veri të Mitrovicës, të inauguruara më 28 dhjetor 2016 nga ana e ministres për Dialog, Edita Tahiri, në pajtim me Marrëveshjen e Brukselit, mbrëmë ka ndodhur një sulm me bombë. Pas kësaj ministrja Tahiri iu ka drejtuar menjëherë mbrëmë Bashkimit Evropian me një letër për të kërkuar nga BE-ja që të ndërhyjë, transmeton AA.

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se në letrën e ministres Tahiri thuhet se “Pati një tjetër sulm me bombë kundër ndërtesës së Qeverisë në Mitrovicën veriore, ku ish-anëtarët e ‘mbrojtjes civile’ janë të punësuar si shërbyes civil, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për shpërbërjen e ‘mbrojtjes civile’ të datës 26 mars 2015 të nënshkruar nga të gjitha palët.”

Në letër ministrja Tahiri po ashtu ka theksuar se zhvillimet e javëve të fundit kanë për qëllim provokimin e ndonjë destabilizimi të situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon.

“Për mendimin tim, duket se Serbia është duke u tërhequr nga dialogu dhe po i kthehet mendësisë së vjetër, ngase po shkon kundër marrëveshjeve që vet i ka nënshkruar, madje me bomba, mure, arrestime arbitrare kundër qytetarëve të Kosovës, etj. Duke qenë se jemi duke u përgatitur për ecjen tutje në zbatimin e marrëveshjes së Drejtësisë, po pyetem a thua se çfarë mjete do të përdoren kundër saj? Kërkoj nga BE-ja që të shikojë këtë gjendje me seriozitet dhe të ndërhyjë tek pala serbe që të qëndroj në linjë me frymën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përndryshe, pasojat do të jenë të paparashikueshme”, thuhet në letrën e ministres Tahiri.

Pas dërgimit të kësaj letre tek BE-ja , ministrja Edita Tahiri ka bërë të ditur se përgjigja ka qenë e menjëhershme dhe në të cilën ata kanë theksuar se Bashkimi Evorpian është përqendruar seriozisht në këtë çështje dhe se zhvillimet negative duhet të ndalen.

Nga shpërthimi i bombës në një hotel në veri të Mitrovicës, ku ministrja për Dialog, Edita Tahiri më 29 dhjetor të vitit 2016 kishte hapur zyrat e Qeverisë së Kosovës, për komunat e Mitrovicës Veriore dhe të Zveçanit, komuna me shumicë serbe , ka vetëm dëme materiale, dhe nuk ka të lënduar. Ndërkaq një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe më parë, menjëherë pas hapjes së këtij objekti, ku po në afërsi të të njëjtit hotel ishte gjetur një granatë dore e pashpërthyer.

Postime të Ngjajshme