` . Ministria refuzon dëmshpërblimin e sopotasve, ata do të padisin – TV-SHENJA

Ministria refuzon dëmshpërblimin e sopotasve, ata do të padisin

Ministria e Drejtësisë ka refuzuar kërkesën për dëmshpërblimin e sopotasve të cilët kohë më parë u liruan nga akuzat për vendosjen e minës në fshatin e tyre. Lajmin për Televizionin SHENJA e bënë të ditur ish të dënuarit për vendosjen e minës që goditi një kontigjent polak në vitin 2002. Edhe pse sopotasit tashmë janë njerëz të lirë për të cilët u konstatua se janë dënuar padrejtësisht, pa asnjë provë, ministria nuk e ka parë të arsyeshme që t’ua miratojë kërkesën e dëmshpërblimin për mbi 10 vitet e kaluara në burg. Televizioni SHENJA siguroi dokumentin, përgjigjen nga Ministria e Drejtësisë drejtuar sopotasve në të cilën shkruan se Ministria refuzon kërkesën, por pa dhënë shpjegim për çfarë arsye. Dokumenti i nënshkruar nga ministrja e Drejtësisë Renata Deskovska vetëm u sugjeron sopotasve që të vazhdojnë ta kërkojnë të drejtën e tyre në gjykatat kompetente. Por, duke marrë parasysh praktikën gjyqësore, kjo procedurë mund të zgjasë dhe kushtojë shumë para.

Ferikan Iljazi Arifi/ SHENJA/