` . MINISTRIA E KULTURËS – TV-SHENJA

MINISTRIA E KULTURËS

Shkruan: Lindita Kadriu

Emaili nga i cili po sjell një fragment, u shkrua para shpalljes së programit për botime të Ministrisë së kulturës për vitin 2018. E anticipova që do të ishte i dobët dhe për këtë nuk duhet të jesh ndonjë talent: mjafton të kesh përcjellur rezultatet e Konkursit për botime deri tash. Pjesa shqiptare e programit nacional për kulturë rregullisht ka qenë e dobët për nga titujt ose për nga mënyra e mirënjohur dredharake e realizimit të tyre nga shumica e botuesëve jolexues shqiptarë.

sqarim: Dashmir  Ademi është redaktor në Arbëria Design, botues i librit tim me tregime dhe librit epistolar me Arlinda Zymerin. Ministria I pranoi të dyjat dhe del që do të duhej të isha e kënaqur. Por ne u rritëm në një kohë kur interesi i përgjithshëm  qëndronte mbi interesin personal. Prandaj mbrëmja kur lexova rezultatet e Konkursit ishte ambivalente. Në fund, dhe mbi të gjitha, pak më qaheshte e pak me shaheshte.

Dashmir tung,

…nuk desha të zgjatem në zyrë pasi nuk ishim vetë, por të kam shkruar edhe më herët se debutantet Teuta Buçi dhe Arlinda Zymeri kanë epërsi, ato janë zëri i ri i fuqishëm i letërsisë sonë. Mandej, nuk mbetem keq as unë se libri me Zymerin është korrespodenca jonë me emaila.

POR, ka një por këtu.

Me vite Ministria e kulturës, shkaku i jokompetencës së kuadrit shqiptar të punësuar atje, jep pare edhe për libra koti. E ke parasysh, të gjithë ne që mbushim buxhetin shtetëror financojmë libra të cilat nuk i lexojnë as antarët e familjeve të shkrimtarëve. Dhe duke heshtur jemi bashkëfajtorë. Thjesht mendoj se duhet ngritur zërin për listë me cilësore të shkrimtarëve shqiptarë që financon Ministria, për shkrimtarët joshqiptarë le të angazhohen të tjerët, nuk më intereson shumë. Valmiri, mbiemrin vërtet nuk ia di, funksionari më i lartë kulturor shqiptar nuk duket se ka fort lidhje me librat; Petrit Saraqini, me demek ma fraer, poashtu nuk është i dobishëm se atij i vjen turp të këmbëngul për kulturën shqiptare se kosmopolit.

E dyta, si qëndron puna me tirazhin e librit për Tetoven? (sqarim: Tetova përmes fotografive të vjetra është libër koautorial mbështetur nga Ministria, në botim të Arbëria Design, 2016). Nuk është në shitje, kurse tirazhi duhej të ishte 500 kopje. Vetëm prisja që njëri prej autorëve të mëkëmbet me shëndet dhe të kërkojmë llogari për këtë tentimtallje; prandaj kjo vonesë reagimi. Nuk shkruam e as ju nuk botuat libër që Behixhudin Shehabi ta dhurojë lartë-poshtë dhe vepra të mos dalë në shitje. Kur e pyeta troç Përse libri nuk është nëpër librari? a e din si u përgjigj: Pasi e ka financuar Ministria e kulturës. Janë ca përgjigje që kur ti jep dikush ty s’të mbetet gjë përpos ta shikosh si me gjynah dhe të mendosh ose të thuash Ljudi moji jel’ to moguçe, si komentator i sportit Mlladen Deliç dikur – njerëzit e kohës sime më kuptojnë, të tjerët, siç do thoshte Nastradin Hoxha, le ta kërkojnë në google.

E sheh Dashmir, çfarë kuadrosh kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi në Ministrinë e kulturës!? Një, me tamam, s’e kemi pasur, vërtet asnjë nuk më kujtohet. Aman!