` . Ministria e Kulturës po punon në përmbushjen e kërkesave të punonjësve të kulturës - TV-SHENJA

Ministria e Kulturës po punon në përmbushjen e kërkesave të punonjësve të kulturës

Ministria e Kulturës i mbështet punonjësit e kulturës në përmbushjen e kërkesave të tyre dhe në mënyrë të përkushtuar, së bashku me të gjithë faktorët në kulturë dhe me përfaqësuesit e SKRM-së dhe SASHK-ut, për më shumë se një vjet është duke punuar në përgatitjen e kushteve normative për miratimin e akteve ligjore moderne të cilat në periudhë më të shkurtër kohore do të mundësojnë realizimin e kërkesave të organizatave sindikale.
Propozim-ligji për realizimin e interesit publik në kulturë është kusht për përpilimin e Marrëveshjes Kolektive. Propozim-ligji është në fazën përfundimtare, dhe grupi i punës i fut vërejtjet e paraqitura përmes ENER-it dhe organeve kompetente, si fazë përfundimtare, përpara se tekstin ta dorëzojë në Qeveri për t’u miratuar.
Theksojmë se Propozim-ligji për realizimin e interesit publik në kulturë dhe Propozim-teksti i Marrëveshjes Kolektive janë përgatitur në Ministrinë e Kulturës që nga viti i kaluar, por është pritur harmonizimi me ndryshimet e reja të rregullave të administratës publike, të cilat tani janë në dispozicion të publikut.
Duke pasur parasysh që është përcaktuar koncepti i ligjit të ri, Ministria e Kulturës po punon me përkushtim e me shumë zell me grupin e punës për përpilimin e Marrëveshjes Kolektive për Kulturë, në të cilën janë përfshirë anëtarët e SKRM-së dhe SASHK-ut. Me MK pritet, mes çështjeve të tjera në fushën e marrëdhënieve të punës, të tejkalohen edhe problemet aktuale në përcaktimin e rrogave të punonjësve në institucionet e kulturës. Me MK, së bashku me sindikatat, do të eliminohet disbalansi i rrogave ndërmjet veprimtarive të veçanta dhe të përcaktohen koeficientët objektivë për lartësinë e rrogave në kulturë.
Pritet që në periudhën e ardhshme që Marrëveshja Kolektive të vihet në debat publik nga organizatat themelore të sindikatave në institucionet e kulturës, dhe se do të zbatohet nga 1.01.2020.