` . Ministri Shala suspendon vendimin për masat reciproke tregtare me Maqedoninë e Veriut - TV-SHENJA

Ministri Shala suspendon vendimin për masat reciproke tregtare me Maqedoninë e Veriut

Ministri në detyrë Endrit Shala, ka njoftuar se ka suspenduar vendimin për masat tregtare reciproke me Maqedoninë e Veriut.

Sipas Shalës ky vendim është marr me qëllim të mbrojtjes së prodhimeve kosovare.

“Vetëm kur bëhemi bashkë për shtetin tonë mund ta arrijmë qëllimin, mund ta arrijmë respektin e të gjithëve. Pas reflektimit të Maqedonisë së Veriut edhe unë sot kam marr vendim që ta suspendoj vendimin për masa reciproke të para disa javëve në lidhje me produktet e Maqedonisë së Veriut që hyjnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë t’i mbrojmë prodhimet kosovare, vetëm duke rritur prodhimin dhe duke rritur eksportin mund ta zhvillojmë shtetin. Prandaj, duhet të jemi bashkë për shtetin”, ka njoftuar Shala në Facebook.

Po ashtu, ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi, sot në konferencë për shtyp, tha se është arritur zgjidhje mes dy shteteve, duke shtuar se janë hequr masat e vendosura nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Kujtojmë se para dy javësh, ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Endrit Shala, ka vendosur masa reciproke ndaj mjaltit dhe patateve të Maqedonisë Veriore, për shkak se kjo e fundit është duke aplikuar barriera tarifore ndaj produkteve të vendit.

Një javë pas, ministri Shala dhe Bekteshi janë pajtuar që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë, t’i dërgoj një raport Agjencisë së Ushqimit të Maqedonisë së Veriut me analiza nga programi adekuat për monitorimin e produkteve. /Telegrafi/