` . Ministri i Jashtëm i Bahreinit: Konferenca e SHBA-ve është plan ekonomik dhe jo marrëveshje - TV-SHENJA

Ministri i Jashtëm i Bahreinit: Konferenca e SHBA-ve është plan ekonomik dhe jo marrëveshje

Ministri i Punëve të Jashtme i Bahreinit, Kahlid bin Ahmad Al Khalifa, ka deklaruar se konferenca e udhëhequr nga SHBA-të në Bahrein është një “plan ekonomik” dhe jo një marrëveshje, transmeton AA.

“Seminari në Manama nuk është një marrëveshje, por një plan ekonomik për të ndryshuar realitetin e rajonit”, tha Al Khalifa për televizionin Russia Today.

Konferenca e udhëhequr nga SHBA-të filloi dje në Bahrein, ku zyrtarët amerikanë pritet të zbulojnë pjesën ekonomike të planit të njohur si “marrëveshja e shekullit”.

Këtë ngjarje dy ditore, palestinezët e kanë përshkruar si një përpjekje për të minuar luftën e tyre për çlirimin e pushtimit të gjatë izraelit.

Al Khalifa tha se Bahreini mbështet “zgjidhjen me dy shtete dhe iniciativën paqësore arabe, e cila nuk u mirëprit nga pala izraelite”.

Iniciativa e propozuar saudite e vitit 2002 i ofron Izraelit njohje të plotë diplomatike në këmbim të tërheqjes izraelite nga toka arabe e pushtuar në vitin 1967 dhe krijimin e një shteti palestinez.

Kryediplomati i Bahreinit akuzoi Iranin për nisjen e një “lufte të ndërsjelltë” kundër shteteve arabe, një pretendim që është mohuar nga Teherani.

Ai tha se i beson “mençurisë së SHBA-ve në trajtimin e ndërhyrjes së Iranit në rajon”.

Tensionet mes Iranit dhe SHBA-ve janë në rritje që nga viti i kaluar pas tërheqjes amerikane nga marrëveshja ndërkombëtare për programin bërthamor iranian. Tensionet janë rritur në mënyrë shtesë pasi Washingtoni para do kohe në listën e grupeve terroriste përfshiu forcat iraniane të armatosura, gjegjësisht Gardën Revolucionare.

SHBA-të kanë forcuar praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, ndërsa para dy javësh nga Pentagoni u paralajmërua dërgimi i 1.000 ushtarëve shtesë në këtë rajon, për shkak të “kërcënimit” nga Irani.