` . Mini-shengeni nuk mund të bëhet pa Kosovën - TV-SHENJA

Mini-shengeni nuk mund të bëhet pa Kosovën

“Presidenti serb gjeti një moment frustrimi të kryeministrave Rama e Zaev, për shkak të refuzimit që u bëri Bashkimi Evropian hapjes së negociatave me Maqedoninë e Shqipërinë dhe i futi në vallen e tij, e cila parimisht nuk mund të refuzohet as nga Bashkimi Evropian as nga Amerika, e cila synim strategjik e ka futjen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO.”, thotë Nexhmedin Spahiu.

Intervistoi: Latif MUSTAFA

Në këtë numër të revistës “Shenja” do të flasim me analistin dhe profesorin e njohur Nexhmedin Spahiu. Ai konsiderohet si personi më i zëshëm sa u përket çështjeve të identitetit politik kosovar, identiteteve të popujve të Ballkanit dhe teorisë së kombit. Ai i ka gradat më të larta shkencore në matematikë dhe në shkencat politike, ndërsa e ka studiuar paralelisht edhe letërsinë. Disertacioni i tij në Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest me titull “Tendencat Serbe për copëtimin e Kosovës” i mbrojtur në maj të vitit 1999 është shpallur më i miri dhe është botuar po atë vit në gjuhën angleze . Nexhmedin Spahiu ka qenë dhe është profesor në universitete të ndryshme,  përfshirë Universitetin e Tiranës, Prishtinës,  Tetovës dhe Universitetin e Hamburgut dhe është kolumnist i rregullt në revistën “Shenja”. Nexhmedin Spahiu deri tani ka shkruar 9 libra, të cilat kanë të bëjnë me tema të ndryshme politike, me theks të veçantë mbi identitetet kulturore dhe politike. Ai njihet si njëri nga teoricienët e “kombit kosovar”. Meqë një kohë të gjatë ai flet për idenë e Mini-shengenit Ballkanik, kësaj radhe do të kemi mundësinë për t’i njohur më afër idetë e tij rreth këtij projekti politik.

SHENJA: Çfarë mendoni për mini-shengenin ballkanik, origjinën, politizimin dhe mundësinë e realizimit të tij?SPAHIU: Më 12 Janar 2009 isha në emision “Shqip” në Top Channel së bashku me Albin Kurtin dhe të ndjerin Jonu

N. z Musliu. Këtu për herë të parë e paraqita idenë e mini-shengenit ballkanik. Pata thënë se edhe Kosova edhe Shqipëria duhet të kenë një rol më pro-aktiv rajonal dhe duhet të ndërmarrin nismën e mini-shengenit Ballkanik mes Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë e Malit të Zi, kjo me qëllim të integrimeve brenda-shqiptare dhe për t’u bërë pandan i Serbisë në integrimet evropiane dhe, njëkohësisht, si parapërgatitje për integrimet evropiane. Sigurisht, që nëse do të funksiononte kjo ide me kohë, për një dekadë, zhvillimi i këtyre vendeve si një treg 7-8 milionësh do ta sfidonte primatin e Serbisë si fuqia më e madhe rajonale ushtarake, ekonomike e diplomatike. Në hapat integrues, Serbia do të ishte shumë më e shtrënguar se sa tani të njohë pavarësinë e Kosovës. Këtë ide e përkrahu Presidenti Fatmir Sejdiu, por ai menjëherë më pas dha dorëheqje nga posti i Presidentit dhe ideja ime ngeli vetëm ide për 8 vite me radhë, derisa ka fundi i vitit 2016-të Beogradi zyrtar filloi ta jetësojë si nismë, por tani në favor të Serbisë.

Presidenti serb gjeti një moment frustrimi të kryeministrave Rama e Zaev, për shkak të refuzimit që u bëri Bashkimi Evropian hapjes së negociatave me Maqedoninë e Shqipërinë dhe i futi në vallen e tij, e cila parimisht nuk mund të refuzohet as nga Bashkimi Evropian as nga Amerika, e cila synim strategjik e ka futjen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

SHENJA: Apo krijohet një Jugosllavi e re, një Ballkan i ri apo një dominim ekonomik dhe politik i Serbisë në Ballkan?

N. SPAHIU: Jo. Kjo është një përpjekje e Serbisë për ta izoluar Kosovën. Aleatët e Kosovës nuk do ta lejojnë këtë gjë. Sidoqoftë, nëse Kosova dëshiron të integrohet në Bashkimin Evropian, duhet të mësohet të bashkëpunojë me Serbinë. Natyrisht, kjo do të jetë e vështirë për gjeneratat që e kanë përjetuar sundimin serb. Thjesht, këtë bashkëpunim e pengon inferioriteti i shqiptarëve të Kosovës. Vetëm ata shqiptarë të Kosovës që nuk janë thyer asnjëherë para serbëve, janë në gjendje të bashkëpunojnë në pozicione të barabarta. Shumica e kosovarëve të gjeneratave mbi 30 vjeç janë rritur me ndjenjën e inferioritetit karshi serbëve. Përjashtim bëjnë vetëm një pakicë e vogël e familjeve patriotike. Ta zëmë, Adem Demaçin Serbia ka mundur ta mbajë në burg gati tri dekada, por nuk ka arritur ta thyejë, prandaj një njeri i tillë nuk e ka pasur problem që pas luftës të shkojë në Beograd ose edhe t’i mbrojë serbët e rrezikuar në Kosovë.

SHENJA: Thuhet se mini-shengeni është iniciativë gjermane. Ju e besoni këtë?

N. SPAHIU: Është praktikë e vendeve që aspirojnë Bashkimin Evropian, është një parapërgatitje për funksionim brenda BE-së. Gjermania është motori i BE-së dhe iniciativa edhe mund të jetë e saj, por Beogradi këtë e ka parë si mundësi që të ecë me hapa para Kosovës dhe ta izolojë atë.

SHENJA: A mund të jetë ky projekt politik një zgjidhje afatmesme dhe prolonguese për aderimin e Europës Juglindore në BE?

N. SPAHIU: E thashë. Është parapërgatitje. Nuk është për ta shtyrë anëtarësimin në BE, por për ta përshpejtuar.

SHENJA: Me mos marrjen e datës së bisedimeve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shtohen zërat euroskeptikë se Europa, gjegjësisht BE-ja, do ta vazhdojë edhe për një kohë të gjatë “politikën e mureve” ndaj shteteve të Europës Juglindore?

N. SPAHIU: Duhet të jemi korrektë. Shqipëria nuk e ka merituar të procedojë në hapat e mëtejmë të integrimit në BE, kurse Maqedonia ishte thjesht viktimë kolaterale, që të mos duket se Shqipëria u refuzua për arsye fetare.

SHENJA: Si e komentoni pozicionin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe inkosekuencën e tij politike, të paktën për një kohë kaq të shkurtër, përfshirë këtu mbështetjen që i dha presidentit të Kosovës për korrigjim të kufijve dhe, tek më vonë, me një ide të mini-shengenit ballkanik?

N. SPAHIU: Është e qartë se Edi Rama dëshiron të jetë protagonist në rrjedhat ballkanike e evropiane. Por, sjellja e tij në raport me Beogradin nuk është vetëm çështje e karakterit individual, por një traditë e shtetarëve të fuqishëm në Tiranë. A nuk bashkëpunuan Esad Pashë Toptani, Ahmet Zogu e Enver Hoxha me Serbinë kundër interesit të Kosovës?.

SHENJA: A mund të realizohet një mini-shengen i tillë pa një njohje të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë?

N. SPAHIU: Sigurisht se nuk mund të realizohet. Problemi është se liderët politikë të Kosovës duhet të nisen nga fakti se ata duhet ta detyrojnë Serbinë ta njohë Kosovën. Ky hap nuk ndodhë ashtu që një ditë të zgjohemi në mëngjes dhe ta shohim se Serbia ka ndryshuar mendje dhe po e njeh pavarësinë e Kosovës. Jo, duhet të punohet natë e ditë, hap pas hapi, në procese të ndryshme rajonale e globale, që Serbia të bëjë hapa përafrues dhe një ditë ta hedhë hapin final: ta njohë pavarësinë e Kosovës.

SHENJA: A po e izolon Edi Rama Republikën e Kosovës përmes mbështetjes së mini-shengenit?

N. SPAHIU: Sigurisht. Izolimin e Kosovës e ka nisur Edi Rama qëkur ka vënë viza për kosovarët, gjë të cilën e ka kamufluar me taksë rrugore. Në Maqedoni e Serbi lartësia e taksës rrugore nëpër autostrada është njësoj për çdo veturë, qoftë me targa vendore, qoftë me targa të huaja. Edi Rama nuk ka vënë taksa në asnjë autostradë tjetër, pos asaj nga vijnë kosovarët. Derisa vendorët paguajnë më pak se një euro, kosovarët paguajnë 5 Euro. Plus në kthim 4 euro të tjera diferencë, i bie që çdo kosovar që shkon në Shqipëri të paguajë vizë prej 8 eurove për çdo vajtje-ardhje në Shqipëri.

SHENJA: RichardGrenell-i, si emisar special i presidentit Trump, këto ditë qëndroi në Kosovë dhe Serbi. Çka mund të thuhet për epilogun final të bisedimeve Kosovë-Serbi dhe ku ndërlidhet kjo me projektin e mini-shengenit ballkanik, kur tanimë politikat e jashtme gjermane dhe amerikane dallojnë thellësisht?

N. SPAHIU: Politikat amerikane e gjermane rreth Kosovës nuk dallojnë në qëllim dhe rezultat final. Ato janë pjesë e një strategjie të përbashkët, ku secila luan rolin e vet. Përzgjedhja e ambasadorit amerikan në Berlin si i emëruar i presidentit Tump për bisedimet Kosovë-Serbi flet vetvetiu.

Epilogu final dihet. Do të jetë njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Ajo çfarë nuk dihet dhe për çfarë po bisedohet tashmë 9 vjet është se çfarë çmimi do të duhet të paguajë Kosova për këtë njohje.

Ajo çfarë më ka pëlqyer tek Richard Grenell-i është sjella e tij e prerë, e cila manifestohet me fjalinë e tij monumentale: “Nuk kanë nevojë të takohen delegacionet, do të dakordohen përmes e-mailave”.  Kjo është fantastike. Kjo do të thotë t’i kuptosh pisëlliqet e ballkanikëve, dhe t’i godasësh turinjve.  Sa dreka e darka e hotele u kanë paguar taksapaguesit e Kosovës Edita Tahirit & co. për gjëra që kanë mundur të kryhen përmes e-mailave?!

SHENJA: Bazuar në deklaratat e fundit të presidentit francez për ndryshimin e vizionit dhe misionit të NATO-s dhe përafrimin e Aleancës me Rusinë, si mund të ndikojë kjo në Ballkan dhe në projektin e mini-shengenit ballkanik? A mund të thuhet se kemi të bëjmë me një përpjekje europiano-ruse për zvogëlimin e ndikimit amerikan?

N. SPAHIU: Jo. Ka shtrirje të ndikimit rus në vende të caktuara evropiane, por nuk mund të themi se ka shkuar deri në atë masë që BE-ja si tërësi t’i shpallë “luftë” Amerikës.

SHENJA: Çfarë pritet pas themelimit ose mosthemelimit të qeverisë në Kosovë? Cilët janë skenarët?

N. SPAHIU:Qeveria Albin Kurti do të bëhet në momentet e fundit të afatit ligjor. Nëse nuk bëhet, të dy partitë humbin, dhe përfituese del PDK-ja. LDK-ja është në pozitë më të mirë negociuese për shkak të disa faktorëve. E para, nuk është deklaruar se nuk ka opsion tjetër për koalicion, pos VV-së, gabim të cilin e ka bërë VV-ja, duke thënë se nuk ka opsion tjetër, pos LDK-së. E dyta, LDK-ja është më e besueshme se subjektet e tjera te aleatët e Kosovës, kjo për shkak të kosovacentrizmit të saj. E keni parë në foto: kur Grenell-i u takua me krerët e LDK-së, nga zyra e tyre ata e kishin hequr flamurin kombëtar shqiptar dhe në sfond e kishin flamurin kombëtar të Kosovës plus atë që Ibrahim Rugova e ka propozuar për flamur kombëtar të Kosovës. Prandaj Grenell-i pranoi të fotografohej vetëm në zyre, kurse me Albin Kurtin vetëm në sokak, sepse Albin Kurti nuk e hoqi flamurin kombëtar shqiptar nga zyra e tij.

Kur aleatët e Kosovës u pajtuan me faktin që Albin Kurti të bëhet kryeministër i Kosovës, ata i vunë atij 3 kushte: 1. Jo bashkim me Shqipërinë; 2. Respektim i simboleve të Kosovës; 3. Kooperativitet maksimal në përfundimin e dialogut me Serbinë.

Gjithsesi e kaluara e tij dhe sjellja e tij aktuale në këto tri fusha ka bërë që aleatët e Kosovës të mos kenë plotësisht besim tek ai. Ndërkaq te LDK-ja aleatët e Kosovës e panë siguresën e kontrollit që Albin Kurti të mos rrëshqasë nga binarët dhe ta rrezikojë projektin e quajtur Republika e Kosovës.

Këtë fakt Isa Mustafa e konsumoi maksimalisht për ta denigruar e poshtëruar Albin Kurtin deri në minutën fundit.

P.S. Kjo intervistë është zhvilluar para se të merret çfarëdo vendimi rreth koalicionit VV-LDK.