` . Milani zgjedh Piolin për stolin, tifozët nuk e fshehin zhgënjimin (Foto) - TV-SHENJA

Milani zgjedh Piolin për stolin, tifozët nuk e fshehin zhgënjimin (Foto)

Ka “tym të bardhë” pas takimit të drejtuesve të Milanit Boban e Maldini, me ish trajnerin e Interit dhe Fiorentinës, Stefano Pioli, i cili ka pranuar të ulet në stolin e kuqezinjve dhe pritet të hedhë firmën mbi kontratë këtë pasdite.

Drejtuesit e klubit i kanë shpjeguar projektin teknikut italian dhe ky i fundit i ka bindur ata me idenë për të luajtur me skemën 4-3-3, ku pritet të rikuperojë Suson e Calhanoglu në krah të sulmuesit kryesor Piatek.

Nga momenti në moment pritet që klubi kuqezi të njoftojë shkarkimin e trajnerit Marco Giampaolo, i cili nuk arriti të implementojë idetë e tij në skuadër, ndërsa pasdite Pioli do të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare me pagë prej 1.5 milionë eurosh në sezon.

Stefano Pioli mposht kështu konkurrencën me ish trajnerin e Interit, Luciano Spalletti, pasi ky i fundit nuk arriti të zgjidhë në mënyrë konsensuale kontratën me klubin zikaltër dhe do të vazhdojë pushimet deri në verën e 2021-shit.

Por duket se tekniku i ardhshëm i Milanit nuk është pritur mirë nga tifozëria e kuqezinjve, që kanë shpërthyer në rrjetet sociale, duke shprehur hapur pakënaqësinë e zgjedhjes së dyshes Maldini-Boban. /SS/