` . Middle East Eye: Arabia Saudite po përgatitet të ekzekutojë 3 dijetarë - TV-SHENJA

Middle East Eye: Arabia Saudite po përgatitet të ekzekutojë 3 dijetarë

Arabia Saudite është duke u përgatitur që pas muajit të Ramazanit të ekzekutojë tre dijetarë islamë të burgosur, përfshirë edhe mendimtarin e njohur Salman al-Auda, pohoi Middle East Eye, transmeton AA.

Middle East Eye, faqe interneti me qendër në Britani, duke cituar dy burime qeveritare dhe të afërmin e njërit prej dijetarëve, tha se Salman al-Auda, Hatib Avad al-Karni dhe prezantuesi televiziv Ali al-Omeri do të dënohen me vdekje pas Ramazanit.

Dy burimet e ndara qeveritare kanë pohuar se dijetarët, që gjykohen në një gjykatë të veçantë penale në Rijad, presin gjyqin që tashmë është shtyrë në afat të pacaktuar dhe se ekzekutimi i tyre nuk do të realizohet sapo të shpallet dënimi me vdekje.

Faqja ka cituar edhe drejtoreshën e Human Rights Watch (HRW) për Lindjen e Mesme Sarah Leah Whitson, e cila ka vënë theksin mbi rolin e mjedisit që i ka mundësuar presidenti amerikan Donald Trump Arabisë Saudite.

Whitson ka thënë se administrata Trump i ka dhënë Rijadit mesazhin se “çfarëdo shtypje që t’i bëni popullit tuaj, ne jemi prapa jush”.

Ndryshe, Salman al-Auda, me 13,4 milionë ndjekës në rrjetin social Twitter, njihet si figurë e hapur ndaj zhvillimet dhe qasjen e moderuar islame.

I arrestuar në vitin 2017, në gjyqin në të cilin u nxor gati një vit më vonë u ngarkua me 37 akuza, përfshirë akuzat “udhëheqje e një organizate terroriste, kundërshtim i bllokadës së Rijadit ndaj Katarit, bashkëpunim me Vëllazërinë Muslimane, tallje me sukseset e qeverisë, lidhje me familjen mbretërore të Katarit, kërcënim të sigurisë kombëtare dhe nxitje të dhunës”.

Gazetari i ndjerë Jamal Khashoggi, gjatë një programi në të cilin kishte marrë pjesë dy ditë para se të vritej, kishte akuzuar princin saudit të kurorës Muhammed bin Salman për arrestimin e Audas.

“Ai do t’i asgjësojë disidentët me çdo kusht…Salman al-Auda, nëse ekzekutohet, do të ekzekutohet jo pse është fanatik, por, përkundrazi, pse është i moderuar. Sepse me gjendjen e tij të moderuar, ata e perceptojnë si kërcënim”, ishte shprehur Khashoggi para se të vritej në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll në fillim të tetorit të vitit të kaluar.

Burgimet e aktivistëve, gazetarëve dhe teologëve në Arabinë Saudite janë intensifikuar pas ngrijtes së princit Muhammed bin Salman në skenën politike.

Ekspertët e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së ka paralajmëruar Rijadin për “arrestimin dhe burgosjen e përhapur, sistematike, arbitrare dhe në nivel shqetësues” të dijetarëve të fesë, shkrimtarëve, gazetarëve dhe aktivistëve.

Muajin e kaluar, media lokale raportoi për ekzekutimin e 37 personave shiitë me akuzat “formim i një organizate terroriste dhe bashkëpunim me armikun”.

Në lajmet e medias lokale ishte pohuar se njëri nga të ekzekuarit nuk ishte i moshës madhore, ndërsa një tjetër është ekzekutuar duke u kryqëzuar.

Amnesty International ka theksuar se në katër muajt e parë të vitit 2019, Arabia Saudite ka ekzekutuar 104 persona, duke shtuar se vendi është duke avancuar drejt tejkalimit të shpejtë të shifrës prej 149 ekzekutimeve të vitit të kaluar.

Grupi i të Drejtave të Njeriut Reprieve ka deklaruar në rrjetin social Twitter se 300 persona janë në pritje për t’u ekzekutuar në Arabinë Saudite.