` . Mickoski kundërshton diplomatin amerikan: Nuk e pranojmë marrëveshjen! – TV-SHENJA

Mickoski kundërshton diplomatin amerikan: Nuk e pranojmë marrëveshjen!

Marrëveshja është e dëmshme për interesat e kombit tim dhe si e tillë është e papranueshme për VMRO-DPMNE-në dhe për shumicën e qytetarëve të Maqedonisë. Kështu i është përgjigjur lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski,  Ndihmës sekretarit amerikan të shtetit Wess Mitchell, i cili dje me letër ju drejtua Mickoskit, duke kërkuar nga ai që të pranojë Marrëveshjen e Prespës dhe të lejojë që deputetët të votojnë ndryshimet Kushtetuese.

Hristian Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së

“Vazhdoj dhe me të vërtet nuk mund të besoj se si do të kontribuojë për stabilitet, paqe dhe siguri nëse pranohet kjo Marrëveshje e cila është refuzuar nga shumica e qytetarëve në referendum, me të cilin ndryshohet Kushtetuta me qëllim ndërrimin e emrit kushtetues të një shteti, me të cilin shfuqizohen të gjitha të drejtat e Maqedonisë të përfituara si: rezoluta e OKB së për pranim të Republikës së Maqedonisë së vitit 1993, marrëveshja e përkohshme me Greqinë e vitit 1995 dhe Vendimi i Hagës në favor të Maqedonisë e viti 2011.

Sa i përket veprimit të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së në lidhje me ndryshimet kushtetuese të cilët për momentin janë në procedurë parlamentare, Mickoski ka thënë se veprimet janë fryt i qëndrimit të mëparshëm të tyre dhe rezultat i referendumit.

Hristian Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së

“Dhe, mund të ju bind se nëse ka ndonjë informacion për kërcënim, ose çfarëdo tentimi për ndikim mbi atë se si do të vendosin, atëherë kjo është nga rrethe ose individë të cilët nuk janë pjesë e strukturave të partisë time. Unë nuk pranoj mënyrën e tillë të veprimit dhe të njëjtin e dënoj”

Ai ka shtuar se disa herë ka porositur që procesi i arritjes së Marrëveshjes me Greqinë i është dorëzuar një njeriu i cili është i përfshirë në shumë afera korruptive dhe i cili nuk është i sinqertë. Kujtojmë se dje Ndihmës sekretari amerikan i shtetit Wess Mitchell, në letrën dërguar Mickoskit i tha atij se SHBA është e dëshpëruar nga pozitat e udhëheqësisë së VMRO-DPMNE-së në lidhje me referendumin dhe me hapat në Kuvend në lidhje me ndryshimet në kushtetutë. Ai kërkoi që të ju krijohet hapësirë deputetëve të VMRO-DPMNE-së, të votojnë lirshëm në Kuvend për ndryshimet Kushtetuese. Enis Murtezi /SHENJA