` . Meta: S’dal nga Presidenca para 2022-shit - TV-SHENJA

Meta: S’dal nga Presidenca para 2022-shit

Presidenti Meta zhvilloi një konferencë në stilin e tij, prej atyre që janë parë shpesh kohët e fundit, që kur ka zgjedhur të bëhet aktor i fortë politik.

Me një dalje para medias pa ndonjë shkak të caktuar, kreu i shtetit i ardhur nga LSI me votat e PS, u përbetua se nuk do dilte nga presidenca para korrikut 2022. Kjo, si reagim nga vijimit të aksionit të mazhorancës me komision hetimor, për ta çuar drejt shkarkimit.

“Do punojmë shumë fort bashkë deri më 24 korrik 2022. Gjithë ky kuadrat i presidencës është vetëm Shqipëri dhe kuq e zi të paktën deri në atë datë dhe deri në atë moment. nuk ka asnjë shans që Ilir Meta ta dalë nga ky institucion para kësaj date. Pastaj për çështje të tjera nuk do doja të vija më tej në detaje sepse jam i bindur. ilir Meta është këtu për një mision historik për të mbrojtur disa interese të mëdha në rajon. Këtë punë do ta përmbush si një mision historik”, tha Meta me një patetizëm të theksuar politik.

Meta sulmoi sërish parlamentin, duke thënë se ai nuk është legjitim.

“Kjo është një krizë shumë e rëndë përfaqësimi, nuk janë thjesht 60 deputetë të opozitës që kanë ikur nga parlamenti, por janë 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të gjithë partitë e opozitës së bashkuar që kanë refuzuar pjesëmarrjen për në Parlament dhe pavarësisht se kanë shteruar listat duke shfrytëzuar edhe fundin e fundit, përsëri kuvendi që është përcaktuar qartë që ka 140 përfaqësues anëtarë, 18 nuk i ka dhe nuk ka ku t’i gjejë. Nuk është kjo krizë përfaqësimi? “, theksoi presidenti. /tesheshi/