` . Meta: Pa caktuar presidenti datë, nuk mund të zhvillohen zgjedhjet (Live) - TV-SHENJA

Meta: Pa caktuar presidenti datë, nuk mund të zhvillohen zgjedhjet (Live)

Sikurse ishte paralajmëruar, presidenti Ilir Meta ka mbajtur sot në mëngjes një konferencë të jashtëzakonshme ku dha edhe argumentet për anulimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit, i cili u njoftua në nisje të protestës së tetë të opozitës.

Meta tha sot se sipas Kushtetutës, presidenti është i vetmi organ që përcakton datën e zgjedhjeve.

Meta tha se pa pasur një datë të caktuar nga presidenti i Republikës, zgjedhjet qoftë ato përgjithshme qoftë ato vendore, s’mund të zhvillohen.

Jam sot për të shpjeguar para jush dhe gjithë qytetarëve arsyet për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit. Në zbatim të neni 92, Presidenti i Republikës është organi i vetëm kushtetues që ka për kompetencë caktimin e datës së zgjedhjeve si dhe për zhvillimin e referendumeve. Konkretisht në këtë dispozitë kushtetuta përcakton datën e zgjedhjeve. Pa pasur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet e përgjithshme apo vendore nuk mund të zhvillohen”, deklaroi Meta.

Meta theksoi se dita e zgjedhjeve duhet të jetë një ditë bashkimi për qytetarët dhe jo një ditë përçarje. Presidenti u shpreh sot se vendi është në krizë kushtetuese pasi organizmat e ndarjes së pushteteve nuk janë funksionalë.