` . Meta: Anulimi i zgjedhjeve është mjeti i vetëm për zgjidhjen e krizës - TV-SHENJA

Meta: Anulimi i zgjedhjeve është mjeti i vetëm për zgjidhjen e krizës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka zyrtarizuar sot shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet vendore në Shqipëri, ndërsa në një deklaratë për mediat ka renditur arsyet e këtij vendimi, raporton AA.

Meta ka vendosur që të dekretojë shfuqizimin e dekretit të datës 05 nëntor 2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore” dhe anulimin e datës 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve vendore.

Ai theksoi se detyra primare kushtetuese e tij është të garantojë unitetin e popullit dhe të mbrojë vlerat dhe parimet demokratike, sipas tij, të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe shtoi se me këtë vendim ka vendosur të ushtrojë kompetencën e tij në funksion të interesit publik për garantimin e rendit kushtetues.

“Në vlerësim të situatës që po kalon vendi dhe gjuhës së urrejtjes që po përdorin palët politike, si president i Republikës evidentoj se, ekziston rreziku që Shqipëria të shkojë drejt përshkallëzimit të paparashikueshëm të tensionit social, që mund të shkaktojnë pasoja të pakontrollueshme”, ka deklaruar Meta.

Meta tha se realizimi i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore pa pjesëmarrjen e opozitës është problematike në aspektin demokratik, sepse, sipas tij, u pamundëson qytetarëve shqiptarë të zgjedhin midis alternativave konkurruese përfaqësuesit e tyre në nivel vendor.

“Zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet e një situate të tensionuar politike, mund të sjellë si pasojë jo vetëm mospjesëmarrjen në zgjedhje të rreth gjysmës së votuesve, por krijon rrezikun e një konflikt civil, gjë e cila përbën rrezik serioz për dëmtim të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, stabilitetin demokratik të vendit, unitetin e popullit dhe rendin kushtetues”, u shpreh më tej presidenti i Shqipërisë.

Ai theksoi se “në kushtet aktuale, anulimi i zgjedhjeve është mjeti i vetëm emergjent për zgjidhjen e krizës së rëndë politike dhe parandalimin e një përshkallëzimi të pakontrolluar të saj”.

Ndërkohë, presidenti Meta nuk ka dekretuar datë të re për organizimin e zgjedhjeve vendore.

Kujtojmë se partitë opozitare të Shqipërisë, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) që pas dorëzimit të mandatave parlamentare në muajin shkurt insistojnë në krijimin e qeverisë tranzitore dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Opozita në muajt e fundit ka organizuar disa protesta antiqeveritare në Tiranë dhe qytetet e tjera të vendit, ndërsa nuk u përfshi zyrtarisht në procesin për zgjedhjet vendore.

Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Edi Rama, kundërshton kërkesën për qeveri tranzitore, ndërsa partia në pushtet, Partia Socialiste, prej disa javësh ka filluar përgatitjet për zgjedhjet vendore.