` . MESXHID-I DIRARI DHE “KRIMBAT - TV SHENJA

MESXHID-I DIRARI DHE “KRIMBAT

Lutja e tyre pranë Shtëpisë (Ka’bes) nuk ishte tjetër, veçse britmë dhe duartrokitje, prandaj vuajeni dënimin për shkak se mohonit. (El-Enfal, 35)

Rasti i Mesxhid-i Dirarit sa vjen e përsëritet në forma të ndryshme. Meshxid-i Dirari është dirar (dëm), për arsye se në emër të fesë mundohet të krijojë “fe”, pra keqpërdoret feja. Kjo dukuri në kohën tonë përsëritet në format më të sofistikuara, tepër të profanizuara, të pashpirt, larg mendjes dhe larg qetësisë shpirtërore dhe lartësisë kulturore. Shembull drastik për këtë janë, p.sh.: femra “imame”, fyerja e Aishes r.a., nënës së besimtarëve, krijimi i “hilafetit” të famshëm jo-islam (ISHID/ISIS) dhe, në fund, ja e pamë edhe “xhaminë” në Berlin ku çdo gjë kishte, përveç Zotit dhe besimit. Pse bëhet kjo? Për shkak se ne dëshirojmë ta dëshmojmë lirinë, por pa të vërtetë dhe pa drejtësi. Për të gjithë këta nuk mund të thuhet se nuk e kanë të njohur se çfarë bëjnë, sepse ata janë të vetëdijshëm se tallen me fenë dhe mundohen ta dëshmojnë atë që ka ndodhur edhe para Islamit kur, siç thotë Ibn Kethiri në Tefsirin e tij: “Kurejshët bënin tavaf rreth Ka’besë të zhveshur, duke fishkëllyer e duartrokitur…, për shkak se i kanë ndaluar njerëzit nga rruga e Zotit”. Çfarë ngjashmërie me këta të sipërpërmendurit: ftohen publiku, mediat, me qëllim të shmangies së njerëzve nga rruga e Zotit – tamam një përsëritje e kohës së xhahilijetit. Kjo mënyrë e veprimit nuk ka mundësi të emërohet ndryshe, përpos si “mazoshizëm fetar”. Ajo që ka ndodhur asokohe, është dënuar nga vetë Zoti, ndërsa sot e gjitha i lihet në duar “drejtësisë” dhe “të vërtetës”, të cilat për fat të keq nuk dihet se ku janë. Ky “fenomen” nuk ka mbështetje në mësimet fetare, përpos tmerrit që i kapërcen përmasat e të gjitha definicioneve, e që i ngjason atij lloji të seancave grupore të “psikoterapisë” moderne.

Vërtetë, në “xhaminë” në Berlin, “ibadeti” më tepër i ngjan seancave grupore të “psikoterapisë” moderne, ku “besimtarët” e dëshmojnë jobesimin, i cili i çmend, saqë ata për një çast e largojnë nga vetja arsyen, mendjen, dhe presin nga “imamja” porosi atraktive të mashtrimit. Kjo i përngjan shumë “liturgjisë” rutinë të “psikoterapisë” së re të Jack Rosenberg (i njohur me pseudonimin Erhard), i cili anëtarët e “kongregacionit” të tij fillimisht i hedh në gjunjë, në dysheme, pastaj nxit një lloj orgjie aseksuale, “liri trupore”; pastaj i ngre dhe me sharje i kthen në realitetin e mjerimit të ekzistencës së përditshme të tyre dhe u drejtohet me fjalët: “Muta! Majmunë! Budallenj! Imbecilë! Krimba!”. Sipas revistës “Psychology today”, kjo është një “përzierje e pabesueshme e teknikave për ta ndryshuar vetëdijen për veten”. Qëllimi themelor i terapisë së Rosenbergut është që vetëdijen e pacientëve ta transformojë deri në pikën e identifikimit me krimbat. Në të vërtetë, edhe para hyrjes në seminar pacientët ndjehen si krimba, fundërrina, por kjo ndjenjë është shkak për vuajtje dhe neuroza, ngaqë kësaj gjendjeje prej krimbi i kundërvihet mbetja “njerëzore” në ta. Rosenberg thjesht i largon ato mbetje “njerëzore”, dhe kështu pacientët e tij bëhen të lumtur dhe të kënaqur që janë krimba, fundërrina.

Falë këtij lloji të “psikoterapisë”, pacientët ndjehen rrezatues dhe të lumtur si krimba, jo vetëm për shkak të largimit të çdo mbetjeje “njerëzore”, por edhe për shkak të bindjes së fituar se gjendja prej krimbi i ekzistencës së tyre është pasojë e meritave personale dhe i zgjedhjes së lirë, e jo i detyrimit nga rrethanat apo kriteret njerëzore. Besueshmërinë e atij zëvendësimi të shkaqeve të gjendjes prej krimbi e vërteton vetë seminari: madje edhe për t’u bërë thjesht krimb, njeriu duhet që këtë ta meritojë me mundime dhe vuajtje, me lot dhe djersë. Pacientëve u premtohet se si krimba do ta fitojnë fuqinë e sundimit të plotë me vetveten. Duhet pranuar se kjo është një “e vërtetë” e saktë, ngaqë është shumë më e lehtë të mbisundohet me organizmin e krimbit, sesa me atë të njeriut. Megjithatë, “imami” i këtij “kongregacioni” nuk është i kënaqur vetëm me manifestimet platonike të transformimit në krimba dhe fundërrina; ai nga “xhemati” i vet kërkon edhe dëshmi konkrete: mbisundimi me vetveten do të thotë të sillet në “xhami” një “xhematli” i ri. Nuk ka nevojë të thuhet se ato “dëshmi” të reja e rrisin kapitalin tashmë shumë milionësh të Rosenbergut, (dhe jo vetëm të tij). Për brezin e amerikanëve që e ka krijuar principin e jetës nga parimi “bëje atë që dëshiron” – “është kjo një terapi deri në atë masë tronditëse që vërtetë mund të shkaktojë ndryshime të mëdha”.

Në të njëjtën linjë, në romanin Charley is my darling, Joyce Cary e përshkruan një grup fëmijësh që zbaviten duke e rrënuar një ndërtesë të bukur. Në parathënien autori shpjegon se raste të tilla nuk janë të rrallë në realitet dhe shton se ato “i shkakton edhe tërbimi kundër të bukurës dhe dinjitetit – tërbimi i atyre që nuk kanë ndjerë kurrë nevojë për të bukurën dhe dinjitetin”. Kështu kultura moderne i përgjigjet pozitivisht asaj pyetjes dikur të çuditshme të poetit Shelley: “A do të jetë ndonjëherë e mundur t’i mahnitemi deformimit tonë?” Kësisoj plotësohet edhe premtimi i lashtë i surrealistëve: “Ne jemi defetistët e Europës. Para së gjithash, do ta shkatërrojmë qytetërimin që aq e doni” (La revolution surrealiste, nr. 4, Paris 1926). Sipas Nadeau, surrealistët konsideronin se “bukuria, arti i mirë, rezultati i fundit i logjikës – duhen shkatërruar. Për dashuri të tyre ata kërkonin dhe sistematikisht e ushqenin dëshpërimin, si vlerë të jashtëzakonshme”, ndërsa “markezi de Sade është figura kryesore e panteonit të tyre”. Në të vërtetë, André Breton ka të drejtë kur thotë që “njëfarë dëshpërimi është trashëgimi e shpirtrave seriozë”; por, dëshpërimi që si “vlerë e jashtëzakonshme kërkohet dhe sistematikisht ushqehet” – nuk është trashëgimi e shpirtrave seriozë, por praktikë thjesht e mazoshizmit.

Pra, Rosenberg i quan pacientët e tij “krimba”, sepse me siguri konsideron se ata nuk e meritojnë emrin njeri; njeriu e meriton emrin e tij vetëm atëherë kur i është besnik, apo përpiqet t’i jetë besnik thelbit të tij ideal, parimit të tij origjinal formues dhe qëllimit të tij. Kurse këta “xhematlinjtë” e Dirarit, Kur’ani i përshkruan si zullumqarë (e diku tjetër edhe si “majmunë”), edhe pse ata thonë se nuk kanë për qëllim gjë tjetër, veç të mirës. Në këtë arenë të universit janë shumë të rrallë shembujt e përputhjes së përsosur të vulës së principit formues dhe pasqyrimit njerëzor të tij, prandaj detyrë supreme e përpjekjes njerëzore është pikërisht refuzimi i asaj jopërsosurie të pasqyrimit, me përpjekjen për ta kapërcyer atë.

Në dritën e mësimit paraprak bëhet plotësisht i qartë kuptimi i luftës së artit dhe kulturës moderne, natyrisht edhe i fesë, kundër kufijve në emër të lirisë nga të gjithë kufijtë. Në fakt, këtu shemben kufijtë e papërosurisë, jo për t’u kapërcyer me ngritjen nga principi formues drejt të cilit orientojnë, por që ashtu të rrënuara ta hapin atë zbrazëtirë ekzistenciale ku humbet çdo qëllim dhe kuptim. Ata kufij, duke e thërritur njeriun t’i kapërcejë, drejt formave më të larta të vetes, te njeriu, pse jo edhe te besimtari, pasiv shkaktojnë kriza të ndërgjegjes. Me largimin e kufijve, me braktisjen e njeriut, njeriu modern ka shpëtuar nga ajo krizë, duke ekzistuar vetëm në vetëkënaqje me formën e tij të re prej krimbi. Në mënyrë metaforike, krimbi e zë shkallën më të fundit, më të ulët në hierarkinë e formave të natyrës; pas tij nuk ka më të ulët – ja arsyeja për lumturi e atyre pacientëve dhe “xhematlinjve” të Mesxhid- Dirarit, të çliruar nga frika nga rënia, ngaqë gjenden në fundin e fundit të humnerës. Megjithatë, në atë zbrazëtirë të fundit të njerëzisë dhe mungesës së principit formues akoma vazhdojnë të zgjasin, ndoshta sipas inercisë, lëvizjet agonike, por qëllimi i armiqësive të atyre lëvizjeve nuk është më gjithçka jonjerëzore, por gjithçka njerëzore që këtu paraqitet si mbetje e pashkatërruar. Në luftën kundër mbetjeve të fundit të njerëzores njeriu modern gjen kënaqësi të cilës më shumë i ngjan emri sadizëm sesa mazoshizëm, ngaqë pikërisht ai e ka braktisur njeriun. Kuptimi thelbësor i lirisë nga e cila synon njeriu modern është pikërisht liria nga njeriu, nga mbetjet e fundit të njerëzisë. Ato mbetje shkaktojnë kriza të vetëdijes ngaqë paralajmërojnë për misionet dhe detyrat, detyrat dhe përgjegjësitë që njeriu modern i ka tradhtuar, duke i humbur fuqitë krijuese. Bollëku sasior i aktivizmit agonik të kulturës dhe artit modern ka për qëllim ta fshehë humbjen e cilësisë dhe energjisë së krijimtarisë, si dhe t’i shkatërrojë mbetjet e njerëzores që e tregojnë masën e katastrofës. Më kot. Edhe në atë fushë të historisë vërtetohet rregulla e shkatërrimit të të gjitha qytetërimeve, të cilat Arnold Toynbee i përkufizon si “mungesë e fuqisë krijuese në pakicë, të cilit i përgjigjet mungesa mimesis e shumicës, si dhe humbja e unitetit të trupit shoqëror”.

Në këtë epokë pasmoderne, kur e vërteta faktike edhe në Perëndim bëhet e urryer dhe e flakur si pengesë edhe për artin edhe për politikën, imponohet përfundimi: me shtypjen e demokracisë perëndimore shekullare do të zhdukej edhe arsyeja e zemërimit të “terroristëve”, “fundamentalistëve” muslimanë, do të zhdukej përçarja midis religjioneve, do të zhdukej blasfemia shekullare. Terrorizëm musliman nuk do të kishte sikur në Perëndim të mos ishte shekullarizmi, pakujdesia ndaj fesë dhe normave fetare, dhe keqpërdorimi i tyre, konsiderojnë edhe disa nga krerët e shquar të krishterë, se për ata muslimanë kjo nënkuptohet.

Interpretimet artistike kur flasin për artin dhe kulturën përdorin fjalorin e tyre, kurse gjuha e fesë dhe e fetarit është ndryshe. Kënaqësia ime është që këtyre dukurive t’iu përgjigjesha me fjalën se ata nuk kamë të drejtë të veprojnë kësisoj, dhe jo vetëm ata që veprojnë kështu, por edhe ata të cilët i shtyjnë këta që të krijojnë çrregullim dhe armiqësi mes Zotit dhe njeriut. Por, si duket, historia përsëritet, ngaqë ngjarje të këtilla kemi pasur edhe më parë dhe kemi edhe tani. Ne si besimtarë, në kontekstin e Judeo-Krishterimit dhe Islamit, duhet në mënyrë serioze ta kuptojmë dhe ta analizojmë këtë çështje, sepse jemi duke lejuar keqpërdorimin e Shkrimeve të Shenjta. Fatkeqësisht, laicizmi është shndërruar në “fe”, dhe ja çfarë është duke sjellë kjo. Ne si besimtarë nuk e di sa kemi të drejtë, por do të ishte e udhës që duke u bazuar edhe në sistemin “laik” t’i analizojmë këto dukuri; laiciteti kërkon ligje, rregulla dhe mundohet që ato t’i merr nën mbrojtje, edhe pse ai dhe demokracia janë duke sunduar pa të vërtetë dhe pa drejtësi. E ne si fetarë nuk jemi duke e kuptuar këtë, ose nuk jemi duke e vënë në vendin e duhur: atje ku duhet të mbrohet Islami, ne i mbrojmë muslimanët, e aty ku duhet të mbrohet muslimani, mbrohet Islami. Feja islame e ka Mbrojtësin e vet, Zotin. Kjo është përshkruar shumë bukur në suren “el-Fil” (“Elefanti”), kur Ebrehesë që kishte ardhur ta rrënonte Ka’ben, Gjyshi i Pejgamberit a.s., Abdulmuttalibi, i del përpara dhe i kërkon atij t’ia kthejë devetë që ky ia kishte marrë, e sa për Ka’ben, i thote se: “ajo e ka Mbrojtësin e vet”. Edhe ne muslimanët sot, laikëve, laicitetit duhet t’iu përgjigjemi se Islami e ka Mbrojtësin e vet, pa marrë parasysh dridhjet e ndryshme që i bëhen, sepse ato vetëm e forcojnë dhe e nxjerrin në shesh pastërtinë e Islamit si shpëtim; kurse muslimanët kanë nevojë ta mbrojnë vetveten, sipas gjuhës dhe mënyrës së kohës.

Fatkeqësisht, ne besimtarët akoma nuk jemi duke e kuptuar rrezikun nga laiciteti; ne duhet gjithsesi ta mbështesim fenë tonë si muslimanë. P.sh., ne duhet t’i “mbrojmë” termat fetarë: Allah, Muhammed, Kur’an, mesxhid, hallall, haram, namaz, agjërim etj. Këto gjithsesi duhet të merren nën mbrojtje, madje edhe me “copyright” nëse duhet. Kushdo që bën keqpërdorimin e tyre duhet dënuar dhe ndëshkuar, edhe pse kjo nuk nënkupton se ne ia pengojmë “lirinë” dikujt, por vetëm ia ndalojmë shkarjen e asaj “lirie”. Për shembull: namazi është namaz ashtu siç e falin besimtarët muslimanë, i pëlqen kjo apo jo dikujt; mishin e derrit nuk e hanë muslimanët – mësohuni. Mirëpo, për një gjë të këtillë kërkohen institucione të larta të përgatitura për këtë qëllim e të cilat, fatkeqësisht, nuk i kemi. Si digresion, për “ajvarin” e Maqedonisë u shkaktua “konflikt” midis dy shtetesh, vetëm pse u “vodh” ky emër. E çka është duke ndodhur me mësimet e Islamit: për çdo ditë “vidhen” dhe bastardohen e keqpërdoren rregullat e fesë, e në vend që të dënohen keqbërësit, ata themelojnë “xhami” e krijojnë “komunitete” (bektashizmi, alevizmi).

Si përmbledhje mund të themi se frika nga fakti më së miri mund të shpjegohet kur shihet se si sot flitet për realitetin, për faktet. Gjuha do të duhej të fliste për realitetin jashtë-gjuhësor, megjithëse ajo sot nuk ka kurrfarë raporti me realitetin jashtë-gjuhësor, por veten ia imponon realitetit, mbizotëron me realitetin sipas dëshirës, nuk mban llogari për rendin e brendshëm të realitetit, por ia imponon modelin e vet, me dallimin thelbësor në atë që modeli religjioz këtij realiteti nuk i merr asgjë, por, përkundrazi, është mbi të si shembull i tij i paarritshëm, teksa “teologët” tanë bashkëkohorë modelin e tyre e krijojnë sipas këtij realiteti – duke ua marrë atë që nuk u pëlqen atyre. Kështu, ne jemi të shtyrë të flasim për urdhrat fetarë, sikur ato të ishin prona njerëzore. Lloji i tillë i diskursit do të mund të quhej burokratik, ngaqë ka frikë nga faktet, nuk flet për faktet dhe prandaj nuk prodhon kurrfarë kuptimi, sepse kuptimi mund të prodhohet vetëm atëherë kur ekziston kundërshtimi midis gjuhës dhe realitetit. Dhe kjo ndodh jo për arsye se ata nuk e dinë gjithë këtë, por pikërisht për arsye se e dinë, mu ashtu siç thotë Kur’ani: “Atyre që ua kemi dhënë librin, e njohin atë, ashtu siç i njohin bijtë e vet, e megjithatë një grup prej tyre, duke e ditur të vërtetën – e fshehin atë” (2:146).

Ismail Bardhi
Shkup, 7 gusht 2017

Postime të Ngjajshme