` . Merkel thekson zgjidhjen me dy shtete në telefonatën me kryeministrin izraelit - TV-SHENJA

Merkel thekson zgjidhjen me dy shtete në telefonatën me kryeministrin izraelit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në një telefonatë të realizuar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ka riafirmuar angazhimin e Gjermanisë për “zgjidhjen me dy shtete” midis Izraelit dhe Palestinës, transmeton AA.

“Kancelarja ka theksuar rëndësinë e zgjidhjes me dy shtete që mund të arrihet përmes negociatave midis dy palëve”, tha zëdhënësi i kancelares gjermane, Steffen Seibert.

Sipas tij, kjo duhet të mbetet qëllimi i përpjekjeve ndërkombëtare.

Komentet e fuqishme të kancelares Merkel në favor të zgjidhjes me dy shtete vijnë mes raporteve të mediave që pretendonin se plani i paqes i Lindjes së Mesme i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ka gjasë të ndaloj një shtet të plotë palestinez.

Washington Post raportoi se plani i Trumpit pritet të sugjeroj një “autonomi” palestineze, por jo “sovranitet”.

Ish-politikanët evropianë kritikuan Trumpin për ndjekjen e një politike “të njëanshme” në konfliktin palestino-izraelit.

“Evropa duhet të refuzoj çdo plan që nuk krijon një shtet palestinez pranë Izraelit me Kudsin si kryeqytet për të dy vendet”, theksuan ata në një letër dërguar qeverive evropiane, Bashkimit Evropian (BE), si dhe gazetës britanike The Guardian.

Letra u nënshkrua nga më shumë se 30 ish-ministra të jashtëm dhe kryeministra.