` . Mënyrat dhe metodat e përndjekjes së shqiptarëve nga shërbimi sekret maqedonas - TV-SHENJA

Mënyrat dhe metodat e përndjekjes së shqiptarëve nga shërbimi sekret maqedonas

Është me rëndësi të theksohet se Reis Shaqiri së bashku me Arizan Nestorovski – Marçe (një shqiptar ortodoks i sllavizuar nga Beliçica e Mavrovës) e disa të tjerë, gjatë vitit 1947, mori pjesë në kapjen edhe të një kolosi tjetër të madh shqiptar nga Fushëgropa e Kumanovës, Sulë Hotlës, i cili më pas së bashku me 7 bashkëveprimtarët e tij më të ngushtë u pushkatuan në mënyrën më mizore

Shkruan: Qerim LITA, SHKUP

Shërbimi sekret maqedonas përbën vazhdimësinë e shërbimit sekret jugosllav, që ndryshe njihej me shkurtesën UDB, me të cilën deri në vitin 1966 udhëhiqte ultranacionalisti serb, Aleksandër Rankoviq, ndërsa në RS të Maqedonisë, si themelues dhe udhëheqës të parë paraqiten Cvetko Uzunovski dhe Video Smilevski – Bato. Është me rëndësi të thuhet se funksione të larta në këtë shërbim patën edhe disa shqiptarë, të cilët, madje, kanë qenë edhe bartës të disa aksioneve kundër shqiptarëve në përgjithësi e të inteligjencës së saj në veçanti. Ndër ta duhet veçuar Reis Shaqirin, i cili – siç dihet – mori pjesë në ekzekutimin e tre figurave të shquara të NDSH-së: Azem Marana, Hysni Rudi dhe Mehmet Bushi, të cilët u pushkatuan më datë 19 maj 1947 nga komisioni treanëtarësh të udhëhequr pikërisht nga Reis Shaqiri. Ja se çfarë thuhej në procesverbalin e hartuar nga komisioni menjëherë pas ekzekutimit të tyre:

“Në pajtim me letrën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RP të Maqedonisë Proc.VII Nr. 1500 nga 19 maji viti 1947, me të cilën caktohet komisioni për zbatimin e dënimit me vdekje mbi të dënuarit me VDEKJE edhe atë:

1/ Azem Idriz Marana djali i Idriz Maranës dhe Atixhe Durakut, mësues shqiptar, shtetas i Jugosllavisë, mosha 23 vjeç, i lindur në fshatin Maranë rrethi i Draçevës, ka jetuar në Shkup, i martuar, nuk ka qenë i dënuar më herët.

2/ Hysni Muarrem Rudi, djali i Muarremit dhe Nerxhivanit, mosha 28 vjeç, me kombësi shqiptar, shtetas i Jugosllavisë, gjatë kohës së okupacionit oficer italian, i lindur në Mitrovicën e Kosovës, ka jetuar në Tiranë RP e Shqipërisë, i martuar me një fëmijë, më herët nuk ka qenë i dënuar.

3/ Mehmet Nazif Bushi, djalë i Nezirit dhe i Minës, oficer, i lindur në fshatin Dukagjin, rrethi i Burelit-Shqipëri, ka jetuar në Tetovë, mosha 33 vjeç, shqiptar, shtetas i Shqipërisë, më herët nuk ka qenë i dënuar.

Të tre janë dënuar nga ana e gjyqit popullor të qarkut Shkup, me vendim V. P. Nr. 8/47 nga 7 shkurti i vitit 1947 me dënim me VDEKJE pushkatim, humbje të përhershme të të drejtave qytetare e politike, për vepër penale kundër popullit e shtetit, për shkak se kanë qenë organizator dhe anëtarë të organizatës antipopullore ‘Nacional Demokratike Shqiptare’ dhe kanë punuar për rrënimin e rregullimit ekzistues të RFPJ-së. Vendimi i gjyqit të qarkut është vërtetuar nga ana e Gjyqit Suprem të RP të Maqedonisë me vendimin V.A. Nr. 49/47 dhe lutjet për amnisti janë hedhë poshtë nga ana e Kuvendit Popullor të RFPJ-së me vendim Nr. 925 nga 7 marsi – 1947, me çka vendimi u shpall i plotfuqishëm.

Në pajtim me shkronjën ‘I’ nga rregullorja e përkohshme për ekzekutimin e dënimeve, komisioni në përbërje: Reiz Shaqiri – kryeshef i DPB-së (Departamenti i Punëve të Brendshme – Shkup – Q.L.) si përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Brendshme të RP të Maqedonisë, shoku Jovan Dukovski – ndihmësprokuror, si përfaqësues i Prokurorisë Publike për RP të Maqedonisë dhe shoku Gjorgji Gavrillski – ndihmësministër si përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë Popullore të RP të Maqedonisë, në prani të procesverbalistit, shokut Ratko Panovski me datën 19.V.1947 u takua në drejtorinë e burgut në Shkup. Komisioni pasi konstatoi se të dënuarit me vdekje Azem Marana, Hysni Rudi dhe Mehmet Bushi janë njoftuar për ekzekutimin e dënimit me vdekje, se janë njoftuar familjet e tyre dhe se gjithçka ka shkuar sipas procedurës ligjore, urdhëroi që të dënuarit me vdekje të dërgohen në vend të caktuar për pushkatim. Pas kësaj të dënuarit menjëherë qenë dërguar dhe shoku prokuror publik të gjithë të dënuarve ua dha fjalën përfundimtare. Pasi të gjithë u shprehën, u shkua në realizimin e dënimit me vdekje pushkatim ndaj të treve. Pas 15 minutave nga pushkatimi, mjeku konstatoi se personat kanë vdekur dhe komisioni urdhëroi që personat të varrosen në vendin e caktuar për atë qëllim. Me këtë u mbarua në ora 23 në datën 19.V. të vitit 1947.

I hartuar në katër ekzemplarë me datën 19.V.1947

Procesverbalisti

Komisioni:

  1. Përfaqësuesi i Punëve të Brendshme
  2. Përfaqësuesi i Prokurorisë Publike të RPM-së
  3. Përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë Popullore”.

 

Përveç kësaj, është me rëndësi të theksohet se Reis Shaqiri së bashku me Arizan Nestorovski – Marçe (një shqiptar ortodoks i sllavizuar nga Beliçica e Mavrovës) e disa të tjerë, gjatë vitit 1947, mori pjesë në kapjen edhe të një kolosi tjetër të madh shqiptar nga Fushëgropa e Kumanovës, Sulë Hotlës, i cili më pas së bashku me 7 bashkëveprimtarët e tij më të ngushtë u pushkatuan në mënyrën më mizore. Më vonë, përkatësisht, në pjesën e parë të vitit 1948, Reiz Shaqiri mori pjesë në përndjekjen edhe të një figure tjetër politike shqiptare, Nexhat Agollit, i cili asaj kohe e mbante postin e ministrit të Shëndetësisë Sociale. Rrjedhimisht, pas përjashtimit nga ajo detyrë si dhe burgosjes së tij, atë detyrë e mori pikërisht R. Shaqiri.

Burimet e proveniencës policore jugosllave, përkatësisht asaj maqedonase, vënë në dukje se krahas R. Shaqirit, në këtë shërbim gjatë periudhës komuniste e më pas, kanë vepruar edhe disa shqiptarë tjerë, të cilët me apo pa vetëdije kanë qenë vegla të planeve e të elaboratave antishqiptare të hartuar nga ky shërbim famëkeq, si p.sh.: Azmi Muça, Xhemali Veseli, Bedri Sinani, Bexhet Bexheti, Nafi Çegrani, Haki Bediu, Sakip Kolari etj.

Po sipas këtyre burimeve, shohim se në shënjestër të UDB-së pa dyshim se ka qenë inteligjenca shqiptare, e cila konsiderohej si bartëse e veprimtarisë “armiqësore” dhe si e tillë ajo vazhdimisht ndiqej nga aparati i këtij shërbimi. Kryetari i Komisionit për pakicat nacionale të RP të Maqedonisë, Mito Haxhivasilev – Jasmin (në kuadër të katër çmimeve vjetore për arritje më të larta në shkencë, arsim, kulturë e gazetari në Maqedoninë e Veriut është edhe çmimi Mito Haxhivasilev – Jasmin) i shkruante kryetarit të komisionit përkatës federativ në Beograd, Kërste Bullaiqit, se: “Udhëheqës të mendimeve jo të drejta në mesin e masave të pakicës shqiptare kryesisht janë mësuesit dhe inteligjenca tjetër shqiptare”. Sipas tij, inteligjenca shqiptare, krahas propagandës gojore, shpërndante edhe literaturë të ndryshme, siç theksonte me “karakter shoviniste dhe irredentiste” dhe se: “në kuadër të kësaj fushate është edhe tendenca që të pengohet shpërngulja e shqiptarëve nga Maqedonia Perëndimore për Turqi, me qëllim që të ruhet shumica e banorëve shqiptare, me çka më lehtë do të zbatohej ideja e bashkëngjitjes së këtyre viseve Shqipërisë.” “Për këtë shkak – përfundonte Vasilevi – në propagandën e tyre ata çdo shqiptar që shkon në Turqi e konsiderojnë si armikun më të madh të kombit shqiptar.”.

Lidhur me politikën diskriminuese të organeve të UDB-së ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e të inteligjencës së saj në veçanti, avokati i shquar shqiptar nga Shkupi, Sejdi Raufi, në ditarin e tij të burgut (1958-1961), ndër të tjerat shkruante:

“...Ne jemi shqiptarë dhe shqiptarë do të ngelim, nuk do të shpërngulemi në Turqi… Keni kryer tmerr ndaj shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni… Burgosen vetëm shqiptarë për shkak ballafaqimeve personale, për shkak se janë pa mbrojtje… A thua diku në botë ekzistojnë këso poshtërsi e mjerime që njeriu të jetë i flijuar për shkak të proceseve të montuara. Në kohën atomike, ku ekzistojnë dispozita për mbrojtjen e kafshëve, ka njerëz që nuk janë të mbrojtur. Që siguria ka shkuar deri në atë shkallë, saqë nuk munden pesë vetë të bisedojnë në një vend, sepse janë të përcjellë dyfish më shumë se ata. Kjo përbën mashtrim të lirisë njerëzore, kafshëve, ndjenjave etj. Organet e punëve të brendshme përmes falsifikimeve i ndjekin shqiptarët, siç dikur ndiqeshin zezakët afrikan gjatë kohës së robërisë, vetëm për t’i detyruar të shpërngulen në Turqi…. Ligjet shtrembërohen, sepse organet nuk u përmbahen e nuk i respektojnë të njëjtat…. Nuk ka drejtësi në Maqedoni, ajo shkon në humnerë…. Shovinistët e qelbosur dëshirojnë ta thyejnë moralin tim…”.

Është me rëndësi të vihet në dukje fakti se përndjekjen e inteligjencës shqiptare në atë kohë, UDB-a e zhvillonte përmes formave të ndryshme. Ndër ta duhet veçuar formën e anketimit, e cila realizohej nëpërmjet informatorëve të tyre në terren. Nga ato anketa mbi 80% të intelektualëve të atëhershëm shqiptarë për UDB-në konsideroheshin si “armiq të popullit dhe shtetit”.

“…Në të gjitha analizat e raportet tona – thuhet në një dokument të KQ të LKM-së -, gjithmonë është nisur nga shovinizmi e irredentizmi shqiptar dhe rreziku nga i njëjti. Ne deri më tash nuk e kemi shqyrtuar shovinizmin maqedonas, e as UDB-në, siç thekson në raportin e vet, a ka dënuar ndonjë maqedonas për shkak dukurive shoviniste. A thua ky problem u deshtë të na sjell që të na imponojnë qëndrime ndoshta jo shumë të drejta dhe jo shumë konsekuente….”.

Një metodë, përkatësisht masë tjetër, që UDB-ja jo rrallë herë e përdorte kundër veprimtarëve shqiptarë, ishte “kontrolli i përforcuar”, që nënkuptonte përgjimin e telefonit, përkatësisht telefonave, vendosjen e mjeteve përgjuese nëpër objekte të caktuara (banesa private ose në hapësira punuese), pastaj kontrollimi i postës etj. Kjo metodë zbatohej zakonisht kundër personaliteteve më të shquara shqiptare. Me këtë rast po i referohem një dokumenti, ku oficeri i sigurimit shtetëror në vitin 1958 propozonte përforcimin e kontrollit ndaj Gajur bej Derallës:

“…Lidhur me kontrollin e përforcuar ndaj shërbimit lajmërim-çlajmërim, propozoj të udhëhiqet kontroll i rreptë ndaj personit Gajur Derralla, për arsye se ai është i dyshuar, pasi ka qenë 6 vjet i dënuar politikisht, për shkak të bashkëpunimit me Shqipërinë …. dhe për shkak bashkëpunimit me shtetas shqiptar. Gjithashtu në banesën e tij është vërejtur se si te ai grumbullohen persona të cilët bujnë pa u lajmëruar, shumica nxënës nga shkolla normale shqiptare Zef Lush Marku…”.

Nga kjo masë nuk u kursye as kryetari i atëhershëm i Bashkësisë Islame të RS të Maqedonisë, Bedri Hamidi. Këtë e shohim në vendimin e vitit 1971 të UDB-së, për vendosjen e masave të kontrollit të telefonit të shtëpisë dhe zyrës së tij. Ja se çfarë thuhej në vendim:

“…Meqenëse Bedri Hamidi edhe më tej zhvillon veprimtari aktive armiqësore, implementimi i masës ‘Pllog’, mundëson zbulimin dhe dokumentimin e të dhënave të reja, si dhe kontroll dhe dëshmi për të dhënat e marra nga mjete tjera operative. Nga këto arsye, në bazë të dispozitës pika 10 nga Rregullorja për implementimin e masave kontrolluese, ndaj Bedri Hamidit të vendoset masa ‘Pollog’ mbi telefonin e tij të shtëpisë dhe telefonat zyrtarë që i shfrytëzon…”.

Përveç kësaj, po me vendim të këtij shërbimi, ndaj Bedri Hamidit u vendos edhe masa e kontrollimit të dërgesave postare. Kjo masë thuhej në vendim: “do të na mundësojë marrjen e njohurive të reja dhe dokumentimin e njohurive të marra nga burimet e tjera operative”.

Pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, sjellja e shërbimit sekret në Maqedoni, kur bëhej fjalë për shqiptarët, fare nuk ndryshoi. Përkundrazi, edhe kërkesat e shqiptarëve për avancimin e statusit të tyre UDB-ja vazhdonte t’i kualifikojë si “armiqësore”, “nacionaliste”, “separatiste” “shoviniste” etj. Madje, vepër “armiqësore, nacionaliste, separatiste e shoviniste” konsiderohej çdo lloj aktiviteti, politik, arsimor e kulturor të intelektualëve dhe veprimtarëve të shquar shqiptar. Rrjedhimisht, ngjashëm sikurse në periudhën komuniste, ndaj tyre u vendosën masa të shtuara të kontrollit, siç ishin, përndjekja përmes informatorëve ose lidhjeve tjera të faktorit njeri, përgjimi i telefonit, vendosja e përgjuesve nëpër lokale të caktuara, kontrolli i dërgesave postare etj. Përveç kësaj, një numër i madh i tyre merreshin në të ashtuquajtura “biseda informative”, ku krahas dhunës psikike, jo rrallë herë ndaj tyre ushtrohej edhe dhunë fizike e shumë masa tjera represive. Një masë të tillë u vendos edhe ndaj kryetarit të Autonomisë Politike-Territoriale të Shqiptarëve në Maqedoni, Gjyljaz Fejzullaut, i cili etiketohej si “separatist dhe shovinist shqiptar”. Shkaqet përse duhej të vendoseshin “masat e shtuara të kontrollit” ndaj tij, sipas UDB-së, ishin si më poshtë:

“Gjyljazi rrjedh nga një familje e cila gjatë kohës së okupacionit, ka qenë e përfshirë në mënyrë aktive në lëvizjen balliste. Kështu, axha i tij me emrin Llok Llokavica është udhëheqës i njohur i aradhave të armatosura balliste. Pas ngjarjeve kundërrevolucionare në KSA të Kosovës, Gjyljazi paraqitet me sjellje armiqësore si në shoqëri po ashtu edhe para njerëzve me interes për sigurimin, të paraqitur nga pozita e separatizmit dhe shovinizmit shqiptar, siç janë Sulejman Reka, Idajet Elmazi etj. Në kohë të fundit për shkak të përcaktimit dhe angazhimit të tij për formimin e partisë politike në regjion, i njëjti ka qenë shumë aktiv, për çka qe zgjedhur për kryetar të degës së PPD-së së Gostivarit. Janë regjistruar njohuri se në banesën e tij në Gostivar, së bashku me Idajet Elmazin etj., është diskutuar për atë se nëse kërkesat e PPD-së për kthimin e të drejtave të pezulluara të shqiptarëve nuk pranohen, atëherë do të shkohet në përgatitje për ndërmarrjen e aktiviteteve më ekstreme…etj.”.

Masa të ngjashme asaj kohe u ndërmorën edhe kundër autorit të këtij shkrimi, kur në korrik të vitit 1997 (tre ditë pas ndërhyrjes brutale të organeve policore në komunat e Gostivarit e të Tetovës, me ç’rast u vranë tre shqiptarë të pafajshëm, qindra të tjerë u rrahën në mënyrë më mizore, ndërsa u burgosën katër udhëheqësit e dy komunave, përkatësisht: Rufi Osmani, kryetar i Komunëssë Gostivarit, Alajdin Demiri, kryetar i Komunës së Tetovës, si dhe dy kryesuesit e këshillave komunale: Refik Dauti dhe Vebi Bexheti) u kidnapua në mënyrë më mizore nga policia sekrete maqedonase dhe rreth 12 orë u torturua psikikisht e fizikisht, vetëm sepse ishte anëtar i një partie politike shqiptare, në rastin konkret Partisë Demokratike Shqiptare – PDSH, anëtarë të së cilës ishin edhe katër udhëheqësit komunalë të përmendur më lart.

Ndërkohë, më 2 mars të vitit 1998 UDB-ja e hartoi dokumentin me titull “Vështrim për aktivitetin antikushtetues të Qerim Litës”, ndërsa një ditë më pas edhe dokumentin tjetër me titull “Plani për përndjekjen e Qerim Litës”. Dy dokumentet gjenden në dosjen që UDB-ja e kishte hapur kundër meje që në vitin 1992. Duhet të vëmë në dukje faktin se në këto dy dokumente, sikurse edhe në tërë materialin që përfshihet në dosje, përveç aktivitetit tim e të familjes sime, përcillet edhe veprimtaria dhe aktiviteti i shokëve, miqve dhe bashkëveprimtarëve të mi më të ngushtë, siç ishin: Nazmi Kadriu, Idriz Shabani, Azem Sadiku, Ismet Jakupi, Ali Ademi, Shemsi Kadriu, mulla Abdulla Kadriu, hfz. Qerim Idrizi, mulla Mutalipi, Kadri Memeti, Nexhmedin Idrizi e shumë të tjerë, të cilët gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar dhanë kontribut të çmueshëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve të Karshiakës si krahinë në përgjithësi. Pa dashur të zgjerohem në aktivitetin e shumtë të tyre në atë periudhë kohore, po i shkëpus disa prej tyre: me nismën e këtij grupi në vitin 1992 u ndërrua emri SHFQ të f. Studeniçan, në kuadër të së cilës ishte edhe SHFP e f. Maranë, nga “Napredok” në “Naim Frashëri”; në vitet 1995-1996, në fshatrat Studeniçan e Maranë u organizuan tubime informative me strukturën udhëheqëse të Universitetit të Tetovës, që i printe rektori Prof. Dr. Fadil Sulejmani; në vitin 1997, në Teatrin Shqiptar në Shkup u organizua konferencë shkencore dhe akademi përkujtimore me rastin e 50 vjetorit të pushkatimit të tre figurave udhëheqëse të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare: Azem Marana, Hysni Rudi dhe Mehmet Bushi, në të cilën morën pjesë figura të shumta të kulturës, arsimit e të politikës së atëhershme shqiptare, në mesin e të cilëve edhe ambasadori i Shqipërisë, Shaban Murati. Me këtë rast u botua një broshurë, kushtuar kësaj organizate dhe personalitetit të Azem Maranës. Një rol tjetër me rëndësi për kohën ishte fushata e tyre e gjerë në Karshiakë për shkollimin e fëmijëve shqiptarë në përgjithësi, e të vajzave në veçanti, për çka rol të rëndësishëm luajtën edhe krerët fetarë, përkatësisht hoxhallarët, si hfz. Qerim Idrizi, mulla Mutalipi, mulla Abdulla Kadriu etj.

Se çfarë në të vërtetë thuhej në dy dokumentat e përmendura më lart, në vazhdim po i paraqes në tërësi:

“Vështrim për aktivitetin e deritanishëm antikushtetues të Qerim Litës

Personi Qerim Lita në një periudhë kohore më të gjatë, me vetëdije dhe në mënyrë të organizuar, ndërmerr aktivitete të përhershme, duke vepruar në planin propagandistik-subversiv.

– Si i tillë, i njëjti është njëri ndër organizatorët e regjistrimit ilegal të popullsisë së kombësisë shqiptare në f. Maranë e më gjerë të zbatuar në vitin 1992 e njëherazi edhe njëri ndër organizatorët të të ashtuquajturit ‘Referendum për autonomi politike, kulturore e territoriale të shqiptarëve në R. Maqedonisë’ të organizuar në vitin 1992. Qerim Lita ka qenë edhe kryetar i komisionit votues për f. Maranë.

– I njëjti i lartëson ngjarjet kundërrevolucionare në Kosovë dhe në atë pikëpamje paraqitet si organizator i popullsisë vendore për grumbullimin e mjeteve në të holla e të tjera dedikuar ‘vëllezërve në Kosovë’.

– Në këndvështrimin e sistemit arsimor ekzistues në R. Maqedonisë, Qerim Lita vazhdimisht i thekson dobësitë e tij dhe në këtë drejtim edhe statusin diskriminues të shqiptarëve.

Përveç kësaj, angazhohet që evidenca pedagogjike e përgjithshme në shkollat në të cilat shumicë janë nxënësit e kombësisë shqiptare të udhëhiqet vetëm në gjuhën shqipe, ndërsa e njëjta i përket edhe dhënia e dëftesave dhe dokumentet tjera nga evidenca.

Në mënyrë të vazhdueshme e aktualizon problemin e shqiptarëve për përfshirjen e tyre në sistemin e lartë arsimor, për çka sipas tij zgjidhja do të ishte hapja e fakulteteve përkatëse edhe për shkollim në gjuhën shqipe, siç është “Universiteti i Tetovës” në Reçicë të Vogël.

Në këtë pikëpamje Qerim Lita është organizator i të ashtuquajturit‘takimit informativ’ të mbajtur në SHF ‘Naim Frashëri’ në f. Studeniçan në vitin 1996, në të cilin morën pjesë një pjesë e udhëheqjes së Universitetit të Tetovës, qëllimi i së cilës ka qenë sigurimi i përkrahjes së re (materiale e në plan tjetër).

Pas mbarimit të takimit informativ Qerim Lita i ka grumbulluar bashkëmendimtarët e tij dhe kanë dalë me parulla me të cilat u është dhënë mbështetje Universitetit të Tetovës si dhe Universitetit të Prishtinës.

– Qerim Lita, veç tjerave, është përkrahës i tezës se shqiptarët në RM janë qytetarë të rendit të dytë dhe në këtë pikëpamje do të duhej të fitojnë statusin e kombit shtetformues me çka do të jenë të barabartë me maqedonasit.

– Qerim Lita merr pjesë aktive dhe është organizator i më shumë mitingjeve të organizuara për çështje më të ndryshme nga partia anëtar i së cilës është.

Si aktivist i degës lokale, e organizon popullsinë vendore nga f. Maranë, f. Studeniçan e më gjerë, për pjesëmarrjen e tyre në mitingun në Tetovë në vitin 1996 për shkak të burgosjes së një pjese të udhëheqjes së ‘Universitetit të Tetovës’. Njëherazi është organizator dhe pjesëmarrës i mitingut ‘Kërkojmë mbrojtje’ të organizuar në Shkup dhe po për këtë shkak edhe në Tetovë.

Qerim Lita në takimet prindërore në SHF. ‘Naim Frashëri’ f. Studeniçan e ka kritikuar drejtorin e shkollës, se në hapësirat në të cilat mblidhen arsimtarët është vendosur vetëm flamuri maqedonas, ndërsa duhet të vendoset edhe flamuri shqiptar. Gjithashtu ka dhënë vlerësime kritike edhe në atë se në shkollë, lëndën e gjuhës maqedonase e zhvillon arsimtare e kombësisë maqedonase, e cila nuk e njeh gjuhën shqipe, me çka gjoja paraqet pengesë për komunikim me nxënësit.

– Pas përfundimit të rrethit të dytë nga zgjedhjet lokale në RM, Qerim Lita, sikurse edhe bashkëmendimtarët e tij, të pakënaqur nga përfundimi i tyre në njësinë zgjedhore e cila e përfshin f. Studeniçan, f. Maranë, f. Batincë etj., janë përpjekur dhe angazhuar ta provokojnë popullsinë lokale për nxitjen e çrregullimeve, gjoja për shkak ‘falsifikimit’ të zgjedhjeve.

– Në një periudhë kohore më të gjatë e të vazhdueshme, Qerim Lita angazhohet për rehabilitimin e jetës dhe veprës së Azem Kadri – Maranës, duke dalë me tezën se i njëjti është pjesëmarrës në LNÇ dhe se pas çlirimit është gjykuar padrejtësisht dhe i është shqiptuar dënim me vdekje-ekzekutim për shkak pjesëmarrjes së tij në organizatën ilegale ‘NDSH’. Ai është prononcuar se nëse do të pranoheshin përpjekjet e Azem Kadriut-Maranës, pozita e shqiptarëve në Maqedoni dhe në Kosovë do të ishte më ndryshe, duke theksuar se tash do të jetonin në një shtet të përbashkët.

– Gjatë kohës së ngjarjeve të vitit të kaluar në Tetovë e Gostivar, Qerim Lita është hasur në Shkup edhe atë në Tregun me Shumicë (Kvantashki –v.j.). Kur e kuptoi për intervenimin e policisë, ai filloi t’i ftojë shqiptarët të cilët gjendeshin në treg që mallin e tyre (ushqimin) t’ua dërgojnë ‘vëllezërve të cilët e mbrojnë flamurin’. Ditën e nesërme Qerim Lita shkoi për Tetovë, ku ndër të tjerave është takuar me Menduh Thaçin e me persona tjerë për shkak të marrjes së instruksioneve të mëtutjeshme.

Qerim Lita kontakton me më shumë persona me interes për sigurinë, siç janë: Menduh Thaçi, Fati Hyseni, Nazmi Kadriu, Abdulla Kadriu, Safet Tahiri, Adnan Kadriu etj.”.

 

“P L A N I

për përndjekjen e Qerim Litës për vitin 1998

Në suazat e këtij viti rrjedhës ndaj Qerim Litës do të ndërmerren masat dhe aktivitetet operative si më poshtë:

– Në periudhën e ardhshme do të grumbullohen të dhëna dhe njohuri për anëtarët më të afërt të familjes së Qerim Litës, me qëllim të njohurive dhe mbulimit të tyre operativ;

– Në mënyrë operative do të hulumtohen kontaktet e Qerim Litës me persona me interes për sigurinë nga fshatrat Maranë e Studeniçan, siç janë: Fati Hyseni, Nazmi Kadriu, Femi Jonuzi, Abdulla Kadriu, Qerim Idrizi etj.;

– Do të kryhen kontrolle operative për personat me të cilët Qerim Lita kontakton edhe atë: Fati Hyseni, Adnan Kadriu, Safet Tahiri, Faik Lita e të tjerë, ndërsa varësisht nga rezultatet në marrëveshje me linjën e lëndës do të përcaktohet trajtimi i mëtutjeshëm i tyre;

– Në periudhën e ardhshme do të insistohet të verifikohen dhe identifikohen edhe mjedise tjera në të cilat Qerim Lita është prezent dhe paraqitet me qëllim të mbulimit operativ të tij;

– Do të ndërmerren masa dhe aktivitete me qëllim të përcjelljes së aktiviteteve, paraqitjeve dhe sjelljes së Qerim Litës në tubimet e mitingjet e organizuara për çështje më të ndryshme;

– Me kujdes do të përcillen kontaktet e Qerim Litës me persona (nëpunës) të punësuar në Ambasadën Shqiptare në Shkup për shkak verifikimit të natyrës së këtyre kontakteve;

– Gjithashtu me kujdes do të përcillet secila ardhje e vëllait të tij Faik Lita, i cili gjithashtu është person me interes për sigurinë. Ai më shumë vite jeton në Nju Jork – SHBA dhe është anëtar i dalluar i lobit shqiptar në ShBA;

– Me qëllim të mbulimit operativ të Qerim Litës, do të thellohet bashkëpunimi operativ me lidhjet operative “Atilla” dhe “Sefo”, e gjithashtu do të ndërtohen edhe pozita të reja;

– Për shkak të realizimit të aktiviteteve operative të parapara, si dhe për të shkak mbulimit të tërësishëm operativ të Qerim Litës, veç tjerash do të shfrytëzohen edhe mjete dhe metoda teknike, ndërsa kjo me marrëveshje paraprake me linjën e lëndës;

– Në marrëveshje me linjën e lëndës do të dërgohet propozim për futjen e tij në përpunimin operativ;

– Plani rrjedhimisht do të plotësohet edhe me masa e aktivitete tjera”.

 

Në përfundim të këtij punimi kushtuar politikës së përndjekjeve dhe të përgjimeve nga ana e shërbimeve të dikurshme sekrete jugosllav-maqedonase ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e të inteligjencës së saj në veçanti, mund të konstatojmë se si qëllim primar i të gjitha atyre masave ishte “shuarja e ndërgjegjes shqiptare, përkatësisht zhveshja e popullsisë shqiptare nga veçoritë e tyre të lashta nacionale e kulturore të trashëguara brez pas brezi” dhe “mbjellja te ta e kulturës sllave”, një politikë asimiluese, të cilën Tito dhe klika e tij komuniste e trashëgoi nga pushtuesit e mëhershëm, përkatësisht nga paraardhësit e tij serbo-mëdhenj në krye me Nikolla Pashiqin, Vaso Çubrilloviqin, Millan Stojadinoviqin, Ivo Andriqin etj. Si rrjedhojë e një politike të tillë, ne sot mund të themi lirisht se në këto vise u shua plotësisht zëri i shqiptarëve ortodoksë, ndërsa në shuarje e sipër janë edhe shqiptarët katolikë. Ndërkaq shqiptarët mysliman, edhe pse u dëmtuan shumë (mbi 250.000 u detyruan të shpërnguleshin për në Turqi, ku një pjesë tjetër u turqizuan), megjithatë ata sot falë sakrificës së inteligjencës së saj, përbëjnë fuqinë reale politike, kombëtare, arsimore, kulturore e ekonomike jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë në regjion.

Krejt në fund më duhet të them se përderisa politika e përndjekjes dhe e përgjimit të UDB-së gjatë periudhës komuniste dhe menjëherë pas saj zbatohej për shkak të zbulimit të veprimtarisë atdhetare të parisë dhe inteligjencës shqiptare, e cila veprimtari nga pushteti i atëhershëm komunist etiketohej si “armiqësore”, “nacionaliste”, “irredentiste”, “separatiste”, “shoviniste” etj., përgjimet që po qarkullojnë viteve të fundit, si këtu në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë e Shqipëri, kanë për synim “zbardhjen e krimit dhe të amoralitetit” shtetëror. Nisur nga kjo, e pashë të arsyeshme që kësaj të fundit mos t’i kushtoj kurrfarë rëndësie.