` . Mentaliteti përposhës vs. vetëdijes qytetare - TV SHENJA

Mentaliteti përposhës vs. vetëdijes qytetare

E kotë është t’u përsëritet se nuk është rrezikuar as shteti, as gjuha maqedonase, as kushtetutshmëria, se nuk mund të instalohet kurrfarë federalizimi, as kantonizimi pa pajtimin e përfaqësuesve të popullit, deputetëve të tyre në Kuvend; e kotë është që të tregohet se me asnjë fjalë nuk kërkohet reduktimi i përdorimit të gjuhës maqedonase; se në të gjitha kërkesat bashkë nuk ka asgjë që do t’i kishte kufizuar të drejtat e maqedonasve dhe të kolektiviteteve të tjera nacionale në RM ose që do të kishte përjashtuar refuzimin e të gjitha propozimeve me të cilat ata nuk do të ishin pajtuar; dhe se e vetmja gjë që kërkohet është kalimi nga mentaliteti përposhës (-i të qenët nënshtetas) drejt vetëdijes qytetare.

Shkruan: Ferid MUHIQ, Shkup

Këto ditë lexova një tekst vërtet të neveritshëm, albanofob, të shkruar nga një njeri të cilin e njoh prej 30 vitesh. Shqiptarët e rrezikuakan mbijetesën e shtetit të Maqedonisë, me të gjitha arritjet e tij demokratike… e dini tashmë!E papritur! E pyeta mikun e përbashkët se çka mendon për atë tekst. E kanë paguar! Me siguri – shton. Shpresoj të mos i kenë paguar. Më shumë do të kisha dashur të shkruante sipas bindjes, kushedi sa të papranueshme t’i kem qëndrimet e tij. Në rastin më të keq, mund të urrehemi. Por, nëse ashtu shkruan shkaku se e kanë paguar, nuk e meriton madje edhe urrejtjen. Më mbetet vetëm ta përbuz!

Megjithatë, tërë kjo vaki më erdhi nga gjithë situata me “popullin”, i cili tashmë me javë të tëra po proteston nëpër shtet, me qëllim që ta mbrojë Maqedoninë “e përbashkët” nga bashkëqytetarët e vet të përbashkët (këtë herë, pa thonjëza)!? Të cilët, mbi të gjitha, nuk kërcënojnë asnjeri dhe asgjë, të cilët gjithashtu janë popull, siç janë popull edhe ata që protestojnë. Megjithatë, vetëm ata që protestojnë janë quajtur “popull” nga Nikolla Gruevski në thirrjen e tij dramatike: “Maqedonia është në rrezik nga shkatërrimi! Vetëm populli mund ta mbrojë!“

Dhe, shih çudinë, “populli” filloi të zgjohet dhe të fillojë ta mbrojë. Nga rreziku inekzistent? Po, nga rreziku inekzistent! Dhe, këtu m’u paraqit ajo dilema nga fillimi i tekstit: nëse individë-agjitatorë edhe kanë qenë të paguar, megjithatë kaq shumë popull (me apo pa thonjëza) me siguri nuk ka qenë i paguar që të dalë çdo mbrëmje në rrugë në manifestimin aq surrealist, irracional, të interpretimit të dramës “Mbrojtja e Maqedonisë, të cilën askush nuk e sulmon“!? Nëse nuk janë paratë, nëse e dinë se nuk ka kurrfarë rreziku, atëherë cili është motivi i vërtetë që i vë në lëvizje dhe i cili nga dita në ditë e rrit numrin e “mbrojtësve” (këtë herë vetëm në thonjëza, për shkak se nuk mund të ketë mbrojtës nëse nuk ka as kërcënim, as sulm)? – ja pyetja e cila m’u duk më e rëndësishme për t’u kuptuar logjika e brendshme e njërës prej formave më impresive të sjelljes kolektive të krijesave njerëzore: gatishmëria e tyre për të vrarë dhe të vriten pa kurrfarë baze racionale dhe nevoje reale!?

Protestat e pjesës së qytetarëve kundër marrëveshjes politike të partive të bashkëqytetarëve të tyre shqiptarë nga RM vazhdojnë. Kanë filluar në thirrjen e Nikolla Gruevskit, kryeministrit të mëparshëm, kryetarit të tanishëm të VMRO-DPMNE-së. Edhe pse është e qartë që në këtë dokument, të quajtur “Platformë e Tiranës“, me dozë të fortë dëmtuese dhe me qëllim të pafshehur që të shkaktojë animozitet ndaj shqiptarëve, asgjë nuk kërkohet që të merret prej askujt, por vetëm formulohen temat ku ata konstatojnë përfshirje të pamjaftueshme të të drejtave të veta në aspekte të caktuara nga jeta e përbashkët, megjithatë ajo me ngulm interpretohet si kërcënim për të drejtat e qytetarëve maqedonas dhe për mbijetesën e Maqedonisë. Përse? Që lideri i asaj partie dhe një rreth i ngushtë bashkëpunëtorësh të shpëtojnë nga ndjekja gjyqësore dhe përgjegjësia penale?Kjo është e qartë, këtë sikush e kupton. Por, ky është vetëm përshkrim. Përshkrim, e jo shpjegim. Po aq e qartë është që protestat bartin potencial të fortë konflikti, që lehtë mund të shndërrohet në dhunë përmasash më të gjera. Secili pjesëmarrës në protesta absolutisht e ka të qartë se mosdhënia e mandatit për Zoran Zaevin me 67 nënshkrime të mbledhura deputetësh paraqet jo vetëm shkelje të Kushtetutës së RM, por edhe marrje mbi vete e rrezikut të madh të humbjes së kontrollit dhe rrezikimit të vërtetë të Maqedonisë si shtet; siç e di që edhe dhënia e mandatit është mënyra më e thjeshtë dhe më e sigurt edhe për dalje nga kriza dhe për mbijetesën e Maqedonisë. Megjithëkëtë, po rritet numri i atyre të cilët me sa më shumë afsh i lëshohen euforisë së urrejtjes politike! Si mund të shpjegohet sjellja e këtillë e njerëzve!? Me ndonjë leverdi të drejtpërdrejtë? U paguhet? Supozime ofenduese, të pasakta për numrin më të madh të tyre! Shumë prej tyre me sinqeritet, tepër të bindur, protestojnë, edhe pse me shumë siguri nuk kanë marrë para për këtë, dhe as që do të kishin pranuar që këtë ta bëjnë për para. Përgjigjja është shumë më e ndërlikuar dhe hyn në shtresat më të thella të vetëdijes kolektive dhe të sjelljes së njerëzve.

Në historinë politike të botës vend të madh zënë protestat. Ato në mënyrë standarde interpretohen si faza e parë dhe e domosdoshme në paraqitjen e kryengritjeve kundër tiranisë, despotizmit; shkurt, kundër pushtetit autoritar, të ngritur në emër të lirisë. Sa janë kobzeza ato përvoja konceptuale, sa mashtron ajo inerci mendimesh, ato shabllone interpretuese!? Ku do ta kishte fundin bota, nëse njerëzit gjithnjë synonin vetëm drejt lirisë!? Se të gjithë njerëzit janë më të lumtur kur janë të lirë, paraqet flluskën me shtrirje më të gjerë dhe mitet e pranuara në mënyrë jokritike, të cilat ende i besojmë! Njohuritë e psikologjisë sociale dhe të psikiatrisë, si dhe përvoja e përditshme e secilit njeri, vërteton se ëndrra e një përqindjeje të madhe njerëzish, në të vërtetë, nuk është që të jenë të lirë, por të jenë jo të lirë! Tërësisht lajthitet inercia e mentalitetit përposhës, një prirje e kobshme e cila prej njerëzve krijon – pasues submisivë (të bindur), fokusi shpirtëror i të cilëve është përposhja (të qenët veç nënshtetas)!

Përposhja, si një subvarietet i mazohizmit kolektiv, është fenomen i ndërlikuar social-psikologjik, që haset në të gjitha epokat dhe që është i pranishëm në të gjitha shoqëritë. Përfundimisht, vetë fakti që sot praktikisht të gjithë 7 miliardë e gjysmë krijesat njerëzore jetojnë në sistemin e shtetit, këtë e konfirmon. Ngaqë, secili shtet nënkupton ekzistimin e nënshtetasve. Gjatë dy shekujve të kaluar nënshtetasit transformohen në qytetarë, por disa megjithatë mbeten – nënshtetas (-të përposhur)! Në të vërtetë, qytetari është faza e dytë e nënshtetasit, ashtu siç janë nënshtetasit shkalla e parë e qytetarëve. Për nënshtetasit kërcënimi më i madh është marrja e statusit të nënshtetasit.Në mbrojtje të atij statusi, ata janë të gatshëm për gjithçka. Çdo sebep është i mirë për ta. Ndonjëherë përposhja drejtohet kah individi dhe mbrojtja e pakusht e autoritetit të tij; nëse duhet, edhe jetën ta bëjnë viktimë për të; më shpesh, submisiviteti vullnetar ndaj individit lidhet me simbole abstrakte (shtet, komb), por gjithnjë me poentën që të mbetet nënshtetas.

Protesta me të cilat kërkohet e drejta e përposhjes (të qenët veç nënshtetas) ka pasur nëpër histori në çdo epokë dhe gjithkund. Mbase jo më pak se protesta në emër të lirisë. Por, protestat kundër lirisë, edhe nëse nuk janë më shumë në numër, gjithsesi që janë shumë më destruktive, më të kobshme për civilizimin dhe, sidomos, për lirinë si vlerë shoqërore bazë dhe themel i demokracisë së secilit shtet! Protestat e nxitura nga ndjesia e përkatësisë përposhëse, janë shndërruar në kryengritje të vërteta kundër lirisë. Hitleri e ngriti një kryengritje të tillë kundër lirisë dhe mori përkrahjen e 80% gjermanëve nënshtetas; Millosheviqi ngriti kryengritje të ngjashme kundër lirisë pas mitingut të madh protestues në Gazimestan dhe u vu në krye të shtetit me mbi 93% votues, të cilët u deklaruan si nënshtetas të tij besnikë, të gatshëm që të bëjnë gjithçka për të cilën urdhërohen, duke e bërë me këtë rast edhe atë që vetë ata e kanë në kokë. Parimisht, kushti i mjaftueshëm dhe i domosdoshëm për nisjen e kryengritjes kundër lirisë paraqet ekzistimin e numrit të duhur, përkatësisht, përqindjen prej rreth 30% nënshtetasish, njerëz këta të cilët ndjehen jo mirë dhe të zhveshur,nëse duhet të jetojnë lirisht, nga barra e autonomisë personale. Rreth garniturës në pushtet në RM në mënyrë standarde janë mbledhur përafërsisht 25% nënshtetasish. Karakteristika dalluese e nënshtetasit – nevoja që tërësisht, me fanatizëm të shërbejë, sillet rreth së njëjtës përqindje.

Po bëhet e qartë që në Maqedoni po ndodh përballja e mentalitetit përposhës (-të nënshtetasit) dhe i vetëdijes qytetare. Problemet ku u ngatërruan ata të cilët qe dhjetë vjet i kishin idhuj (idhujt e çojnë njeriun të gjunjëzohet, të përbehet) e zgjuan telin përposhës (-të nënshtetasit), i alarmoi ata të cilët mundësia e afrimit të kohës së lirisë aq i trembi. Filloi organizimi i tyre kundër të gjitha idealeve (idealet e inspirojnë njeriun të lartësohet, të fluturojë), para së gjithash kundër idealit të lirisë. Mundësia që idhujt e tyre, të cilëve me aq besnikëri u janë nënshtruar këto dhjetë vjet, tani të largohen nga pozitat e tyre, i ka shqetësuar, i ka alarmuar dhe, tash, i ballafaqoi me mundësinë që jeta t’u shndërrohet në makth, ku tashmë nuk do të mund të gjejnë asnjeri ndaj të cilit do të kishin qenë nënshtetas!

Kjo psikozë u përhap shpejt, për shkak se nënshtetas aktivë dhe publikë që po i shohim në TV-ekrane, nga qytetari Gjorge Ivanov, marionetë e ngarkuar që të luajë rolin e Kryetarit të Shtetit, i vënë nga Nikolla Gruevski për t’i mbajtur penjtë me të cilët e heq çdo veprim të tij, e deri te mijëra njerëz që për çdo ditë protestojnë kundër vetëdijes qytetare gjithnjë e më të dukshme, janë vetëm maja e ajsbergut e nënshtetasve latentë! Në RM këto protesta tashmë po shndërrohen në kryengritje të nënshtetasve, kundër të gjithëve që e vënë në pyetje statusin e tyre të nënshtetasve; e kuptueshme, me programin demokratik, ata rrezikun më të madh e shohin te LSDM-ja dhe marrëveshja e partive shqiptare, të cilët propozojnë diskutim publik për barazi të plotë të të gjithë qytetarëve, opsion ky i cili drejtpërdrejt çon kah ndërprerja epërposhësisë (-të qenët nënshtetas) si raport shoqëror dhe përposhët (-nënshtetasit) si kategori. Ky është rreziku kryesor dhe real për këto protesta; është kjo ana diabolike e së drejtës së tyre demokratike të jenë dhe të mbeten nënshtetas (?), e cila pjesërisht në mënyrë spontane rritet e pjesërisht dirigjohet me qëllim që të shndërrohet në kryengritje “gjithëpopullore” kundër lirisë.

Prandaj ata insistojnë mbi parimin absolutisht antidemokratik për ekzistimin e tabu-temave, për të cilat kinse nuk mund të debatohet, sidomos nuk mund të kihet qëndrim të kundërt me qëndrimin e tyre! Demokracia, megjithatë, nuk është e drejta që të mendohet, por e drejta që të mendohet më ndryshe! Prandaj, kinse kërcënimet për mbijetesën e shtetit dhe mbrojtja e, po ashtu kinse, gjuhës së rrezikuar maqedonase, janë vetëm flluska, alibi për manifestimin e frikës se më nuk do të mund të jenë nënshtetas, por do ta kenë patjetër që nevojën e tyre të mendojnë me kokën e huaj dhe të shikojnë me sytë e huaj ta kënaqin me rolin e kategorisë së tretë të vrapëtorëve, lakenjve, poltronëve, lajkatarëve, ledhatarëve! Frika e tyre rritet dhe shndërrohet në mllef! Ata e ndiejnë që me forcimin e vetëdijes qytetare, të cilën e promovon individi i lirë, nuk është rrezikuar as shteti, as gjuha maqedonase, por e drejta e tyre që të shërbejnë, të jenë përposh (nënshtetas)! Tani është rasti i fundit të jesh përposh i vërtetë, të biesh në gjunjë para atyre të cilëve dhjetë vjet është rënë në gjunjë, që t’u konfirmohet besnikëria e vet e përposhjes (-të qenët nënshtetas), këtë herë si u ka hije përposhëve (-nënshtetasve): me alibi madhështore, me arsyetimin i cili përposhjen do ta kthejë në heroizëm, ndërsa besnikërinë ndaj autoritetit në akt heroik moral!

Prandaj trillohet se diçka duhet mbrojtur, diçka shumë e rëndësishme, vendimtare për mbijetesën; asgjë më pak se të shtetit, të identitetit, të gjuhës dhe se ato gjëra vetëm ata, “populli” (lexo: nënshtetasit) mund ta mbrojnë! Kur i drejtohet “popullit”, Nikolla Gruevski u drejtohet nënshtetasve! Me shumë papërgjegjësi kalojmë mbi lehtësinë që ata e hedhin në çdo përpjekje që të përgjigjen në pyetjen se përse me aq eufori mblidhen në rrugët e 20, 23, 30 qyteteve të RM (u përpoqa të numëroj 30 qytete në RM, nuk pata sukses!) për të mbrojtur diçka që nuk është e kërcënuar!? E, pikërisht kjo është çështja themelore! Në të vërtetë, është e qartë se edhe ata e dinë shumë mirë, por e dinë se një rast i këtillë nuk lëshohet prej dore! Tani janë arritur kushtet, të tilla çfarë çdo përposh ëndërron tërë jetën! Tani përfundimisht mund ta marrë veten fryma e përposhjes me stil të madh, ndërsa mbrojtja e simboleve të mëdha siç përmenden, është rast i papërsëritshëm që qytetari Gjorge Ivanov nga përposhi më i bindur të promovohet në hero-përposh! – i gatshëm që edhe njëqind herë ta shkelë Kushtetutën, vetëm për ta mbrojtur përposhjen nën vellon e mbrojtjes së asaj të cilën ata me një cinizëm, banalisht të theksuar, e quajnë Maqedoni “e përbashkët”! Fakti që askush nuk e rrezikon sovranitetin dhe Kushtetutën e RM-së nuk është kurrfarë pengese. Përkundrazi! Pikërisht për atë se shkëlqyeshëm e di që asnjëri prej simboleve të cilat kinse i mbron nuk është rrezikuar, se askush as që e sulmon, ai mund të jetë i sigurt se sigurisht do t’i mbrojë. Pikërisht për këtë me asnjë çmim nuk guxon të hidhet ose të tërhiqet marrëveshja e shqiptarëve të RM-së, që qytetari Gjorge Ivanov pa merita të konsiderohet hero, mbrojtës i cili e ka mbrojtur të gjithë atë që askush as që e ka rrezikuar, edhe më pak, e ka sulmuar! Tërheqja e atij dokumenti njëkohësisht do të implikonte se ato parti me të vërtetë e kanë planifikuar shkatërrimin e RM-së dhe do t’u kishin dhënë alibi të gjithëve që tani i sulmojnë dhe i denoncojnë se kanë qëllime të tilla. Dhe, njëkohësisht, ata që janë vënë në krye të nënshtetasve besnikë, gjithashtu do të ishin bërë heronj të cilët, bashkë me përposhët (-nënshtetasit) e tyre kinse e kanë mbrojtur shtetin. Para rrezikut që të bëhen qytetarë të lirë të emancipuar, frika e tyre rritet dhe ata janë të gatshëm për hapa të papeshuar.

E kotë është t’u përsëritet se nuk është rrezikuar as shteti, as gjuha maqedonase, as kushtetutshmëria, se nuk mund të instalohet kurrfarë federalizimi, as kantonizimi pa pajtimin e përfaqësuesve të popullit, deputetëve të tyre në Kuvend; e kotë është që të tregohet se me asnjë fjalë nuk kërkohet reduktimi i përdorimit të gjuhës maqedonase; se në të gjitha kërkesat bashkë nuk ka asgjë që do t’i kishte kufizuar të drejtat e maqedonasve dhe të kolektiviteteve të tjera nacionale në RM ose që do të kishte përjashtuar refuzimin e të gjitha propozimeve me të cilat ata nuk do të ishin pajtuar; dhe se e vetmja gjë që kërkohet është kalimi nga mentaliteti përposhës (-i të qenët nënshtetas) drejt vetëdijes qytetare.

E kotë është, për shkak se ata luftojnë pikërisht kundër vetëdijes qytetare – program prapa të cilit u ndal LSDM-së dhe për të cilin pranoi të bisedonte për kërkesat e partive shqiptare nga Maqedonia. Qëllimi i tyre nuk është që t’i mbrojnë gjërat për të cilat e dinë jashtëzakonisht mirë se nuk janë rrezikuar! Siç e dinë, madje, jashtëzakonisht mirë të gjithë banorët e RM-së me IQ mbi nivelin e trashanizmit fiziologjik. Qëllimi i tyre i vërtetë, për të cilin nuk janë të vetëdijshëm, por të cilën e ndjejnë me afshin e drejtpërdrejtë me të cilin fryma e lirë synon drejt lirisë, ndërsa ajo përposhëse (-e nënshtetasit) drejt përposhjes! – është që ta mbrojnë sistemin ku lirisht mund t’u dorëzohen njërit prej veseve më të rënda – vesit të përposhjes. Këtë e kërkojnë ata, për atë angazhohen, me atë qëllim i valëvisin flamurët: që t’i ruajnë nga dënimi ata të cilët janë mësuar që verbërisht t’i dëgjojnë, të frikësuar nga vetëdija qytetare, e cila e përjashton përpushjen (-të qenët nënshtetas) dhe lirinë e bën obligim.

Postime të Ngjajshme