` . Memorandum kundër ekonomisë së zezë (Video) – TV-SHENJA

Memorandum kundër ekonomisë së zezë (Video)

Dëmet nga puna e kompanive të paregjistruara për Buxhetin e shtetit janë shumë të mëdha. Vetëm nga produktet e Industrisë Teknologjike dëmet arrijnë shifrat e gjashtë milionë eurove. Kështu ka deklaruar, Daniela Arsovska, kryetare e Lidhjes së Odave Ekonomike, pas nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim e Drejtorinë për të Ardhura Publike.

Arsovska ka thënë se dëmtohen edhe kompanitë që punojnë në mënyrë legale në sektorin IT-së, ngase importojnë produktet dhe duhet t’i certifikojnë, ndërsa në rrezik janë të ekspozuar edhe qytetarët që i blejnë ato produkte.

DANIELA ARSOVSKA, KRYETARE E LIDHJES SË ODAVE EKONOMIKE
“Pa aksione të koordinuar të ekonomisë, DAP-it dhe qytetarëve nuk ka mekanizëm të zbulohen ngase rrjedha e parave është kesh. Këtë dëshirojmë ta ndalojmë, dhe këto të hyjnë në sistem, ngase qëllimi nuk është që të dënohen, por të futen në treg dhe të jenë konkurrencë lojale”

Drejtoresha e DAP-it, Sanja Llukarevska, tha se institucioni që drejton ajo, është duke përgatitur strategji nacionale për fiskalizim, si dhe projekte tjera, ndërsa në draft fazë është edhe Ligji i paralajmëruar për kundërvajtje, që duhet të zbutë politikën ndëshkuese ndaj kompanive.

SANJA LLUKAREVSKA, DREJTORESHA E DAP

“Duhet të bëhen ndryshime në pjesën e kritereve për përcaktimin e gjobës me nenin 39. Kemi dorëzuar propozime, do të shohim se çfarë kanë dorëzuar institucionet tjera. Ligji duhet të sillet sa më shpejtë dhe në bazë të saj, një prej segmenteve do të jetë edhe ulja e ekonomisë gri”

Sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare, në vendin tonë, çdo kompani humb nga 15 përqind prej fitimit për shkak ekonomisë gri, dhe kjo ndodh në të gjitha sektorët.

Në raportin e BE-së, theksohet se ekonomia gri mbetet pengesa kryesore për biznesin dhe ndikon në konkurrencën në sektorin formal privat.

Vlerësimit për madhësinë e ekonomisë gri në Raportin e BE-së, lëvizin nga 20 për qind nga prodhimi i përgjithshëm deri në 40 për qind, varësisht nga metoda e zbatuar. Kjo krijon pengesa për investime dhe shkakton probleme serioze dhe konkurrencë jolojale të kompanive të regjistruara. Enis Murtezi /SHENJA/