` . MEDRESEJA MEDAH DHE ATAULLAH EF. KURTISHI - TV-SHENJA

MEDRESEJA MEDAH DHE ATAULLAH EF. KURTISHI

Shkruan: Qerim Lita, Shkup

Medresete konsiderohen si shkolla të para e të vetme osmane deri në mesin e shekullit XIX-të, kur autoritetet Osmane filluan të hapin edhe mejtepe. Meqenëse asaj kohe medresetë përbënin qendrat e vetme arsimore, praktikohej që gjatë ngritjes së çdo xhamie më të rëndësishme të hapet edhe një medrese. Ishin të rralla ato xhami të cilat nuk posedonin medreset e tyre, e nëse nuk i kishin të njëjtat konsideroheshin si të varfëra. Në to krahas lëndëve fetare ligjeroheshin edhe disa lëndë tjera si gjeografia, historia, matematika etj. Të dhënat arkivore hedhin dritë se në qytetin e Shkupit deri në vitin 1912 kishin funksionuar gjithsej 8 medrese: Medreseja Medah, Medreseja Hunkajar, Medreseja e Allaxhes, Medreseja e Isa Beut, Medreseja Qebir Mehmet Çelebi, Medreseja e Mustafa Pashës, Medreseja e Jahja Pashës dhe Medreseja Raçeli përkatësisht e Haxhi Ismail Agës. Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike e vendosjen e trupave pushtuese serbe në këtë qytet, u ndërpre edhe puna e këtyre medreseve. Nga tetë merdesetë e sipërpërmendura, si më e vjetra konsiderohet të jetë Medreseja Medah, e cila mendohet se është themeluar rreth viteve 1397/98.  Në një vështrim të hartuar në vitin 1935, nga Ministria e Arsimit të Mbretërisë jugosllave, kushtuar medreseve në hapësirat shqiptare nën pushtimin jugosllav, përshkruhet edhe një histori e shkurtë e kësaj medreseje. Në të shprehimisht thuhej: “Kjo medrese është ndër medresetë më të vjetra në Shkup. Gjendet në oborrin e xhamisë Medah. Është ndërtuar nga udhëheqësi i Shkupit,  Jigit Pasha, rreth viteve 1397/98. Kjo medrese ka dhënë shumë personalitete të shquara, midis të cilëve më i njohuri është filozofi Lutfullah Efendiu. Emrin Medah e ka marrë nga myderrizi i parë baba Medah – emri i vërtetë i të cilit ishte Mudehin. Krahas medresesë gjendet edhe tylbeja ku gjendet varri i Jigit Pashës, e jo i Baba Medahut siç është menduar më herët. Nuk dihet saktësisht se në cilën mënyrë është mirëmbajtur kjo medrese, porse supozohet se e kanë mirëmbajtur njerëzit e pasur. Me luftërat ballkanike ajo pushoi së punuari dhe më vonë ajo shfrytëzohej si teqe, ndërsa para 10 viteve, kur u hap Medreseja e Madhe Kral Aleksandri i I-ë, me iniciativë të Ataullah Hoxhës u hap sërish. Vitin e kaluar doli gjenerata e parë prej 6 nxënësve…”.

Në fakt rihapja e medresesë në fjalë ndodhi një vit para Medresesë Kral Aleksandri i I-ë, përkatësisht më 7 nëntor të vitit 1923, kur kryeshefi i Ministrisë për Fe, Hasan Rebac, me kërkesë të Myftinisë Supreme, solli vendim, me të cilin Ataullah ef. Kurtishi u emërua muderriz (profesor i teologjisë) pranë Medresesë Medah në Shkup. Emërimin e tij për myderriz e shohim edhe në çertifikatën që Myftinia e Qarkut të Shkupit, më 15 qershor 1927 ia dorëzoi Ataullah ef. Kurtishit, ku fillimisht në të thuhej: “Me kërkesë të Myftinisë së Qarkut të Shkupit nga data 4 tetor 1923 nr. 61, ndërsa me propozim të Myftinisë Supreme nr. 1110/23, vendimin e Ministrisë për Fe nga data 7 nëntor 1923 nën numrin 4495, Ataullah ef. Kurtishi është emëruar për myderriz pranë Medresesë Medah në Shkup”. Më pas në të përcaktoheshin lëndët që ai duhej t’i mbante me talebet e asaj medreseje siç ishin: gjuha arabe, mësim besimi fetar, teologjia e shkenca, morali e pedagogjia. Shkollimi në këtë medrese zgjaste gjithsej 12 vite, të ndarë në dy cikle: 8 vite parashkollor dhe 4 vite specializim. Të diplomuarit e kësaj shkolle merrnin titullin myderriz, dhe ishin njohës të mirë të gjuhës arabe e të osmanishtes.

Kush ishte Ataullah ef. Kurtishi?

Deri më tash janë publikuar një sërë punime studimore kushtuar kësaj figure të madhe fetare e kombëtare shqiptare, mirëpo, në mungesë të burimeve relevante arkivore, pjesa dërmuese e tyre mbështeten në të dhënat gojore e aty këtu edhe në shtypin e kohës. Në Arkivin e Maqedonisë ekziston fondi i posaçëm dhe shumë i vëllimshëm i Bashkësisë Islame, përkatësisht Mexhlisit të Ulemasë në Shkup, në suazat e të cilit ofrohen të dhëna të bollshme si për figurën e Ataullah ef. Kurtishit po ashtu edhe për Medresenë Medah e talebet e saja, brenda harkut kohor 1923-1941.  Gjithnjë në mbështetje të këtyre burimeve, shohim se Ataullah ef. Kurtishi kishte lindur në vitin 1874 ose 1875 në fshatin Studeniçan rrethi i Shkupit. Mësimet e para fetare i kreu në mejtepin e fshatit, ndërsa më pas në Medresenë Medah. Si medresant i dalluar u regjistrua në Universitetin e Stambollit, në fakultetin e Shkencave Islame, ku pas diplomimit u emërua asistent i atij fakulteti. Në vitin 1914 kthehet në vendlindje, ndërsa në vitin 1918 organet policore serbe e internojnë në Çaçak të Serbisë. Me vendimin nr. 7093 të lëshuar më 24 maj 1919 nga kryeshefi i atij qarku, Ataullah ef. Kurtishi kthehet në Shkup, nga ku depërtohet për në Turqi. Në vitin 1923 pas ardhjes në pushtet të Qemal Ataturkut dhe krijimit të Republikës së re të Turqisë, si shumë ulema tjerë edhe Ataullah Kurtishi, u vlerësua si armik i përbetuar i atij pushteti dhe si i tillë u burgos e u dërgua për t’u pushkatuar pa ndonjë proces gjyqësor. Deri te kjo nuk erdhi falë disa shokëve e miqve të tij, të cilët  arritën ta nxjerrin nga qelitë e burgut të Stabollit dhe në mënyrë ilegale e dërguan në Kajro të Egjiptit, nga ku pasi pajiset me shtetësinë angleze kthehet sërish në Shkup. Ashtu siç u tha më lartë, me t’u kthye në Shkup, Ataullah Hoxha në bashkëpunim me Shefki Beun e disa përkrahës tjerë të tij, inicioi dhe  rihapi  Medresenë Medah.

Kjo shkollë fetare për autoritetet e atëhershme serbomadhe brenda Mexhlisit të Ulemasë në Shkup u vlerësua si pengesë për realizimin e politikës së tyre asimiluese, përkatësisht zhdukjen e traditës e të kulturës shqiptare te popullsia myslimane dhe mbjelljen te ta, të kulturës serbe, një politikë e cila zbatohej përmes Medresesë së Madhe Kral Aleksandri i I-ë. Një politikë e tillë veçmas u shpreh menjëherë pas sjelljes së Kushtetutës së parë të BFI-së në vitin 1930, kur në buxhetin e Mexhlisit të Ulemasë për vitin 1932, nuk u parapanë as çfarë mjete për Medresenë Medah, përkatësisht mjetet e kësaj medreseje gjoja se ishin dedikuar për financimin e shoqatës “Gajret” si dhe për dhënien e bursave për studentët jashtë vendit. Menjëherë pas publikimit të buxhetit, reagoi Ataullah Hoxha, i cili më dhjetor të vitit 1931 përmes një letre i drejtohet banit të Shkupit, ku fillimisht e përshkruan rolin e përgjithshëm fetarë të medreseve, në të cilat ligjerohet parasëgjithash “gjuha arabe si gjuhë klasike, me të cilën gjuhë janë shkruar të gjitha librat për teologjinë, etikën dhe të drejtën islame”. Medrese të tilla, thekson më tej Kurtishi ka pasur në çdo rreth të ish Vilajetit të Kosovës, mirëpo, sot nga ata, ka ngelur vetëm kjo në Shkup me 40 nxënës nga të gjitha viset që i mbulon Mexhlisi i Ulemasë. Duke e përshkruar politikën e udhëheqjes së BFI-së, pas miratimit të Kushtetutës, Ataullah Kurtishi shprehet: “Tash, pas sjelljes së Kushtetutës së Bashkësisë Islame, është menduar, se vëmendja në radhë të parë do t’i kushtohet kësaj dhe shkollave të ngjashme të tilla, me qëllim të krijimit sa më parë të njerëzve të ri të arsimuar për punë në shtresat e gjera të popullsisë si imamë, hatib, mujezin e vajiz”, mirëpo, thuhet në vazhdim “duke qëndruar pas çdo regjimi e duke i nëpërkëmbërur interesat fetare të kësaj pjese, ka ardhë deri te ajo, që ne sot të mos kemi as numër të mjaftueshëm të personelit fetar, sepse nga ata që janë hasur shumë prej tyre kanë vdekur ose janë shpërngulur, me çka nuk ka kush t’i edukoj u t’u kryej shërbimet fetare, sepse Medreseja e Madhe nuk përgatit nëpunës të ngjashëm fetarë”.

Menjëherë pas kësaj letre, Mexhlisi i Ulemasë urdhëroi Prokurrën e Vakëfit Mearif për Qarkun e Shkupit, që të kryj inspektimin në Medresen Medah dhe pas kësaj të raportoj për pikat si më poshtë:

  1. Nga cili pushtet, kur dhe nën cilin numër është lejuar hapja e Medresesë Medah në Shkup;
  2. Me vendimin e cilit pushtet, kur dhe nën cilin numër z. Kurtishi është emëruar për myderriz;
  3. Çfarë programi ka Medreseja dhe a realizohet?
  4. Prokurra si pushtet mbykqyrëse i drejtëpërdrejtë a e ka inspektuar medresenë dhe çfarë është konstatuar. Nëse kjo deri më tash nuk është kryer menjëherë le të kryhet e të dorëzohet raport i detajuar, i cili ndër të tjerave do të përfshij edhe propozimin e Prokurës për atë: se a thua Medreseja të ngel edhe më tej ashtu siç është ose të riorganizohet dhe në cilën mënyrë ose të mbyllet eventualisht.

Ndërkohë, në vitin shkollor 1932/33, me urdhër të Mexhlisit të Ulemasë, Prokura e Vakfit Mearif për Qarkun e Shkupit, shkarkoi Ataullah Hoxhën nga detyra myderriz i Medresesë Medah e në vend të tij për myderriz emëroi Rexhep Remziun. Një vendim i tillë u hodhë poshtë si nga myteveliu i vakëfit Medah, Shefki Beu po ashtu edhe nga talebet, që këta të fundit në mënyrë të prerë refuzuan shkarkimin e profesorit të tyre Ataullah ef. Kurtishi. Lidhur me këtë, udhëheqja e Mexhlisit të Ulemasë më 1 shkurt të vitit 1933, i raportonte Kryesisë Supreme të BFI-së në Beograd, se Shefki Beu, ka penguar zbatimin e vendimit të Mexhlisit të Ulemasë të datës 31 dhjetor 1932, sipas së cilit Rexhep Remziu duhej ta merrte detyrën myderriz në Medresenë Medah. Me këtë sjellje thuhej në vazhdim të raportit Shefki Beu “i cili përndryshe është myteveli i vakëfit Medah në Shkup”, ka manifestuar armiqësi ndaj institucioneve e organeve të Bashkësisë Fetare Islame, e në mënyrë të veçantë ndaj këtij Mexhlisi të Ulemasë.

Një ndërhyrje tjetër ndaj politikës fetaro-arsimore të Medresesë Medah, udhëheqja e BFI-së në Shkup e ndërmorri në vitin 1935, e cila në atë kohë kishte arritur ta përfitoj përkrahësin më të fuqishëm të Ataullah Hoxhës, Shefki Beun, i cili siç do të shohim në vazhdim, nga një aleat u shndërrua në armik më i përbetuar i tij. Për rrjedhojë, në vitin shkollor me nismën e Shefki Beut, Mexhlisi i Ulemasë me asistencë të forcave policore, ndërhyri brutalisht në hapësirat e Medresesë Medah, me çrastë largoi me dhunë myderrizin e asaj shkolle Ataullah ef. Kurtishin e në vend të tij për myderriz emëroi Aziz Fetah. Kjo ndërhyrje represive shkaktoi revoltë e pakënaqësi të madhe nga ana e talebeve të kësaj medreseje, të cilët siç i shkruante Aziz Fetah myteveliut Shefki Beut: “…në thirrjen time, ata nxënës, listën e të cilëve po e bashkangjes refuzuan ta pranojnë emërimin tim si myderriz i përgjithshëm e të veprojnë sipas urdhërrit tim, por se tashmë kanë deklaruar se mua nuk më pranojnë si myderriz, se ata përkundër emërimit tim si myderriz do të ngelin në medrese dhe se ata nuk do t’u nënshtrohen urdhëresave e as do t’i respektojnë udhëzimet, dhe më kanë kërcënuar se do ta pengojnë punën time si myderriz nëse ka nevojë edhe fizikisht”. Në vazhdim të letrës Fetah, kërkonte që përmes organeve policore të ndërmarren mase represive me qëllim siç do të shprehet “që të përmendurit ose të detyrohen në respektimin e urdhëresave ekzistuese të pushtetit fetarë, ose me forcë të largohen nga medreseja”. Një situatë e tillë zgjati deri në korrik të vitit 1936, kur udhëheqja e përkoheshme e Mexhlisit të Ulemasë në krye me Naibin Fejzi Haxhiamziq u detyrua që Ataullah Hoxhën ta riemëroj për myderriz të medresesë në fjalë.

LISTA E TALEBEVE TË MEDRESES MEDAH NË VITIN SHKOLLOR 1935/36 TË CILËT REFUZUAN T’I NËNSHTROHESHIN MYDERRIZIT TË DHUNSHËM AZIZ FETAH

Nr. rend. Emri e mbiemri I lindur Vendbanimi rrethi
1

2

3

4

5

6

7

8

9

10

11

12

13

14

15

16

17

18

19

20

21

22

23

24

25

26

27

28

29

30

Hasan Beqiri

Mustafa Sulejmani

Haki Taibi

Abdyrrahman Xheladini

Hfz. Hasan Aliu

Idriz Sulejmani

Kadri Jashari

Ferhat Hamidi

Hysen Latifi

Fadil Haxhiiljazi

Hamdi Jusufi

Shukri Mehmedi

Hfz. Beqir Mahmudi

Qemal H. Oruçi

Abdylhamid Shabani

Xhemail Emini

Abdylhamid Musliu

Nebi Aliu

Ali Ejupi

Ajet Shaqiri

Imer Emini

Salih Mynyri

Sinan Osmani

Osman Jakupi

Mujedin Shefkiu

Ramadan Hyseni

Rexhep Hasani

Enver Abdylmehmedi

Ibrahim Islami

Xhavid Mehmedi

1916

1914

1917

1915

1905

1917

1912

1915

1914

1917

1911

1917

1917

1920

1917

1915

1910

1915

1918

1917

1910

1919

1915

1918

1918

1916

1915

1922

1922

1922

Shkup

Nerez

Hogoshtë

Shkup

Studeniçan

Nakushtak

Prilepnicë

Obiliq

Konjare e Poshtme

Prelez

Shkup

Vrapçishtë

Rekë

Nakushtak

Smirë

Zarbincë

Pleshinë

Studeniçan

Grebën

Stanoc i Poshtëm

Gradac

Studeniçan

Grebën

Shkup

Shkup

Gjilan

Shkup

Kumanovë

Gjilan

Prishtinë

Shkup

Ferizaj

Shkup

Gostivar

Kaçanik

Kumanovë

Ferizaj

Gjilan

Ferizaj

Shkup

Ferizaj

Babin Most

Koçan

Shkup

Ferizaj

Shkup

 

Duke e përmbyllur këtë paraqitje dëshiroj të vë në dukje faktin se Ataullah ef. Kurtishi, krahas aktivitetit për krijimin e kuadrit të mirëfilltë fetarë, u shqua edhe në aktivitetin për pengimin e shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve mysliman për në Turqi, nga pushteti i atëhershëm serbo-madh. Në zgjedhjet e para të Mexhlisit të Ulemasë në shkup, të cilat u mbajtën më 30 maj 1930, lista e Ataullah Hoxhës fitoi 6 anëtarë nga gjithsej 27 sa numëronte Kuvendi Mearif i Shkupit, dhe së bashku me 13 anëtarët e listës së Ferhat Dragës, kjo bashkësi përfundimisht u çlirua nga klika serbo-madhe, ndërsa Ataullah Hoxha, krahas Sherif Langut, Mulla Idriz Gjilanit dhe Bedri Hamidit u zgjodh anëtar i Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, organ më i lartë i BFI-së në këto hapësira shqiptare.

Postime të Ngjajshme