` . Me mbylljen e Jugohromit, për 40 për qind ajri më pak i ndotur - TV-SHENJA

Me mbylljen e Jugohromit, për 40 për qind ajri më pak i ndotur

Mbyllja e Jugohromit ka ulur për rreth 40% ndotjen e ajrit në Tetovë dhe rrethinë. Kështu kanë deklaruar sot nga lëvizja Eko Guerila, të cilët prezantuan analizat e muajit janar të viti 2015 kur Jugohromi ka punuar dhe në muajin janar të viti 2016, kur Jugohromi nuk punon. Arianit Xhaferri nga Eko Guerila thotë se në janar të viti 2015 mesatarja e grimcave PM 10 kanë qenë 352.0 ndërsa në janar të këtij viti, kur Jugohromi nuk punon mesatarja e grimcave PM10 ka qenë 213.4, ose -138.6. Për të parë nëse ky është një trend pozitiv në gjithë vendin ose vetëm në Tetovë, Eko Guerila ka bërë të njëjtën analizë edhe për komunën Qendër në Shkup, dhe rezultatet flasin se krahasuar me janarin e vitit 2015, Janari i vitit 2016 është për 7 për qind më i pastër.

Sinkron: Arianit Xhaferri, “Eko Guerila”
“Këto të dhëna tregojnë se ajri i Tetovës pa Jugohromin është për afër 40% më i pastër, por kjo nuk do të thotë se duhet të bëhemi rehat dhe ta lëmë me kaq. Edhe pse pak më i pastër, ajri jonë nuk është akoma në nivelin e lejuar prandaj gjatë periudhës që pason do të fokusohemi në realizimin e planeve dhe kërkesave tjera”, deklaroi Arianti Xhaferi nga “Eko Guerilla”.

Nga Eko Guerila, sot parashtruan tetë kërkesa të tjera siç janë:

  1. Kontroll më të rreptë të të gjitha kapaciteteve industriale, të mesme ose të vogla nga ana e inspektorateve ekologjike, 2. Zgjidhje e përhershme e problemit të deponisë në Tetovë, 3. Pastrimin dhe larjen e rregullt të rrugëve të Tetovës nga pluhuri i madh që poashtu ngrit nivelin e grimcave PM10 në ajër, 4. Aplikimin e masave adekuate për veturat që nuk plotësojnë standardet ekologjike, 5. Organizimin e transportit publik me autobusë me standarde të larta ekologjike, 6. Të investohet në ndërtimin e rrjetit të gazit natyror në rajonin e Pollogut, 7. Vënien nën kontroll të invazionit ndërtimor sidomos gjatë kohës së ndotjes më të lartë, dhe 8. Shtimin dhe zgjerimin e hapësirave të gjelbërta në qytet”.

Nëse Jugohromi përsëri e fillon punën pa filtra, Xhaferri tha se atëherë do të protestojnë para fabrikës.

“Ç’do ditë e funksionimit të Jugohromit pa filtra, Jugohromi lëshon në ajër 30 ton pluhur, do të thotë kjo vlen me kapacitet të përgjysmuar dhe jo të plotë. Pra nëse lejohet një gjë e tillë nga Qeveria që Jugohromi të vazhdojë punën pa filtra, ne do të duhet ndoshta të dalim të ngrejmë ndonjë kamp në fshatin Jugonofcë para fabrikës Jugohrom që mos lejojmë hapjen e tyre pa filtra”, ka shtuar Xhaferi.

Arianit Xhaferri ka shfaqur shqetësim edhe për djegien e mbeturinave në mes të ditës në lagje të banuar ku gjenden shkolla publike, qendra tregtare dhe çerdhe fëmijësh. Nga Eko Guerila kërkojnë që Qeveria dhe Institucionet Shtetërore të respektojnë Kushtetutën e vendit si dhe konventat ndërkombëtare. Ndërsa nga komuna e Tetovës që të ndërmarrë sa më shpejtë hapa për zgjidhjen e problemeve që janë nën kompetenca të tyre. Edhe Organizata ‘Nëna dhe fëmija’ theksoi sot se do të mbështesin të gjitha aktivitetet qytetare kundër ndotjes së ajrit.

Mefail Ismaili /SHENJA/


Mbyllja e Jugohromit, ajri për 40% më i pastër by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme