` . ME KOLEGËT… – TV-SHENJA

ME KOLEGËT…

Lindita KADRIU

Në zyrën në TVM ishim:

Sefer Musliu, i njohur për reportazhet idilike nga fshatrat.  Puna e tij madhore me Daut Dautin  ishin udhëtimet me kamerë në Ukrainë ku zbuluan vendbanimet shqiptare e që rezultoi me cikël emisionesh dhe librin Shqiptarët e Ukrainës.

Një regjisor i gjatë, pak i përhumbur, pak i dashuruar. Barcoleta e vërtetë për të: nisen, me bashkëpunëtoren e muzikës, për intervistë me një  kompozitor të vdekur. Rrugës për Tiranë, nëndrejtori gjeneral Kimi u paraqitet se nëse nuk kthehen menjëherë vendimet e punës do ti gjejnë në parkun rreth TVM-së. Do t’ua hedh vendimet nga dritarja, citoheshte të ketë thënë Kimi.

Një gazetare e përkushtuar Imrane e cila, për fat të keq të karrierës së vet, u shpërngul në SHBA. Dhe një tjetër e cila jo që nuk bënte kronika të mira por na dukej se ishte fokusuar të gjente bashkëshort, mundësisht milioner. Dhe pasi jorrallë na ndodh ajo që shumë e dëshirojmë, u martua për një pasanik në rrethinën e Gostivarit. Nuk erdhi më në punë.

Një gazetar që kishte qenë në haxhillëk, i drejtoheshin me titull, kurse ai me shumë se kushdo aty i kishte për qejfi vajzat, sa me ngul na shikonte. Dikur kishte punuar, por mandej “pushonte për rrogë”. Kishim edhe kolegë që i shihnim vetëm në listat e pagesave. Ose vinin sa për muhabet, dhe në mesin e tyre më interesanti, me më së shumti batuta ishte Skenderi. Shok me të cilët ulesh apostafat për t’u disponuar!

Nga të gjithë më krah e kisha z.Seferin, e respektoja për personalitetin dhe punën, e konsultoja. Me kohë zhvilluam raport familjar, bijë e axhës më thirrte. E mbaj mend dasmën e djalit të tij buzë liqenit të Sarajit, aheng me krejt tertipet e një familje të ngritur: nga përzgjedhja e muzikës deri te atmosfera që na bëri të dilnim ndër të fundit prej salle. E mbaj mend edhe ditën kur kolegu më i dashur ndërroi jetë, gusht 2006, varrimi i parë ku desha të shkoja, por rregullat e Tetovës nuk e lejonin dhe T. shkoi vetë.

Për ta përmbyllur më çiltër, po kujtohem këtu edhe për kolegun V.Poshka, stara škola novinarstva dhe me sens të sofistikuar për humor. Mandej u transferua në zyrën e Evropës së lirë në Pragë dhe vetëm tash nga google kuptova që jetoka në SHBA dhe, sa mirë, punoka si gazetar.

Vullneti, dikur edhe kryeradaktor, jepte instrukcione të dobishme profesionale, me shumë hajgare.

Përvoja tregon se kush ka shtos ka edhe mendim interesant.

(Punë gazetarësh, sa nisin të flasin harrohen.

Sot mora të shkruaj si e lash gazetarinë dhe dola tjetërkund).