` . Më falni Shipkovicë, më fal edhe ti Gruevski - TV-SHENJA

Më falni Shipkovicë, më fal edhe ti Gruevski

Shkruan: Arben Zeqiri

Si shumë shqiptarë edhe unë rrëshqita dhe që në mëngjes ju sula banorëve të Shipkovicës për pritjen e Gruevskit. Të gjithë jemi njerëz dhe na kaplojnë emocionet. Sinqerisht nuk munda ta gëlltis këmbën e tij në folenë e UÇK-së. Por më e njerëzishme është kur kërkon falje dhe pranon gabimin. Shpresoj shipkovicasit të më kuptojnë ashtu siç unë i kuptova sot plotësisht. Miq e dashamirë jo vetëm që më kritikuan, por ata më informuan edhe për një të vërtetë të hidhur që më tmerroi më shume se vetë pamjet e Gruevskit në atë fshat. Fajtor nuk paskan qenë as ata 4-5 persona që ia zgjatën dorën dhe e pritën, madje ata paskan qenë edhe më të guximshëm. Hiena dhe qyqet nuk paskan qenë Gruevski dhe ata pak shqiptarë, që e pritën. Hienat ishin fshehur dje disa kilometra larg Shipkovicës, në kolltuqet që ndoshta i kanë blerë në emër të Shipkovicës, me paratë e ndara nga Qeveria dhe humanistët e shumtë për Shipkovicën. Gruevski kishte shkuar ne Shipkovicë për të denoncuar publikisht këto hiena të cilat paratë për Shipkovicën i kishin “zhdukur” që në “lakin e Shipkovicës”. Miqtë dhe banorët e këtij fshati më informuan se Gruevski jo vetëm që kishte qenë i pari që i kishte vizituar natën e vërshimeve të vitit të kaluar, por edhe ndihmat dhe makineria e tij kishte arritur e para. Më informuan se hienat lokale dhe ato qendrore që fillimisht kishin vjedhur votat, kishin ardhur pas dy ditëve për të shkrepur ca foto e më pas për t’ua vjedhur edhe ata ndihma që i kishte sjellë po ky Gruevski i keq. Më thanë dhe shumë të hidhura të tjera të cilat nuk dua as t’i mendoj e jo më t’i permend, e që ju më së miri mund t’i dëgjoni e konfirmoni nëse shkoni vetë në Shipkovicë. Mësova një të vërtetë më të madhe të hidhur. Gruevski jo se nuk kishte qenë i keq, por e keqja e tij kishte pasur një kufi dhe në një moment i kishte dalë nje fije njerëzie. Por fatkeqesia është në atë se hienave tona jo vetëm që as në ate nate, nuk ju doli në shesh ky njerzillëk, por pikërisht atë moment e kishin shfrytëzuar në atë mënyre siç nuk e shfrytëzoi as Gruevski. Edhe Gruevski kishte pasur mëshirë atë natë, e hienat e kishin shfrytëzuar edhe atë natë për të rrjepur gjahun e tyre të cilin e rrjepin për më shumë se 14 vite. Paska pasur më keq se Gruevski. Andaj sinqerisht publikisht ju them: Më falni Shipkovicë, më fal edhe ti Gruevski.

Postime të Ngjajshme