` . Mbyllja e “Jugohromit” përgjysmoi sëmundjet te fëmijët (Video) – TV-SHENJA

Mbyllja e “Jugohromit” përgjysmoi sëmundjet te fëmijët (Video)

Funksionimi i fabrikës së Jugohromit bënte që Tetova të zinte vendin e parë për ajër më të ndotur në Evropë, ndërsa tani që ajo nuk funksionon, situata dukshëm është përmirësuar. Kjo konkluzë del nga aktiviteti i përbashkët i Lëvizjes qytetare “EcoGuerilla” dhe Lëvizjes “Nëna dhe Fëmija”, të cilët thirren në të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, të cilat tregojnë se ndotja e ambientit ka ndikuar në mënyrë të jashtëzakonshme tek fëmijët. Tek grupmoshat nga 0-6 vjet, ndotja e skajshme ka shkaktuar sëmundje të organeve të frymëmarrjes, ndërsa Elmedina Abdullai nga Lëvizja “Nëna dhe Fëmija”, sqaron se tani numri fëmijëve të shtrirë në spital nga sëmundjet respiratore është përgjysmuar.

Elmedina Abdullai, Lëvizja “Nëna dhe Fëmija”

“Para katër viteve kur filluam ne me aktivitete, ne si Lëvizje Eco Guerilla dhe Nëna dhe Fëmija, ndotja e ambientit në Tetovë ishte përafërsisht 145 pm10 gjatë vitit, që janë informata zyrtare nga ueb faqja e Ministrisë së Ambientit dhe tani kur Jugohromi nuk punon, ndotja është 61pm10 gjatë vitit, dmth ka rënë mbi 60%…gjë që na shtyn edhe më tej të vazhdojmë me aktivitetet tona.

Arianit Xhaferi nga EcoGuerilla thekson se ata do të vazhdojnë mision e tyre duke ju ofruar qytetarëve ndihmë juridike për të paditur ata që kanë dëmtuar shëndetin e tyre.

Arianit Xhaferi, EcoGuerilla
“Do japim ndihmë juridike për qytetarët, shëndeti i të cilëve është dëmtuar nga ekocidi i shkaktuar nga ky kombinat. Në bashkëpunim me avokatë, ekspertë juridikë dhe të ambientit, ne do të ndihmojmë të gjithë qytetarët e dëmtuar për paditë civile për kompenzim të dëmit të shkaktuar. Po ashtu do të bëjmë kallëzim penal në Prokurori për ata që kanë lejuar dhe shkaktuar këtë vrasje të ngadaltë për qytetarët e Tetovës dhe më gjerë”.

Ndihma juridike, siç njoftojnë ata, do të jetë falas për qytetarët dhe do të mund të bëhet duke u paraqitur fillimisht tek zyrat e Lëvizjes EcoGuerilla. Emine Ismaili /SHENJA/