` . Mbi efektin e rritjes së pagave dhe ribalancin e buxhetit! - TV-SHENJA

Mbi efektin e rritjes së pagave dhe ribalancin e buxhetit!

Shkruan: Driton DEMIRI

Zonjë e Zotëri,

Më 3 tetor në një konferencë për shtyp njoftuat mbi ribalancin e buxhetit të sapo miratuar në seancë qeveritare.

Le të sqarohemi;

Fillimisht, për një kohë të gjatë si në retrospektivë ashtu aktualisht dhe në horizont ta keni në konsideratë se, asnjëherë temë diskutimi nuk është dhe nuk do të jetë nëse pagat duhet të rriten, porse sa duhet ato të rriten. Shikuar në këtë pikë vështrim e në këtë sens, qeveria sot është më përgjegjësja! Çdo përpjekje për përmirësimin e mirëqenies fillon nga pagat dhe këtu nuk ka asnjë dilemë e hamendje. Përndryshe, ato janë kostot më të rëndësishme në ekonomi. Mbase, duhet të rrëfej se, nuk janë aq problem e aq brengë e madhe pagat nëse kemi një ekonomi të fortë me rritje ekonomike nominale (rritje ekonomike e shpejtë dhe kushtimisht nulta inflacion). Çdo rritje nominale të pagave ceteris paribus siguron rritje reale të standardit jetësor si dhe njëkohësisht, rritje të fuqisë blerëse në çdo bazë të të ardhurave.

Prej nga cila pikënisje, pagat në sektorin publik duhet të rriten vetëm 5% ?! Nëse kjo do të ishte përqindja e duhur, atëherë rritja ekonomike është e pamjaftueshme, e dobët dhe e ngadaltë. E çka nëse edhe në të ardhmen rritja ekonomike është e njëjtë, përderisa sipas parashikimeve të Bankës Botërore për këtë vit do të jetë 3.1%, kjo nuk tregon gjë tjetër përveç se zvarritjes në një circumambient. Ndërsa në një ekstrem tjetër përse, duhet të kemi rritje pagash artificiale në sektorin privat. Rritje pagash është thjesht rritje pagash! Privati nuk ka nevojë për subvencionim të rritjes së pagave, ai ka nevojë për zhvillim stimulues e akselerues si bartës kryesor i zhvillimit ekonomik të një vendi. Ambient i një kondicioni financiar me më pak taksa ndonëse dhe më të ulëta që sektori privat të marrë frymë e të likuidohet në kohë dhe natyrshëm të jetë i detyruar të rrisë edhe pagat do të ishte më se i duhur, e jo intervenim qeverisës përmes subvencionimit në kontribute për rritje të pagave. Tendencat e këtilla veçse se stagnimit të sektorit privat nuk sjellin gjëra tjera persë mbari.

Çështja më kryesore e politikave të taksave dhe të financave publike është se cili është ai nivel optimal i taksimit?! Që do të thotë, nëse taksohet në të madhe e shumë lartë, subjektet do të tentojnë tu shmangen masave të tilla, dhe si rrjedhojë aktiviteti ekonomik vetvetiu padukshmërisht do të transformohet në një status quo “të turbullt” të veprimit, aq. ekonomi gri, ( me përbërje të prodhimit ilegal, shërbimeve joformale, shitjeve të padeklaruara, punësimit ilegal dhe evazionit fiskal)..

Në këtë kontekst, më e mira e të së mirës, lehtësimi në taksa apo  falja dhe anulimi  i tërë borxheve në rend të parë të privatit si dhe sferës sociale ndaj shtetit është më se e domosdoshme, mbase kërkon guxim për të krijuar një tabula rasa pas një periudhe të gjatë ekonomi të neveritshme.

Sidoqoftë, ajo “tortë” shpërndarëse që kemi në dispozicion, e cila në mënyrë strategjike duhet step by step të rritet e të jetë edhe më e madhe, ka nevojë për më shumë investime dhe mundësi që edhe sektori privat të rritet e zhvillohet më shpejt. Më pastaj, një rialokim i logjikshëm i parasë publike do të parandalonte edhe rritjen e çmimeve përgjatë procesit të rimëkëmbjes së qëndrueshme.

Një gjë është e qartë, më e keqja jonë pra, varet edhe prej faktit se, tepër njerëz janë pacipërisht të pasur ose dëshpërimisht të varfër.

Prandaj, mos tentoni të tregoheni “engjëj” mbi shpatullat tona!

Meqë, ribalanci i buxhetit është një vazhdimësi dhe korrektues i të ardhurave dhe shpenzimeve për çdo vit kalendarik. Atëherë, kërkohet medoemos një vrojtim i thellë strukturor në po ato të ardhura dhe shpenzimeve për të vërtetuar nëse i kushtojmë angazhim parimor parasë publike për ta rialokuar në vend të duhur.

Për fat të keq, ribalanci i sapo miratuar nuk e siguron këtë!

Përveç se, transferimeve sociale conditio sine qua non  (paga, pensione, sigurim e asistencë sociale, sigurim shëndetësor) asgjë tjetër në pah nuk po duket e lexohet. Duhet ta dini mirë; ribalanci apo buxheti në tërësi për çdo rrjedhojë në përgjithësi patjetër të sakrifikojë e të jetë rotor i përqendrimit në prioritete të mëdha ja të investimeve kapitale publike, si në: arsim, shëndetësi, kulturë, sport e re kreativitet, turizëm, ambient të pastër, infrastrukturë rrugore, infrastrukturë komunale(ujësjellës, kanalizime, menaxhim me mbeturina etj.).

Me një retorikë plotë gojë prononcim se, ndërtimi, rikonstruksioni, riparimi dhe rivitalizimi i rrugëve sikur përfundon këtë vit, ndërsa e vërteta e të së vërtetës (me përjashtim) është se ende nuk është përcaktuar as fillimi.  E në një aspekt tjetër, siç e dimë, është për të vajtuar në çfarë konditash katastrofa le e gjejmë infrastrukturën komunale, madje në shumë vendbanime rurale është fare inekzistente. Një koordinim qeveri-vetëqeverisje lokale si në investime si në know-how do duhej të ishte nevojë parësore që të dilet nga letargjia shumëvjeçare. Madje jashtë kësaj strukture, mendoj se, të gjithë ato njësi të vetëqeverisjes lokale që nuk krijojnë bollshëm paranë, nëpërmjet një kornize ligjore duhet shfuqizuar sa më parë.

Nga ana tjetër për sa i përket segmenteve tjera të sipërpërmendura të cilat kokë e këmbë tash e tre dekada na kanë bërë bashkë, sinqerisht,“druaj” të hap kapitull. Kundrazi, do duhej  t’ju  shkruaj e para rikujtoj e lajmëroj pandërprerë ditë e natë.

Borxhi publik përmes së cilit financohet deficiti buxhetor është po ashtu një patate e nxehtë transmetuar thjesht nga dora në dorë. Megjithëse, aktualisht nuk mundemi pa të, duhet pajtuar se, është themel dhe histori në vete në shpërndarjen e barabartë të parasë publike. Respektivisht, flitet gati se tre vite jo të plota për rënie të borxhit publik si dhe projeksion fiskal të  zvogëlim të deficitit buxhetor nga 2.5% për vitin 2019 në 2% për vitit 2022, dhe se kjo është tregues shumë i mirë, shkëlqyeshëm, porse në këtë tendencë aspak nuk ka vend e hapësirë për të qënurit pasiv, mbase shumë lehtë mund të humbasim edhe në këtë betejë. Sa për sugjerim, zvogëlimi i deficitit do të ndodh edhe më shumë vetëm atëherë kur të riniset disiplinë sistemore në reduktimin e shpenzimeve buxhetore të aq. “në ajër” qeveritare,…

Ngadalë e lehtë po ju vëzhgoj!