` . Mbahet në Tiranë Konferenca Shkencore “Institucioni i vakëfit në hapësirën ballkanike” – TV-SHENJA

Mbahet në Tiranë Konferenca Shkencore “Institucioni i vakëfit në hapësirën ballkanike”

Në vijim të aktiviteteve periodike të tij, Fondacioni “Alsar” organizon më 15-16 shkurt konferencën shkencore ndërkombëtare “Institucioni i vakëfit në hapësirën ballkanike”.

Një konferencë e cila do të mbahet në Tiranë, në Hotel “Tirana International”, e për organizimin e së cilës është dashur dhe bashkëpunimi me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe Universitetin “Selçuk” të Konjës, në Turqi.

Konferenca do të mbledhë në kryeqytet një numër të madh intelektualësh, personalitete të fushës në vendet e tyre.

Në referatet e shumta do të hidhet dritë mbi institucionin e vakëfit në trevat ballkanike gjatë periudhës osmane, si një instrument thelbësor për mbarëvajtjen e jetës shoqërore, pa munguar dhe analiza për sfidat dhe perspektivat e tij në ditët e sotme.

Kumtues të ndryshëm nga Shqipëria, Turqia, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina kanë për të shtjelluar gjatë dy ditëve të zhvillimit të konferencës shkencore ndërkombëtare historikun e institucionit të vakëfit në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni përgjatë periudhës osmane, të vakëfeve osmane në Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari e Greqi.

Ky aktivitet intelektual synon të japë një pasqyrim të saktë të institucionit të vakëfit në rajonin tonë, dhe njëkohësisht të rëndësisë së tij.