` . Masat e dhunshme kundër arsimit shqiptar në RS të Maqedonisë - TV-SHENJA

Masat e dhunshme kundër arsimit shqiptar në RS të Maqedonisë

Shkruan: Qerim Lita

Shqiptarët në Kosovë dhe në viset tjera nën federatën komuniste jugosllave, gjatë viteve shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, krahasuar me vitet e mëparshme të pas-Luftës së Dytë Botërore, patën një zhvillim të dukshëm politik, arsimor, kulturor, ekonomik social etj. Burimet arkivore vënë dukje se deri në vitin 1981 numri i përgjithshëm i nxënësve e studentëve në Kosovë arrinte shifrën prej rreth 450.000, që do të thotë se çdo i treti banor i Kosovës ishte në shkollim. Në vitin akademik 1980/81 në Universitetin e Prishtinës studionin mbi 48.000 studentë të rregullt e me korrespodencë. Edhe zhvillimi i veprimtarisë hulumtuese-shkencore ishte jashtëzakonisht i shpejtë. Gjithnjë duke u mbështetur në dokumentet arkivore kuptojmë se në Kosovë në atë kohë vepronin 18 institucione hulumtuese-shkencore në të cilat punonin 1.160 studiues.

Një zhvillim të përshpejtuar, sidomos në sferën e arsimit, përjetoi edhe popullsia shqiptare në RS të Maqedonisë. Burimet arkivore flasin se në vitin shkollor 1980/81 në RS të Maqedonisë veprimtaria edukativo-arsimore në gjuhën shqipe zhvillohej në 287 shkolla fillore, në të cilat gjithsej ishin përfshirë 74.503 nxënës dhe 2.980 mësimdhënës. Në arsimin e mesëm, për dallim nga viti shkollor 1946/47, ku pati vetëm një paralele të Normales me mësim në gjuhën shqipe me gjithsej 19 nxënës, në vitin 1980/81 paralele në të cilat mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe u hapën në mbi 20 shkolla të mesme me 8.226 nxënës dhe 333 mësimdhënës shqiptar. Krahas arsimit fillor dhe atij të mesëm, rezultate të dukshme pati edhe në arsimimin e lartë. Nëse në vitin 1950 në Maqedoni pati vetëm 18 studentë shqiptarë, ky numër në vitin 1980 arrin shifrën prej 2.365 studentë shqiptarë.

Duhet të vëmë në dukje se ky zhvillim erdhi menjëherë pas demonstratave shqiptare të vitit 1968 në Kosovë dhe në Tetovë, të cilat e detyruan udhëheqjen e atëhershme jugosllave, të ndërmarrë hapa më konkrete e më të përshpejtuara për avancimin e statusit të shqiptarëve, në përgjithësi, e veçmas për statusin e Kosovës.

Përderisa demonstratat e vitit 1968 në Kosovë dhe në Tetovë ndikuan pozitivisht në ngritjen dhe zhvillimin e gjithanshëm të shqiptarëve nën Jugosllavi, në anën tjetër demonstratat studentore të organizuara gjatë muajve mars-prill 1981 në Prishtinë dhe nëpër qytete tjera të Kosovës do të jenë pretekst që autoritetet komuniste jugosllave të ndërmarrin masa të dhunshme, për gjoja shuarjen e “aksionit armiqësor” përkatësisht “kundërrevolucionit” në Kosovë, i nxitur dhe i udhëhequr nga “forcat nacionaliste e irredentiste shqiptare”. Me një konstatim të tillë nuk do të pajtohen një pjesë e udhëheqjes kosovare, në krye me Mahmut Bakallin, të cilët ishin të bindur se demonstratat studentore të 11 marsit duhet të trajtoheshin si “shprehje e pakënaqësisë sociale”, e assesi “të karakterit kundërrevolucionar”. Mirëpo, e gjithë kjo nuk u mor në konsideratë nga shumica e udhëheqjes kosovare, e cila në tërësi i mbështeti vlerësimet e kryesive të RSFJ-së dhe të KQ të LKJ-së, me çka demonstratat e 11 marsit u konsideruan “armiqësore”, përkatësisht “kundërrevolucionare”.

Për rrjedhojë, brenda natës së 2-3 prillit në Kosovë u stacionuan njësi të shumta speciale policore, nga të gjitha republikat e atëhershme dhe të KSA të Vojvodinës, si dhe njësitë e shumta të APJ-së, të cilat nën pretekstin e “mbrojtjes së rendit shoqëror në Kosovë”, i cili siç thuhej në një dokument “është vënë në rrezik” për shkak të “veprimtarisë armiqësore e kundërrevolucionare të nacionalistëve e irredentistëve shqiptarë”, zhvilluan një fushatë të egër e të dhunshme kundër popullsisë së pambrojtur shqiptare. Burimet sekrete jugosllave bëjnë të ditur se vetëm gjatë një aksioni të zhvilluar midis 3-4 prillit, forcat policore-ushtarake jugosllave të instaluara në Kosovë “vranë 8 (tetë) demonstrues, plagosën 75 të tjerë, arrestuan 807 vetë, ndaj 28 të tjerëve u zhvillua një procedurë e shpejtë hetimore, ndërsa ndaj 698 personave të tjerë është ndërmarrë masa disiplinore….”.

Masa të ngjashme si në Kosovë, madje edhe më të ashpra, u ndërmorën edhe në RS të Maqedonisë, sidomos në sferën e arsimit e të kulturës shqiptare. Sinjalet e para erdhën nga Sekretari i atëhershëm i KQ të LKM-së, Millan Pançevski, i cili në mbledhjen e Kryesisë së këtij organi partiak, të mbajtur me 21 maj 1981, veç tjerash vuri në dukje se: “Ngjarjet në Kosovë, përveç karakterit të tyre kundërrevolucionar të orientuar kundër themeleve të RSFJ-së, kanë ndikim shumë negativ dhe drejtpërdrejt ndaj situatës politike edhe në Republikën Socialiste të Maqedonisë” dhe se “implikimet shumë të thella ndaj RSM-së”, të cilat siç shprehet, “rrjedhin nga veprimtaria armiqësore” në Kosovë dhe në Republikën e Maqedonisë, “shprehen në rrezikimin e integritetit dhe sovranitetit të RSFJ-së dhe RSM-së, ndaj barazisë dhe unitetit të kombit maqedonas dhe kombësive, në shpërndarjen e përhershme të ideve me ndikim nacionalist e irredentist te pjesëtarët e kombësisë shqiptare nga RSM, sjellje paternaliste të forcave nacionaliste dhe disa drejtues të caktuar nga Kosova për gjendjen e kombësisë shqiptare në RSM dhe indoktrinimi i përhershëm se ata posedojnë më pak të drejta se sa në Kosovë e ngjashëm.” Sipas Pançevskit, korrelacionet e këtyre ndikimeve “shprehen edhe nëpërmjet prezencës së numrit më të madh të studentëve dhe nxënësve të kombësisë shqiptare nga RSM në Kosovë, pranimit dhe dhënies së pozitave të rëndësishme profesionale e shoqërore personave nga RSM-ja në Kosovë, të cilët kanë qenë të dënuar dhe të kualifikuar si nacionalistë e irredentistë etj.” Ai, në fjalimin e tij të gjatë, haptazi e shprehu qëndrimin e tij shovinist dhe antishqiptar, duke kërkuar nga organet partiake e shtetërore maqedonase që në mënyrë të prerë e të rreptë: “t’u kundërvihen disa dukurive të caktuara negative në sistemin arsimor”, i cili sipas tij, “paraqet një ndër qendrat kryesore të nacionalizmit dhe shovinizmit” tek kombësia shqiptare dhe se i njëjti “shprehet në kërkesat dhe tendencat për krijimin e sistemit të ndarë e paralel arsimor sipas përkatësisë nacionale”, pastaj në “konceptimin e programeve, zhvillimin e mësimit, përmbajtjen e disa librave të caktuara etj.”. “Prezent janë edhe aso dukuri që gjatë zhvillimit të mësimit në radhë të parë në fushën e historisë, letërsisë, gjuhës, gjeografisë e ngjashëm nuk i shprehin në përmasa të duhura pikëpamjet marksiste për çështjen nacionale, barazinë, unitetin, proceset e krijimit të shteteve në Ballkan, ndërsa në këtë kontekst nuk janë përfshirë aq sa duhet edhe instruksionet e historisë sonë, veçmas nga LNÇ-ja dhe revolucioni socialist”, do të shprehet veç tjerash Millan Pançevski në mbledhjen e sipërpërmendur.

Ndërkohë, Kryesia e KQ të LKM-së formoi një komision, i cili pati për detyrë shqyrtimin e “gjendjes dhe të problemeve në realizimin e veprimtarisë edukativo-arsimore në gjuhën shqipe”, përkatësisht rishqyrtimin e plan-programeve mësimore të shkollave fillore e të mesme me mësim në gjuhën shqipe, të librave dhe literaturës shkollore, përmbajtjen e fletushkave për fëmijë, analizën e organizimit të aktiviteteve të lira të nxënësve dhe veprimtarisë publike kulturore etj. Komisioni, pas një pune disamuajshe, hartoi Analizën për gjendjen e përgjithshme të arsimit shqip në RSM, e cila do të miratohet në mbledhjen e gjashtëdhjetë e gjashtë të Kryesisë së KQ të LKM-së, të mbajtur më 12 janar të vitit 1982. Në të përshkruheshin “disa dukuri dhe dobësi” që, siç nënvizohej, “nuk janë në përputhshmëri me përcaktimet tona ideo-politike për zhvillimin e edukimit dhe të arsimimit”. Sipas saj, “dobësitë më të mëdha ishin konstatuar” në librat e leximit të gjuhës shqipe nga klasa V e deri te VIII, në të cilat, siç thuhej, “dominojnë tekstet e autorëve nga RS e Shqipërisë”, përfshi këtu edhe shkrimtarët bashkëkohorë, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Sterjo Spase, Fatos Arapi, Naum Prifti, Thoma Kaçorri, Fatmir Gjata, Spiro Çomora etj., me çka “krijohet hapësirë e mjaftueshme për indoktrinimin e drejtpërdrejtë të gjeneratës së re dhe, me temat, idetë dhe porositë që i ofrojnë, nxisin ndjenja nacionaliste”. Gjithashtu vërejtje serioze pati edhe në lëndën e historisë, si në shkollat fillore, ashtu edhe të atyre të mesme, ku thuhet se “gjatë përpunimit të përmbajtjes nga historia e kombësisë shqiptare nuk i është dhënë hapësirë e mjaftueshme bashkëjetesës dhe luftës së përbashkët të kombit maqedonas dhe të shqiptarëve që kanë jetuar në këtë pjesë të Ballkanit”, pastaj “glorifikimi i tepruar i disa personaliteteve dhe ngjarjeve të historiografisë shqiptare (sundimi i Ali Pashë Tepelenës, veprimtaria e Lidhjes së Prizrenit, kryengritjet e shqiptarëve të viteve 1909-1912 kundër regjimit xhon-turk, nuk është zbardhë dhe përpunuar pjesëmarrja e maqedonasve në luftërat e Skënderbeut, shkrime të tepruara për feudalët shqiptarë, në vend se të potencohet roli i masave popullore) etj.”. Më tej në analizë vihej në pah se në disa shkolla të caktuara “janë përfshirë edhe persona të gjykuar për veprimtari armiqësore kundër popullit e shtetit”, që sipas hartuesit e analizës, “personat e tillë janë të punësuar në komunat Kërçovë, Tetovë, Gostivar e Strugë, si edhe në disa komuna tjera.”.

Gjithnjë duke u mbështetur në burimet arkivore jugosllave, shohim se politika antishqiptare e udhëheqjes jugosllave, përkatësisht asaj serbe e maqedonase, merr përmasa edhe më të zgjeruara gjatë viteve 1987-1990. Në atë periudhë kohore komunistët e Beogradit, Shkupit e Prishtinës hartuan dhe miratuan programe e konkluzione të ndryshme për, siç thuhej, “luftën e ashpër kundër nacionalizmit e separatizmit shqiptar në Kosovë, Maqedoni e në diasporë”.

Ndër masat e shumta antishqiptare, që u ndërmorën në atë periudhë kohore në RS të Maqedonisë, duhet veçuar ato kundër arsimit në gjuhën shqipe, përkatësisht mbylljen e paraleleve në shkollat e mesme me mësim në gjuhën shqipe dhe hapjen e të ashtuquajturave paralele të përziera, ku mësimi zhvillohej në gjuhën maqedonase. Komiteti Republikan për Arsim dhe Kulturë Fizike, nëpërmjet një raporti dërguar Kuvendit Republikan, në mënyrë të hollësishme e përshkruante aktivitetin ideopolitik gjatë vitit 1987, në të cilin, përveç tjerash, vihej në pah: “miratimi i Programit për masat dhe aktivitetin për realizimin e konkluzioneve” në fushën e arsimit, e që kishin të bëjnë me “gjendjen aktuale politike e të sigurisë në KSA të Kosovës dhe për tejkalimin dhe përmbysjen e dukurive të kësaj forme në mjedise të caktuara të organizatave edukativo-arsimore në RS të Maqedonisë…”. Po ky komitetet, në qershor të vitit 1988, e informonte Kuvendin për përgatitjen e një “Programi operativ” për zbatimin e “konceptit të ri të arsimit të mesëm të orientuar”, sipas të cilit parashiheshin ndryshime rrënjësore, si në plan programet mësimore, ashtu edhe në mënyrën e regjistrimit të nxënësve për vitin shkollor 1988/89 etj.

Për rrjedhojë, në vitin shkollor 1988/89 në RS të Maqedonisë u mbyllën të gjitha paralelet e shkollave të mesme me mësim në gjuhën shqipe (përveç disa paraleleve të gjimnazeve në Shkup, Tetovë dhe Dibër) dhe, në vend të tyre, u hapën të ashtuquajtura “paralele të përziera”, në të cilat mësimi zhvillohej në gjuhën maqedonase. Një politikë të tillë kundër arsimit në gjuhën shqipe autoritetet e Shkupit e kishin paraparë shumë më herët, përkatësisht që në vitin 1985, kur u miratua “Ligji për arsimin e mesëm të orientuar”. Kështu, hartuesit e tij në nenin 11, pas paragrafit 2 dhe 3 ku parashihej e “drejta e shkollimit në gjuhën amtare të kombësisë shqiptare dhe të kombeve tjera jugosllave”, e shtojnë edhe një paragraf, në të cilin shprehimisht thuhej: “Nëse numri i nxënësve pjesëtarë të kombësive në RSM, përkatësisht të kombeve tjera të Jugosllavisë, në viset ku jetojnë, nuk është i mjaftueshëm për organizimin e paraleleve në gjuhën përkatëse, sipas dispozitave të këtij ligji këtyre nxënësve, të përfshirë në shkollat për arsimim të mesëm me mësim në gjuhën maqedonase, u garantohet edhe mësimi i lëndës së gjuhës së kombësisë, përkatësisht kombit përkatëse. Mësimi i tillë organizohet nëse në vitin e njëjtë shkollor ka së paku 15 nxënës pjesëtarë të kombësisë, përkatësisht kombit”.

Postime të Ngjajshme