` . Marrëdhëniet Shqipëri-Maqedoni 1988-1991 - TV-SHENJA

Marrëdhëniet Shqipëri-Maqedoni 1988-1991

Burimet diplomatike të kohës vënë në dukje, se bashkëpunimi jo vetëm kulturor, por edhe ai diplomatik e ekonomik midis Shqipërisë dhe Maqedonisë erdhi në shprehje në pjesën e parë të vitit 1991, përkatësisht me rënien e komunizmit, fillimisht në Jugosllavi, e më pas edhe në Shqipëri

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Në shkurt të vitit 1988 midis RSP të Shqipërisë dhe RSF të Jugosllavisë u ripërtëri “Marrëveshja për bashkëpunim shkencor, arsimor dhe kulturor”, e cila në mënyrë të njëanshme qe ndërprerë nga autoritetet jugosllave menjëherë pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Duhet theksuar se kundër asaj marrëveshje doli udhëheqja e atëhershme politike e RS të Maqedonisë, e cila siç dihej, asaj kohe, zhvillonte një fushatë të egër e represive kundër shqiptarëve. Kreu shovinist maqedonas, i udhëhequr nga Jakov Llazarevski, Gligorie Gogovski, Savo Klimovski etj., kërkonte që kjo marrëveshje të mos zhvillohet në rangun shqiptaro-shqiptar, përkatësisht Shqipëri-Kosovë, por në rangun: RPS Shqipërisë–RSF e Jugosllavisë, me çka do të sigurohej bashkëpunimi dhe lidhja në fushën e arsimit dhe kulturës me pakicën nacionale “maqedonase”, si edhe atë “serbe” dhe “malazeze”, që jetonin në Shqipëri. Në dhjetor të vitit 1988 Këshill Ekzekutiv i raportonte Kuvendit të RS të Maqedonisë për rrjedhat e bashkëpunimit kulturor me RSP të Shqipërisë gjatë atij viti kalendarik, ku veç tjerash thuhej: “…Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e shkencës, arsimit e kulturës midis dy vendeve nuk i shpreh parimet e barazisë, dobisë së përbashkët, interesit reciprok dhe nuk krijon parakushte për bashkëpunim në të gjitha fushat; se me të nuk është paraparë realizimi i bashkëpunimit në dobi të pjesës së kombeve jugosllave, të cilat jetojnë si pakicë nacionale në RPS të Shqipërisë, nuk parashihet që bashkëpunimi të zhvillohet nëpërmjet asociacioneve të nivelit federativ (në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, sportit) dhe, së fundi, se ky Projekt, sipas propozimit të përmbajtjes, në përmasa të mëdha është në funksion të plotësimit të interesave të njëanshme me shprehje të manifestimit me karakter propagandues, ndërsa një pjesë e aktiviteteve janë të orientuara në radhë të parë kah ato vise të vendit tonë ku jeton kombësia shqiptare…”.

Është e rëndësishme të theksohet se deri në vitin 1991 marrëveshja e sipërpërmendur ngeli vetëm në letër, pasi brenda asaj periudhe kohore midis dy regjimeve komuniste nuk pati asnjë bashkëpunim kulturor ose arsimor. Burimet diplomatike të kohës vënë në dukje se bashkëpunimi jo vetëm kulturor, por edhe ai diplomatik e ekonomik, midis Shqipërisë dhe Maqedonisë erdhi në shprehje në pjesën e parë të vitit 1991, përkatësisht me rënien e komunizmit, fillimisht në Jugosllavi, e më pas edhe në Shqipëri. Më 29 prill të vitit 1991 një delegacion i RS të Maqedonisë, i udhëhequr nga nënsekretari i Ministrisë së Bujqësisë, Risto Kruntovski, udhëtoi për Shqipëri, përkatësisht në Korçë. Qëllimi i këtij udhëtimi, siç vënë në dukje burimet e sipërpërmendura, kishte qenë “dëshira e madhe e Qeverisë së RS të Maqedonisë për ofrimin e ndihmës teknike-profesionale, popullsisë së zonës së Prespës, ku në 9 fshatra të kësaj zone jetojnë maqedonas..”.

Siç do të shohim në vazhdim, pikërisht kjo popullsi e vogël sllave, e cila sipas statistikave zyrtare të Shqipërisë nuk e kalonte shifrën e 4.500 banorëve, e cila varësisht prej situatës politike momentale, herë deklarohej si maqedonase e herë si bullgare, do të shfrytëzohet nga udhëheqja politike maqedonase, që të drejtat e rreth 600.000 shqiptarëve në atë republikë të atëhershme jugosllave, të kushtëzoheshin me të drejtat e një grushti “maqedonasish” në Shqipëri. Nënkryetari i Qeverisë së Maqedonisë, Bllazhe Ristevski, i cili mori pjesë në takimin e tretë të Konferencës së Dimensionit Njerëzor të OSBE-së, mbajtur më datë 19-26 shtator 1991 në Moskë, para mediave sovjetike, veç tjerash, deklaroi se në Shqipëri jetojnë “140.000 maqedonas”, dhe se ata duhet “t’i gëzojnë të drejtat e njëjta sikurse shqiptarët në Maqedoni”. Pyetjes së gazetarit se sa është numri i shqiptarëve në Maqedoni dhe cilët të drejta ata i gëzojnë, Ristevski, si një antishqiptar i përbetuar, i përgjigjet si më poshtë: “…Në Maqedoni ka relativisht pak shqiptarë: rreth 20 për qind ose 480.000. Ndërsa para dhjetë vjetëve ishin 380.000. Progres i çoroditur! Për këtë kontribuoi shpërngulja nga Kosova. Ne me Kosovën do të vendosim kufi. Ata atje problemet le t’i zgjedhin vet ashtu siç dëshirojnë, ndërsa në Maqedoni të mos prekin asgjë…. Ata (shqiptarët – Q.L.) patjetër duhet ta kuptojnë se ky megjithatë është shtet maqedonas. Ata mund të ngelin vetëm si pakicë nacionale, me të gjitha të drejtat që u takojnë…”.

Kjo deklaratë shoviniste e dalë nga goja e një përfaqësuesi të lartë të ashtuquajturës “qeveri e ekspertëve”, e votuar edhe nga deputetët e dy partive të atëhershme shqiptare (PPD dhe PDP), nuk mund të kualifikohet ndryshe, përveçse vazhdimësi e politikës antishqiptare komuniste maqedonase, e filluar pikërisht gjatë viteve tetëdhjeta të shekullit të kaluar. Siç dihet, udhëheqja komuniste maqedonase, asaj kohe, në emër të “përmbysjes së nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, ndërmori një sërë masash represive kundër popullsisë shqiptare, disa prej të cilave po i përmendim në vazhdim: diferencimi ideopolitik dhe largimi nga puna i kuadrit arsimor shqiptar; mbyllja e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në shkollat e mesme dhe në Akademinë Pedagogjike; tërheqja nga përdorimi, përkatësisht ndalimi i përdorimit të literaturës së mirëfilltë shqiptare; rrënimi i mureve; përdorimi i toponimeve sllave për vendbanimet me emërtime shqiptare si p. sh: Shkupit t’i thuhet Skopje, Tetovës – Tetovo, Kërçovës – Kiçevo, Manastirit – Bitolla, Dibrës – Debar etj.; ndalimi i emërtimit të foshnjeve me emra burimorë shqiptarë, si p.sh. Kushtrim, Liridon, Flamur, Alban, Albana, Arbër, Arbëresha, Valbon, Valbona etj.,; ndalimi me ligj i këngëve burimore shqiptare; ndalimi që një çift bashkëshortor shqiptar të ketë më shumë se tre fëmijë; uzurpimi i pronës shqiptare; marrja në stërvitje ushtarake të vajzave shqiptare, që ishte presion ndaj familjeve tradicionale shqiptare etj. Këto, si dhe një sërë masash të tjera represive, ndikuan që gjatë viteve të tetëdhjeta të ringjallet shpërngulja e popullsisë shqiptare jo vetëm për në Turqi, por edhe dhe në shtetet e Evropës Perëndimore dhe në SHBA. Sipas disa burimeve që i posedojmë, gjatë asaj periudhe kohore kemi mbi 5.000 familje shqiptare të shpërngulura për në Turqi, shumica nga rrethi i Shkupit dhe i Kumanovës, ndërsa po aq ishte edhe numri i familjeve të cilët u shpërngulen për në SHBA dhe në shtetet e Evropës Perëndimore. Andaj nuk qëndron thënia e Ristevskit se shtimi i popullsisë shqiptare në Maqedoni gjatë viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar është rrjedhojë e “vërshimit të tyre nga Kosova”. Burimet e kohës theksojnë se pikërisht gjatë asaj periudhe kohore kemi një vërshim masiv të popullsisë shqiptare nga Maqedonia për në Kosovë, veçmas të krahut intelektual, të cilët për shkaqe politike qenë detyruar të vendoseshin në Prishtinë ose në qytetet e tjera të Kosovës.

Janë një mori dokumentesh, të cilat e vërtetojnë thënien e mësipërme, ndërsa këtu po i referohemi dokumentit me titull “Informatë me Vlerësime lidhur me aktivitetet dhe masat e ndërmarra në LKM për implementimin e Konkluzioneve nga Mbledhja e 9 e KQ të LKJ-së gjatë periudhës janar-qershor 1988”, hartuar në korrik të atij viti, ku veç tjerash thuhet: “…Në bashkëpunim me organet kompetente ndërmerren masa dhe aktivitete për përcjellje të lëvizjeve të migracionit në RSM dhe nga KSA e Kosovës dhe të viseve të tjera ndaj RSM-së, përpjekje për përqendrimin e popullsisë së kombësisë shqiptare në mjedise dhe territore të caktuara (Shkup – shkëmbim të banesave nga pjesë të tjera të qytetit për banesa më të vogla në territorin e komunës Çair me popullsi të kombësisë shqiptare për shkak homogjenizimit të popullsisë) dhe keqpërdorimet që dalin nga kjo – nga ana e nacionalistëve e separatistëve shqiptar, shtypje nga ato mjedise ndaj popullsisë joshqiptare dhe masa për eliminimin e pasojave negative nga situatat e tilla…. Në fushën e urbanizmit dhe marrëdhënieve pronësore-juridike rëndësia e aksionit dhe prioriteti në komunat me popullsi të përzier nacionale i është dhënë implementimit të detyrave për zgjidhje të marrëdhënieve pronësore-juridike dhe pastrimin e lokaliteteve në të cilat, në periudhën e deritanishme, vlerësohet se ka pasur tendenca për homogjenizim nacional dhe homogjenizim tjetër, siç është rasti i lokalitetit në Shkup, ku në radhë të parë janë nga ana e majtë e lumit Vardar. Kështu, në komunën Qendër, për t’u nënvizuar janë detyrat e kryera për pastrimin e lokacionit ‘Çairçana’, ku tashmë janë krijuar kushtet për fillimin e ndërtimit kolektiv banesor…. Gjithashtu, në këtë lokalitet, pas procedurës gjyqësore, si pronë shtetërore janë kthyer shtatë dyqane në Suli Han, të shfrytëzuara nga Bashkësia Fetare Islame. Në rrjedhë është procedura gjyqësore për rregullimin e marrëdhënieve pronësore për 11 dyqane në përbërje të Kapan Han… etj.”.

Është me interes të vihet në dukje fakti se gjatë qëndrimit në Moskë, Ristevski zhvilloi një takim joformal me shefin e delegacionit shqiptar, Kadri Senko, përndryshe ushtrues i detyrës së Komisionit Shqiptar në Gjenevë, ku sipas njoftimit të Ministrisë për Marrëdhënie me Jashtë të RS të Maqedonisë, diplomati shqiptar, veç tjerash, qenka shprehur se pakica maqedonase në Shqipëri “ende nuk i gëzon të gjitha të drejtat, siç i gëzojnë shqiptarët” në Maqedoni. Ministria për Marrëdhënie me Jashtë më 1 tetor 1991 i raportonte Qeverisë së Maqedonisë për rrjedhën e bisedës midis Ristevskit dhe Senkos, në të cilën shprehimisht thuhej: “Gjatë bisedës me bashkëbiseduesin, përveç qëndrimeve të njohura të Maqedonisë, në mënyrë të veçantë iu ekspozuan përpjekjet që po i bën udhëheqja maqedonase për vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët. Lidhur me këtë, iu numëruan kontaktet dhe takimet e shumta midis udhëheqjes maqedonase dhe asaj shqiptare, si dhe numri i madh i kontakteve dhe i shkëmbimit të vizitave të delegacioneve të ndryshme, të cilat janë në funksion, në radhë të parë, për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik. Ekzistimi i pakicës nacionale maqedonase në Shqipëri dhe i pakicës shqiptare në Maqedoni janë vetëm arsyet e mira që bashkëpunimi midis dy shteteve të jetë shembulli në Ballkan. Lidhur me pozitën e pakicave u theksuan principet tona të njohura, të cilat i kërkojmë edhe nga vendet tjera fqinje. Nga ana jonë u shpreh përkrahja për proceset pozitive që po ndodhin në Shqipëri dhe raportet e saj me pakicën nacionale maqedonase. Në këtë kontekst u vlerësua pozitivisht qëndrimi i pushtetit shqiptar me regjistrimin e shoqërisë ‘Vëllazërimi’ dhe ‘Prespa’, emetimin e emisioneve në gjuhën maqedonase etj. Bashkëbiseduesi u pajtua plotësisht me qëndrimet e shprehura, për çka vlerësoi se Shqipëria është e gatshme që çështjet t’i zgjidhë përmes dialogut, ndërsa përdorimin e forcës e konsiderojnë si çështje absurde. Janë të vetëdijshëm se maqedonasit në Shqipëri ende nuk i gëzojnë të gjitha të drejtat, të cilat i gëzojnë shqiptarët në Maqedoni, por për këtë theksoi se shumë të drejta deri më tash nuk i kanë gëzuar as edhe vet qytetarët e Shqipërisë. Por, vazhdoi bashkëbiseduesi, nga tash do t’i zbatojmë standardet evropiane për të gjithë qytetarët. Marrëdhëniet midis maqedonasve dhe shqiptarëve në të dyja shtetet do të jenë barometër për marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Shqipërisë, duke theksuar në mënyrë të veçantë se me krijimin e ‘Vatrës së Ballkanit’ nevojitet që të gjitha vendet e këtij regjioni të bëjnë shumë më tepër. Më tej shtoi se është e njohur se kufijtë në Ballkan janë politikë, e jo etnikë, por si të tillë të gjithë janë të detyruar t’i respektojnë, me detyrë për ekzistimin e tyre të përhershëm e të pandryshueshëm…”.

Duhet theksuar se një kushtëzim i tillë i autoriteteve zyrtare të Shkupit ishte rrjedhojë e gjendjes së përgjithshme politike në Shqipëri, e cila asaj kohe ishte kaotike, thuajse në kufirin e një anarkie, në radhë të parë për shkak skamjes dhe varfërisë së madhe, por edhe mllefit ndaj Partisë së Punës, e cila ishte rrjedhojë e ngritjes gjithnjë e më shumë të zërit nga opozita e bashkuar, të cilës i printe Partia Demokratike Shqiptare. Në qershor të vitit 1991 Ministria e Informatave e RS të Maqedonisë, duke e përshkruar situatën e përgjithshme politike në Shqipëri, theksonte: “…Interesat e veta për prezencë sa më të madhe në Shqipëri, në radhë të parë në planin ekonomik, i manifestojnë Greqia dhe Italia, ndërsa nga ana shqiptare në mënyrë të hapur theksohet se ky vend – kur bëhet fjalë për republikat jugosllave, është i gatshëm të bashkëpunojë në radhë të parë me Maqedoninë”. Prandaj – thuhet në vazhdim – “Qeverisë së Maqedonisë e më gjerë i ngelet që në një afat sa më të shkurtë t’i shqyrtojë interesat dhe nevojat e veta për bashkëpunim me fqinjin tonë perëndimor dhe në atë drejtim të reagojë me kohë…”.

Po gjatë atij muaji (qershor 1991), me ftesë të Lidhjes së Gazetarëve Shqiptarë, për vizitë treditore në Shqipëri qëndroi delegacioni i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, i përbërë prej 25 gazetarëve, në mesin e të cilëve kishte edhe një numër të vogël të gazetarëve shqiptarë të redaksive të RTV Shkupit, programi në gjuhën shqipe, e të “Flakës së Vëllazërimit”. Në dy ditët e para ata zhvilluan takime të shumta me institucionet shtetërore, politike, kulturore e arsimore. Në suazat e këtyre takimeve duhet veçuar edhe takimin me liderin e opozitës shqiptare, z. Sali Berisha, i cili veç tjerash ua paraqiti programin politik të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Në ditën e tretë, përkatësisht më 11 qershor, gazetarëve të Maqedonisë iu bashkëngjit edhe ministri i Informatave, Martin Trenevski, i cili u prit nga ministri i Jashtëm Shqiptar, Muhamet Kapllani, i cili në fjalimin e tij “shprehu interesim të madh për situatën e përgjithshme në Jugosllavi”, për rrjedhat e bisedimeve të “kryetarëve të gjashtë republikave”, veçmas në kontekstin e platformës Gligorov-Izetbegoviq.

Ndërkohë, më 25-26 korrik të vitit 1991, një delegacion i lartë i Qeverisë së Maqedonisë, i udhëhequr nga kryeministri Nikolla Klusev, qëndroi në Shqipëri. Së bashku me Klusevin udhëtoi edhe zëvendëskryeministri Beqir Zhuta, ndërsa një ditë më parë (24 korrik) kishin udhëtuar: Denko Maleski, ministër i Punëve të Jashtme, Goce Petreski, ministër për Zhvillim dhe Jane Milovski, ministër pa resor. Tre ministrat në fjalë u pritën nga Ilir Boçka, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Qeverisë së “Shpëtimit Kombëtar”, e cila kohë më parë, për shkak të demonstratave masive të organizuara nga Partia Demokratike e Shqipërisë, zëvendësoi qeverinë socialiste të udhëhequr nga Fatos Nano. Ndryshe, kjo qeveri, në të cilën merrnin pjesë edhe ministra të propozuar nga Partia Demokratike, konsiderohej si kalimtare, përkatësisht deri te mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat u mbajtën më 22 mars të vitit 1992. Gjatë bisedës së zhvilluar, ministri D. Maleski, në pika të shkurta, e informoi nikoqirin për gjendjen në Jugosllavi, për përpjekjet e Maqedonisë për “ndërtimin e bashkësisë së re jugosllave të shteteve të pavarura” mbi bazën e platformës Gligorov-Izetbegoviq.

“…Respektimi i integritetit territorial – shprehet Maleski – dhe i sovranitetit të vendeve ballkanike është parakusht për rrugën tonë në mënyrë të qetë kah Evropa. Pakicat duhet të jenë urë për afrimin midis popujve dhe shteteve dhe se në Ballkan nuk ka asnjë shtet i cili në të kaluarën nuk është dëmtuar. Përfaqësuesit e pakicave duhet të jenë qytetar lojalë të vendeve të tyre dhe nuk duhet të shfrytëzohen për përzierje në punët e brendshme të vendeve tjera..”.

Është me rëndësi të vihet në dukje fakti, se për dallim nga takimet e mëhershme, kësaj radhe autoritetet qeveritare shqiptare ishin shumë më të kujdesshëm kur flisnin për problemin shqiptar në përgjithësi nën Jugosllavi, e për shqiptarët në Maqedoni në veçanti. Pa dyshim se për një qasje të tillë, rol të rëndësishëm, për mos me thënë vendimtar, pati kyçja e frymës së re, përkatësisht asaj demokratike shqiptare brenda strukturës udhëheqëse të Qeverisë shqiptare. I tillë ishte edhe fjalimi i zëvendësministrit të Jashtëm, Ilir Boçka, i cili pasi i njoftoi mysafirët për situatën e brendshme të Shqipërisë, ndalet në problemin shqiptar nën Jugosllavi: “…Qeveria shqiptare e shpreh brengosjen për fatin e 3 milionë shqiptarëve në Jugosllavi, të cilët si faktor i rëndësishëm të Federatës jugosllave duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që i gëzojnë kombet e tjera dhe duhet ta kenë rolin e barabartë në bisedimet për të ardhmen e Jugosllavisë. Për këtë arsye Qeveria Shqiptare, në mënyrë të vazhdueshme, proteston para opinionit dhe institucioneve ndërkombëtare kur nuk respektohen të drejtat e njeriut shqiptarnë Jugosllavi. Qeveria shqiptare interesohet jashtëzakonisht që shqiptarët në Maqedoni t’i kenë të drejtat e njëjta me kombet e kombësitë tjera. Pakica maqedonase në Shqipëri i gëzon frytet e demokratizimit sikurse edhe qytetarët tjerë të Shqipërisë….”.

Tre ministrat e Maqedonisë u takuan edhe me sekretarin e Partisë Demokratike Shqiptare, z. Eduard Selamin, i cili i njoftoi për programin dhe aktivitetin e partisë së tyre. Siç u tha më lart, delegacionit të Maqedonisë, të nesërmen, më 25 korrik 1991, iu bashkëngjit edhe kryeministri Nikolla Klusev dhe zëvendësi i tij, Beqir Zhuta. Ata u pritën nga nënkryetarët e Qeverisë së Shqipërisë: Gramos Pashku dhe Zudi Pepa, ministri i Kulturës, Preç Zogaj, ministri i Jashtëm, Muhamet Kapllani, zëvendësi i tij, Ylli Boçka dhe Leonidha Martiri, përgjegjëse për sektorin për Jugosllavinë pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në takim mori pjesë edhe ambasadori i RSFJ-së në Tiranë, Predrag Pjaniq dhe Viktor Gaber, këshilltar pranë Ambasadës së RSFJ-së në Tiranë.

Gjatë bisedës, N. Klusevi e ngriti çështjen e marrëdhënieve ndërnacionale në Maqedoni, duke u shprehur se “shqiptarët në Maqedoni i gëzojnë të gjitha të drejtat në përputhje me Aktin e Helsinkut”, që nënkuptonte të drejta që i takonin “një pakice nacionale”, e jo një kombi, i cili për nga numri ishte i dyti, menjëherë pas maqedonaseve, me rreth 600.000 banorësh ose më shumë se 1/4 e popullsisë së përgjithshme. Duke folur në atë drejtim, ai e përmendi “të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare, për shtypin, programin radio-televiziv, kulturën” etj., duke shtuar se “Maqedonia është e interesuar që maqedonasit në Shqipëri, të cilët kanë të drejtë të mësojnë në gjuhën e tyre amtare vetëm në katër vitet e para të shkollimit fillor tetëvjeçar, t’i gëzojnë të drejtat e njëjta, edhe atë jo vetëm maqedonasit në Prespë të Vogël, por edhe të gjithë të tjerët të shpërndarë në mbarë vendin…”. Në shenjë përkrahje të fjalimit të Klusevit, por edhe për ta mbrojtur qëndrimin politik të udhëheqjes maqedonase ndaj problemit shqiptar në atë republikë, fjalën e mori ministri D. Maleski, i cili veç tjerash tha: “…Ekziston kodeksi evropian për të drejtat e njeriut (ai politik, ekonomik, kulturor dhe nacional) e nëse rëndësi të jashtëzakonshme i japim vetëm njërës nga ato të drejta – nacionales – atëherë mund ta ndezim Ballkanin. Është shansi historik që t’i afrohemi Evropës, mirëpo çdo diskutim për shtete të mëdha nënkupton konfrontim dhe luftë. Duhet të ballafaqohemi me realitetin, ta respektojmë integritetin territorial të vendeve, t’u bashkangjitemi konventave ndërkombëtare dhe pakicat nacionale (duke aluduar te shqiptarët – Q. L.) të mos i shfrytëzojmë për rrënimin e shteteve…”.

Përfaqësuesit e Qeverisë shqiptare, duke iu përgjigjur kërkesës së Klusevit, lidhur me pakicën maqedonase në Shqipëri, vunë në dukje se: “duke e pas parasysh faktin se numri i madh i popullsisë shqiptare jeton jashtë vendit”, ata përpiqen gjithmonë që “të gjitha pakicat në Shqipëri, përfshi edhe pakicën maqedonase, t’i gëzojnë të drejtat që i ka kombi shqiptar”:

“…Kur flitet për disa mijëra maqedonas në Shqipëri, duhet të flitet edhe për disa qindra mijëra shqiptarë në Maqedoni të cilët nuk duhet harruar dhe për këtë arsye duhet të hapen kufijtë dhe atyre t’u lehtësohet kalimi i tyre… Problemi nuk është në krijimin e Maqedonisë së Madhe ose të Shqipërisë së Madhe, se atë çështje ata fare nuk e shtrojnë, por është fakt se ekzistojnë probleme ndërnacionale dhe ata nuk duhet të fshihen. Qeveria shqiptare është thellë e brengosur për situatën në Jugosllavi, sepse ajo paraqet rrezik për të gjithë në Jugosllavi, për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Të gjitha problemet në Jugosllavi duhet të zgjidhen përmes rrugës paqësore, në interes të mbarë kombeve, pra edhe të shqiptarëve në Jugosllavi të cilët janë 3 milionë…”.

Në fund të bisedës, të dy palët u pajtuan që, midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, bashkëpunimi të zhvillohet në të gjitha fushat dhe të jetë “faktor i afrimit midis kombeve”. Kryeministri Klusev dhe zëvendësi i tij, Beqir Zhuta, u takuan edhe nga Ramiz Alija, atë kohë kryetar i Shqipërisë, si dhe nga kryetari i Korçës, ndërsa e vizituan edhe fshatin me popullsi maqedonase Liqenas (Pustec).

Një muaj pas kësaj, përkatësisht më 26-27 gusht të vitit 1991 për vizitë zyrtare në Maqedoni, qëndroi një delegacion i lartë i Qeverisë Shqiptare, në përbërje: Zudi Pepa, zëvendëskryeministër, Drin Mezini, ministër për Resurset e Minierave e të Energjetikës, Agim Mero, ministër për Tregti të Brendshëm dhe për Turizmin dhe Fatos Bitincka, ministër i Transportit. Qëllimi i kësaj vizite, ashtu siç thuhet në Protokollin e dalë nga biseda e zhvilluar më 26 dhe 7 gusht në Ohër midis dy delegacioneve, ka qenë “shkëmbimi i informatave për zhvillimin ekonomik të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë”, bashkëpunimi i deriatëhershëm dhe mundësitë për zgjerimin dhe ngritjen në nivelin më të lartë etj. Delegacionin e Qeverisë së Maqedonisë e udhëhiqte Jovan Andonov, zëvendëskryeministër, ndërsa në përbërje ishin edhe: Beqir Zhuta, zëvendëskryeministër, Aleksandër Lepavcev, ministër i Urbanizmit, Ndërtimtarisë, Komunikacionit dhe Ekologjisë, Stojan Trajanovski, ministër i Ekonomisë etj.

Si rrjedhojë e bisedimeve dyditore, palët arritën marrëveshje për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave në fushën e elektroekonomisë, bujqësisë, minierave, teknologjisë, komunikacionit etj. Në fund të dyja palët shprehën nevojën për kontaktet dhe takimet e mëtutjeshme të ministrive përkatëse të dy shteteve për fusha të caktuara ekonomike për, siç thuhet në Protokoll, “konkretizimin e bashkëpunimit dhe realizimin e projekteve konkrete”. Gjithashtu, u tha se ky bashkëpunim “duhet të zgjerohet edhe në fushën e shkencës e të kulturës”, për çka është paraparë që ministrat e shkencës e të kulturës së shpejti të realizojnë takim në Republikën e Shqipërisë, “me çka do të mundësohet shkëmbimi i njohurive dhe i përvojave nga kjo fushë, mbi bazën më serioze…”.

Si rrjedhojë e këtyre dy takimeve të larta qeveritare, së shpejti midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë u arrit marrëveshja për hapje të zyrave diplomatike në Shkup dhe në Tiranë. Përfaqësuesi i parë diplomatik shqiptar në Shkup u emërua Leonidha Martiri, të cilin në vitin 1993 e zëvendësoi Shaban Murati, i cili u emërua ambasador i plotfuqishëm i Qeverisë së Shqipërisë në Maqedoni.