` . Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë më 1974 - TV-SHENJA

Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë më 1974

Ky Raport-program mban mbishkrimin “Tepër rezervat” dhe porositet që të shfrytëzohet vetëm për përdorim personal. Raporti është i shkruar në dy gjuhë, serbisht dhe shqip, është i rrahur me makinë shkrimi dhe vjen qartë i lexueshëm dhe korrekt

Shkruan: Nuridin AHMETI, Prishtinë

Filozofi, politologu, veprimtari, autori i disa shkrimeve me krater filozofik e politik, i njohur edhe për librin e tij ”Filozofia politike e çështje shqiptare”, i shkolluar në Prishtinë, Zagreb e SHBA, ligjërues në Universitet të Prishtinës, Mr. Ukshin Hoti, në vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar i kishte bërë vend vetes edhe në, siç quhej asokohe, Sekretariatin Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme. Për më tepër, nga të dhënat e dokumentacionit të këtij sekretariati, rezulton se Mr. Ukshin Hoti, së bashku me Prof. dr. Zejnullah Grudën, përbënin dy shtylla kryesore në udhëheqjen e këtij shërbimi. Sigurisht, duke qenë në pozita me rëndësi në këtë sekretariat, Mr. Ukshin Hotit do t’i binte për hise që të përgatiste edhe raporte e programe specifike që lidheshin me natyrën e punës së këtij sekretariati.

Kështu, në mesin e shumë dokumenteve që ruhen në Arkivin e Kosovës, në fondin e Sekretariatit Krahinor për Marrëdhënie me Botën e Jashtme, gjenden edhe shumë dokumente që mbajnë firmën e Mr. Ukshin Hotit, aq sa ky fond, jozyrtarisht nga hulumtuesit dhe punonjësit e Arkivit të Kosovës, quhet edhe si “Fondi i Ukshin Hotit”. Në mesin e kësaj shumësie dokumentesh të hulumtuara nga ky fond, vëmendjen tonë posaçërisht e ka tërhequr një Raport-program i përgatitur nga Mr. Ukshin Hoti, i cili më 20 nëntor 1974 i qe dërguar Kryesisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës me titull “Marrëdhëniet midis RSF të Jugosllavisë dhe të RP të Shqipërisë-Pozita e KSA të Kosovës dhe detyrat e saj”.

Ky Raport-program mban mbishkrimin “Tepër rezervat” dhe porositet që të shfrytëzohet vetëm për përdorim personal. Raporti është i shkruar në dy gjuhë, serbisht dhe shqip, është i rrahur me makinë shkrimi dhe vjen qartë i lexueshëm dhe korrekt.

Gjatë prezantimit të këtij dokument raporti, në këtë vështrim tonin, jemi mbështetur në versionin e tij në gjuhën shqipe, pa bërë ndonjë shënim plotësues dhe pa hequr asgjë dhe gjithmonë duke e krahasuar edhe me versionin në gjuhën serbe. Tri janë arsyet kryesore përse e kemi parë të udhës që lexuesit t’ia sjellim këtë vështrim:

E para, sepse ky lloj Raport-program në kohën kur është shkruar ka qenë “Tepër rezervat” dhe është hartuar nga një personalitet dhe njohës i mirë i filozofisë politike shqiptare;

E dyta, sepse, për aq sa jemi në dijeni, ky Raport-program nuk është botuar si i plotë në tërësinë e tij ose në ndonjë version të shkurtuar deri më sot;

E treta, sepse lexuesi mund ta shohë se cili ka qenë qëndrimi dhe vizioni i Ukshin Hotit për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë në ato vite, si i ka parë ai këto marrëdhënie dhe çfarë propozime dhe sugjerime ka dhënë në këtë drejtim.

Por, para se ta paraqesim këtë Raport-propozim, e shohim të udhës të theksojmë edhe se ky dokument nis me një vështrim për marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi që nga viti 1968, pastaj me ngjarjet që kishin ndodhur në Çekosllovaki, kur Rusia e kishte pushtuar atë dhe, sipas hartuesit të Raportit, Mr. Ukshin Hotit, këto marrëdhënie deri në vitin 1974 “karakterizohen me linjën e zhvillimit të përgjithshëm”, por që ende ekzistojnë kundërthënie. Në dokument flitet edhe për marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, të cilat vendosen më 1970, pas fjalimeve të Enver Hoxhës në Tropojë dhe Titos në Ulqin, të mbajtura më 1969.

Dokumenti po ashtu flet edhe për marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me vendet e tjera të botës. Por, sipas autorit të këtij dokumenti, “Orientimi kah forcimi i bashkëpunimit midis dy vendeve tona është i theksuar përsëri në Kongresin X të LKJ-së, e pastaj në fjalimin e Enver Hoxhës, Sekretariatit të Parë të Partisë së Shqipërisë të Punës, në fillim të tetorit të këtij viti gjatë kohës së takimit të tij me zgjedhësit e vet, si dhe në fjalimin e Mehmet Shehut në tetor të këtij viti para Kuvendit me rastin e formimin të qeverisë së re. Sa i përket RSFJ-së, në fjalimin e shokut Tito, në Kongresin e dhjetë dhe në Rezolutën e Kongresit me titull “LKJ në luftën për paqë, për bashkëpunimin ndërkombëtar të barabartë dhe për socializmin” theksohet se LKJ konsideron zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore “me interes vital për vendin tonë dhe se kjo përfaqëson një nga komponentet themelore të politikës së jashtme të RSFJ-së”.

Mund të thuhet se ky Raport-program është i përbëre nga dy shtylla:

shtyllën e parë paraqiten marrëdhëniet e Shqipërisë me Jugosllavinë, me theks të veçantë me Kosovën, ku prezantohet mbarëvajtja e këtyre marrëdhënieve, si në aspektin ekonomik, kulturor e arsimor.

Vlen për t’u theksuar se përpiluesi i dokumentit, sa i takon aspektit kulturor të Shqipërisë, thotë se në Shqipëri “manifestimeve kulturale i kushtohet kujdes i madh”. Në të vërtetë, për të këto manifestime kanë rol të dyfishtë: “a. rolin mobilizues dhe b. rolin afirmues. Duke pasur parasysh karakterin relativisht të mbyllur të shoqërisë shqiptare, në luftën e tyre të pandërprerë kundër të ashtuquajturve ndihmave të huaja, në RP të Shqipërisë kjo formë e jetës po bëhet zëvendësim i një jete të llojllojshme kulturale dhe masat në këtë mënyrë po mobilizohen. RP e Shqipërisë bën shumë përpjekje që t’i afirmojë vlerat vetiake kulturale, duke u munduar të mbajë autenticitetin dhe më atë të afirmohet në botë. Duke aplikuar mësimin e marksizmit-leninizimit, si pasojë ata në kulturë bëjnë përpjekje që vlerat tradicionale të inkorporohet në vlerat moderne, por të vërteta kulturale, sepse modernizimi, nëse nuk është i bazuar në traditë autentike, thuhet në Shqipëri, po bëhet sterilitet e jo ndërrime kulturale. Ata e shohin këtu ndryshimin midis politikës kulturale dhe politikës së këtillë në vendet kapitaliste dhe “revizioniste” dhe këtu bazohen kritikat e tyre të ashpra kundër ndikimit të huaj. Mirëpo, kultura tradicionale kurrë nuk mund të jetojë veç nga rrjedhat kryesore të jetës së civilizuar, prandaj RP e Shqipërisë dëshiron që në këtë pikëpamje të hapet, por në mënyrë selektive dhe graduale. Ajo nuk dëshiron t’i shtyjë vlerat e veta kulturale me vërshimet e kulturave tjera”.

Shtylla e dytë ka të bëjë me sugjerimet që dokumentshkruesi i ofron për mbarëvajtje sa më të mirë të marrëdhënieve në mes të Shqipërisë e Kosovës, ku në mes tjerash sugjeron: “Në LK dhe në organizatat e tjera shoqëroro-politike të bëhet më intensive aktiviteti ideo-politik me interpretimin dhe në kuptimin esencial të disa momenteve, në bashkëpunim jugosllavo-shqiptar. Në planin politik, si dhe në planin shkencor dhe arsimor kultural është e domosdoshme që të vazhdojnë përpjekjet e punës së organizuar me këtë bashkëpunim.” Propozohet që në këtë vështrim, për vëllimin e rritur të bashkëpunimit në RP të Shqipërisë dhe bazën e perspektivës në këtë bashkëpunim, të merren masat përkatëse dhe në nivel federativ për forcimin e shërbimit në kuadër të SFPJ-së për përcjelljen e RP të Shqipërisë dhe të Ambasadës të RSFJ në Tiranë. “Përpjekjet në drejtim të koordinimit të punës në organet federative duhet të vazhdojnë gjithnjë e më tepër. Për zgjerimin dhe përfshirjen më efikase të Krahinës sonë në këtë bashkëpunim, në planin ekonomik, është e domosdoshme që mënyra më konkrete dhe më afate të fillojë realizimi i obligimeve të përcaktuara, që të mos injorohen as kërkesat më të vogla dhe të mos behën shantazhe dhe nënçmime, si dhe kushtëzime” – konstaton në mes tjerash përpiluesi i dokumentit.

Pa dashur të thellohem në analiza të përmbajtjes së këtij dokumenti, por me qëllim që lexuesi ta japë vetë mendimin e tij, edhe për arsye të hapësirës së botimit, po i prezantojmë vetëm “Tezat kryesore” të këtij dokumenti.

Krahina Socialiste Autonome e Kosovës-Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të KSAK-Sekretariati për Marrëdhënie me Boten e Jashtme

Nr. 27-54/74. Prishtinë, 20.XI.1974

Bashkangjitur me aktin po dorëzojmë materialin mbi marrëdhëniet, e RP te Shqipërisë, te dedikuara Kryesisë se Krahinës, me lutje qe t’i japin sugjerimet dhe vërejtjet tuaja paraprake, ne frymën e marrëveshjes së përbashkët mbi përgaditjet e këtij materiali. Për shkak të urgjencës së shqyrtimit të tij nga ana e Kryesisë luteni që të gjeni kohë për konsultim të përbashkët gjatë ditës së nesërme, me kohën që do t’a caktoni vet.

Sekretari Mr. Ukshin Hoti”.

 

MARRËDHËNIET MIDIS RFS TË JUGOSLLAVISË DHE TË RP TË SHQIPËRISË

– Pozita e KSA të Kosovës dhe detyrat e saja

-Tezat kryesore –

Propozim masat:

Në kontekst të forcimit të prezencës së Krahinës në planin ekonomik, duhet të insistohet që të mënjanohen këta faktorë pengues:

a/ të dërgohet një delegacion ekonomik i KSA të Kosovës në RP të Shqipërisë, e cila do t’i hulumtonte mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në lëmin e këmbimit të mallrave,

b/ këtë, së pari, të përpunohet propozimi për përmirësimin e lidhjeve (rrugëve, hekurudha, linja ajrore) të komunikacionit me RP të Shqipërisë,

c/ të hulumtohen mundësitë për bashkëpunimin e planifikimin hapësinor,

d/ të dërgohet një shok nga KSA e Kosovës (punohet në këtë drejtim) pranë Ambasadës së RSFJ në Tiranë ose në cilësinë e përfaqësuesit të Dhomës,

g/ duhet që organizatave ekonomike t’u tërhiqet vëmendja për nevojën që të jenë lojal në bashkëpunimin e RP të Shqipërisë, t’u përmbahen rregullave të tyre për mënyrën e kontaktit me të huajt dhe t’i respektojnë afatet e përcaktuar për dërgimin e mallit.

Në planin politik, duhet mbajtur llogari për disa çështje të rëndësishme. Në fakt, nuk mund të kërkohet hapja e shpejtë e kufijve dhe në këtë drejtim nuk është e nevojshme të bëhet presion.

Mirëpo, gjatë dërgimit të delegacioneve, ato duhet të përgatiten edhe atë si në planin ideologjik ashtu edhe në atë procedural. Sekretariat për marrëdhënie me jashtë duhet t’i mundësohet ta kryejë detyrën e informimit dhe përgatitjes së delegacioneve. Në këtë drejtim, është me rëndësi të dihet caku i shkuarjes eventuale të delegacionit, karakteri i manifestimit në të cilën ato marrin pjesë dhe nivelit të atyre delegacioneve. Sekretariati për marrëdhënie me jashtë nuk mund t’i zgjedhë ato delegacione, por nuk mund të lejojë që të mos konsultohen në lidhje me vizitat e tyre. Për shkak të mosinformimit të këtij sekretariati, Ambasada e RSFJ-së në Tiranë, mbetet jashtë ngjarjeve që ndodhin, ndërkaq nga ana tjetër, për shkak të përgatitjeve joadekuate të disa delegacioneve, shkaktojmë habi te vetë anëtarët e delegacioneve, të cilët nganjëherë mendojnë se përfaqësojnë RSFJ-në ose KSA të Kosovës e jo institucionet e tyre. Kësaj i kontribuon edhe fakti se në, në shtypin e RP të Shqipërisë rregullisht shkruhet për qëndrimin e delegacioneve tona në këtë vend, ndërkaq nga ana tjetër, shtypi ynë, të cilit askush asgjë nuk i tregon, plotësisht është i heshtur.

Në bashkëpunimin arsimor – shkencor duhet që sa më parë t’i qasemi precizimit të kompetencave në këtë problematikë.

Në fakt, “Rilindja” – edicionit i botimeve të librave dhe Enti krahinor i mjeteve arsimore duhet të merren vesh se kush nga to është kompetent për blerjen e librave dhe mjeteve tjera shkollore.

Pritet të zgjidhet çështja e formimit të komisionit apo trupave për dhënien e lejes për të huajt, që do të bëjnë hulumtime shkencore tek ne.

Në mbledhjen e fundit të Entit Federativ (18. II. 1974) u arrit ujdia që t’i propozohet KEF-it (Këshilli Ekzekutiv Federativ) që çështja e këtyre komisioneve të zgjidhet me anë të kritereve më të thjeshta në tërë Jugosllavinë dhe kjo me siguri do të ndodhë. Prandaj, duhet të pritet që një komision i karakterit shkencor shtetëror ta bëjë zgjedhjen e disa kërkesave për punë shkencore – hulumtuese, aftësim, specializim dhe përgatitjen e disertacioneve të magjistraturës dhe doktoraturës në RP të Shqipërisë. Sekretariati për marrëdhënie me jashtë tashmë ka përgatitur projekt-propozim për një kërkesë të tillë, realizimi i së cilës pritet paralelisht me rezultatet rreth sjelljes së vendimit të KEF, i cili, sipas mendimit tonë, do ta zgjidhë çështjen e sipërtheksuar për bashkëpunimin e Krahinës në lëmin e specializimit në vendet e jashtme.

Përvojat e kohëve të fundit, sidomos gjatë këtij viti, tregojnë se disa kuvende komunale, kanë filluar të konsiderojnë se nuk duhet të informohen organet Krahinore për shkuarjen e disa grupeve në RP të Shqipërisë ose diku tjetër.

Sekretariati konsideron se LKK duhet të insistojë te këto komuna që të respektohen vendimet e sekretariatit të LK KSA nga vitit 1972.

Sipas vlerësimeve tona, nuk ka mundësi të zhvillimit të karakterit spektakolar të marrëdhënieve më RP të Shqipërisë, pos marrëdhënieve të karakterit të organizuar. Prandaj, pavarësisht faktit se akoma nuk është nënshkruar Programi i bashkëpunimit kulturor, duhet të mblidhen propozimet për bashkëpunim për vitin 1975 nga të gjitha institucionet kulturore dhe të përpilohet programi i brendshëm për bashkëpunim. Një Propozim program të tillë bashkërisht do ta shqyrtonin kryetari i komisioneve për marrëdhënie me jashtë në Krahinë dhe i Sekretariatit krahinor për arsim, shkencë dhe kulturë.

Njësoj duhet të veprohet edhe në pikëpamje të bashkëpunimit sportiv me RP të Shqipërisë si dhe të shqyrtohen mundësitë e zhvillimit të disa formave elementare të mbajtjes së garave ndërkufitare sportive. Mirëpo, kjo duhet të verifikohet përmes rrugës diplomatike dhe jo përmes organizatave sportive.

Duhet të shmangen marrëveshjet individuale rreth shkuarjes në RP të Shqipërisë dhe të vihet në pah nevoja e konsultimit me organet dhe institucionet përkatëse.

Më në fund, është koha të mendohet për dërgimin ose të ftohet një delegacion politik, e cila konkretisht do të konstatojë se çfarë mund të bëhet më tutje. Delegacioni do të shkonte në marrëveshje me Sekretariatin Federativ për Marrëdhënie me Jashtë dhe pas kthimit të delegacionit, do të mund të saktësohen mënyrat e realizimit të bashkëpunimit kulturor me RP të Shqipërisë.