` . Markoviq-Haradinaj: Çështjet e hapura do të zgjidhen në frymën e bashkëpunimit – TV-SHENJA

Markoviq-Haradinaj: Çështjet e hapura do të zgjidhen në frymën e bashkëpunimit

Kryeministri i Malit të Zi, i cili qëndron për vizitë në Kosovë, pas takimit me homologun e tij kosovar, Ramush Haradinaj, deklaroi se “si miq të vërtetë kërkojnë zgjidhjen më të mirë për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi”, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit midis delegacioneve të të dy vendeve, kryeminsitri Markoviç në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Haradinaj, tha se Mali i Zi me Kosovën nuk kanë probleme, por se ekzistojnë disa çështje të hapura për të cilat zgjidhje do të gjindet në frymën e bashkëpunimit.

Markoviç, në pyetjen e gazetarëve theksoi se çështja e demarkacionit në kuvendin malazez është e përfunduar, por se ajo marrëveshje nuk është ratifikuar në kuvendin kosovar.

“Mali i Zi, si një fiqnj i mirë dhe miqësor, do të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje, të arrijmë në një marrëveshje për kufirin shtetëror. Ne nuk duam që në këtë moment disa dallime të shndërrohen në një problem apo pyetje e hapur. Pra, ne biseduam për atë me qëllime të mira, si miq të vërtetë dhe për vazhdimin e dialogut që tashmë e kemi dhe i cili do të na sigurojë gjetjen e një zgjidhjeje më të mirë në mënyrë që të kemi marrëveshje të ratifikuar dhe që Kosova të ketë një mundësi të re dhe të madhe kur bëhet fjalë për integrimin evropian”, deklaroi Markoviç.

Markoviç poashtu konfirmoi se vendi i tij mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në BE dhe NATO. Ai bëri të ditur se në takimin e tij me homologun kosovar kanë disktuar çështjet për të përmirësuar bashkëpunimin ekonomik. Ai theksoi se cilësia e infrastrukturës që lidh dy vendet është e pakënaqshme dhe se qeveritë e dy vendeve janë të gatshme për t’u angazhuar në zhvillimin e kësaj fushe.

“Kosova dhe Mali i Zi kanë resurse të pamungueshme zhvillimore, andaj jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që potencialet tona t’i vendosim në funksion të zhvillimit të vendeve tona dhe të cilësisë së jetës së qytetarëve. Kam propozuar që shumë shpejtë të arrijmë një bashkëpunim midis dy odave ekonomike, pastaj që ministritë të nënshkruajnë marrëveshjet e duhura, veçanërisht të merremi me zhvillimin e infstratrukturës, si një bazë kyç për zhvilllim ekonomik dhe vendeve të reja të punës si në Kosovë, ashtu edhe në Mal të Zi”, deklaroi Markoviç, duke shtuar se infrastruktura do të kontribuojë në përafrimin e qytetarëve të të dy vendeve.

Haradinaj, në lidhje me çështjen e demarkacionit, nga ana e tij tha se ekziston një vullnet i mirë që të gjindet një dalje nga kjo gjendje, duke shprehur shpresë se zgjidhja do të gjindet.

Markoviç është kryeministri i parë malazez që viziton Kosovën pas pavarësisë së saj. Sipas kryeministrit Haradinaj, kjo vizitë dëshmon se populli i Kosovës dhe i Malit të Zi janë jo vetëm fqinj, por edhe dy popuj që e duan njëri-tjetrin dhe që duan të udhëtojnë bashkë në perspektivën evropiane dhe euro-atlantike.

“Këto marrëdhënie të mira, që tani më i konfirmon kjo vizitë, si dhe të gjitha marrëdhëniet e ndërsjellta në periudhën që vijon jam thellë i bindur se do të jenë shembull i mirë për marrëdhëniet e të gjithë neve në rajon”, u shpreh Haradinaj.

Kryeministrat e dy vendeve u pyetën edhe për ardhjen e pjesëtarëve të Armatës së Malit të Zi në Kosovë në përbërjen e KFOR-it.

Markoviç tha se dërgimi i dy malazezëve në përbërjen e KFOR-it është një mesazh paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe se ky veprim është detyrim që vjen nga anëtarësimi në NATO, ndërsa Haradinaj shprehu mirëseardhje për dy ushtarët malazezë.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç, u prit me nderime të larta shtetërore nga kryeministri Ramush Haradinaj. Ai gjatë ditës së nesërme do të pritet edhe nga presidenti Hashim Thaçi dhe nga kryeparlamentari Kadri Veseli.

Vizita e kryeministrit Markoviç vjen në një kohë kur Kuvendi i Kosovës pritet të vendos rreth Marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, është nënshkruar më 26 gusht të vitit 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve dhe është miratuar nga pala malazeze, mirëpo ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Zgjidhja e demarkacionit me Malin e Zi është kriter nga Komisioni Evropian (BE) për përfshirjen e Kosovës në liberalizimin e vizave.