` . Marko Zvërlevski, kush ishte kryeprokurori i votuar nga VMRO dhe BDI (VIDEO) - TV-SHENJA

Marko Zvërlevski, kush ishte kryeprokurori i votuar nga VMRO dhe BDI (VIDEO)

Kuvendi me shumicë votash shkarkoi kryeprokurorin publik, Marko Zvërlevski, figurën më kontraverze dhe më të shumëpërfolur që u zgjodh nga koalicioni i kaluar qeveritar, VMRO-BDI. Përveç partizimit dhe shërbimit ndaj pushtetit, Zvërlevski do të mbahet mend edhe për proceset gjyqësore ndaj shqiptarëve të cilat u inicuan dhe zhvilluan në periudhën kur ai mbante postet më të larta në prokurori. Nga viti, 2009 deri në janar të vitit 2013 Zvërlevski udhëhoqi me Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit, ndërsa prej aty u ulë në ulësen e parë të Prokurorisë Publike.

Zgjedhja e Zvërlevski si kryeprokuror i vendit erdhi vetëm disa muaj pas fillimit të procesit gjyqësor ndaj gjashtë të akuzuarve shqiptarë në rastin “Monstra”, ndërsa gjatë kohës kur ai ushtroi postin e kryeprokurorit u shqiptuan dhe dënimet me burg të përjetshëm për gjashtë shqiptarët, katër prej të cilëve tanimë vuajnë burgun.

Procesi gjyqësor për këtë rast filloi në tetor të vitit 2012 pas padisë së ngritur nga Prokuroria e Shkupit me të cilën në atë periudhë udhëhiqte Zvërlevski. Dy muaj më pas më 21 janar të vitit 2013, Marko Zvërlevski zgjidhet kryeprokuror i vendit.

Të gjitha kritikat shkonin në drejtim të asaj se Zvërlevski ju shërben partive në pushtet, ndërsa një arsye tjetër për avancimin e tij në krye të Prokurorisë së Shtetit lidhej edhe me proceset e dyshimta dhe montuara kundër shqiptarëve. Lidhja e kryeprokurorit Marko Zvërlevski dhe prokurorëve të tjerë me pushtetin u dëshmuan edhe gjatë publikimit të bisedave të përgjuara në të cilat funksionarë të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së dëgjoheshin duke ndarë poste të prokurorëve dhe gjykatësve mes veti me çka dëshmohej edhe ndikimi partiak në institucionet më të larta të drejtësisë.

Marko Zvërlevski është zgjedhur me mbështetje të dy partnerëve të deritanishëm të koalicionit qeveritar, VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Një nga kritikuesit më të zëshëm të punës së Zvërlevskit sot janë dhe funksionarët e BDI-së, ndërkaq votat e deputetëve të kësaj partie, në vitin 2013 kishin qenë vendimtar në zgjedhjen e kryeprokurorit Marko Zvërlevski. Sipas stenogrameve zyrtare të Kuvendit shihet qartë se shtatë deputetë të kësaj partie kanë votuar pro zgjedhjes së Zvërlevskit.

Në mesin e deputetëve të BDI-së që ishin meritor në zgjedhjen e Zvërlevskit në krye të prokurorisë është edhe kryetari aktual i Kuvendit, Talat Xhaferi. Arben Zeqiri /SHENJA/

ARBEN 1 _18.08.2017 OKK by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme