` . Me Maqedoninë e Veriut fitojnë të gjithë! - TV-SHENJA

Me Maqedoninë e Veriut fitojnë të gjithë!

Të gjithë ndjehen fitimtarë. Ndjehen fitimtarë perëndimorët, që përpjekjet e tyre nuk shkuan kot, por vendi u orientua qartë me fytyrë nga Perëndimi. Ndjehet fitimtare Greqia, e cila nuk shqetësohet me paranojat e “pretendimeve” të fqinjit verior.  Ndjehen fitimtarë të gjitha komunitetet, që nuk do të quhen më të tilla, por do të quhen “Qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, e sanksionuar kështu edhe në kushtetutë

Shkruan: Urim TUSKU, Tiranë

Me miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, emërtesë e cila erdhi menjëherë pas marrëveshjes së Prespës, mund të themi se po fryn një erë e re për këtë vend. Një shtet multietnik, siç është Maqedonia, duhet të jetë shumë i kujdesshëm në trajtimin e qytetarëve të vet në mënyrë të barabartë, pavarësisht se kujt etnie i përkasin. Ndryshimet e fundit kushtetuese e përforcojnë edhe më shumë këtë prerogativë, aq më shumë që në paragrafët e ndryshuar theksohen qartë, përpos të tjerave, të drejtat që kanë qytetarët që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

Pas dështimit të referendumit, ndryshimet kushtetuese u kaluan në parlament me 81 vota. Një rol të madh në këtë ka pasur edhe faktori shqiptar, i cili që në fillim ka qenë për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, e justifikuar kjo “për ta orientuar vendin drejt NATO-s dhe BE-së”. Opozita në Maqedoni nuk ka qenë dakord me marrëveshjen dhe ndryshimet kushtetuese, duke luajtur fort me kartën e nacionalizmit, gjë të cilën e bënte edhe kur ishte në pushtet në kurriz të etnive të tjera. Me ndryshimet e reja kushtetuese është sanksionuar qartë, për një barazi të të gjithë qytetarëve, jo si dikur që iu referoheshin si komunitete.

Me këto ndryshime, në planin diplomatik, Maqedonia ka marrë vëmendjen e vendeve perëndimore, të cilat kanë premtuar se shumë shpejt mund ta bëjnë Maqedoninë e Veriut anëtare të NATO-s dhe të BE-së. Këto veprime, gjithashtu, shërbejnë edhe si një mbrojtëse për ta larguar Maqedoninë nga influenca ruse, e cila u investua fuqishëm me të gjitha mjetet që të mos arrihej marrëveshja me Greqinë dhe të mos bëheshin ndryshimet kushtetuese. Kjo ishte një mundësi e madhe historike, që çel një kapitull të ri për Maqedoninë drejt perspektivës euro-atlantike dhe Bashkimit Evropian. Pa dyshim merita për këtë u takon drejtuesve aktualë të qeverisë së këtij vendi, të cilët me maturi ditën ta orientojnë vendin në drejtimin e duhur.

Ndryshimet i shkojnë për shtat edhe faktorit shqiptar në Maqedoni. Duke pasur para sysh se vendi do ketë një orientim properëndimor, do të bien edhe barrierat nacionaliste që e kishin penguar atë deri më tani për fituar disa të drejta që i takojnë. Gjuha shqipe, pas njohjes si gjuhë zyrtare, mund të përdoret praktikisht edhe nëpër zyra ose institucione ku hartohet shkresat për çështje të ndryshme. Klima që krijohet në vend është ajo e bashkëjetesës së qytetarëve të Maqedonisë, pa pasur parasysh etninë që i përkasin. Kjo i jep Maqedonisë profilin e një vendi demokratik, ku respektohet shteti i së drejtës, i cili punon në të mirë të qytetarëve pa dallim.

Në këto kushte Maqedonia e Veriut mund të jetë një shembull në rajon se si mund të bashkëjetojnë shtetet multietnike, duke lënë pas të shkuarën e veshur më petkat e nacionalizmit, që nuk sillte asgjë, veç përplasjes. Çdo qytetar tashmë e ndjen veten pjesë përbërëse të Maqedonisë së Veriut me të drejta të plota “de jure” dhe “de fakto”. Maqedonia është çliruar nga vargonjtë e nacionalizmit, që favorizonte dukshëm një grup etnik, atë të etnisë maqedonase. Ajo tashmë ka hyrë në binarët e demokracisë, duke i dhënë rëndësi të madhe të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Të gjithë ndjehen fitimtarë. Ndjehen fitimtarë perëndimorët, që përpjekjet e tyre nuk shkuan kot, por vendi u orientua qartë me fytyrë nga Perëndimi. Ndjehet fitimtare Greqia, e cila nuk shqetësohet me paranojat e “pretendimeve” të fqinjit verior.  Ndjehen fitimtarë të gjitha komunitetet, që nuk do të quhen më të tilla, por do të quhen “Qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, e sanksionuar kështu edhe në kushtetutë. Ndjehet fitimtare edhe klasa politike drejtuese në Maqedoni, e cila dëshmoi qartë se, nëse ekziston vullneti politik, gjithçka është e arritshme. Prandaj mund të themi me plot gojën se me Maqedoninë e Veriut fitojnë të gjithë.