` . Maqedonia tipike! – TV-SHENJA

Maqedonia tipike!

Ministri i Financave, duke menaxhuar me paratë publike, duhet të kujdeset për thesarin e qytetarëve dhe shpërndarjen e drejtë të tij. Ai konstaton vetë se “qeverisja është e çmendur që s’dinë çka bëjnë kur s’kanë bukë për të ngrënë dhe kërkojnë çokollata”! Një ministër i tillë i Financave, sado që aftësi teknike të ketë, aq më shumë i bënë dëm vendit.

Shkruan: Abdylmenaf Bexheti, Tetovë

Financat publike të çdo vendi paraqesin treguesin më sintetik për matjen dhe vlerësimin e një qeverisje. Kriteret bazike për qeverisje të mirë lidhen ngushtë me matjen dhe vlerësimin e qeverisjes me financat publike të çdo vendi, duke filluar nga efiçienca/efikasiteti, prudenca, transparenca, përgjegjësia dhe llogaridhënia. Arsyeja bazike për një lidhshmëri të drejtpërdrejtë midis tyre qëndron në faktin se të gjitha shpenzimet dhe programet qeveritare lidhen me burimin e financimit, që rrjedhin nga tatimpaguesit – qytetarët. Në çfarëdo variante teknike të financimit, qoftë përmes shfrytëzimit të aseteve ose pasurisë publike, përmes huamarrjeve krahas tatimeve,… në fakt barra shkon mbi qytetarët, sot apo nesër. Vjegimi i tatimeve është burimi kryesor, por edhe të gjitha format tjera të vjegimeve, të çfarëdo formati qofshin, burojnë nga qytetarët dhe paraqesin barrë fiskale për ata.

Që kjo lidhje të duket edhe më vizuale për secilin, këtu po japim një shembull praktik: që nga lindja çdo individ fillon me një taksë për marrjen e certifikatës së lindjes nga shërbimi civil dhe gjithë jetën, në çdo veprim dhe çdo ditë, është kontribues në thesarin e shtetit, fillimisht si konsumator, ndërsa më pas edhe si krijues i të ardhurave dhe pasurisë, në gjithçka dhe çdo lëvizje, bile edhe të padukshme, i paguan tatime të ndryshme shtetit, deri në vdekje kur sërish duhet të merret një certifikatë për të cilën gjithashtu paguhet një taksë. Ky simplifikim dëshmon për këtë relacion, pavarësisht se shumëkush nuk e dëshiron.

Qytetarët i paguajnë të gjitha këto taksa për të marrë shërbime publike, duke filluar nga siguria, drejtësia, shëndetësia, arsimi, kultura, insfrastruktura, sporti, informacionet…, e deri te rregullimi dhe mbikëqyrja e biznesit dhe transaksioneve të ndryshme ndërmjet subjekteve. Gjithë kjo bëhet në emër të interesit publik – mbi bazë të sovranitetit fiskal çdo shtet në dokumentin bazik (në Kushtetutë) e përcakton të drejtën që të tatimojë dhe shpenzojë për këtë mision. Në emër të kësaj bëhet gara politike për të marrë mandat që të tatimojë, menaxhojë dhe shpenzojë, krejt kjo për ta përmbushur interesin publik. Që nga Kushtetuta e çdo vendi, përmes ligjeve të ndryshme, akteve nënligjore, rregulloreve dhe dekreteve që i dizajnon dhe miraton qeverisja politike e çdo vendi, të gjitha bëhen nën motivin dhe përcaktimin normativ të interesit publik. Në shtetet funksionale dhe demokratike s’ka çështje më sensitive se qeverisja me financat publike: në Perëndim kemi pasur shumë raste kur është publikuar ndonjë shmangie ose abuzim pa paramendim, madje edhe për një vlerë simbolike pa hamendje ka pasur përgjegjësi politike me dorëheqje apo shkarkim nga detyra. Para disa vitesh ministrja e Tregtisë së Suedisë pa dashje ka paguar një biletë autobusi publik me kartelën zyrtare dhe, sapo u publikua te nesërmen, ajo dha dorëheqje nga detyra. Deri në këto përmasa shkon përgjegjësia aty ku funksionon demokracia.

Ndërkaq në Ballkan çdo ditë publikohen skandale, keqpërdorime, abuzime me tatime dhe përvetësime milionëshe dhe aktorët politikë dalin pa fije turpi për të demantuar se nuk janë ata autorët, porse janë shpifje të oponencës. Ndërsa qytetarët nuk reagojnë fare dhe vazhdojnë t’i votojnë. Bile veprimet e tilla sot konsiderohen normale. Ky fenomen është brengosës dhe meriton trajtime më fundamentale dhe doktrinare. Perëndimorët befasohen aq shumë, sa s’kanë komente për indiferencën qytetare, se për atë institucionale as që bëhet fjalë, pasi që e kanë kapur po këta hajdutë që mandatohen për të qeverisur!

A ka më brengosëse se fenomeni i indiferencës, kur haptas duket dhe dëshmohet se vjedhësit e pasurisë sonë publike (tatimeve, pronave, të drejtave,…) vazhdojnë të pëlqehen dhe preferohen nga votuesit. Siç duket, problemi nuk qëndron te qeveritarët, por te qytetarët (votuesit). Ata sikur njëmend e dëshirojnë këtë qeverisje dhe pse jo? Si të shpjegohet ndryshe fenomeni i rrotacionit politik të strukturave të njëjta gati tash e tre dekada edhe pse për të gjitha ka pasur afera të ngjashme të njëpasnjëshme. Padyshim se ndryshojnë përmasat dhe format e këtyre fenomeneve negative, por sërish po riciklohen struktura të ngjashme. Si të shpjegohet “rritja politike”, për shembull, e LSI-së (deri në gjashtëfish!) edhe pas gjithë aferave të lidershipit saj me ministrat, bile e dukshme edhe në video-tregime. Po përgjimet e VMRO-së dhe BDI-së për dhjetëra miliona në një projekt të vetëm infrastrukturor dhe telekomunikativ? Po milionat e Azem Sylës me shokë? Po çka mos tjetër dhe sërish po votohen!? E dini kush janë votuesit? Strukturat, militantët, hajdutët dhe përfituesit e imët, të gjithë së bashku “konsumator kolektivë” të garniturës përkatëse politike. Dhe, në kushte të një abstenimi masiv (rreth 50% nuk votojnë), si dhe pak më shumë vjedhje votash, rezulton se ata i do dhe i voton populli. Në shumë aspekte mund të kemi përmirësime sasiore (numër diplomash), por në aspekt elektoral s’kemi bërë ndonjë kërcim intelektual, bile përkundrazi kemi ngecje të konsiderueshme intelektuale! Sërish politologët dhe sociologët duhet të merren shumë seriozisht edhe me këtë çështje fenomenale. Në dekadën e dytë të shekullit XXI në mes të Evropës nuk kemi infrastrukturë bazike, e të mos flasim për superstrukturë. Na mungon uji i pijshëm, rrugët, shkollat, spitalet, bibliotekat, kanalizimet, mbeturinat, ndriçimi, parqet, stadiumet, zjarrfikësit dhe çka jo tjetër! Akoma shërbehemi me infrastrukturën dhe kuadrot e komunizmit, gati tre dekada pas transformimit! Funksionarët publik në Ballkan i udhëheqin shoqëritë e tyre në kahe të konceptit idiosinkret (negativ) për sektorin publik. Ata e vetëvlerësojnë përmbushjen e objektivave mbi bazë të logjikës “së pari gjuaj dhe aty ku qëllon rrethoje cakun” sikur e ke goditur në epiqendër. Më thjesht i përcaktojnë prioritetet sipas shijeve dhe përfitimeve personale, duke ua shitur votuesve si interes dhe nevojë publike.

Po t’i kthehemi pak më specifikisht rastit të Maqedonisë në aspektin e financave publike, më saktë çka na la “amanet” ministri i Financave, i dorëhequr pas një dekade të keqqeverisjes. Ministri i Financës së një vendi nuk duhet të jetë si çdo ministër tjetër, jo vetëm në aspektin profesional, por edhe në aspektin moral dhe ndërgjegjësor! Rëndom ai duhet të ketë kredibilitet profesional, politik, moral, por edhe publik, që në njëfarë mënyre ta oponojë edhe kryeministrin, nëse ky i fundit është i papërgjegjshëm si në rastin e Maqedonisë. Ministri i Financave, duke menaxhuar me paratë publike, duhet të kujdeset për thesarin e qytetarëve dhe shpërndarjen e drejtë të tij. Ai konstaton vetë se “qeverisja është e çmendur që s’dinë çka bëjnë kur s’kanë bukë për të ngrënë dhe kërkojnë çokollata”! Një ministër i tillë i Financave, sado që aftësi teknike të ketë, aq më shumë i bënë dëm vendit. Zaten shkathtësitë dhe aftësitë e tij teknike i dhe konjunkturat dhe lidhjet personale me Bankën Botërore ia dhanë gjithë atë fuqi për ta bërë gjithë këtë dëm në lëmin e financave publike.

Periudha pas Stavreskit do të ballafaqohet me pasoja të shumëfishta, kuptohet negative. Nuk është ideja për analizën e karakterit tij (s’kemi asgjë personalisht kundër tij), por pasojat nga bashkëqeverisja e tij. Si çdo individ, edhe ai ka pasur edhe ndonjë “anë të mirë”! Edhe publikisht kam deklaruar se, në kuptimin teknik të fjalës “i mirë” për financat publike, te Stavreski nënkuptohet suksesi në vjelje të haraçit nga qytetarët dhe kompanitë si askush tjetër deri më sot. Ai ka arritur vjegime rekorde, jo vetëm për vetë Maqedoninë, por edhe në regjion. Që prej 3-4 vitesh në nivel të ardhurave buxhetore vjetore ka vjelë rreth 3 miliardë euro, që për kokë banori nënkupton rreth 1.500 € në vit (statistikisht), sepse faktikisht shuma shkon mbi 2.000 € për kokë (në Maqedoni nuk jetojnë më shumë se 1,5 milion banor). Këtë buxhet s’e ka asnjë vend nga 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor (Serbia, B&H, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia)! Kjo është ana “pozitive” dhe aftësia e tij teknike për ta “shtrydhur limonin tatimor pafundësisht”. Bile edhe në shumë baza jolegale dhe jashtësistemore-transaksione anësore jotatimore dhe të “dhëna detyrimore publike” mbi bazë të shërbimeve inekzistente. Ministri i dorëhequr, që para 2-3 vitesh e kishte vërejtur se “limoni” është tharë dhe nuk i ka mbetur pikë lëngu, por vazhdoi me “shtrydhjen” edhe të bankave me huamarrje. Kur e pa se edhe këto më nuk i japin sa kërkon ai, u detyrua të “sëmuret” dhe të dorëhiqet!

Duke qenë dhjetë vite në qeveri si person i dytë pas kryeministrit dhe 8 vite ministër i Financave në vend si asnjë tjetër, bile as gjysmën e periudhës tij, tash mund t’i përmbledhim disa karakteristika të shkathtësive të tij në këtë “sukses”.

Së pari, të gjithë tekst-buxhetet e qeverisë të draftuara prej tij pikërisht i fillon me fjalinë demagogjike për qeverisje prudente me financat publike, d.m.th. të kujdesshme si ekonomi e mirë! Pikërisht të kundërtën e kanë bërë ata gjithë kohës – joefiçiencë dhe papërgjegjësi e paparë fiskale. Në të vërtetë, ne shumë herë i kemi elaboruar të gjitha dështimet fiskale posaçërisht në krahun e shpenzimeve publike, të dominuara prej atyre joproduktive në kohë dhe hapësirë gjithashtu. Për nga mungesa e transparencës fiskale, ai arriti ta radhisë vendin krahas vendeve më të prapambetura të Afrikës dhe disa vende diktatoriale të Azisë! Ai asnjëherë nuk raportoi shënime të sakta, por gjithmonë, si mjeshtër i vërtetë, i manipulonte shifrat në favor të qeverisjes, bile me retorikë demagogjike. Edhe kjo është aftësi, fatkeqësisht e përdorur mbrapsht!

Së dyti, gjithmonë e fillonte dhe mbaronte me projeksionet (statistikore) të rritjes ekonomike, më “të lartë” ndër vendet e Ballkanit Perëndimor që realizohet (gjithnjë sipas tij) përmes shpenzimeve rritëse kapitale në buxhetin qendror. Ai asnjëherë nuk tregoi pse nuk arriti, së paku në vëllim, t’i realizojë ato më lart se 70% nga niveli i projektuar, se për cilësinë dhe impaktin e tyre në rritjen dhe zhvillimin ekonomik as që bëhet fjalë! Pikërisht kjo ishte edhe pika më e dobët e të gjitha buxheteve të tij. Apo promovonte deri 400 milionë euro investime kapitale në vend, pavarësisht se në ribalancin e parë dhe të rregullt, të parët i reduktonte pikërisht shpenzimet kapitale. Ana cilësore e tyre, shumë herë është elaboruar dhe këtu s’ka hapësirë për ato dështime! Në tetë buxhete nga 400 milionë euro së paku të kishim përfituar në rritje ekonomike sa gjysmën e tyre dhe prej tyre!

Së treti, përgjatë mandatit tij ai arriti më shumë se dyfish që ta rritë borxhin publik të vendit dhe t’i ngarkojë gjeneratat e ardhshme me barrë fiskale joproduktive. Ai asnjëherë askënd nuk e pyeti për këtë, përveç kumbarës së tij! Gjithmonë përgjigja e tij në këtë pyetje ishte e incizuar si në shirit: “Borxhi publik i Maqedonisë është nën nivelin mesatar dhe nën nivelin e të gjitha vendeve të EJL”! Kjo edhe statistikisht nuk është e vërtetë: Kosova ka dy herë borxhin publik më të ulët, por ai nuk e “konsideron” Kosovën fare për krahasim. Borxhi nga 2,1 miliardë euro sot shkon në mbi 4,3 miliardë euro dhe për çka se?! Sot kostot e interesit (kamatës) vjetore shkojnë në rreth 100 milionë euro në vit, por nesër?!?!

Së katërti, i bindur edhe vet se vendi s’kishte asnjë dobi proporcionale me nivelin e shpenzimeve, ai gjithnjë i arsyetoi shpenzimet për subvencione bujqësore në rreth 130 milionë euro çdo vit! Vazhdoi ta arsyetojë pa nevojë rritjen permanente të pagave dhe pensioneve në administratën publike edhe përkundër tendencës rënëse të produktivitetit dhe cilësisë së shërbimeve. Teknikisht, më mirë se gjithkush tjetër, si një ish nëpunës i Bankës Botërore, e dinte fare mirë se në deficit të kapacitetit institucional, siç është vendi ynë dhe në kushte të keqqeverisjes (siç edhe vetë deklarohet), çdo shpenzim rritës, që nuk ka efekt përfitimi mbi koston, nuk duhet të bëhet. Por, ai gjithmonë i bëri dhe bile i arsyetoi! Në fund u “sëmur” dhe shkoi?

Kush do të paguajë për të gjitha këto dështime dhe mashtrime? Sigurisht qytetarët, për të mos thënë populli! Ata vet do t’ua mësyjnë oazave fiskale, andej diku nga i kanë transferuar vjedhjet e tyre. Por, dora e shtetit juridik të arrin kudo. Kjo duhet dhe pritet të bëhet. T’u konstatohen inventarizohen dhe t’u vlerësohen të gjitha asetet dhe pasuritë e paligjshme dhe pa hamendje t’u konfiskohen jo vetëm kumbarëve, por gjithë atyre që janë në marrëdhënie “të lidhura” me ata!