` . Maqedonia nuk heq dorë nga emri “Republika Ilinditase e Maqedonisë” – TV-SHENJA

Maqedonia nuk heq dorë nga emri “Republika Ilinditase e Maqedonisë”

Maqedonia nuk heq dorë nga propozimi “Republika Ilinditase e Maqedonisë”. këtë e konfirmoi sot edhe njëherë zëdhënësi qeveritar, Mile Boshnjakovski. Ai deklaroi se qëndrimi i Qeverisë mbetet i njëjtë dhe se mbeten në pritje të takimit të nesërm në Nju Jork mes ministrave të Jashtëm të Maqedonisë dhe Greqisë me të dërguarin e posaçëm të OKB-së, Metju Nimic.

MILE BOSHNJAKOVSKI, ZËDHËNËS I QEVERISË

“Qëndrimi i Qeverisë që e ka përcjellur kryeministri Zaev dhe ministrat Shekerinska dhe Dimitrov mbetet i njëjtë. Vlerësojmë se propozimi i dhënë nga ana jonë pas takimit të liderëve i pasqyron të gjitha aspektet që janë të nevojshme për ruajtjen e identitetit edhe të popullit maqedonas, por edhe të gjitha pjesët e tjera që pasqyrojnë Maqedoninë si shtet multietnik. Vlerësojmë se ai është propozim i mirë për zgjidhje përfundimtare”.

Por, këtë propozim e ka hedhur poshtë Athina zyrtare, ndërsa së fundmi ka reaguar edhe eurodeputeti bullgar, Andrej Kovaçev. Ai duke folur në konferencën “Parlamenti Evropian” ka thënë se janë të befasuar nga ky propozim dhe se nuk është konsultuar askush në Bullgari në lidhje me atë.

ANDREJ KOVAÇEV, EURODEPUTET BULLGAR

“Është shumë i rëndësishëm interpretimi i tij, nëse aludon në Ilindenin e parë apo në të dytin, komunist. Nëse me propozimin Republika Ilinditase e Maqedonisë mendohet në Ilindenin komunist, përkatësisht ASNOM-in, nuk jemi shumë të lumtur”.

Sipas tij, kontesti shumëvjeçar mes palëve mund të zgjidhet vetëm nëse Greqia dhe Maqedonia vendosin që ajo të ndodhë.

Teuta Buçi /SHENJA/