` . Maqedonia – një hibrid ekonomi pa qeveri! – TV SHENJA

Maqedonia – një hibrid ekonomi pa qeveri!

Për çfarë pritshmërie mund të flasim në rastin e Maqedonisë, kur i pari nga lidershipi i koalicionit qeverisës në 10 vitet e fundit fton në kryengritje për shpëtimin e (pu)shtetit, ndërsa i dyti nuk “sheh dritë as në fund të tunelit”! Ata bashkërisht shohin dhe paralajmërojnë humnerë, sepse ajo i pret në perspektivën e tyre personale. Në këto rrethana, sa më e qëndrueshme që bëhet kriza, aq më i paqëndrueshëm bëhet konsumi i bazuar në pritshmëri.

Shkruan: Abdylmenaf BEXHETI, Tetovë

Duke qenë se kriza politike dhe institucionale, për nga kohëzgjatja, hyjnë në vitin e tretë dhe sipërfaqësisht duket se ekonomia po funksionon, shtrohet dilema se a thua kjo mund të jetë nga imuniteti që ka krijuar ndaj krizës, qëndrueshmëria strukturale ekonomike, aftësitë dhe shkathtësitë afariste e ndërmarrëse apo ndonjë rrethane tjetër, që nuk është e njohur as për teorinë dhe shkencën bazike ekonomike.

Kjo dilemë bëhet edhe më e madhe kur i vrojtojmë statistikat ekonomike në dioptrinë e indikatorit më sintetik ekonomik, që sapo raportuan përmbylljen e vitit 2016 me një rritje ekonomike prej 2,4%!

Midis nesh ka ekonomistë (dhe analistë) me optimizëm irracional të vazhdueshëm, të cilët këtë gjendje (ab)normale duan ta krahasojnë, për shembull, me Belgjikën, e cila mbijeton edhe nga 2-3 vite pa qeveri ose me Italinë, që një kohë, mesatarisht, i ka ndryshuar qeveritë në periudha bile më pak se një vit! Krahasimi është sa i paqëndrueshëm, po aq edhe qesharak! Kur funksionojnë institucionet, aq më tepër ato me pavarësi relative nga politikat ditore, mungesa e qeverisë mund të jetë edhe përparësi, posaçërisht nëse nuk ka turbulenca dhe variacione me përmasa më të mëdha ciklike si në hapësirë, ashtu dhe në kohë. Ka edhe të atillë që “funksionimin” e ekonomisë ia përshkruajnë edhe strukturës ekonomike, me theks të veçantë faktorëve bartës të rritjes ekonomike. Në rastin e Maqedonisë, së paku gjatë vitit 2016, këta faktorë dominues janë konsumi personal/familjar dhe eksporti rritës. Më poshtë do t’i shtjellojmë këta dhe faktorët të tjerë për nga qëndrueshmëria e tyre, duke u bazuar edhe në stabilitetin e burimeve të tyre.

Krahas këtyre pikëpamjeve, ekzistojnë edhe të atillë që këtë gjendje të “funksionimit” ia përshkruajnë shkathtësisë, ndërmarrësisë dhe riskmarjes së sektorit privat, që edhe në këto rrethana po funksionon.

Pa dashur ta cilësojmë diagnostifikimin më të saktë të kësaj situate, duhet thënë se të gjithë po i japin nga pak “erë shpine” ekonomisë fragjile, për t’u mbajtur në këmbë edhe si rezultat i inercionit përderisa “biçikleta është në lëvizje”! Pyetja dhe dilema është deri kur mundet kështu dhe çka më pas?

Për ta shpërndarë “mjegullën” e krijuar rreth funksionalitetit të ekonomisë së Maqedonisë edhe në këso rrethana, duhet nënvizuar se te ekonomitë me nivel të ulët të zhvillimit, një rritje ekonomike 2%-she është krejt normale si rezultat spontan i “stimulatorëve automatikë” të saj. Këtë e vërteton edhe “Teoria e numrit 70-të” (dhe jo 100) për dyfishimin e ekonomisë, duke e pjesëtuar me normën e rritjes mesatare. Në rastin konkret Maqedonisë do t’i duheshin 35 vjet për ta dyfishuar ekonominë vetëm si mesatare e të ardhurave për frymë dhe, përtej 2050-tës, do të kishim rreth 10 mijë euro për frymë ose akoma rreth 15% më pak seç kanë, për shembull, sllovenët sot! Kur kësaj ia shtojmë edhe shpërndarjen përkeqësuese të kësaj rritjeje, edhe sipas statistikave zyrtare të trendit të index-it Xhini, i cili posaçërisht është përkeqësues në dekadën e fundit, kjo e bën perspektivën edhe më të zbehtë se kaq. Krijues të rritjes ekonomike janë dhjetëra kompani, midis të cilave edhe investitorë të huaj (telekomunikacion, financa-banka, energjetikë, aeroporte, industri automobilistike,…etj), të cilët kryesisht paguajnë paga të ulëta dhe inpute vendore të zhvlerësuara, që në fund të periudhave përllogaritare i “riatdhesojnë” profitet në vendet e tyre të origjinës. Nga kjo rezulton se impakti i kësaj rritjeje ekonomike në standardin jetësor të qytetarëve, jo që nuk është pozitiv, por dukshëm ka edhe tendenca përkeqësimi. Tjetër është se këtë nuk e vërejnë sa duhet “elitat” politike ose konjunkturat që jetojnë nga burime alternative të përfitimeve nga pushteti dhe keqqeverisja.

Në lidhje me faktin e “funksionimit” ekonomik pa qeveri me kapacitet vendimbërës, si rasti i Belgjikës, pasojat e krizës institucionale do t’i vërejmë në një të ardhme të afërt. Që të jetë edhe më keq, qeveria teknike po dirigjohet nga qendra e vetme politiko-partiake, e cila jo vetëm që është e frustruar, por edhe delegjitimuar në krahasim me shumicën. Një qeveri gjysmë-teknike, së cilës i ka kaluar mandati që moti, me një përzierje personale ligjvënëse dhe (pseudo)ekzekutive, çdo ditë e më tepër po bën veprime jolegale dhe të kundërligjshme, për çka nesër do të duhet mbajtur llogari individuale edhe për veprime kolektive! Çdo ditë në fletoren zyrtare po publikohen dekrete dhe akt-vendime qeveritare me pasoja financiare, që nuk përputhen fare me mandatin dhe legalitetin e saj. Fatkeqësisht, që të mund të merren në qafë edhe “ministrat e rinj”, akoma pa përvojë në funksionimin e rregullt, e lëre më me përvojë të “funksionimit të çrregullt” të saj! Krahas vonesave të transfertave të subvencioneve bujqësore dhe sociale, kanë filluar të vonohen edhe pensionet, ndërsa nesër do të vonohen edhe pagat e administratës publike, më pas edhe dotacionet e projekteve lokale, kjo deri në “bllokimin” e tyre juridik për shkak të skadimit të mandatit të ekzekutivit lokal, që tashmë është në prag. Kjo katrahurë institucionale, kapaku i së cilës paraqet gjyqësori partiak, korruptiv, kaotik dhe i dirigjuar, shumë shpejt do të ketë impakt në sistemin ekonomik deri në shpërbërje. Teoritë e reja ekonomike, që bazën e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm e shohin te institucionet funksionale (NIE – New Institutional Economy) janë vërtetuar në të gjitha aspektet. S’ka pse të jetë përjashtim ekonomia e Maqedonisë! Thjesht, transmisioni i vonuar është i kuptueshëm në mungesë të kulturës institucionale dhe funksionale, që ne mund ta emërtojmë “imunitet për funksionim në kaos institucional”. Kreacioni destruktiv dhe, në kushte të mungesës së institucioneve funksionale, me kalimin e kohës, vetëm do ta rrisë faturën.

Kategoria e tjetër e pikëpamjeve (midis të cilave, pjesërisht edhe autori i këtij shtjellimi), që “funksionimin” e ekonomisë e shohin te struktura e faktorëve të rritjes ekonomike, dominuar nga konsumi personal e familjar dhe eksporti rritës, duhet ta kenë parasysh faktorin limitues dhe tendencën e trendin e tyre. Investimet ishin negative: me -1,4p.p.në rritjen ekonomike. Kryesorja mbetet te konsumi personal e familjar, që paraqet mbi 80% të efektit të rritjes (me 3 p.p.të rritjes pozitive). Sa është i qëndrueshëm ky faktor?

Edhe sipas projeksioneve të fundit të Bankës Botërore për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (prill 2017) në vitin 2017 pritet të ulet kontributi i konsumit në PBB për rreth 20% (nga 3,1 në 2,5) dhe në 2018 edhe po aq rënie (në 2,1). Kjo tendencë i vërteton edhe parashikimet tona për rënien e remitancave dhe huamarrjeve, që janë ndër faktorët kryesorë të konsumit jo vetëm në Maqedoni!

Struktura e konsumit, në rastin e Maqedonisë, pothuaj si gjithkund tjetër, duhet të analizohet nga aspekti i faktorëve që e përcaktojnë atë. Në rastin e përgjithshëm ato janë të ardhurat, transfertat, pasuria, pritshmëria, preferenca për konsum,..etj. Në rastin e Maqedonisë të ardhurat (vendore) janë të limituara, kurse të ardhurat nga remitancat (edhe për arsye të integrimit të bashkëqytetarëve tanë në punë atje), duke investuar andej, i benë tendencat e tyre rënëse. Të ardhurat nga pagat janë gjithnjë më pak të sigurta (aktualisht rreth 4000 kompani nuk i kanë paguar pagat në kohë), kurse pensionet, kompensimet dhe transfertat sociale janë gjithnjë e më pak të qëndrueshme. Në anën tjetër pritshmëritë janë më të zymta edhe për shkak të krizës dhe pasigurisë politike. Pritshmëria është faktor psikologjik pothuajse vendimtar në optimizmin ekonomik Për çfarë pritshmërie mund të flasim në rastin e Maqedonisë, kur i pari nga lidershipi i koalicionit qeverisës në 10 vitet e fundit fton në kryengritje për shpëtimin e (pu)shtetit, ndërsa i dyti nuk “sheh dritë as në fund të tunelit”! Ata bashkërisht shohin dhe paralajmërojnë humnerë, sepse ajo i pret në perspektivën e tyre personale. Në këto rrethana, sa më e qëndrueshme që bëhet kriza, aq më i paqëndrueshëm bëhet konsumi i bazuar në pritshmëri. Depresioni social ka relacion të drejtë me krizën politike dhe sociale, kurse relacion të zhdrejtë me optimizmin (preferencën) në konsum. Tejet shqetësues ishte fakti i sapopublikuar në shëndetësi se në pesë vitet e fundit është rritur për 37% numri i pacientëve me diagnozë depresive. Si mund të llogaritim në pritshmëri rritëse të konsumit në rrethana depresive?

Faktori dytë, ndikues në rritjen ekonomike, edhe pse me intensitet shumë më të ulët, ishte eksporti. Duke u bazuar në krijimin e tij, ai është edhe më pak i qëndrueshëm. Një pjesë dominuese të eksportit e krijojnë kompanitë që operojnë në zonat e lira ekonomike dhe teknologjike, qëndrueshmëria e të cilëve duket e zbehtë. Sapo të përfundojnë kohëzgjatjet e kontraktuara për thithje subvencionesh nga shteti, një pjesë e tyre edhe mund të shpërngulen ose ta realizojnë opsionin e daljes nga tregu (exit). Kjo aq më tepër kur e kanë pretekst krizën politike afatgjate. Nëse vazhdohet me bllokimin e institucioneve, thirrjen për “mbrojtjen e shtetit”, duke shkaktuar edhe përplasje ndëretnike ose ndërqytetare, nuk duhet të na befasojë edhe ndonjë bllokadë ekonomike nga Brukseli (BE-ja), që paraqet tregun dominues eksportues të vendit, që me automatizëm do ta tërhiqte edhe bllokadën regjionale, kryesisht të tregjeve shqiptare (posaçërisht Kosovën). BE-ja, zakonisht, i anashkalon masat që i prekin qytetarët, duke tentuar të sanksionojë establishmentin politik, që shkaktuan këto rrethana, por nëse gjërat marrin kahe të padëshirueshme, nuk përjashtohen edhe këto masa (rasti i bllokadës ekonomike të Rusisë, pas aneksimit të Krimesë). Destabilizimi regjional paraqet arsye të mjaftueshme për BE-në, krahas bllokadave ekonomike dhe financiare edhe për tribunal ndërkombëtar për përgjegjësi individuale të shkaktarëve, në këtë rast të a.q. President të shtetit dhe ish Kryeministrit. Bile me këto masa, Brukseli është vonuar shumë, edhe pse procesi i vendimbërjeve të këtilla është goxha i ngadalshëm. Për këto dhe sanksione të ngjashme shpresën e kemi te Uashingtoni dhe posaçërisht vendimbërja efektive e presidentit Trump. Edhe çka duhet të ndodhë tjetër, përpos thirrjes në kryengritje, bile të tipit të kryqëzatave, me këmishëzi dhe odora kishtare, për gjoja mbrojtje të shtetit, edhe atë vetëm nga shqiptarët myslimanë!

Faktor i rëndësishëm në “funksionimin” ekonomik në kushte abnormaliteti pa dyshim që është edhe shkathtësia, ndërmarrësia dhe riskmarja e iniciativës private. Tash e një çerekshekulli në regjionin tonë shumë afaristë janë mësuar me turbulenca dhe sakrifica në biznesbërje. Por, këtu vështirë do të mbijetonin afaristët, për shembull, gjerman, francez,…, e aq më pak ata skandinavë. Në këtë kontekst nuk mund ta krahasojmë regjionin e Ballkanit Perëndimor me atë të Lindjes Mesme (si Bejrutin ose Palestinën), por ama ka shumë analogji në këtë simetri! Natyrisht në hapësira të ndryshme, sepse ne, megjithatë, së paku territorialisht, jemi Evropë!

Nuk befasohemi që Evropa tregohet shumë e ngadalshme, sepse kemi parë edhe neglizhenca më të mëdha, por është e pakuptimtë shpresa për mirëkuptim nga personat bllokues. Janë vetëm disa persona që kanë kapur shtetin, për të cilët nuk ia vlen të llogaritet në mirëkuptim, sepse ata mendojnë vetëm për shpëtim, por për shpëtim të lëkurës tyre! Të gjithë të tjerët, që janë të detyruar t’u shkojnë pas, do të abstenojnë dhe bile do të çlirohen. Unë jam i bindur se ata, thellë në ndërgjegjen e tyre, edhe e dëshirojnë dhe shpresojnë këtë.

Postime të Ngjajshme