` . Maqedonia mposht Slloveninë, fiton edhe Danimarka – TV-SHENJA

Maqedonia mposht Slloveninë, fiton edhe Danimarka

Përfaqësuesja e hendbollit të Maqedonisë për meshkuj i ka nisur në mënyrën më të mirë garat Europianin e Kroacisë, pasi sonte mundi Slloveninë me rezultatin e ngushtë 25:24. Takimi i sontëm i zhvilluar në ”Zagreb Arena” rezultoi të jetë dramatik, me të dyja skuadrat të cilat dhuruan spektaktël në parket. Pjesa e parë e takimit u mbyll me barazim 11:11, në një takim ku portieri Borko Ristovski arriti të mbajë portën e paprekur në shume raste. Pjesa e dytë ishte edhe më e luftuar, ndërsa ishin djemtë e trajnerit Gonzales ata të cilët iu gëzuan fitores në fund, me Maqedoninë e cila është pretendente për t’u futur në mesin e katër skuadrave më të mira në këtë europian. Hendbollisti më efikas për Maqedoninë ishte Manaskov me 9-të gola të shënuar, teksa tek sllovenët Mlakar realizoi 13-të gola. Në ndeshjet tjera kampioni aktual Gjermania deklasoi 32:19 Malin e Zi, Danimarka mposhti Hungarinë me shifrat 32:25, ndërsa Spanja fitoi Çekinë me rezultatin 35:15. Ndryshe nesër nga ora 18:15 luhet takimet Austri –Francë, Serbi-Suedi, ndërsa nga ora 20:30 Islanda përballet me Kroacinë, teksa Norvegjia takohet me Bjellorusinë.