` . Maqedonia ka ndryshuar por Gruevski-Ahmeti nuk mund ta kuptojnë - TV-SHENJA

Maqedonia ka ndryshuar por Gruevski-Ahmeti nuk mund ta kuptojnë

Partia Besa duket se ende nuk po e kupton peshën e përgjegjësisë që ka marrë dhe ka drojë të shfaqë hapur qëndrimet që duhet të jenë të forta dhe të prera. Ajo duket se vuan frikën e fajësimit se po bashkëpunon me të korruptuarit. Ajo është fituesja e vetme e zgjedhjeve dhe as duhet të kompleksohet nga butaforia i Ahmetit dhe Selës dhe as duhet të mbesë në politikën e inateve me ta.

Shkruan: Fitim ZEKTHI, Tiranë

Më shumë se dy javë pas zgjedhjeve partitë shqiptare në Maqedoni janë aq të ndara sa ishin edhe para tyre. Kalimi i ditëve e bën gjithnjë e më të thekshme këtë ndarje teksa i jep vazhdimisht kohë Nikolla Gruevskit (për të cilën ai ka dëshpërimisht nevojë) që me anë intrigash, blerjesh dhe presionesh të mbetet kandidat kryesor për kryeministër. Me një këmbëngulje të pashpjegueshme Ali Ahmeti dhe BDI flasin si fitues të zgjedhjeve, përpiqen të sillen si patriarkët e shqiptarëve, sikur shqetësimi i vetëm të jetë ruajtja e imazhit karikaturesk të fituesit kur ka humbur ndërkohë gjysmën e votave. Humbjet me pak përqindje kudo në demokraci janë moment reflektimi dhe humbjet me 50% janë moment tronditjeje. Partia e kryetarit të bashkisë së Strugës Ziadin Sela po përpiqet gjithashtu të sillet si fituesja e vërtetë e zgjedhjeve, sikur opozita reale ka qenë ajo, sikur ajo ka në dorë ofertën e vetme elegante dhe demokratike për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe sikur vetëm ajo përfaqëson demokracinë, vlerat e bashkimit europian dhe është kësisoj partneri i Perëndimit. Në fakt partia e z Sela duket edhe më qesharake se ajo e z Ahmeti. Në qoftë se roli karikaturesk i z Ahmeti si fitues është i imponuar nga të qenit partia më e votuar akoma, nga të qenit pjesë e qeverisë për një dekadë, nga të qenit parti që vjen nga lufta dhe më kryesorja nga përgjegjësia që i duhet të mbajë për humbjen e thellë dhe kësisoj i kuptueshëm,  teatraliteti i z. Sela është i ushqyer jo vetëm nga paaftësia për të kuptuar politikën, por edhe nga një ambicie delirante për të qenë lojtar kryesor pa e pasur atë fuqi. Kjo ambicie delirante mund ta bëjë atë të  sillet jo thjesht si një servil i kryeministrit Edi Rama në Tiranë, por edhe të hyjë në prehrin e Gruevskit ose në çfarëdolloj prehri që mund t’ia miklojë këtë ambicie. Budallallëqet se ai është modern dhe perëndimor përballë të tjerëve lindorë ose të prapambetur janë vetëm frustracione. Partia e Menduh Thaçit dhe vetë ai pas vitesh të gjata endjesh në skuta në politikës, në kthina të errëta intrigash dhe humbjesh, duket se e kupton se erdhi fundi i kësaj loje. Kjo mund të jetë edhe nisja e një loje të re për të, por tani për tani ai ka bërë lëvizjen më politike nga të gjithë, duke ikur nga PDSH-ja. Partia Besa duket se ende nuk po e kupton peshën e përgjegjësisë që ka marrë dhe ka drojë të shfaqë hapur qëndrimet që duhet të jenë të forta dhe të prera. Ajo duket se vuan frikën e fajësimit se po bashkëpunon me të korruptuarit. Ajo është fituesja e vetme e zgjedhjeve dhe as duhet të kompleksohet nga butaforia e Ahmetit dhe Selës dhe as duhet të mbesë në politikën e inateve me ta. Besa duhet të shohë çdo mundësi bashkëpunimi me secilin, me kushte të qarta, që duhet të jenë largimi i Gruevskit, gjuha shqipe, hetimi çështjeve të nxehta, funksionimi i gjykatës speciale dhe proporcionaliteti në ndarjen e pushtetit. Sigurisht kjo është e vështirë ndoshta edhe e pamundur, pasi plotësimi i kushteve të tilla do të rrënonte Gruevskin, Ahmetin dhe Selën. Gruevski, Ahmeti dhe Sela në nënvetëdijen e tyre e kanë të qartë se Besa është jo vetëm fituesja e zgjedhjeve, por edhe ndërgjegjja morale e politikës shqiptare në Maqedoni. Për këtë shkak ndaj Besës artikulohen akuza apolitike duke e quajtur “euro-aziatike” ose “parti që synon të islamizojë politikën, që financohet nga Turqia dhe Erdogani”. Gruevski,  Ahmeti dhe Sela përpiqen t’iu drejtohen instinkteve irracionale të njerëzve, të opinionit, duke dashur të ngjallin frikë. Në politikë dy janë ndjenjat më të mëdha: frika dhe shpresa. Shpresën që mund ta ngjallë një parti e re, që ngrihet kundër një klase politike të degraduar treshja Gruevski-Ahmeti-Sela, përpiqen ta përziejnë me frikën. Ata vetë nuk janë kurrfarë shprese, ndonëse Sela e ka pretenduar të jetë ai shpresa. Politikanët e këqij gjithnjë iu janë drejtuar këtyre emocioneve tek njerëzit, në mënyrë që të shkatërrojnë një kundërshtar, por edhe të fitojnë vetë vota. Këtë gjë ka bërë Musolini, Lenini,  Hitleri etj. Këtë gjë bëjnë islamofobët sot kudo. Këtë gjë bën Marine Le Pen, Gert Wilders dhe lloj islamofobësh ose ksenofobësh. Asgjë që duket se po islamizon politikën në terma të veprimit ose gjuhës nuk ka tek Besa. Asgjë jodemokratike ose aziatike nuk ka te Besa. Përkundrazi, partitë e Gruevskit ose Ahmetit janë organizata gati kulte personale dhe aspak parti demokratike. Pavarësisht gjithë kësaj lufte ndaj saj, Besa është e detyruar dhe ka përgjegjësinë para njerëzve të synojë bashkëpunimin. Është korrupsioni shkaku i kësaj lufte dhe shkaku i gjendjes në të cilën gjenden shqiptarët në Maqedoni. Korrupsioni është ndotësi dhe pengmarrësi më i madh i një individi, një partie ose entiteti tjetër politik ose shoqëror. Është shumë e njohur shprehja e lordit Acton se pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton absolutisht. Historia e njeriut dhe politikës e ka treguar vazhdimisht këtë gjë, megjithatë një tjetër gjë është edhe më e fuqishme. Aung San Suu Kyi, një lidere e persekutuar e opozitës së dikurshme në Burma, tha në fjalën e marrjes së çmimit Nobel të paqes se: “Nuk korrupton pushteti, por frika. Korrupton frika e humbjes së pushtetit nga ata që e kanë atë dhe frika e ndëshkimit nga pushteti korrupton ata që janë subjekt i tij.” Në fakt kjo ka ndodhur në Maqedoni me partitë politike në pushtet të Gruevskit dhe  Ahmetit. Ata janë korruptuar prej frikës se mund ta humbin pushtetin dhe korruptohen vazhdimisht, sepse duhet ta mbajnë atë të trembur se po e humbën mund të jenë subjekt i ndëshkimit për korrupsionin e kryer. Korrupsioni është katër llojesh. Lloji i parë është njollosja apo devijimi i brendshëm, duke marrë  ryshfet për pasuri për vete dhe familjen. Lloji i dytë njollosja ose devijimi brendshëm nga inati për të tjerët ose kundërshtarët. Lloji i tretë është njollosja ose devijimi i brendshëm për shkak të injorancës dhe lloji i katërt, më i keqi, është shkatërrimi i çdo ndjesie morale mbi të drejtën, të mirën dhe të keqen. Në këtë pikë njeriu është qenie amorale dhe justifikon gjithçka.

Te politika në Maqedoni dhe sidomos tek Gruevski dhe Ahmeti gjenden të katër llojet e korrupsionit. Po të ishte ndryshe, partitë shqiptare së paku do të silleshin ndryshe tani pas zgjedhjeve. Kjo e bën më të rëndësishme betejën për forca politike si Besa, që duhet si ndërgjegje morale të jetë shpresa. Tani erërat nuk fryjnë më për Gruevski-Ahmetin. Mund të mos fryjnë as për Selën në qoftë se do të vazhdojë me sjelljet qesharake të liderit të madh perëndimor antilindor.

 

 

Postime të Ngjajshme