` . Maqedonia ideale për shqiptarët nga prizmi i arsimit (I) – TV-SHENJA

Maqedonia ideale për shqiptarët nga prizmi i arsimit (I)

Është akute që punësimi i kuadrove, duke nisur nga çerdhet e deri tek universitetet të mos bëhet sipas përshtatshmërisë ideopolitike, por kriterit profesional. Çelësi partiak duhet të shmanget që të mos kemi mësues dhe mësimdhënës universitarë, të cilët nuk dinë ta bëjnë punën e tyre.

Rreth 30 % e mësimdhënësve në universitetet shqiptare janë ish politikanë, sepse rruga më e lehtë për të arritur në universitet është ajo që kalon përmes politikës.

Shkruan: Sefer TAHIRI

Maqedonia, aktualisht është në kapërcim, ndonëse me shumë vështirësi të njërës ndër fazave më të rënda të krizës politike, ekonomike, por edhe morale, e cila do të ketë pasoja afatgjate ndaj zhvillimit historik të saj. Një projeksion se si do të duhej të duket Maqedonia e tipit ideal për shqiptarët do ta prezantojmë duke u fokusuar në fushën e arsimit, migrimin e të rinjve dhe fushën e medias, të cilat janë fushë e kompetencës sonë profesionale dhe kërkojnë ndryshime rrënjësore.

Arsim më cilësor në të gjitha nivelet

Fusha në të cilën shqiptarët ballafaqohen me më shumë probleme, cilësi të dobët, mosrespektim të standardeve evropiane padyshim se është arsimi. Në të gjitha ciklet ekzistojnë një mori problemesh që kërkojnë zgjidhje. Është me rëndësi dhe plotësisht e pranueshme që arsimi fillor, por edhe ai i mesëm të jenë të detyrueshëm, pasi në këtë mënyrë prindërit detyrohen që të mos kenë dilema mbi shkollimin e fëmijëve të tyre. Por si të shmangen problemet? Në radhë të parë nevojitet të bëhet departizimi i sistemit arsimor, pasi partizimi është proces që ka ndodhur dhe është mbindërtuar me vite. Është akute që punësimi i kuadrove, duke nisur nga çerdhet e deri tek universitetet të mos bëhet sipas kriterit partiak apo përshtatshmërisë ideopolitike, por sipas kriterit profesional, shtuar këtu edhe kompetencën dhe shumë kushte tjera. Çelësi partiak duhet të shmanget që të mos kemi mësues dhe mësimdhënës universitarë, të cilët nuk dinë ta bëjnë punën e tyre. Kjo nuk duhet të vlejë vetëm për të punësuarit, por edhe për drejtorët në shkolla fillore dhe të mesme si dhe për drejtuesit e universiteteve. Nevojitet të bëhet demokratizimi i menaxhimit me shkollat dhe i zgjedhjes së drejtorëve dhe arsimtarëve, por madje edhe i punësimit të njerëzve që merren me higjienën. Madje partijzimi shkon deri atje saqë edhe anëtarët e këshillave të prindërve zgjidhen anëtarë apo simpatizues të partisë politike në pushtet, kuptohet me pak përjashtime.Përzgjedhjet e këtilla duhet të eliminohen, sepse vetëm në këtë mënyrë largohet presioni politik- partiak në shkolla, ndërsa do të ketë atmosferë më relaksuese në arsim. Shkollat shpesh nga partitë politike në pushtet përdoren për përfitime politike, prandaj duhet të gjenden mekanizma për të penguar keqpërdorimin e tyre dhe të punësuarve në fushata zgjedhore.

Arsimtarët në shkollat, të cilët nuk kanë arsimim përkatës duhet të zëvendësohen me njerëz të shkolluar, ndërsa ata që janë me shkollim vetëm të mesëm duhet të largohen nga procesi i mësimdhënies.

Sidomos gjendja duhet të përmirësohet në fushën e shkencave natyrore, por edhe në lëndët e artit muzikor, artit figurativ dhe edukatës fizike, ndërsa sa i përket lëndës Etika dhe religjioni duhet të përzgjidhen arsimtarë që kanë njohuri komparative mbi fetë, me qëllim që nxënësve t’u ligjërojnë mbi religjionet pa paragjykime, pa gjuhë të urrejtjes dhe në frymën e tolerancës ndërfetare. Paralelisht me procesin e punësimit mbi bazën e meritave dhe kritereve profesionale- shkencore duhet të bëhet edhe trajnimi i vazhdueshëm i arsimtarëve, sidomos sa i përket shkathtësive kompjuterike.

Është domosdoshmëri që të përforcohen mekanizmat e kontrollit të cilësisë në arsimin fillor dhe të mesëm, por jo me dënime që duhet të jenë rezultat i vlerësimeve eksterne, pasi u dëshmua se i njëjti është jofunksional dhe përmban shumë anomali.

Poashtu është e domosdoshme të bëhet reformimi i programeve mësimore dhe korrigjimi i teksteve shkollore, të cilat përmbajnë gabime trashanike përmbajtësore, por ç’është më e keqja përmbajnë edhe stereotipa etnik dhe përmbajtje, të cilat janë me diskurs ideologjik përkatësisht janë në funksion të mbështetjes së pushtetit. Gjithsesi se një politikë e këtillë arsimore, e cila në thelb është kundërthënëse me vlerat bashkëkohore ndikon në erodimin e cilësisë së arsimit në vend.

Jemi dëshmitarë se si në televizione u shfaq një shkollë e gurosur në Nerez të Epërm, e cila vetvetiu flet për diskriminimin që u bëhet shqiptarëve në fushën e arsimit. Në gjendje të mjerueshme janë edhe disa shkolla tjera, prandaj nevojiten investime publike që të përmirësohet gjendja në këto shkolla, që gjenden kryesisht në rajonet rurale. Komunat duhet të jenë më të përgjegjshme lidhur me gjendjen në shkolla, përmirësimin e higjienës, sigurimin e ambienteve për sport e aktivitete kulturore. Në shumë rajone mungojnë sallat e sportit, ndërsa në disa kanë filluar dhe assesi të përfundojnë. Edhe pse u promovua projekti “Kompjuter për çdo nxënës”, i njëjti sidomos në shkollat me mësim në gjuhën shqipe nuk funksionon për shkak të paaftësisë së arsimtarëve, ndërsa në disa shkolla kompjuterët mund të hasen në bodrume. Mjerisht ! Ato duhet të jenë në përdorim jo vetëm në lëndën e informatikës, por edhe në lëndë tjera. Koncepti i Edukimit mediatik, një koncept bashkëkohor mbi njohjen, analizën kritike dhe dekonstruksionin e porosive mediatike duhet të jetë i zbatueshëm në shkollat fillore dhe të mesme, sepse vetëm duke njohur këtë koncept qytetari shqiptar nuk do jetë ndjekës pasiv i mediave elektronike, të shkruara dhe sidomos portaleve.

Duhet të bëhet pajisja e kabineteve të lëndëve të shkencave teknike dhe natyrore, pasi nxënësit duhet të fitojnë shkathtësi praktike mbi njohuritë teorike që i fitojnë.

Të hartohet një strategji se si të binden gjysmëmaturantët të orientohen në shkolla të mesme profesionale ose të zanatit siç njihen ndryshe, pasi ekziston një traditë joefektive që të gjithë duan të regjistrohen në mjekësi ose gjimnaze të përgjithshme.Organizimi i nxënësve në shkollat e mesme duhet të jetë më funksionaldhe jo vetëm formal, me përfshirjen e vetëm disa nxënësve, ndërsa adresimi i problemeve të bëhet në mënyrë përkatëse. Participimi i të rinjve, pra nxënësve në procesin e vendimmarrjes apo ndikimit të tyre ndaj politikave arsimore është vlerë e shoqërive bashkëkohore. Korrupsioni, pedofilia dhe sjellja amorale e mësimdhënësve kërkon sanksionim e duhur, pra zbatimin e ligjit dhe për këtë nxënësit duhet të inkurajohen që të raportojnë këto sjellje devijuese, kuptohet pa u hamendësuar për pasojat, sepse pasojat nga mosraportimi janë edhe më të mëdha.

Arsimi i lartë, një mal me probleme !

Fusha e arsimit të lartë ngelet me më shumë probleme. Duke pasur parasysh që zyrtarizimi i Universitetit Shtetëror në Tetovë është bërë në vitin 2004, rrjedhimisht edhe problemet e arsimit të lartë mbeten të mëdha. E para dhe më urgjente është që të ndryshohet koncepti i arsimit të lartë, pra nga shtetëror duhet të mbizotërojë koncepti i interesit publik, i shërbimit të tij ndaj interesit të përgjithshëm, e jo ndaj interesit shtetëror (pushtetar), të cilin zakonisht e definojnë qeveritë ose edhe më keq partitë politike qeverisëse.

Partizimi është një sindromë që e ndjek këtë nivel të arsimit. Tre rektorët jorastësisht janë ish deputetë, sepse rruga më e lehtë për të arritur në universitet është ajo që kalon përmes politikës, asaj të pushtetit kuptohet. Ish rektori i USHT-së, Sadi Bexheti zbuloi se 30 % e mësimdhënësve në universitetet me mësim në gjuhën shqipe janë ish politikanë. Pra njerëz që kanë shfrytëzuar autoritetin e tyre politik për t’u bërë profesorë universitarë.

Një problem shumë i madh është mospërputhja e titujve shkencorë (magjistra dhe doktorë shkencash) me titujt arsimorë docent, profesor inordinar dhe profesor ordinar. Harmonizimi i fushave për mësimdhënie është proces që duhet të ndodh, ndërsa duhet të rishqyrtohet çdo titull që është dhënë, sepse ka të ngjarë që një pjesë e titujve janë dhënë në mënyrë paushalle ose pa u respektuar sistemi i meritokracisë. Listat e degëve partiake të partisë në pushtet, në të cilat caktohet se kush mund të jetë profesor e kush jo duhet të ndërpriten si praktikë, sepse është e dëmshme, jotransparente dhe jodemokratike.

Në universitetet me mësim në gjuhën shqipe ka nevojë për kuadro të reja, që kanë përfunduar në universitetet ndërkombëtare ose të vendit me rezultate të shkëlqyera. Edhe atë në pozicionet e asistentëve- bashkëpunëtorë, por edhe në stafin mësimdhënës.

Shumica e profesorëve aktual nuk janë përkatës për fushat apo lëndët që ligjërojnë, prandaj shpesh hasim edhe profesorë të ashtuquajtur “gjithologë”, të cilët shtiren se dinë shumë dhe nuk refuzojnë asnjë lëndë që u jepet, ani pse shpesh mësojnë njëkohësisht me studentët për lëndët që i ligjërojnë.Recensionet e shkruara në kuzhinat partiake duhet të zëvendësohen me recensione akademike e shkencore.

Profesorët e moshuar duhet të përshtaten me rrethanat e reja në arsim dhe të përdorin teknologjinë e re informatike, pasi koha e shkumësit dhe dërrasës së zezë ka kaluar që moti.

Është shume e shëndetshme që pas rishqyrtimit u ndërpre disperzimi i pakontrolluar i fakulteteve të ndryshme, sepse decentralizimi në arsimin e lartë nuk jepte rezultate. Nuk mundet të shpërndahen gjithandej paralele, kur dihet se në disa qytetet nuk ka as kushte minimale.

Ngjashëm si edhe në arsimin e mesëm duhet të hartohet një strategji për fushat në të cilat diplomojnë profile të ndryshme, ndërsa universitetet, sidomos ato publike, duhet të kenë një bashkëpunim mes vete që të mos dublohen në aspektin e programeve studimore. Një fushatë publike, e cila do të promovonte dhe do të nxiste maturantët që të studiojnë në shkencat teknike dhe natyrore do të ishte shumë pozitive.

Organizimi i studentëve dhe beteja e tyre për më shumë të drejta duhet të jenë më të gjalla, duke mundësuar demokraci dhe pluralitet në përzgjedhjen e organeve studentore, sepse ndryshe organizmat studentore do të shndërrohen në “filiale” të partive politike brenda hapësirave universitare. Praktikisht në vend që të jenë zëdhënëse të studentëve ato janë organizma të pazëshme, që organizojnë ahengje për Vitin e ri, mbrëmje gazmore e aktivitetet të tilla zbavitëse, por jo edhe debate thelbësore mbi studentët, problemet e tyre, ardhmërinë e tyre, por edhe mbi procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, mbi shoqërinë, fenomenet e ndryshme sociale e politike e kështu me radhë.

Autonomia universitare në qendrat e arsimit të lartë në gjuhën shqipe duhet të përforcohet, sepse ajo lë shumë për të dëshiruar. Këtë më së miri e ilustron fakti se gjatë ndërrimit të pushtetit, pra në dy raste kur në pushtet kanë ardhur dy parti politike, në 2006 PDSH-ja dhe në 2008 BDI-ja, në mënyrë ekspresu bë ndërrimi i rektorit të USHT-së !

Përfundimisht, universitetet duhet të jenë qendra të dijes, por edhe qendra në të cilat zhvillohet të menduarit kritik, duhet të jenë hapësira akademike në të cilat sundon mendja e lirë dhe ku sendërtohet liria e mendimit.(Vijon)