` . Maqedonia bëhet Republika e Maqedonisë së Veriut (VIDEO) - TV-SHENJA

Maqedonia bëhet Republika e Maqedonisë së Veriut (VIDEO)

Me 81 vota “për” deputetët i miratuan ndryshimet e Kushtetutës së Maqedonisë, me të cilat, inkorporohen në Kushtetutë amendamentet e reja në përputhje me Marrëveshjen me Greqinë. Me numër të njejtë të votave Kuvendi solli vendim për shpallje të amendamenteve 33, 34,35 dhe 36 me të cilën bëhen pjesë të Kushtetutës.

Me amendamentin 33, fjalët “Republika e Maqedonisë” zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së veriut”, ndërsa fjala “Maqedoni” zëvendësohet me fjalët “Maqedonia e Veriut”, këto ndryshime bëhen në të gjithë Kushtetutën, përveç në nenin 36. Amendamenti 34 ka të bëjë me ndryshimet në Preambulë. Amendamenti 35 garanton se e respekton “sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje, të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Bullgarisë, Republikës së Greqisë, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ndërsa amendamenti 36  ka të bëjë me kujdesin e shtetit për diasporën.

Sipas ligjit të Kushtetutës që poashtu u miratua me 81 vota, këto amendamente hyjnë në fuqi pasi të hyjë në fuqi tërësisht Marrëveshja e Prespës, gjegjësisht pasi të ratifikohet në parlamentin grek. Sipas nenit 1 të këtij ligji, amendamentet nuk do të hyjnë në fuqi dhe do të jenë të pavlefshme në rast se Greqia nuk e ratifikon Marrëveshjen.

Në këtë seancë nuk morrën pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së, megjithatë këtë process e mbështetën tetë deputetët e grupit të pavarur parlamentar, të përjashtuar nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Për Maqedoni më të mire”.

Ajnur Bafqari /SHENJA/