` . Maqedoni e Veriut - Bullgari, kërkohet përshpejtimi i ndërtimit të infrastrukturës (Video) - TV-SHENJA

Maqedoni e Veriut – Bullgari, kërkohet përshpejtimi i ndërtimit të infrastrukturës (Video)

Komisioni i përbashkët ndërqeveritar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, në pajtueshmëri me Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi dhe bashkëpunim, ka mbajtur sot mbledhjen e parë, me të cilën kanë udhëhequr ministrat të Jashtëm të dy vendeve, Nikolla Dimitrov dhe Ekaterina Zaharieva. Pas mbledhjes, dy kryediplomatët deklaruan se është i nevojshëm përshpejtimi i ndërtimit të infrastrukturës të transportit dhe asaj energjetike, gjë që, sipas tyre, do të mundësonte ndërlidhje më të mirë në rajon. Dimitrov, në deklaratën e tij, ka theksuar edhe njëherë rëndësinë e marrëveshjes në thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

NIKOLLA DIMITROV, MINISTËR I JASHTËM 

“Vazhdon puna e projekteve energjetike mes dy vendeve. Mes dy vendeve sundon atmosfera e miqësisë, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjelltë. Ka fusha në të cilat bashkëpunimi mes dy shteteve shënon përparim të madh, si për shembull turizmi”.

Ndërkaq, Zaharieve, duke folur për raportet bilaterale mes vendit të saj dhe Maqedonisë së Veriut, tha se raportet politike mes dy shteteve shënojnë përparim të madh.

EKATERINA ZAHARIEVA, MINISTRE E JASHTME E BULLGARISË

“Shembull për këtë janë tetë vizitat e shkëmbyera mes kryeminsitrave në dy vitet e kaluara, si dhe i numrit të madh të delegacioneve dhe forumeve të ndryshme. Ka frymë konstruktive, fqinjësore dhe miqësore. Ka rritje të shkëmbimit tregtar në vitin 2017 dhe 2018, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti është shënuar rënie e zbehtë, por ministritë e ekonomisë fillojnë të punojnë fuqishëm të punojnë për parandalimin e kësaj tendence”.

Në kuadër të aktiviteteve të sotme në Sofje, janë mbajtur edhe takime tet a tet mes dy ministrave si dhe është mbajtur seancë e përbashkët qeveritare, në të cilën është bërë rekapitulimi i dinamikës së raporteve dhe bashkëpunimit, në pajtueshmëri me detyrimet që dalin nga marrëveshja. Po ashtu, është nënshkruar edhe protokoll zyrtar, për shqyrtim të implementimit të marrëveshjes. Teuta Buçi /SHENJA/