` . Makutëria e “vjetërsisë” shqiptare - TV-SHENJA

Makutëria e “vjetërsisë” shqiptare

Shqiptarët gjithmonë të ndarë e kurrë të bashkuar: Pashallëku i Shkodrës dhe Pashallëku i Janinës,Republika e Mirditës”, “Republika e Korçës”, “Qeveria e Vlorës”, “Qeveria e Durrësit”, “Qeveria e Lushnjës”, te lufta e klasave, secili kundër secilit dhe kundër vetes, ashtu si sot, shteti “i Kosovës”, “i Shqipërisë” ose “shtetformuesit e Maqedonisë

Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork

Shqiptarët janë një komb që u pëlqen ta lëvdojnë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga të sjellurit e nga trimëria. Mua më duket se një njeri që i ka trutë në vend, nuk duhet të flasë në atë mënyrë. Po të ishte ashtu, shqiptarët do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen”. Kështu shkruante Faik Konica para më shumë se një shekulli, por mund të mbahet edhe sot si “yrnek” i një mentaliteti të hidhur shqiptar, që nuk bën as përpjekjet më të vogla për t’ju shmangur makutërive që nuk të shpien askund! Janë këto makutëri, që edhe në rastin kur janë të vërteta nuk sjellin ndonjë dobi, ndërkohë që shumica e tyre nuk bëjnë as për “përrallat e mbasdarkës”. Janë makutëri qesharake të disa njerëzve, të cilët për çdo person të njohur në histori, synojnë ta nxjerrin “të vërtetën” mbi prejardhjen e tyre të vjetër iliro-shqiptare!

Dje ishin ilirë Aristoteli dhe Leka i Madh, të cilin bota e njeh si Aleksandrin e Maqedonisë! Të tillë ishin Krishti (a.s.) e Muhamedi (a.s.)! I tillë qe edhe Akili! George Washington-i pati nënën shqiptare! Nikolla Teslla nënën dhe babanë! Napolon Bonoparti shqiptar! Shqiptar Kemal Ataturku dhe Kenan Evreni! Shqiptar kryetari amerikan Bush (i vjetri)! Erdogani – shqiptar i Krajës! Sadik Khan [e bëjnë Kenan Sadiku], kryebashkiak i parë mysliman i Londrës, fliska shqip e qenka shqiptar nga e ëma, me origjinë nga Medvegja! Shqiptarë qenkan edhe aktorët amerikanë si Robert de Niro, solistja Ana Oxa, kosmanouti Alan Shepard, astronauti William Gregory, shkencëtarja Laura Mersini Houghton, balerina Amberta Toromani. Dhe, në fund fare taze, vjen prejardhja shqiptare e presidentit Donald Trump nga Talinoci i Jerlive të Ferizajit! Marri pas marrie!

Ata që kënaqen me rrëfime të këtilla, le ta dëgjojnë Besim Spahiqin, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë. Sipas tij, aktori Josip Baroti është shqiptar i Zadrës! Dinastia Karagjorgjeviqe – shqiptarë të Kelmendit! Tre papët ishin shqiptarë! Shqiptar, sipas tij ishte senatori Bob Dole dhe gjashtë senatorë të tjerë amerikanë! Solisti i njohur Xhon Lenon – shqiptar ortodoks i Elbasanit! Emri i madh në fushën e modës Georgio Armani – shqiptar. Në fushën e sportit, emrat si Josip Gjergji, Tomislav Jevciq, Novak Gjokoviq (tenist) janë shqiptarë. Edhe krijuesi i cigareve “Muratti” qenka me prejardhje shqiptare: Enver Murati që jetonte në Amerikë dhe që pastaj u transferua në Torino, ku krijoi kompaninë e cigareve “Muratti”.

Ata që kërkojnë dëshmi, e gjejnë historianin zviceran Aleksandre Lambert, sipas të cilit shqiptarët kanë lënë emrin e tyre në fusha të ndryshme të shkencave në shtete të ndryshme të botës, se ata e kanë përcaktuar fatin e shumë betejave historike: Merkur Bua për Venedikun (1515); pesë kryeministra të Perandorisë Osmane vetëm nga Qyprilinjt; heronjtë e pavarësisë greke, si: Kundurjotis, Boçari, Kanaris, Bubulina, etj.; në Rumani, familja princore Aleksandër dhe Vladimir Gjika, si dhe princesha Eleonora (Dora Distria); Françesko Crispi, shok i Garibaldit, Kavurit e Macinit, që ka qenë një kryeministër i madh Italisë; piktorët Carpaçi e Albani, humanisti Leonic Tome – profesori i Kopernikut; Muhamet Aliu – reformatori i Egjiptit modern; arkitektët e mrekullisë “Taxh Mahall” dhe “Xhamisë Blu”; projektuesit e rrugëve të ujësjellësve në Venedik – Carl (Ritter) von Ghega, i lindur në Venedik: me prejardhje shqiptare dhe i quajtur Karl Gega. Sepse, nga shqiptarët e kanë prejardhjen edhe fiset gjermanike, të cilat u ndanë kur u formuan kombet e Evropës Perëndimore dhe Veriore dhe emigruan nga Lindja drejt Perëndimit!

Të zellshmit e këtyre pretendimeve janë “gjithologë”, sipas të cilëve thuajse të gjithë njerëzit e artit, shkencës, kulturës e politikës kanë një lidhje me gjakun shqiptar! Është pikërisht ajo makutëria e “trashigueshme” që ka diagnostifikuar Faik Konica! Atyre nuk u hyjnë në punë Biografitë, sepse u mjafton “bishti” për t’i nxjerrë “rrënjën”, ata nuk kanë lexuar kurrë biografi të këtyre njerëzve. Përndryshe do të duhej të shpjegoheshin.

Ndonëse biografia e Nikolla Tesllës thotë se ishte nga Smiljani i Kroacisë, “gjithologu” bazohet në një fotografi të gjetur në internet [me veshje shqiptare] dhe del në përfundim se ishte nga Serbia jugperëndimore afër Malit të Zi, kjo domethënë se ishte nga Sanxhaku – Dardania veriore [Zëri, 15.7.2015]. Pastaj na del një “gjitholog” tjetër me një referencë e na thotë se Teslla ishte “Mysliman”, prej nënës Meira e babait Shaban, me origjinë nga Vogosca në Sarajevë, se kishte kryer tre herë haxhin dhe se kishte falur namaz [Blic, 12.3.2015]. I njëjti paskësh “zbuluar” se në prag të vdekjes Josip Broz Titon e kishte kapur devotshmëria dhe ishte bërë e kishte vdekur si mysliman [Kurir, 30.5.2016]!

Para Tesllës, Napoleon Bonaparti ishte shqiptar, pasi kur Josef Bonaparti, vëllai i madh i Napoleonit, u bë mbret i Napolit më 1806, shqiptarëve të Napolit, që shkuan për t’i uruar mirëseardhjen u tha: “Edhe familja Bonaparti është me origjinë arbëreshe” [Panorama, 2.9.2003]! Vijmë pastaj te nëna e presidentit historik amerikan George Washington (1732-1799) – Mary Ball, që ishte “në të vërtetë” Marije Bala, “një shqiptare me prejardhje nga rrethi i Pejës” [Zëri, 26.7.2016]!? Biografia thotë se babai i Marijes ishte një anglez që kishte ardhur në Virginia në moshën 13-vjeçare. Natyrisht, pason pastaj edhe “amaneti” që kishte pas lënë Washigton-i, për t’u ndihmuar “dajallarëve” [shqiptarëve], amanet të cilin e paskësh gjetur Bill Clinton-i para se ta vendoste ndërhyrjen në Kosovë (1998-1999)!

Më qesharakja është mënyra e artikulimit dhe “dëshmisë”, duke përdorë ngjashmëri emrash, për ta bërë të besueshme pretendimin e gjakut shqiptar. Jorastësisht thotë gjithologu:  “Malësia” u bë “Mali i Zi”, jemi pra ne shqiptarët që e bëjmë Malin e Zi?! Pastaj Akili na vjen si “Mirmidon” që do të thotë: Dimër, Dimëror (Mirditor), ndryshe na del edhe si “Aspet”, që do të thotë “Ashtë i Shpejtë”! Se Kotorri ishte iliro-arbëroro-shqiptar, që më vonë u sllavizua, ndërsa toponimi Kotorr ka etimologji shqipe kotorr-i, që do të thotë i vogli i buallicës deri një vjeç. Se Shën Stefani afër Budvës, qendër e Pashtroviqëve, që e paskan pas fshehur zbërthimin etimologjik të emrit të tyre: Pashtroje që do me thënë  “pastra” (?!).

Gjithologu, madje, thotë se ishim ne ata që e mbollëm qytetërimin, ata që Evropës i dhamë Evropën, se ne shqiptarët nuk jemi bijtë e Evropës, por baballarët e saj. Ka gjetur madje edhe rrënjët e historisë 2300-vjeçare të “shqiptarëve” të Qafiristanit (sot Nuristan), një vend ku piqen Afganistani, Pakistani, Kina e Taxhikistani, me plot tipare popullore, gjuhësore e zakonore pellazge-ilire-arbëreshe-shqiptare! E “vërtetuem” se edhe hieroglifët e piramidave të lashta të Egjiptit e kishin bazën te gjuha ilirishte dhe se ishte Thot-i (sipas “thotë”), ai që e krijoi alfabetin hieroglifik fonetik, duke pasur si çelës gjuhën shqipe. Pastaj na vjen edhe ajo “Shqipëria e Kaukazit”, që ndërkombëtarisht njihet si “Caucasian Albania“!? Aty ëshët edhe Eskuera” baske, që vjen nga “e shkuara” shqipe, e plot marrëzi të tjera të kësaj natyre!

Njani më thotë se shqiptarët nuk kanë pas gjuhë të shkruar deri më 1908, e tjetri se “Pellazgët kanë folur e kanë shkruar shqip”, se gjysma e botës “fliste shqip”. Një udhëpërshkrues i huaj i fillimshekullit XIX thotë se ‘albani’ i veriut nuk e kuptonte të folmen e ‘albanit’ të jugut, ndërsa studimi i ri e “zbulon” gjuhën shqipe, një ndër tre gjuhët më të vjetra të botës, një gjuhë e familjes indo-evropiane me origjinë nga Anatolia! Giuzeppe Catapanomi e vendos kufirin e kësaj kulture e qytetërimit pellazgo-iliro-shqiptar nga Irani e deri në Atlantik në perëndim, nga Alpet në veri e deri në jug të Afrikës veriore!

Pastaj na u gjet një kalendar i tyre mijëvjeçarë, me vlerë të madhe, një dëshmi e një qytetërimi të veçantë shqiptar, që dallon nga të tjerët. Se në Margaritovo të Ukrainës gjendet alfabeti 400-vjeçar i Elbasanit me 54 shkronja, që nuk është përdorur vetëm në Elbasan dhe Berat, por edhe te tregtarët në mërgim. Sikur të mos mjaftonin këto, na del pastaj “Sia Magazine” me lajmin bombë: “Fizikisht, shqiptarët janë raca më e bukur në Evropë, raca më e ngritur psiqike e intelektuale e Ballkanit dhe femrat shqiptare janë shumë elegante, me stil të lartë e moderne…”Ah, sikur të mos ishte Fallamerayeri të na prishë qefin, që: “Shqiptarët nuk janë një popull me kulturë (nuk kanë literatur kombëtare)… në fushën shpirtërore, gjatë njëmijëvjeçari të ekzistencës së vetëdijshme nuk kanë dhënë as gjënë më të vogël...” [Fallamerayer: 1990/120-121].

Edhe për profetin Muhamed (a.s.) është përfolur dikur tinëz dhe me shumë kujdes se kishte qenë shqiptar. Ndoshta ishte vetëm një shaka e ndonjë të pagdhenduri, por sidoqoftë sistemi ateist e ndërpreu atë shaka të transformimit të arabit në shqiptar, sepse për të më nuk kishim nevojë. Pas gjysmë-shekulli poshtërsish komuniste, na del sërish në skenë një “ekspert” i historisë pellazgo-ilire, një “dr.” për të na i dhënë “dëshmitë” në dorë, se profeti Muhamed (s.a.v.s.) ka qenë shqiptar: ”Muhamedi nuk e kishte emrin Muhamed, por Maho-met dhe fjala Maho, Make, Magjio, Mate, Mathe është fjala “i madh” dhe “Met” është mendja. Pra fjala është shqip, në kuptimin mendje e ndritur, ashtu siç e thotë edhe Down Brown-i… Një kuriozitet tjetër mund të themi se nëna e Muhamedit quhej Fati… dhe fisi që e nxori Muhamedin quhej fisi i Kurejshëve. Është fisi që është goditur më shumë nga Muhamedi, sepse ata donin që të jetonin në paganizmin pellazgo-ilir dhe nuk e donin monoteizmin, qoftë të Krishtit, qoftë të Muhamedit”. Ai që e njeh sadopak biografinë e Muhamedit (a.s.) ose historinë islame, do të qeshte me ironi në pretendimin e “doktorrit”.

Një “ekspert” tjetër i kësaj fushe ka një tjetër “argument”, se Profeti Muhamed ishte profet universal, i cili i përkiste njerëzimit në përgjithësi, sikurse profetët e tjerë, ishte pellazg me prejardhje, por i arabizuar! Meqenëse pellazgët kanë qenë popullatë hyjnore, atëherë patjetër që edhe profetët kanë prejardhje pellazgjike. Se ku i marrin dhe i mbledhin këta “ekspertë” të gjitha marrëzitë, duke i bërë bashkë të thënat e Giuseppe Catapano-s, se: “Profeti Thot – Tata fliste shqip para 12.000 vjetëve”; për lashtësinë e gjuhës shqipe, sa edhe “Krishti fliste në këtë gjuhë” [Kosova Sot, 15.7.2011].

Kjo gjuhë, pra, ishte më e vjetër se edhe vetë Krishti, gjuha e parë e njerëzimit, gjuhë që flitej kur u ndërtua “Kulla e Babelit” biblik. Sipas rrëfimit, kjo kullë ishte ndërtuar për ta arritur qiellin dhe vetë Zotin. Ky ishte mëkati i njerëzimit që fliste të njëjtën gjuhë, pra “gjuhën shqipe”. Për këtë kryelartësi njerëzore – vazhdon përralla, Perëndia dëshironte t’i pështjellonte gjuhët e njerëzimit, andaj të nesërmen nuk e kuptuan më njëri-tjetrin dhe kështu Zoti i lindi gjuhët e botës. Jo vetëm kaq, por edhe sumerët – pasardhësit e Babilonisë, e kanë quajtur këtë vend Shumer apo (shqip) “shum erë”.

Ata na vijnë me argumentin se paskëshim Hammerton-in, Mosenin dhe Durham-in, që na thanë se jemi populli më i vjetër dhe më i veçantë i Ballkanit [Albanica, mars 2007], paskëshim Montague Bell-in që na tha se jemi raca më e vjetër në Europën Juglindore [Express, 24.01.2017], Virhovin që na quajti “popull vërtetë superior” i tërë Evropës Lindore ose Mathieu Aref-in se jemi popull parahelen! Nuk na thonë nëse profeti Nuh (Noah) jetoi para apo pas Babilonisë, por gjithsesi edhe ai ishte pellazgo-iliro-shqiptar, që patjetër fliste shqip – rrënja e të gjitha gjuhëve evropiane, gjuha e parë e shkruar – gjuha e fillimit. Se emrat e maleve dhe lumenjve në të gjithë Europën e vjetër i kanë kuptimet e tyre vetëm në shqip. Edhe perënditë egjiptiane, sumere ose greke shpjegohen dhe kuptohen vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe. Bile, etërit e shqiptarëve – pellazgët, qenë ata që e krijuan edhe masonerinë dhe e përdorën dushkun Dodonas për simbol të vetin! Këta pellazgë banonin në tre kontinente: përpara se të ndaheshin në kombe të tjera, shtriheshin nga Gjibraltari në Kaukaz dhe nga Deti Baltik deri në Egjipt!

Duhet vënë në dukje se secili shkrim që merret me këso makutërishë, që krijon mite të tilla të zbrazura nga çdo argument, përmban në vete një minus të madh për Islamin dhe myslimanët dhe një plus të madh për katolicizmin, edhe pse në realitet është tërësisht “i zhveshur nga besimi në Zotin” (ateistë). Në metropolet e botës perëndimore shqiptarët “mburren” se si nuk kanë kurrfarë besimi, por kanë “kulturën mijëvjeçare”, që nuk janë në gjendje ta dëshmojmë as me kulturën e sotme?!

Deri dje ata na quanin barbarië, ndërsa sot mund të themi ç’të duam, por kam bindjen se jemi ulur këmbëkryq në ballë të oxhakut të atyre që nuk mësojnë as nga gabimet e veta as nga gabimet e të tjerëve. Autorët e këtyre makutërive po luftojnë me “mullinjtë e erës”, duke menduar se Evropa i pret krahëhapur e në dëshpërim, sepse të gjitha problemet dhe fatkeqësitë e botës kombëtare-shqiptare “i vijnë nga osmanët”, nga ata osmanë që i lanë shqiptarët “më të prapambeturit e Evropës” në kohën kur ishin “fuqia më e madhe e botës”?!

Unë do të kisha dëshiruar të kuptoj më shumë këtë “botë të madhe shqiptare”, e cila na ka xhelozuar ose na i ka frymëzuar edhe fqinjët tanë, për të mbetur në të njëjtin nivel intelektual. Janë po ato makutëri të cilat Nebojsha Drashkoviqi i kundërshton për sinonimin e “ilirit” me “shqiptarin”, duke thënë: “Mi (Srbi) smo potomci ilira a ne Albanci” [Ne jemi pasardhës të ilirëve dhe jo shqiptarët], që paskan ardhur të parët në Evropë, para 23.000 vjetësh  [Kurir, 29.10.2018]. Pesë vjet më parë prof. Anatolij Aleksejeviqi e kishte përcaktuar vjetërsinë e serbëve në 12.000 vjet. Në fund të fundit: “Nëse i kemi besuar për aq vjet Darvinit, pse të mos i besojmë Aleksejeviqit?”, pyeste “Telegraf” [19.9.2013]? Madje, edhe vetë egjiptianët e vjetër e paskan pranuar që i vetmi popull më i vjetër se ata ishin serbët! [Srbija Danas, 10.08.2015]. Profesori Rus nga Harward-i, Anatolij Kljosov, paskësh deklaruar se Ballkani ka qenë atdhe i sllavëve, se ata janë pasardhës të birit të Noas dhe se 40% e europianëve e mbajnë gjenin e tyre, një gjen të cilin sot e mbajnë edhe rreth 100 milionë indianë [Jutarnji, 29.09.2013].

Në vitin 1990 serbët u entuziazmuan me librin e famshëm të Ollga Llukoviqit (Pjanoviq) me titull “Srbi… narod najstariji”. Është i njëjti absurditet që na thotë se edhe gjuha kineze është begatuar duke përvetësuar shumë fjalë serbe, bile prej serbëve është marrë edhe emërtimi Sibir dhe se një përqindje tejet e madhe e gjermanëve të sotëm janë me prejardhje serbe, vetëm se këtë gjë ata e kanë harruar. Ndërkaq, njëri prej pohimeve më bombastike të profesoreshës Ollga është se: “Shqiptarët ua kanë borxh serbëve tokën në të cilën jetojnë, emrin me të cilin i njeh bota dhe gjuhën me të cilën flasin”.

Një libër tjetër i këtij niveli është “Od Indije do Srbije – tri hiljade godina srpske istorije” [Prej Indisë në Serbi – tre mijë vjet histori serbe] i autores Dobroslava Jevđević, e cila paskësh gjurmuar dorëshkrime të vjetra shtatë mijë vjeçare [Telegraf, 4.8.2014]! Ajo thotë: “Janë ata (serbët) që erdhën në Ballkan 3.000 vjet para Krishtit dhe u vendosën në Kretë (Rashkën e Vjetër) në tri periudha, gjatë viteve të 1800-ta, të 1500-ta dhe 1400-ta para erës së re. Edhe pse i nënshtruan kretanët, u përzien me ta dhe e formuan popullin grek!”

Olga dhe Dobroslava ndoshta u hapën rrugë edhe dashamirëve të tjerë të makutërive. Ato nga më “shkencoret” i ka deklaruar prof. dr. Jovan Deretiqi, se vetë Jezusi ishte serb nga nëna, pasi emri Marija i përket linguistikës serbe, emër të cilën më pas e përvetësuan të tjerët. Se deri me ardhjen e turqve në Azinë e Vogël pjesa dërmuese e Azisë ka qenë popullatë serbe, të cilët u bën “turq” kur u islamizuan. Se kultura greke ishte kopje e kulturës “Kritske”, që nuk ishin grekë, por serbë. Ai pohon se janë serbë jo vetëm të gjithë sllavët, por edhe gjermanët, edhe suedezët, edhe holandezët. Madje,e dhe se në shekujt IV dhe V gjithë Evropa ka qenë serbe dhe kanë folur serbisht, se edhe emri “Ilir” kanë qenë serb, që vjen nga emri i Shën Ilisë! Ai vazhdon edhe se në kohën e keltëve në Spanjë kanë sunduar serbët, se para botës antike në botë nuk ka pasur tjetër, veç popullit serb, se 40 perandorë romakë kanë qenë serbë, se gjuha popullore angleze përmban së paku 50% serbizma…

E bëra një paralele të këtillë “shkencore”, një vështrim ndryshe, jo për të përkrahur ose kundërshtuar, por për ta kuptuar enigmën e makutërive të gjuhës e të racës së vjetër! Prof. H. Feraj [E pafilozofuara] na thotë se para 400 vjetësh priftërinjtë shqiptarë e joshqiptarë, për shqiptarët thoshin: “Kurrë nuk kanë pa si shkojnë punët e botës, nuk kanë njohuni as historishë, as popujsh, as vendesh, as shkencash, as shkrimesh… nuk kanë njohuni për gjana të madhnueshme” [Feraj:2011/7-8]. Ata e përshkruanin kusarinë dhe plaçkitjen si mënyrë e jetesës së shqiptarëve [Zamputi: 1989/I/387]. Nëse ne ishim aq të mëdhenj e të civilizuar, përse tani jemi populli më i prapambetur në Evropë? Pse kemi qenë për shekuj nën sundim dhe nuk kemi sunduar në shekuj? Përse u bëmë një popull i vogël nga një popull i madh dhe si arritën të na copëtojnë popujt e vegjël? Pse ata të vegjlit kishin plot aleatë e ne të mëdhenjtë jo? Pse na e ndaluan neve të mëdhenjve të shkruajmë dhe jo atyre të vegjëlve? Sot nuk është problemi nëse jemi nga ilirët, por pse ende kemi mbetur ilirë [Feraj:2011]?

Kush nuk do të kishte dëshirë që gjërat të ishin ndryshe?! Por, në bibliotekat e metropoleve të mëdha botërore, shkrimet që kanë lënë ushëpërshkruesit e huaj nuk kanë pasur fjalë të mira. Kanë thënë për ne “as qytetar të mirë, as punëtorë të mirë, ata mund të jenë sundimtar të mirë dhe ca më tepër kusar të mirë” [Vlora: 2003/123]! Nëse janë të pasur, pasurinë e kanë: “nga grabitja e të tjerëve” [Zamputi: 1965/II/161] Se e kalonin jetën duke plaçkitë varoshe, fshatra e karavane mallrash, tash turqve, tash skizmatikëve, tash të krishterëve të tjerë, tash njëri-tjetrin, njani katund tjetrin, njani popull tjetrin, sa herë duke u çfarosur krejtësisht [Zamputi: 1963/I/277]. Ata na shihnin si vendi i pusisë dhe i gjakut, dheu i dinakërisë dhe i shpifjes, toka e plaçkës dhe e përtimit!

Shqiptarët gjithmonë të ndarë e kurrë të bashkuar: Pashallëku i Shkodrës dhe Pashallëku i Janinës,Republika e Mirditës”, “Republika e Korçës”, “Qeveria e Vlorës”, “Qeveria e Durrësit”, “Qeveria e Lushnjës”, te lufta e klasave, secili kundër secilit dhe kundër vetes, ashtu si sot, shteti “i Kosovës”, “i Shqipërisë” ose “shtetformuesit e Maqedonisë”. Pra, shqiptari gjithmonë ka mbetur individ që ka luftuar për një interes personal, por jo për një interes të organizuar të përbashkët. Edhe sot Shqipëria është bërë një shesh për plaçkë, ku secili sulet të rrëmbejë ofiqe. Sa bukur vjershëronte Azem Shkreli: “Sikur të shiheshim me veten sy më sy/ Kishim për t’u puthë, a kishim për t’u pshty…”

Fatmirësisht, ndër shqiptarët ka edhe njerëz të vetëdijshëm që e dinë se përrallat janë për fëmijët. Çfarë na ndihmon “vjetërsia” nëse ne vazhdojmë edhe më tutje të stagnuar? Shqiptarëve nuk u duhet “rruga e vjetërsisë”, por ajo e së vërtetës. Shqiptarët kanë miq të gjithë ata që ua tregojnë mangësitë dhe armiq të gjithë ata që i lavdërojnë për t’i lënë të stagnuar, ashtu siç janë! Para 121 vjetësh Konica e thoshte: “Në vend që të vemi, të rimihim kopështin dhe të mbjellim, na është më udob të bëjmë gati shportat për të mbledhur pemë që s’kanë zënë as rrënjë…” [Albania, 31.03.1898].